Politika si biznes qylaxhinjsh

9 Gusht 2012, 17:42Blog TEMA

Nga Brizida Gjikondi

 

Në fakt pak shqiptarë mund të jenë “shokuar” nga pasuritë marramendëse të politikanëve tanë të të gjithë krahëve. Shqipëria është aq e vogël, sa të gjithë njohim dhe dimë gjithçka për njëri-tjetrin, pavarësisht “fshehjeve” të rrobave të palara nëpër emra të deleguar, llogari bankare përtej kufijve ose jo. Shqipëria është si një fshat i madh, ku burimin e fshatit e dimë të gjithë se ku ndodhet.

Çka më bëri përshtypje ish babëzia progresive e “elitës sonë politike”, babëzi e cila është aq makute dhe e verbër, saqë sundon dhe nxjerr zbuluar çdo “rrenë” të tyren të deklamuar në podiume, sheshe, foltore ose seli partiake për devotshmërinë dhe legjitimitetin e tyre për të qarë hallet e shqiptarëve të mjerë. Po kush janë këta pasunarë..?!!

Si mundën këta të gdhihen në 1990 xhepgrisur e të barabartë me të gjithë ne 3 milionët e tjerë dhe në 20 vjet të zgjohen multi-milionerë në euro..?!! Edhe ekonomisti më mediokër dhe optimist njëkohësisht do e kish të vështirë t’iu hartonte bilance “shpëtuese” pasunarëve të politikës shqiptare. Çka unë mendoj se duhet të jetë shqetësuese për mbarë shoqërinë realisht elitare shqiptare, duhet të jetë kuraja e këtyre “kodoshëve”, të cilët në ditë me diell fyejnë intelektin tonë duke proklamuar se “pasuritë e tyre janë të pastra” dhe se s’kanë të bëjnë fare me mjerimin e çdo vlere që ka kapluar Shqipërinë.

Është për të ardhur keq që në një shoqëri demokratike, ku logjikisht konkurrenca e vlerave është çelësi që të çon përpara, janë shushunjat servile të pushteteve që majmen me gjakun e mbarë një shteti.

Pasunarët e pushteteve (alias politikanë) janë vdekatarë që s’iu dhëmb ardhmëria, pasuria kombëtare dhe dinjiteti i kombit të tyre, ata janë qeniet më të pështira, më qylaxhie, më të paafta. Ata “vdesin” po t’i nxjerrësh në luftën e egër, por shpërblyese të kapitalizmit, por JO!!! Ata janë grabitqarët e mallit që iu është besuar për ta ruajtur dhe menaxhuar në emër të të gjithë shqiptarëve të tjerë, shtetit të tyre.

Kam parë nga afër se sa diabolik dhe përbindësh është një ministër kur bie era tender; kam parë nga afër se sa Toto Rina është një kryetar partie kur bie era zgjedhje dhe qeveri pazaresh. Ai pasunari i politizuar mund të jetë deputet, ministër, drejtor KESH-i o drejtor taksash a doganash a burgu, biznesmen, kryebashkiak, ndërtues, prokuror, gjyqtar, pronar mediash, kryetar OJF-je, por ai ka një veçori nga intelektualët punëtorë, por të heshtur e xhepshpuar, ai ka lugën në brez dhe moralin në pusetë.

Të gjithë dimë se si funksionon kjo dynjaja jonë e quajtur Shqipëri, edhe bufi di emrat dhe pazaret e vampirëve që kanë shkatërruar dhe shkatërrojnë vlerat e kësaj Shqipërie. Por ata janë dhe ligji dhe Maliqi, cikli është i mbyllur, është si biçim lavatriçeje, lavatriçe mafioze, askush nuk duhet të presë që kasta e kapur e politikës së pasunarëve shqiptarë të vetëpurifikohet, për fat të keq tonin ata i kanë mbyllur të gjitha shtigjet, gjyqësori dhe prokuroria, pararendësit e tronditjeve të shteteve mafioze nëpër botë, në Shqipëri janë barkas-shtrihu njësoj me pasunarët e politikës, jo më kot këta të fundit janë aq “agresivë” me njëri-tjetrin kur është puna e ndarjes së pazareve të emërimeve të VIP-ave të drejtësisë shqiptare.

Eh, Shqipëria e mjerë, prej dekadash s’i lindin më bij që t’i japin vlera e jo t’ia zhvatin, prej dekadash si hiena hamë njëri-tjetrin ndërkohë që për 2 vjet mbushim një shekull pavarësi shtetare, një shekull të mbushur plot vëllavrasje shumëtrajtëshe. Ndoshta këta jemi, ndoshta kështu meritojmë të jemi, vdekatarë të vegjël, parazitë, sherrxhinj, mashtrues dhe grabitqarë pa fe dhe zot në zemër. Pa të shkuar dhe pa të ardhme. Le të vazhdojnë të heshtin, besimtarët dhe atdhetarët, Shqipërinë ndoshta s’e meritojmë.

 

10 komente në “Politika si biznes qylaxhinjsh”

  1. Lex Rex says:

    Tek paragrafi i fundit ka nje gabim: atje shenohet qe për 2 vjet mbushim nje shekull pavaresi, ne nje kohe kur deri ne nentor 2012 mbeten vetem pese muaj.

  2. lexuesi says:

    o gazetare,
    po per ndonje emer konkret si i behet apo ti marim me mend ne se juve siu a mban te shkruani

    1. fule says:

      Po ja Ilir Meta Lulzi Basa, psh. e cfare pastaj? Nuk i njohim?

  3. Sequi Tutori says:

    Ky shkrim eshte bashkohor dhe pse e kam lexuar kohe me pare ne web.

  4. emy says:

    trime kjo Gjikondi

  5. geno says:

    O Brizida! Si leksion e ke mire shkrimin, po puna eshte te flasesh me emra dhe fakte, se ti ke qene me post te larte, brenda kupoles mafizoe te pushtetit te Fatos Nanos ne PS dhe ne kupolen e mafiozit Ilir Meta dhe i mire “historirat” e korupsionit.

  6. monus says:

    o geno pa na thuaj ti ca emra meqe je dhe anonim, mire Brizilda eshte frikacake

  7. fatmiri says:

    Tee gjithe ne flasim e shkruajme per ata qe na vjedhin e vrasin, por ç’duhet te bejme, keshtu duhet ndenjur? Kjo rruga demokratike nuk na dha zgjidhje, as ndihma e vellait amerikan, europian apo turk. Atehere ngelet nje rruge: lirine dhe demokracine nuk e fiton dot me paqe, por me lufte. Do te ishin vrare me pak se shuma ete vrareve çdo dite dhe ne do te ishim te lire. Po pse budallenj ishin tunizaianet, egjyptianet, libianet, apo akoma sirianet qe derdhin gjake çdo dite? Kush pretendon per tranzicion, eshte hajdut. Duhet kthese 180 grade me dyfeke te ngrehur kunder gjithe bashibozukeve qe kane pushtuar vendin. Kush ta fal pushtetin si ja falen Sali Berishes, apo Fatos Nanos? Pra ne ishim ne nivelin zero dhe ashtu avash avash u ngitem nje shkalle dhe arritem ne demokraci! Do ngjisim dhe ca shkalle te tjera e do arrijme mirqenie e siguri , por te sigurte se nuk do te shkojme ne ferr , por ne parajse. Udhe e mbare!

  8. Paul Neti says:

    Mendoj se eshte me vend tani te kujtojme fjalet e Faik Konices “Shqiperi te kam dh…e se s’te mora vesh asnjehere!”. Ky vend qe te ri-behet nuk do me reforma, por qilizem… do nje Junte Ushtarake qe te zhduke si te majten ashtu edhe te djathten ne politike, qe te ri-mbjelle friken ndaj pushtetit banoreve te ketij vendi, t’i detyroje ata te punojne jo vetem per vehte po edhe per vendin (ne se e duan me te vertete!), pra thjesht duhet lufte, revolucion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje