Porto i ka vënë një afat përfundimtar çështjes së transferimit të sulmuesit brazilian Hulk, duke vënë ditën e sotme si të fundit ku do të ulen në bisedime me klube të ndryshme për shitjen e tij.
Futbollisti 26 vjeçar iu afrua skuadrës portugeze në vitin 2008 dhe që atëherë ka luajtur 98 ndeshje duke shënuar 54 gola në kampionat, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka fituar tre tituj kampion në Portugali dhe një trofe të Europa League.
Forma e tij e ka kthyer në objektin e merkatos së shumë klubeve të njohura evropiane, duke detyruar edhe zëdhënësin për shtyp të kampionëve të Portugalisë që të pranojë se për lojtarin ka interes të vazhdueshëm nga dy klube angleze që mendohet të jenë Çelsi dhe Totenhem, si dhe Zenit Shën Petersburg.
“Maksimumi të mërkurën në darkë, do të ketë një zgjidhje të situatës. Kemi tre propozime nga jashtë Portugalisë, dy klube angleze dhe Zenit, ndërsa po zhvillohen bisedime si me Porton, ashtu edhe me lojtarin”, tregoi Ahaz Felleger për “Antena 1”.
“Qëndrimi te Porto është ende një mundësi shumë reale. Ai është i lumtur te ne dhe për klubin nuk ka probleme”.
Ndonëse Hulk ka një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh në kontratën e tij, mendohet që Porto është gati ta shesë atë për rreth 40-45 milionë euro.