Gordon: Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit të Kosovës

9 Korrik 2012, 17:34Rajoni TEMA

Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit demokratik e sovran të Kosovës, ka deklaruar të hënën në Prishtinë, ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon.

Pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Gordon tha se po vinte nga Beogradi ku kishte takuar presidentin e sapozgjedhur Tomisllav Nikolliq, të cilit ai i kishte përcjellë edhe njëherë qëndrimet e Shteteve të Bashkuara se Kosova është shtet i pavarur me integritet të plotë territorial.

I kam shprehur atij qëndrimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Gordon.

Ndërkaq lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, Gordon tha se SHBA angazhohet që marrëveshjet e arritura deri më tani të zbatohen.

Ne i mbështesim plotësisht aspiratat e Kosovës për integrimin e Bashkimin Evropian, e po ashtu edhe të Serbisë”, është shprehur zyrtari i lartë amerikan.

Në emër të presidentit Obama dhe sekretares Klinton i kam uruar presidenten dhe popullin e Kosovës për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare”, ka thënë me këtë rast Gordon.

Ai u shpreh i inkurajuar me planet për veriun e Kosovës.

Zyra Civile atje është në të mirë të qytetarëve të atjeshëm të cilëve do t’u shërbejë të jenë më afër institucioneve të Kosovës”, tha zyrtari amerikan.

Gjatë kësaj vizite, Gordon i dha mbështetje të drejtpërdrejtë edhe presidentes Jahjaga.

Kemi ndjekur dhe përcjellë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe komenti i vetëm që ne kemi është se vendimi i Gjykatës duhet të respektohet plotësisht”, ka thënë Gordon në lidhje me vendimin e Kushtetueses se Jahjaga ka mandat të plotë 5-vjeçar.

Në këtë aspekt, ai i premtoi Jahjagës mbështetjen amerikane dhe bashkëpunimin edhe për të ardhmen.

Në anën tjetër presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet fqinje, po ashtu edhe me Serbinë, por duke pranuar edhe realitetet e krijuara”, tha Jahjaga.

I kemi dhënë mbështetje dialogut që është zhvilluar në Bruksel i cili ka pasur si qëllim lehtësimin e jetës së qytetareve të dyja shteteve. Ne si institucione të shtetit të Kosovës duam që të ketë edhe zbatim të gjitha marrëveshjeve të arritura në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha Jahjaga ne lidhje me vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Presidentja e vendit përsëriti edhe njëherë qëndrimin e institucioneve të Kosovës se për tri komunat veriore nuk ka ndarje e as status të veçantë. Zgjidhja është në Pakon e Ahtisarit, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga si edhe ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon kanë dënuar vrasjen e çiftit serb në Talinoc të Ferizajt dhe kanë inkurajuar të gjithë të zhvendosurit që të kthehen dhe jetojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Para se të vinte në Prishtinë, Gordon ka qëndruar edhe në Beograd në kuadër të një turneu diplomatik nga 6 deri më 12 korrik, gjatë të cilit ka vizituar Francën, Kroacinë, ndërsa ka vazhduar me Serbinë, Kosovën dhe Qipron.

Ditë më parë, në samitin në Dubrovnik të Kroacisë, Gordon i bëri thirrje Serbisë që të pranojë “realitetin” e pavarësisë së Kosovës, edhe në qoftë se Beogradi nuk e njeh formalisht pavarësinë.

As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Nuk do ta bëjë këtë“, ka thënë Gordon./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje