Andres Iniesta ka treguar se mendon që Zhoze Murinjo është një person oportunist, i cili ka përfituar nga rasti për të folur keq për Spanjën. Portugezi kritikoi lojën e kësaj përfaqësueseje pas barazimit 1-1 ndaj Italisë në ndeshjen e parë në Euro 2012 dhe për Iniestën, kjo ishte koha e duhur për t’u kundërpërgjigjur.
“Ajo ishte një kritikë oportuniste duke parë rezultatin. Të merresh me këto lloj deklaratash është thjesht humbje kohe. Mënyra jonë për të arritur gjërat ka qenë me këtë lloj futbolli dhe me këto lojtarë, një gjë të cilën nuk duhet ta harrojmë asnjëherë”, ishin fjalët e mesfushorit i cili u shpall lojtari më i mirë i Euro 2012 nga Ekipi Teknik i UEFA-s.
“Jam i lumtur për vlerësimin, pasi do të thotë që njihet puna që bën në fushë. Është një ndjenjë shumë e mirë përveç asaj të të qenit kampionë. Nuk e mendoja se do të fitoja këtë çmim, mendoja vetëm si të shpallesha kampion me Spanjën”.
“”Topi i Artë’? Nuk shqetësohem për këtë trofe, më intereson vetëm të luaj mirë dhe të kënaq njerëzit. Nuk konkurroj kundër të tjerëve për të fituar këtë trofe pasi në fund të fundit nuk jam unë që vendos. Po të ishte në dorën time, do ta merrte përsëri Leo Mesi”, ishin fjalët e mesfushorit të Spanjës.