Influenca e Mario Balotelit në futbollin botëror ka filluar të bëhet e dukshme dhe ka mbërritur së fundmi deri në Japoni, ku një lojtar vendas ka imituar festimin e tij pas golit të dytë kundër Gjermanisë në gjysmëfinalen e Euro 2012.
Gjatë ndeshjes së kampionatit japonez të futbollit mes Kauasaki Frontale dhe Visel Kobe, sulmuesi i ekipit mik, Ken Tokura, shënon nga distanca me një predhë që nuk i la kohë të reagonte portierit të ekipit vendas. Ashtu si Baloteli, Tokura hoqi fanellën me numrin 9 dhe tregoi muskujt e tij pa ndryshuar shprehjen e fytyrës, derisa shokët e skuadrës iu bashkuan në festime.