Roberto Mançini u përfshi në një tjetër përballje me Mario Balotelin pasi pa Mançester Sitin të linte përsëri t’i ikte nga duart avantazhi dhe fitorja në minutat e fundit, në ndeshjen e barazuar 1-1 ndaj Arsenalit.
Pas përfundimit të ndeshjes, Baloteli që u aktivizua si zëvendësues në minutën e 85-të të sfidës, vrapoi drejt pankinës, duke dialoguar me Mançinin. Trajneri u përgjigj duke i vënë dorën në shpinë lojtarit të tij dhe duke e shtyrë në tunelin e dhomave të zhveshjes.
Tekniku italian u duk qartë që nuk donte të fliste rreth këtij incidenti para kamerave, duke pretenduar se nuk mbante mend asgjë rreth asaj që kishte ndodhur.
“Nuk mbaj mend asgjë me Marion. Është e mundur që mund ta kem shtyrë atë. Nuk më kujtohet nëse ai po më pyeste për ndonjë gjë apo jo, po nuk ka asnjë rëndësi. Mario mund të mendojë që ishte diçka e rëndësishme”.
“Mos është se ai nuk luajti titullar dhe u aktivizua vonë? Ndoshta, ndoshta. Do ta pyes sa ta takoj në stërvitje”, u mundua të minimizonte gjithçka trajneri i Mançester Sitit.
Më pas, ai foli edhe për ndeshjen, ku barazimi me Arsenalin duket se nuk ka lënë një shije të mirë, pas asaj humbje të hidhur në mesjavë me Real Madrid.
“Më vjen shumë keq për djemtë pasi ishte një situatë e vështirë pas Real Madrid. Jam i shqetësuar, pasi vazhdojmë të pësojmë gola. Nuk e di se pse ndodh një gjë e tillë. Në pjesën e parë, kishim një lojtar më pak në mesin e fushës dhe Arsenali luante qetësisht. Kur ndërrova Sinkler me Roduell, ishim ne që luajtëm më mirë në pjesën e dytë”, shpjegoi Mançini luhatjet e skuadrës së tij.
“O Balo të hëngërtë tënja
E keshe të keqen brënda!”
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/nastradini.html