Tiago Silva ka deklaruar se nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht idenë e largimit nga Milan drejt Paris Sent Zhërmen. Lojtari dukej se do të shkonte në Paris pasi klubi francez i kishte bërë kuqezinjve një ofertë të parefuzueshme prej 46 milionë eurosh.
Por presidenti Silvio Berluskoni vendosi që të mbante lojtarin, i cili më pas nënshkroi kontratën e tij të re me klubin italian.
“Të jem i sinqertë, asnjëherë nuk kam menduar të largohem nga Milan. Në të gjitha intervistat që kam dhënë, kam thënë se dua të qëndroj dhe të vazhdoj karrierën aty. Por meqë jam paraqitur mirë, klubet e tjera hodhën sytë nga unë dhe ishte normale që të vinte një ofertë. Por vendosa të qëndroj dhe jam i lumtur”.
Mbrojtësi ka treguar se shumë prej shokëve të skuadrës e kishin telefonuar për ta bindur që të refuzonte ofertën e PSZH dhe të vazhdonte të qëndronte në Itali.
“Fola me Ibrahimoviç, i cili është një mik i mirë, ashtu si me Kasanon, Pato, Robinjo dhe Jepes, ndërsa të gjithë më këshilluan të mos largohesha. Por u thashë se po mendoja të bëja histori te Milani, ashtu si Maldini dhe Barezi. Fakti që krahasohem me ta është një krenari shumë e madhe”, ishin fjalët e lojtarit në një konferencë për shtyp të dhënë në Rio De Zhaneiro.