Ançeloti: Italisë i duhet një golashënues

17 Qershor 2012, 18:09Sport TEMA

Karlo Ançeloti mendon se Italia do të arrijë të kalojë në çerekfinalet e Euro 2012, por i duhet të gjejë një golashënues nëse kërkon të ngjitet në nivelin e pretendentëve të tjerë. Tekniku aktual i PSZH, dy herë fitues i Ligës së Kampioneve me Milanin, shpjegoi për “L’Equipe” se sipas tij, skuadra e Prandelit kishte interpretuar gabim pjësën e dytë të ndeshjes kundër Kroacisë.

“Gjatë pjesës së parë, Italia luajti mirë dhe ishte shumë solide. Por në pjesën e dytë ata ndryshuan krejtësisht filozofinë e lojës së tyre. Ata ishin më mbrojtës në përpjekjet për të ruajtur avantazhin. Sipas meje, kjo nuk ishte një ide e mirë. Problemi i Italisë ishte të shënonte dhe ata aktualisht nuk kanë një golashënues të mirëfilltë. Baloteli dhe Kasano nuk po shënojnë sa duhet”.

Sipas tij, as Franca nuk është në nivelin që kërkohet për të synuar fitoren në Euro 2012. “Nuk e mendoj këtë kombëtare si favorite. Spanja vazhdon të jetë pretendente kryesore pasi është skuadra më e balancuar. Edhe Gjermania është shumë e fortë. Mendoj se Franca do të arrijë në çerekfinale dhe shpresoj që edhe Italia ta ndjekë”, tregoi trajneri.

Ai më pas zbuloi edhe emrat e futbollistëve që i kishin bërë përshtypje gjatë këtij turneu. “Sulmuesi polak Levandovski është shumë i mirë dhe shumë i shpejtë. E di që kishte një sezon shumë të mirë me Borusia Dortmund, por në disa raste është e vështirë ta përsëritësh formën në një Evropian. Më pëlqen gjithashtu edhe kroati Manxhukiç, i cili është një lojtar shumë fizik dhe efektiv në lojën në ajër”, deklaroi Ançeloti.

1 komente në “Ançeloti: Italisë i duhet një golashënues”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje