Galiani zbulon planet e Milanit: Ibra qendron, për Tiago Silvën do rezistojmë

23 Maj 2012, 18:53Sport TEMA

Administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, ka zbuluar disa nga strategjitë e klubit rreth merkatos së verës, duke filluar nga ata futbollistë që mund të largohen. I pari në listë është Tiago Silva, i cili kërkohet me ngulm nga shumë klube të mëdha.

“Do të mundohemi t’i rezistojmë ofensivave të bëra nga klube të tjera që kanë shumë para në dispozicion për të shpenzuar. Ai është i lumtur te Milani dhe ka një kontratë deri në vitin 2016. Të gjitha ofertat që na kanë ardhur janë për Tiago Silvën, janë shumë klube të fuqishme që e dëshirojnë atë. Ibra? Nuk është i pakënaqur, pas Milan-Novara jemi takuar dhe kemi folur për dy orë, duke i shtrënguar në fund duart njëri-tjetrit. Ai nuk do të ikë dhe ne nuk duam ta shesim”.

“Tani kemi 5 sulmues për dy role dhe na mungon një mbrojtës. Nëse nuk ikën asnjë, nuk vjen askush tjetër. El Sharaui do të jetë i yni 100% dhe kontrata e tij do të depozitohet me 1 qershor. Merkel do të shkojë te Xhenoa ndërsa Maksi Lopez nuk do të blihet përfundimisht nga Katania, ndonëse jemi të kënaqur me atë që ka dhënë për ne. As Akuilani nuk do të blihet, por do të rifillojmë bisedimet me Liverpulin rreth tij. Robinjo? Ai do të qëndrojë, ka patur disa tundime nga Brazili, por do të qëndrojë te Milani”, ishte komenti i Galianit i cili pastaj ka treguar se për momentin i është bërë një ofertë edhe francezit Flamini dhe mund të rifillojnë bisedimet me Sedorf.

Ai ka pranuar se ka shumë futbollistë që i pëlqejnë në Angli, por nuk do të vijë asnjë nga ata që janë përmendur më shumë gjatë ditëve të fundit.

“Drogba? Didier shkon në Kinë, e thonë të gjithë. Drogba është një lojtar fantastik, isha i sigurt që do të shënonte, ia lexoja në sy, dukej si Shevçenko në finalen e Mançesterit. Baloteli e Tevez? Bëni një pyetje tjetër, treni i Tevez ka kaluar më kohë…”, ishte batuta e Galianit./lajmeshqip

2 komente në “Galiani zbulon planet e Milanit: Ibra qendron, për Tiago Silvën do rezistojmë”

    1. Qi Ljeta says:

      Ik o administrator koti: cdo vit pagu nga 70 milion euro borxhe Berluskoni! Boni nji ekip tamon si Milani i hollandezve (Van Basten, Gullit e Rijkard, se na ka mor molli me pa futboll)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje