“Koha Ditore” ka nisur publikimin e intervistës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhënë për “Rubikonin” në KTV, e cila pati jehonë të pazakonshme në opinionin e Kosovës. Në këtë intervistë kryeparlamentari Krasniqi u shfaq kritik kundrejt zhvillimeve aktuale politike në vend, veçanërisht rreth gatishmërisë për bisedime politike me Serbinë, luftës së munguar kundër korrupsionit, por edhe për zhvillimet brenda partisë së tij.
Krasniqi e quajti gabim “Po-në” e kryeministrit Thaçi për bisedimet politike me Serbinë. “Vendimi për bisedime politike me Serbinë duhet të merret pas një konsultimi të brendshëm të të gjitha partive parlamentare, e të mos jetë individual… (Thaçi) ka gabuar dhe nuk është dashur të thuhet se në fund të fundit ai nuk është mbret as në Partinë Demokratike…”
Pyetjes se a na kanë njohur 92 vende, Krasniqi iu përgjigj shkurt: “90 na kanë njohur” (qesh).
Kurse pyetjes tjetër se a është konsultuar PDK-ja para se kryetari i saj të deklarohej pro bisedimeve politike me Serbinë, Krasniqi u përgjigj: “Për çështjen e bisedimeve në Partinë Demokratike nuk është biseduar. Prandaj, unë po them që, para se të bëhen ato bisedime, duhet të bëhet një debat i brendshëm në shoqërinë kosovare dhe pastaj debati i brendshëm ia jep kompetencat, përgjegjësitë për të biseduar, le të shkojnë dhe të bisedojnë.”