Arsenal, Jovetiç ose Levandovski për të zëvendësuar Van Persin

6 Korrik 2012, 13:17Sport TEMA

Skuadra e gjurmuesve të talenteve të Arsenalit do të mblidhet të hënën në Londër duke vënë para drejtuesve të klubit dhe trajnerit Arsen Venger një listë me emra të mundshëm futbollistësh që mund të zëvendësojnë Robin Van Persin.

Sipas mediave britanike, emrat në majë të listës janë malazezi Stevan Jovetiç i Fiorentinës dhe polaku Robert Levandovski i Borusia Dortmund. Këta shihen si dy lojtarët më të mundshëm për t’u afruar në skuadër sapo kapiteni holandez të zgjedhë destinacionin e tij të ardhshëm, me dy klubet e Mançesterit që e kërkojnë me ngulm.

Ndërkohë, në klub kanë shpërthyer përplasjet mes aksionerëve, ku Alisher Usmanov ka kritikuar hapur drejtimin e Sten Kroenke. Në një letër të hapur, ai ka shprehur pakënaqësinë për largimin e vazhdueshëm të yjeve të skuadrës dhe politikave që e kanë larguar Arsenalin nga majat e klasifikimit.

“Si vazhdimësi e politikës së z. Kroenke, që e maskon atë si “financim i kujdesshëm financiar”, është trajneri ynë që detyrohet të shesë lojtarët më të mirë duke blerë zëvendësues jo të të njëjtit nivel për të mbuluar borxhin e stadiumit. Me sa duket, një vend në Ligën e Kampioneve do të vazhdojë të jetë objektivi ynë maksimal edhe në sezonin e ardhshëm shkruhet në letrën e Usmanov që zotëron rreth 30% të aksioneve të klubit londinez./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje