Roi Hodgson ka më pak se një muaj në kreun e përfaqësueses angleze por që tani ai është gati të shkruajë emrin në historinë e kësaj kombëtareje.
Trajneri theu “tabunë” e Suedisë, duke mundur këtë përfaqësuese për herë të parë pas 7 ndeshjesh në turnetë zyrtarë ku Anglia nuk kishte provuar shijen e fitores kundër ekipit skandinav.
Ndërsa tani, ai kërkon të bëhet trajneri i parë anglez që fiton kundër një prej gjigandëve të futbollit botëror në fazën në eliminim direkt të një turneu, jashtë mureve të stadiumit “Uembli”. Mund të duket ironike, por Anglia nuk ka fituar asnjëherë përballë skuadrave të mëdha botërore nëse aktiviteti nuk është zhvilluar në vendlindje dhe Hodgson po bën maksimumin që ndaj Italisë, edhe kjo tabu të thyhet.
Përgatitjet për këtë sfidë janë shumë të veçanta, 20minuta video për kundërshtarin me detaje të çdo futbollisti dhe reparti, si dhe shumë anekdota për të ilustruar mënyrën e lojës së anglezëve.
“Mos u çuditni nëse ndodh, ai është një “ekspert italian”. Tani Anglia luan si Italia, pret kundërshtarin dhe godet në kundërsulm”, ishte paralajmërimi i Roberto Mançinit, trajnerit italian të Mançester Sitit, që në dy vitet e fundit e ka patur Hodgson përballë si kundërshtar në kampionatin anglez.