Bojan Krkiç ka lëshuar bombën më të madhe të merkatos, kur në intervistën e tij të parë si futbollist i Milanit, ka zbuluar se në të ardhmen ky klub mund të ketë në drejtimin e tij Pep Guardiolën.
“Unë nuk kam folur me Guardiolën gjatë kësaj kohe, por dikush nga Barcelona me ka thënë se ai dëshiron të vijë te Milan, por nuk mund të zbuloj se kush ma tha një gjë të tillë”, ishin fjalët e lojtarit spanjoll. “Unë kam mësuar gjithçka që di nga ai dhe Barcelona. Kam luajtur për 4 vite si në ëndërr, përkrah lojtarëve si Ksavi, Iniesta e Mesi, kjo më ka ndihmuar shumë. Por tani jam te Milani dhe jam këtu për të qëndruar gjatë”, premtoi futbollistit spanjoll.
Deklarata e Krkiç është një tjetër kambanë alarmi për trajneri Masimiliano Alegri, i cili duket se nuk gëzon më besimin e drejtuesve kuqezinj. Këta të fundit e kanë kritikuar shpesh publikisht atë, ndërsa thumbimi i fundit erdhi menjëherë pasi Milan siguroi firmën e mesfushorit holandez Nigel De Jong.
“Tani Alegri duhet të shqetësohet seriozisht. Me blerjen e De Jong kemi shkurtuar diferencën me skuadrat e tjera. Tani duhet të luftojmë për titull, nuk ka më deklarata për vendin e tretë pasi kemi marrë lojtarin më të rëndësishëm që ka ardhur në Itali këtë vit”, tha administratori i përgjithshëm, Adriano Galiani.
Por duket se edhe titulli kampion nuk do t’i shpëtojë vendin e punës Alegrit, pasi dihet që Pep Guardiola është ëndrra e vjetër e presidentit Berluskoni, i cili e ndjek prej vitesh dhe e ka ftuar disa herë spanjollin të marrë drejtimin e skuadrës së tij.