Tridhjetepesë familje serbe, të cilat kanë jetuar në të ashtuquajturën “Ndërtesë e Sindikatës” në qendrën e qytetit në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë akuzuar pushtetarët paralelë serbë dhe Qeverinë e Serbisë, se nuk e kanë mbajtur premtimin për sigurimin e strehimit, pas rrënimit të kësaj ndërtese. Ata gjithashtu kanë akuzuar udhëheqësit e komunës paralele se po e shtyjnë ndërtimin e këtij objekti, në përpjekje që të përfitojnë diçka edhe për vete.
Banorët e kësaj ndërtese, të cilët qeveria lokale serbe e Mitrovicës i ka vendosur në “Lagjen e Boshnjakëve”, thonë se nuk do të presin shumë që qeveria lokale serbe dhe Qeveria e Serbisë t’i mbushin premtimet e dhëna para katër vjetëve, kur ishte rrënuar objekti, për sigurimin e strehimit për të gjitha familjet, në objekt të ri banesor, i cili planifikohej të ndërtohej në të njëjtin vend, e pastaj, siç ka thënë përfaqësuesi i këtyre banorëve, Tomisllav Vuçkoviç, do t’i drejtohen shefes së Zyrës Administrative, Adriana Hoxhiç, me kërkesën që t’ua bëjë zgjidhjen.
“Ndërtesa ishte rrënuar sepse ishte e vjetër, një ndërtim joadekuat dhe i ndërtuar pa leje. Pa kulm mbi kokë kanë mbetur 35 familje, kurse në vendin ku ishte dikur ndërtesa tani është një sipërfaqe e mbuluar me barishte. Pushtetarët tanë na patën premtuar se do ta ndërtojnë objektin e ri, me çka do të zgjidhej edhe problemi i strehimit për familjet tona. Mospërmbushja e premtimeve nga ana e çdo qeverie vetëm sa po e zgjat agoninë e ish-banorëve të kësaj ndërtese”, thotë Vuçkoviç, me një dozë mllefi dhe revolte, për shkak të paralajmërimeve se do t’i largojnë nga “Lagja e Boshnjakëve”.
Ai shton se komuna u kishte premtuar që më 28 qershor të vitit 2011, për Vidovdan, do të vihet guri i themelit të kësaj ndërtese dhe këtë do ta bëjë kryetari i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik.
“U hap një gropë për t’u fotografuar politikanët e për të marrë medalje mirënjohëse, për kinse po punojnë diçka. Mirëpo, që nga viti i kaluar, askush nga funksionarët e qeverisë lokale e as ata të qeverisë serbe nuk dëshirojnë të dëgjojnë për ne dhe për hallet tona e as të bisedojnë me ne lidhur me këtë temë. Tash e katër vjet ne realisht jemi në rrugë, për çka edhe shumica prej nesh jemi sëmurë. Ne edhe një herë do të trokasim në dyert e të gjithë faktorëve relevantë këtu në Mitrovicë dhe po që se sërish na injorojnë, atëherë do t’i drejtohemi Adriana Hoxhiqit”, shton Vuçkoviç.
Sipas përfaqësuesit të banorëve të “Ndërtesës së Sindikatës”, trualli ku ishte i ndërtuar ky objekt është shumë atraktiv për qeverinë lokale, e cila në këtë vend dëshiron ta ndërtojë një objekt në vlerë prej 3 milionë eurosh. “Tash për tash këto para atyre u mungojnë, andaj ata që më së shumti pësojnë nga kjo jemi ne. Ripërsëris, se ata nuk duan që ta ndërtojnë këtë objekt vetëm për ne, por dëshirojnë të përfitojnë diçka edhe për vete, tek e fundit nga një banesë”, nënvizon Vuçkoviç.
Ndërsa, një tjetër ish-banore e kësaj ndërtese, Dragica Ceroviç, thotë se banorët kanë frikë se pushteti lokal do t’i largojë dhunshëm nga shtëpitë ku ata jetojnë në “Lagjen e Boshnjakëve”.
E ashtuquajtur “Ndërtesë e Sindikatës” në veri të Mitrovicës, ishte rrënuar më 4 mars të vitit 2009. Me atë rast ishin plagosur tre veta, prej të cilëve dy ishin shtruar në Spitalin e Mitrovicës, në pjesën veriore. Disa nga banorët e kësaj ndërtese, siç thonë Vuçkoviç e Ceroviç, më pastaj ishin sëmurë, ndërsa disa të tjerë kishin humbur edhe vendet e tyre të punës./ZERI