INTERVISTA/ Rama: Nuk do votojmë për kreun e KQZ. Reforma parlamentare tani pret vetëm miratimin

5 Tetor 2012, 21:08Politika TEMA
INTERVISTA/ Rama: Nuk do votojmë për kreun e KQZ. Reforma parlamentare

Flet kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Bisedoi: Alfred Peza, Vizion Plus

A. Peza – Sot dhe dje, por në gjithë këto ditë është diskutuar një çështje shumë e rëndësishme e cila lidhet me vitin politik, me vitin elektoral që kulmon këtë vit politik por edhe me një nga elementët thelbësorë të përgatitjes për këtë vit elektoral, që është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çfarë po ndodh me KQZ-në? Kur pritet të konstituohet?

E. Rama – Fatkeqësisht e gjithë procedura e ndjekur nuk ka qenë e bazuar mbi ligjin që kemi miratuar bashkarisht dhe pjesa më flagrante e procedurës ka qenë futja në kandidaturat e seleksionuara prej komisionit me vota e shumicës e dy kandidaturave që nuk plotësonin as kriteret ndërkohë që ligji është shumë i qartë që ka kritere strikte për këtë rol. Megjithatë, në kushtet kur është e rëndësishme që KQZ-ja të fillojë punë një orë e më parë duke u riformatuar, ne kemi mbajtur një qëndrim i cili ka qenë një qëndrim shumë i thjeshtë ndër ato katër kandidatura që për ne janë të tëra me probleme, kemi skartuar sipas ligjit dy kandidatura që ishin tërësisht jashtë kritereve.

A. Peza – A mos ka qenë rastësisht një taktikë e PD e ju keni rënë në kurthin e saj që ato dy kandidaturat i sollën me probleme që ju ti eliminonit dhe të sillnit dy femra, Marsida Xhaferllarin dhe Lefteri Lleshin, që me sa duket do kemi kryetare femër?

E. Rama – Nuk është çështje kurthi, sepse e përsëris që në ligj procedura është e ndërtuar e tillë që kryetari i takon vullnetit të shumicës dhe kjo është normale besoj unë, pavarësisht se shumica e këtushme është një shumicë e cila nuk ka asnjë legjitimitet moral pasi ka dalë nga vota të vjedhura dhe ajo çka bën pala tjetër, pra opozita, është që skarton dy kandidatura dhe lë dy që mbeten në fund.

A. Peza – Më pas votohet njëra nga të dyja?

E. Rama – Ne nuk marrim pjesë në atë votim për shkak se e gjithë procedura ka qenë me shkelje të vazhdueshme të vetë ligjit dhe në fund nuk ka asnjë arsye për ne që të marrim pjesë në kurorëzimin e kësaj procedure.

A Peza- Pra do ta bojkotoni momentin e zgjedhjes së kryetares së KQZ-së?

E. Rama – Nuk do të bojkotojmë, por nuk do të marrim pjesë në procesin e votimit.

A. Peza – Është vendim i marrë?

E. Rama – Është vullnet i shumicës le të bëjnë çfarë të duan.

A. Peza – KQZ simbolizon nxjerrjen e rezultatit përfundimtar të një procesi elektoral dhe meqë jemi te konstituimi i Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve, te kryetarja e re, këtë mund ta themi, a do t’i mbrojë PS këtë radhë votat apo do të vazhdojë të nxjerrë fajtore KQZ-në apo elementë të tjerë të piramidës elektorale?

E. Rama – Edhe fakti që ju e bëni këtë pyetje, e këtë pyetje e bëjnë shumë njerëz, provon se në Shqipëri ka një problem themelor me zgjedhjet, që është integriteti i tyre dhe përballë këtij problemi nuk është thjesht Partia Socialiste, por është e gjithë shoqëria që duhet të jetë e angazhuar. Janë të gjithë faktorët shoqërorë që duhet të jenë të angazhuar sepse çështja e integritetit të zgjedhjeve është një çështje që është shumë më e madhe për shoqërinë se sa një çështje se kush fiton apo kush humbet dhe zgjedhjet nuk janë një ndeshje futbolli ku kemi dy tifozeri dhe dy skuadra, njëra fiton e tjetra humbet dhe pastaj javën tjetër vazhdon kampionati. Zgjedhjet janë një moment ballafaqimi për të ardhmen e një vendi të përbashkët dhe si i tillë ky është një moment solemn që bazohet në vullnetin e popullit sovran. Unë jam i bindur që ne do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe iu bëj në mënyrë konstante apel të gjithë atyre që e bëjnë këtë pyetje që të kuptojnë se mbrojtja më e sigurt e votës është shumëfishimi i votës, është pjesëmarrja në votim është edhe nxitja e atyre përreth e familjarëve e fqinjëve e miqve e të njohurve që të marrin pjesë në votim. Sa më shumë shqiptarë e shqiptare që duan ndarjen nga kjo rrugë e vjetër të marrin pjesë në votim, aq më shumë është e garantuar vota për një rilindje shqiptare.

A. Peza – Ju e keni në fakt precedentin në 2011-ën, jo më shumë se një vit më parë në Tiranë 10 vota ishin ato që bënë një diskutim kaq të madh politik dhe nuk besoj se pas kësaj ka pasur ndonjëherë më shumë vlerë vota se sa këtë radhë, por puna është që kush është garancia që kjo votë, sido që të hidhet, sado masive ose jo, kudo që të shkojë nga ana politike do të ruhet e do të lexohet drejtë e rezultati do të dalë i tillë që nuk do të thoni një ditë më pas që edhe këtë radhë na vodhën?

E. Rama – Faleminderit për shembullin e Tiranës, sepse në Tiranë kemi praktikisht një shembull shumë të vlefshëm për të kuptuar se çfarë do të bëjmë në zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet e Tiranës u karakterizuan nga një vjedhje industriale e cila u shtri në të gjitha fazat e procesit e megjithatë ne i fituam zgjedhjet në Tiranë, falë pjesëmarrjes së zgjedhësve në votim në një masë të atillë që s’ishte parë kurrë në një palë zgjedhje lokale. Fituam me vetëm 10 vota dhe për këtë arsye edhe mundësia për ta përmbysur rezultatin me një pabesi të hapur ndaj popullit të Tiranës ishte aty. Ndërkohë që leksioni për zgjedhjet e ardhshme është që duhet që gjithkush duhet të marrë përgjegjësinë e pjesëmarrjes në votim sepse në rast se votat nuk do të ishin 10 por do të ishin 1000 s’do të kishte asnjë shans që ajo fitore të rrëmbehej ashtu siç u rrëmbye. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ata që sot sundojnë me vota të vjedhura, janë grabitës zgjedhjesh por ama kemi provën pjesëmarrja mund të jetë kundërshtari më i fortë dhe mund të bëhet kundërshtari i pathyeshëm përballë këtyre grabitësve.

A. Peza – Por për ju besoj do të ketë dalë edhe një mësim tjetër siç e lexoj unë, që asnjë votë nuk duhet nënvlerësuar dhe nuk duhet anashkaluar. Çdo votë, çdo aleat, çdo parti, çdo kandidat dhe çdo njeri mbi 18 vjeç që mund të marrë pjesë për të votuar kam idenë që e keni marrë këtë mësim nga Tirana.

E. Rama – Kjo është një e vërtetë që dihet dhe ka qenë e ditur edhe më përpara e kjo është edhe sfida e Partisë Socialiste sot, përballë një pushteti që e ka kthyer shtetin në një organizatë partie, i cili i ka kthyer drejtorët e drejtorive të këtij shteti që paguhen me taksat e të gjithë shqiptarëve në drejtues të fushatës dhe të zgjedhjeve sipas parcelave dhe e ka kthyer të gjithë administratën shtetërore në një ushtri që vërsulet e përfshirë tërësisht në fatet e partive në pushtet. Më lejoni të them që është një sëmundje që kurrë nuk ka qenë në këto përmasa dhe nga ana tjetër pavarësisht se historia ime personale është një histori e cila ka një fazë (flas për historinë politike) të bashkëjetesës me socialistët në qeveri ku kam qenë mjaft kritik, kurrë e asnjëherë socialistët në qeveri nuk kanë bërë asgjë që mund të krahasohet me bëmat e këqija të atyre që sot qeverisin dhe padyshim asnjëherë në proceset zgjedhore socialistët nuk kanë deformuar vullnetin e popullit ashtu siç kanë deformuar në mënyrë të përsëritur ata që sot keqqeverisin.

A. Peza – Mund t’i thoni sot shqiptarëve sot në sy që kurrkush nuk do ua grabisë votën sepse ju ua garantoni si asnjëherë tjetër atë?

E. Rama – Votën në një sistem demokratik ku votohet në bazë të kushtetutës dhe ligjit e garanton shteti. Opozita nuk është polic, por nga ana tjetër në kushtet kur sistemi është i kërcënuar nga pushtete të kësaj natyre si pushteti që sot sundon Shqipërinë, ka një mësim nga historia e vjetër dhe e re, votën e garantojnë qytetarët që duan ndryshimin, e garantojnë me pjesëmarrje, e garantojnë me gjithëpërfshirje, e garantojnë me qëndresë qytetare në kuptimin e ndjekjes së procesit deri në daljen e rezultatit dhe në këtë aspekt unë padyshim mund t’iu them të gjithë shqiptarëve se unë dhe Partia Socialiste do t’ju udhëheqim në një proces ditën e zgjedhjeve që do të garantojë përfshirje më të gjerë se asnjëherë tjetër të qytetarëve në votim dhe njëkohësisht një sistem organizimi që hap pas hapi do të ketë nën kontroll atë që në të kaluarën ka lënë për të dëshiruar për shkak të të gjithë atyre elementëve deformues të përdorur nga pushteti.

A. Peza – Meqë po flasim për reforma të parlamentit, i cili ka një muaj që ka filluar legjislaturën e re, një prej tyre është dhe reforma parlamentare, një nga reformat e ngecura në fakt, por që ka pasur një zhvillim. Orët e fundit, kryeministri, lideri i mazhorancës, Sali Berisha ka deklaruar se PD tërhiqet nga kushti që kishte vënë për kohën e diskutimit në parlament mes liderit të mazhorancës dhe liderit të opozitës duke pranuar më në fund barazinë mes kohës së deklaratave apo të qëndrimit reciprok. Ka edhe një pikë tjetër që e ka bërë të bllokuar deri më tani këtë reformë, e cila lidhet me mënyrën e votimit të dekreteve në mënyrë të fshehtë, e dekreteve të presidentit dhe është thënë që nga njëra pikë do të tërhiqej njëra palë nga pika tjetër pala tjetër. Tërhiqeni ju nga kushti që kishit vënë në lidhje me dekretet?

E. Rama – Së pari njëherë unë do të doja të sqaroja se fjala kusht nuk është pjesë e qëndrimeve opozitare. Ne nuk vëmë kushte, ne shtrojmë probleme, paraqesim propozime të formatuara ndonjëherë edhe në formë pikash, por këto nuk janë kushte. Saliut i pëlqen t’i quajë kushte dhe pastaj të sillet ashtu siç u soll edhe më këtë aspekt të reformës parlamentare ku në mënyrë të vazhdueshme ka dezinformuar opinionin publik dhe e ka bllokuar reformën me pretendimin se opozita donte ti mbyllte gojën, ndërkohë që këto dy pika të mbetura kanë pasur të bëjnë me dy kërkesa, e para për të garantuar barazi në trajtim të kryetarit të shumicës dhe të pakicës jo të Saliut me Gramoz Rucin, por të kryetarit të pakicës dhe të shumicës sot dhe nesër, kur ne do të jemi në qeveri, dhe e dyta ka pasur të bëjë me votën e fshehtë për dekretet. Në rastin e parë, pra të çështjes së parë ne nuk kemi pranuar asnjë lloj rishikimi të pozicionit tonë, sepse ky është një standard në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Në rastin e dytë nuk kemi të bëjmë me një standard që zbatohet në të gjitha vendet e BE-së, ka edhe ndonjë vend që e ka të hapur votën për dekretet, e në këto kushte ne pranojmë që për hir të përfundimit të kësaj reforme dhe për hir të procesit të integrimit të votojmë reformën me këto ndryshime të fundit. Ne kështu përmbyllim një proces që të krijojë kushte që parlamenti të funksionojë në mënyrë demokratike, por sigurisht kjo do të jetë e garantuar kur ne të kemi shumicën vitin e ardhshëm dhe të sillemi me opozitën jo ashtu siç sillet kjo shumicë me opozitën aktualisht.

A. Peza – Në lidhje me kalimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, e cila është kushtëzuar me zhbllokimin e qarkut Fier?

E. Rama – Jemi në kushtet e një kërkese legjitime që lidhet me një simbolikë shumë kuptimplotë. Vetë Komisioni Europian e ka shtruar në mënyrë të përsëritur që problemi i Shqipërisë tek e fundit nuk janë ligjet. Shqipëria nuk ka ligje të këqija në përgjithësi, problemi i Shqipërisë është hendeku mes ligjeve në letër dhe ligjshmërisë në realitet. Pra mes asaj që miratohet në parlament dhe asaj që zbatohet në realitet dhe këtu jemi në kushtet kur Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet për të administruar qarkun e Fierit dhe prej një viti e më shumë pengohet forcërisht të hyjë në zyrat e qarkut e të marrë në dorë administrimin e qarkut. Ne kemi preferuar të ndjekim rrugën ligjore dhe edhe gjykatat na kanë dhënë të drejtë. Në shkallën e parë 7 vendime, në apel 4 vendime në Gjykatën e Lartë dy vendime. Vetë Gjykata e Lartë është shprehur që qeveria nuk zbaton vendimet e Gjykatës së Lartë e na thotë ejani të votojmë një ligj që përmirëson Gjykatën e Lartë. Kjo është e papranueshme dhe njëkohësisht ka një simbolikë shumë të fortë dhe është momenti i duhur që ne ta vëmë në zbatim këtë kërkesë që është legjitime, kërkesë ekzistenciale e një opozite që ka një mandat për të qeverisur, për të administruar një pjesë të territorit dhe bllokohet forcërisht ta bëjë këtë.

A. Peza – A është në rrugën e zgjidhjes ky problem?

E. Rama – I takon palës tjetër të lëshojë rrugën që ka zënë për Partinë Socialiste dhe aleatët e saj që të administrojmë qarkun e Fierit sipas vullnetit të 300 mijë zgjedhësve.

A. Peza – Do votoni ligjin për Gjykatën e Lartë nëse nuk zgjidhet çështja për Qarkun e Fierit?

E. Rama – Jo, në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye sepse nuk ka asnjë arsye më madhore se kjo dhe nuk ka asnjë moment më kyç se ky për të shtruar këtë problem. Ligji në letër dhe ligjshmëria në realitet. Një ligj në letër për të përmirësuar punën e Gjykatës së Lartë dhe ligjshmëria në realitet, ku qeveria që kërkon votën tonë për ligjin në letër nuk zbaton një vendim të Gjykatës së Lartë dhe përfytyrojeni se bëhet fjalë për gjykatat e nënshtruara përgjithësisht ndaj vullnetit të këtij pushteti dhe të Saliut. Kur të tëra këto gjykata kanë dhënë vendime vetëm në favor të Partisë Socialiste përfytyrojeni se sa flagrante është ajo që bën pala tjetër. Është thjesht marrje peng e institucionit të qarkut, e godinës së qarkut dhe ndalimin forcërisht të njerëzve tanë që të hyjnë dhe të marrin përsipër administrimin që ua ka dhënë si mandat populli.

A. Peza – Ka filluar viti i ri politik, i cili kulmon me zgjedhjet, për rrjedhojë, palët, në një mënyrë apo në një tjetër kanë filluar fushatën elektorale. Ajo që dallon, ndryshe nga fushatat e tjera për Partinë Socialiste është fakti se çdo ditë kanë filluar denoncimet në lidhje me atë që ju e quani korrupsioni i qeverisë dhe institucioneve të saj. Kam parasysh këtu rastet e përditshmërisë së denoncimeve për reklamat qeveritare dhënë medias pranë qeverisë, por nga ana tjetër edhe skandalet e Ministrisë së Mbrojtjes. Është strategji e paramenduar, kështu do të vazhdoni, si do ecni më tej?

E. Rama – Ne i kemi premtuar publikut, jemi angazhuar publikisht për të bërë transparencë të plotë mbi korrupsionin, bazuar në fakte dhe shifra. Me përgjegjësi të plotë qytetare, politike dhe ligjore unë dhe sot përfitoj nga rasti edhe ta përsëris se gjithçka kemi thënë e do të vazhdojmë të themi deri në ditën e fundit përpara heshtjes elektorale është i bazuar në fakte e shifra bazuar nga studimi i imët i dokumentacionit dhe i të dhënave bazuar nga burime zyrtare apo nga dy burime. Një grup pune i ngritur prej kohësh ka përgatitur të gjithë këtë proces transparence dhe porosia e përsëritur që unë kam dhënë dhe sigurisht angazhimi i të gjithë pjesëtarëve të këtij grupi pune ka qenë: asnjë shpifje, asnjë spekulim, vetëm fakte, fakte, fakte. Shqiptarët meritojnë të shohin në sy të vërtetën e kalbëzimit të plotë të kësaj qeverie, e cila ka dalë nga votat e vjedhura dhe është e provuar me fakte se po vjedh përditë Shqipërinë.

A. Peza – Por e filluat me reklamat shtetërore. A mos ishte një fushatë kundër televizionit “Klan” për shkak të raporteve që ju keni pasur?

E. Rama – Nuk bëjmë ne fushata kundër cilësdo sipërmarrje private në këtë vend. Edhe pse, le ta themi, televizioni “Klan” është një sipërmarrje private e vënë tërësisht në funksion të interesave të një pushteti të privatizuar nga Sali Berisha.

A. Peza – Është në funksion por ju i shkoni, madje shkoni në festa…

E. Rama – Unë kam deklaruar se do të jem i pranishëm në çdo studio, kudo ku ftohem, pa llogaritur se ata që më ftojnë janë vetëm profesionistë apo janë edhe politikanë, e kur janë politikanë, nëse janë politikanë që militojnë në kampin e opozitës, të tillë nuk ka në rastin e medias, apo nëse janë politikanë që militojnë në oborrin e pushtetit. Është normale që kur dikush merret me politikë dhe për më tepër kryetari i opozitës apo edhe kryetari i qeverisë ftohet përpara çdo lloj audience të respektojë atë audiencë që e fton. Ndërkohë që çështja e reklamave dhe kjo ka më tepër rëndësi, është një gjë shumë e rëndë. Është e rëndë për nga mënyra se si është abuzuar me paratë publike. Është abuzuar me paratë publike për të ushqyer financiarisht burimet e propagandës qeveritare dhe për më tepër antiopozitare, e ndër këto burime, padyshim burimi më i rëndësishëm është “Klani”. Nga ana tjetër është totalisht e papërfytyrueshme që me këto para të financohet me gjysmë miliardi euro gazeta e partisë në pushtet. Pra është financuar drejtpërdrejt partia politike në pushtet me paratë e publikut dhe për më tepër pastaj është skandaloze që në kushtet e buxhetit të Shqipërisë një shumë e tillë mjaft e madhe, vihet në dispozicion të reklamës qeveritare me një synim të dyfishtë, nga njëra anë të financohen me paratë publike mediat që mbështesin qeverisë, e nga ana tjetër përmes këtyre mediave qeveria të marrë përfitimin abuziv të një reklamimi mediatik duke krijuar kështu një pabarazi totale në tregun mediatik në raport me vetë opozitën.

A. Peza – Por ka akuza nga Kryeministri Berisha në konferencën e djeshme për shtyp, e më herët edhe nga ministri Olldashi në lidhje me mënyrën e njëjtë sipas tyre të sjelljes në periudhën kur ju keni qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës duke financuar dhe ushqyer financiarisht sipas kësaj logjike që po akuzoni sot qeverinë mediat pranë jush?

E. Rama – E vërteta është se jemi në një situatë pothuajse absurde. Kemi një qeveri e cila gjithë kohës akuzon opozitën. Kemi një qeveri e cila për çdo dështim e për çdo mëkat të saj gjen si rrugë shpëtimi rrugën e përbaltjes së opozitës. Është e patolerueshme që ndërkohë që publiku meriton të dëgjojë shpjegime nga qeveria që paguhet për ti shërbyer publikut, dëgjon vetëm shpifje dhe baltë ndaj opozitës. Nga ana tjetër çështja e reklamave është depozituar në Prokurori dhe padyshim Prokuroria mund të hetojë edhe për vërtetësinë e pretendimeve të qeverisë në raport me kohën kur unë isha në Bashkinë e Tiranës. Jam absolutisht i hapur dhe i gatshëm, madje do të dëshiroja që Prokuroria ti ballafaqonte të gjitha faktet dhe shifrat, qoftë për sa iu përket abuzimeve të rënda të qeverisë, qoftë për sa iu përket pretendimeve që qeveria ka ndaj nesh që praktikisht kemi bërë transparencë dhe duhet ta mbyll duke thënë që nuk është e gjitha. Ka një numër të konsiderueshëm agjensish shtetërore, madje edhe ministri që nuk pranojnë të japin informacion, që janë përfshirë në këtë abuzim dhe që kanë paguar për të bërë reklamë, deri tek “Albetrol”, një kompani që është me humbje shumë të rënda për shkak se vidhet tragjikisht, çdo vit ka bërë reklamë, e sigurisht të gjitha këto para kanë shkuar gjithmonë në të njëjtin drejtim, në drejtim të televizionit “Klan”, të gazetave qeveritare dhe të gazetës në pushtet.

A. Peza – Ka një perceptim që ju nuk do e ndryshoni atë drejtim kur të jeni në pushtet?

E. Rama – Opozita ka fjalën, qeveria ka veprat. Sigurisht që fjalët e opozitës vërtetohen kur ajo qeveris dhe padyshim që ne do ta ndryshojmë tërësisht metodën qeverisëse dhe do të ndryshojmë tërësisht Shqipërinë. Në raport me çështjen e reklamave ne do të paraqesim së shpejti një projekt për kufizimin drastik të reklamave qeveritare dhe për rregullimin e qartë me ligj të mënyrës se si duhen shpenzuar paratë publike, kur bëhet fjalë për njoftime të qeverisë apo të enteve të ndryshme të cilat kanë nevojë për më shumë mjete të komunikimit me publikut sesa fletorja zyrtare.

A. Peza – A ka diçka personale në betejën e PS që udhëhiqet nga ju, ndaj Arben Imamit, ministrit të Mbrojtjes?

E. Rama – Absolutisht jo, e kundërta mund të ishte e vërtetë për shkak të një historie miqësie të afërt për vite me radhë me Arben Imamin, mund të kisha më shumë indulgjencë, por jo më shumë arsye për tu investuar në një betejë të kësaj natyre. Kjo është një betejë për tu treguar shqiptarëve jo vetëm se sa thellë është zhytur ky pushtet në batakun e korrupsionit, por edhe se ne jemi shumë të vendosur që ta nxjerrim qeverisjen si proces nga bataku i korrupsionit dhe për këtë arsye ky proces transparence do të jetë vetëm një linjë e komunikimit tonë me publikun, ndërkohë që ne publikut do i komunikojmë shumë qartë dhe ato ☼ka duam dhe do të bëjmë edhe në këtë aspekt.

A. Peza – Ka afera të tjera nga Ministria e Mbrojtjes përveç këtyre që keni ekspozuar?

E. Rama – Fatkeqësia është që është një rrugë e pashtershme korrupsioni i kësaj ministrie dhe gjithçka që është thënë është vetëm e vërteta dhe asgjë tjetër veç së vërtetës. E këtu unë do të vija theksin në faktin që në vend që të japin llogari përpara publikut dhe të shpjegojnë mbështetur në fakte e shifra pretendimet e tyre në lidhje me pavërtetësinë e këtyre që themi ne, jo më kot kanë zgjedhur rrugën e sulmeve ndaj opozitës e deri tek kërcënimet. Kërcënime të drejtpërdrejta për deputetin Erjon Brace që ka mbuluar këtë aspekt të transparencës.

A. Peza – Si kanë ardhur këto kërcënime?

E. Rama – Janë publike në deklaratat e Ministrisë së Mbrojtjes. Është e papërfytyrueshme që një Ministri e Mbrojtjes të një vendi anëtar të NATO-s të bëjë deklarata të atilla. Paçavure që duken si të nxjerra nga sënduqet e ministrive të kohës së diktaturës kundër armiqve të jashtëm apo armiqve të brendshëm në ushtri. Kërcënime edhe në vetë deklarimet e fundit të kryeministrit. Është e qartë që janë në panik por nuk i ndihmojmë dot. Është e qartë që nuk kanë argumente për tu mbrojtur, por nuk ua gjejmë dot dhe është e qartë që janë të dëshpëruar dhe njerëz të dëshpëruar bëjnë veprime të dëshpëruara.

A. Peza – Ka dy momente që ndoshta duhen sqaruar. Si është e mundur që një vend anëtar i NATO-s nuk lejon kontrollin parlamentar dhe civil, a keni ndërmarrë ju ndonjë hap për ta zhbllokuar këtë situatë?

E. Rama – Si duket nuk kanë asgjë për të fshehur… Sigurisht që kanë shumë për të fshehur prandaj nuk lejojnë kontrollin parlamentar që është një e drejtë sovrane e parlamentit dhe që është një e drejtë sovrane e çdo deputeti për t’u njohur me të gjithë veprimtarinë e dokumentuar zyrtare të çdo institucioni. Mirëpo fatkeqësisht Ministria e Mbrojtjes, pas hyrjes së Shqipërisë në NATO ka hyrë në një proces që nuk e nderon shtetin shqiptar, nuk e nderon absolutisht shtetin tonë të përbashkët dhe mbi të gjitha nuk e nderon edhe angazhimin tonë solemn të ndërmarrë me anëtarësimin në aleancën e madhe euroatlantike.

A. Peza – Por ama ju nuk keni nxjerrë ende prova në lidhje me akuzat për përgjimet

E. Rama – Prandaj nuk lejohet që kontrolli parlamentar të kryhet, sepse ne kemi të gjithë informacionin e nevojshëm dhe burime të besueshme që provat janë aty brenda.

A. Peza – Le të kalojmë tek integrimi meqë folëm për NATO-n. Partia Socialiste bllokuese apo katalizatore e procesit, sepse gjithmonë janë këto debatet, argumentet kundërargumentet, por çfarë ofroni ju?

E. Rama – Së pari më lejoni të them që një qeveri e cila nuk realizon angazhimet e veta e për këtë ia vë fajin opozitës është një qeveri e paaftë për të bashkëpunuar me opozitën, e pazonja për të gjetur rrugët e komunikimit dhe të kompromisit me opozitën dhe e pagdhendur në qasjen e vet që s’ka të bëjë me kulturën e politikën e Europës ku dëshirojmë të integrohemi. Një qeveri që ankohet, ankohet, ankohet gjithë kohën për opozitën është një qeveri e cila praktikisht thjesht tregon dështimin e vet, tregon pafuqinë e vet, tregon paaftësinë e vet. Për sa i takon pjesës tjetër, unë jam personalisht krenar për faktin se Partia Socialiste ka bërë në një vit për procesin e integrimit atë që forcat politike nuk e kanë bërë për shumë e shumë vite. Në një vit duke marrë kosto politike në raport me një pjesë me plotë të drejtë të revoltuar të elektoratit tonë dhe duke vendosur interesin kombëtar dhe afatgjatë të vendit mbi interesin partiak dhe politik të ditës. Praktikisht kur flasim sot për progres dhe për arritje fare pranë nga përcaktimi i opinionit të Bashkimit Europian për statusin e kandidatit flasim vetëm për çka është ligjëruar, për çka ka pasur lidhje me legjislacionin. Nuk flasim për progres me pronën, nuk kemi pasur progres me administratën, nuk kemi pasur progres me drejtësinë dhe nuk kemi pasur progres as me një sërë aspektesh të tjera që lidhen me integrimin si proces i ligjshmërisë dhe i progresit në realitet dhe jo në letër. Kemi pasur një progres në letër ku rolin kryesor e ka luajtur opozita.

A. Peza – Gjithsesi, të martën, në datën 10, pritet që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE me kusht. Këtë e ka deklaruar dhe e ka mbështetur edhe kryetari i grupit socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda, por edhe ju tani jeni pjesë e presidencës socialiste europiane.

E. Rama – Janë dy gjëra të ndryshme, por po e filloj nga e dyta. Të qenit në Presidencën e Partisë Socialiste Europiane, e imja si kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë është një moment shumë i rëndësishëm i PSSH si një forcë mirëfilli europiane, e cila ju siguroj vlerësohet sot shumë lart në Brukselin zyrtar, por vlerësohet sot shumë lart padyshim edhe në familjen tonë politike dhe pjesë e këtij vlerësimi është edhe zgjedhja ime në presidencën e PSE, ku sigurisht do të kemi një zë tonin dhe zëri ynë do të dëgjohet më fortë se dje. Për sa i përket pjesës së statusit, unë nuk e di se si do të jetë e formuluar më në fund ajo që do të shprehë Komisioni Europian, por jam i sigurt që kjo është një rrugë që nuk është në zbritje por është në ngjitje, në kuptimin është ende një e përpjetë, sfida vazhdon dhe padyshim procesi ku kemi hyrë dhe zgjedhjet do të jenë një pikë fundore themelore për atë që vjen më pas sepse komisioni propozon për vende anëtare në Bashkimin Europian statusin. Formula do të shihet nëse do të jetë e plotë për të marrë statusin apo një propozim i kushtëzuar me një ecuri të caktuar. Janë vendet anëtare ato që do e gjykojnë, dhe pasi vendet anëtare e gjykojnë dhe e miratojnë statusin atëherë fillon realisht ajo që ka të bëjë me integrimin europian, që është hapja e negociatave dhe hapja e negociatave do të përcaktohet pa asnjë dyshim nga vlefshmëria e cilësia e zgjedhjeve të ardhshme, e kjo unë besoj është arritja më e rëndësishme e opozitës në planin e betejës sonë, tanimë pothuajse katërvjeçare për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme.

A. Peza – Nëse sot do të ishte e premtja e fundit e fushatës elektorale nëse pas pak minutash do të fillonte heshtja elektorale e të shtunës e nëse pasnesër, ditën e diel, qytetarët shqiptarë do të kishin ditën e votimit për dikë që është akoma i paqartë dhe i pavendosur për të votuar, si me pak fjalë do ta bënit atë të besonte se alternativa juaj është më e mirë se ajo e zotit Berisha?

E. Rama – Duke i bërë të qartë se ku dallon alternativa jonë nga ajo e atyre që ç’qeverisën për 8 vjet. Në rast se ata janë rruga e rrënimit të mëtejshëm, ne propozojmë rrugën për një rilindje shqiptare e kjo do të thotë jo rritje e mëtejshme e papunësisë, por punësim real përmes  një ekonomie kombëtare që rimëkëmbet e jo përmes rrënimit të shtetit në një vend ku punësohen ushtarët e pushtetit dhe ndërkohë nuk hapen vende të reja pune. Taksim i ndershëm, kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë dhe jo taksë e sheshtë, të gjithë 10 për qind, ku në fakt ata që fitojnë më pak paguajnë më shumë dhe ata që fitojnë më shumë paguajnë më pak. Sot në Shqipëri paguan më shumë një furrë buke sesa hotel “Sheraton”, sot në Shqipëri paguan më shumë pastruesja e kryeministrit sesa kryeministri dhe kjo nuk mund dot të jetë më kështu. Ne propozojmë një Shqipëri ku biznesi të ndihet i sigurt, të ndihet i mbështetur dhe të ndihet i lirë në rrugën e konkurrencës së lirë dhe jo një Shqipëri ku biznesi të ndjehet i pasigurt, i kërcënuar nga krimi, e po njësoj i kërcënuar edhe nga arbitrariteti i pushtetit, ndërkohë që s’ka asnjë liri në rrugën e konkurrencës pasi e gjithë mbështetja e pushtetit është e përqendruar te klientela e pushtetit. Ne themi që çdo shqiptar duhet të ketë një shërbim shëndetësor sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, ndërkohë që nuk mund ta pranojmë në asnjë mënyrë një Shqipëri ku qeveria u thotë shqiptarëve: “nëqoftëse nuk keni para mos u sëmurni, e nëse sëmureni Zoti le të merret me ju se në spitalet tona shërbimi shëndetësor jepet me lekë mbi dorë e nën dorë”. Ne jemi për një shërbim publik në tërësi që të bazohet të barazia e qytetarëve si qytetarë të barabartë të republikës së Shqipërisë dhe jo tek krijimi i privilegjeve për disa dhe diskriminimi i shumë të tjerëve dhe së fundmi ne jemi për një Shqipëri e cila mos jetë e ndarë sikurse është sot mes një Shqipërie urbane ku gjithsesi ka diçka që bubrron dhe një Shqipërie në fshat që është braktisur në mëshirën e fatit. Ne duam një zhvillim rural të qëndrueshëm, një Shqipëri kompakte mes Shqipërisë rurale dhe Shqipërisë urbane, një Shqipëri e cila të punojë, një Shqipëri e cila të prodhojë, një Shqipëri e cila të shesë, një Shqipëri e cila të ushqehet mirë, një Shqipëri e cila të ketë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Nuk mund të pranojmë një Shqipëri ku zhvillimi ekonomik është ngritur mbi një model ekonomik që ka dështuar dhe ku kemi papunësi, ku kemi klientelizëm dhe ku kemi një politikë privatizimesh e cila është e gjitha e bazuar mbi grabitjen.

A. Peza – Si do të bëni të mundur heqjen e taksës për biznesin e vogël?

E. Rama – E para ne nuk flasim për heqje taksash në përgjithësi, ne flasim për një sistem taksimi të ndershëm, bazuar mbi parimin e progresivitetit. Progresiviteti është një vlerë për ne socialistët dhe progresistët. Pra në shoqërinë ku jetojmë dhe në sistemin që kemi zgjedhur, taksat janë një çështje patriotike, kontribut patriotik i gjithsecilit, por ama gjithsecili këtë kontribut e jep sipas peshës që i caktohet, nuk mund të vësh të njëjtën peshë e përsëris në kurriz të një furre buke e të një fabrike çimentoje, apo një tregtari në periferi të Tiranës e hotelit 15-katëshi, sepse e njëjta peshë është dërrmuese, shumë e rëndë për të vegjlit e shumë e rëndë për të mëdhenjtë, thënë kjo, duke ardhur konkretisht tek taksa e biznesit të vogël. Biznesi i vogël, të cilit Saliu i propozoi përgjysmim të taksës sot paguan 3-fish të asaj që paguante sepse taksa e biznesit të vogël u përgjysmua por pabesia që iu bë biznesit të vogël është se iu vu taksa e sheshtë mbi taksën e biznesit të vogël, pra u dyfishua taksa e biznesit të vogël, u taksua me 10 për qind që e çon deri në 3-fish barrën fiskale të biznesit të vogël dhe u bë edhe subjekt i TVSH-së, gjë që bën që çdo biznes i vogël të mbajë një financier për të bërë llogaritë e kështu me radhë. Taksën e biznesit të vogël që është kjo baza, ne do ta heqim, do ta bëjmë zero e pjesën tjetër do ta fusim në skemën e progresivitetit dhe kështu çdo biznes do të marrë pjesë në këtë kontribut patriotik që është kontributi me taksa për të pasur një shtet ku të gjithë të mbahen por në bazë të asaj që fiton. Ne flasim për rreth 600-700 mijë lekë të cilat do t’i hiqen biznesit të vogël në vit.

19 komente në “INTERVISTA/ Rama: Nuk do votojmë për kreun e KQZ. Reforma parlamentare tani pret vetëm miratimin”

  1. shumica qeverisese says:

    Me apo pa lejen tende, neve cfar te duam do bejm hahahahahaa

    1. Jari Merhumi says:

      Ne fillim ishte vetem Sala dhe ndonje tek tuk. Tani nuk ke ke te zesh e ke te lesh. Te gjithe cope cope jane ne qeveri!
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/hajgare-me-nishanin.html

  2. Mark says:

    E. Rama – Nuk është çështje kurthi, sepse e përsëris që në ligj procedura është e ndërtuar e tillë që kryetari i takon vullnetit të shumicës dhe kjo është normale besoj unë

    Zoteri nuk eshte normale pikerisht per arsyet qe ti vete i permend me poshte ne interviste.Nje mazhorance qe po rri ne pushtet me vota te vjedhura ti po i krijon mundesine te vjedhe perseri dhe te vazhdoje te rrije ne pushtet. Nqs Sashenka nuk mjaftoi per te te treguar se nuk ka rendesi se cka mes kembeve kryetari i KQZ por se cfare ka ne mendjen e mbrapshte. Kur edhe komuniteti nderkombetar ben presion qe kryetar i KQZ te jete i paanshem ti thua qe eshte normale qe Kryetari i takon vullnetit te shumices. Cdo dite duket qarte pa aftesia jote si lider i opozites. Sala eshte ne pushtet se opozita eshte inkompetente.

  3. Claus says:

    Per cdo njeri ishte e qarte qe maxhoranca do te zgjidhte njeriun e tyre. Kete favor ja jepte kodi zgjedhor i sapoaprovuar edhe nga vete Rama.
    Nuk e marr vesh kete njeri? Kam shume dyshim ne intelektin e tij. Psikologjikisht i paparashikueshem.
    (Kjo replike duhet ti pergjigjet tashme sensit te redaksise, meqe e para ndoshta ishte jashte vijave kufitare)

    1. austria says:

      HALLO CLAUS ! ai ben gjithmon keshtu se eshte dumm
      aber seine leute sind stolc mit diser idiot
      ai nuk mban asnje premtim .
      NJE QESHARAK I PAPARE.
      ZOTI E NDIHMOFTE SHQIPERINE SE KA RENE NE DUAR TE KEQIA.

      1. analist says:

        Ik mor budalla e meso gjermanisht se pari se te duhet ne restorantin ku punon e pastaj hajde e na shit tangarllek ketu,por meso si formohet fjalia te pakten.

    2. analist says:

      Ky Rama nuk eshte i paparishikueshem,po e thene shqip quhet debil,debil politik te pakten,ne mos debil biologjik.Vetem ndonje fat i madh,ndonje mega-skandal para zgjedhjeve apo Zoti i plotfuqishem atje lart mund tua heqe qafe shqiptareve zgerdallen e Viçidolit.

  4. ALpini says:

    ENTUSIASTET
    pse nxitoni dhe nuk pritni votimet,ja po na vjen dal e nga dale qershor 2013 e pastaj do thoni se Saliu i vodhi votat.Keshtu tregoheshit entusiaste edhe me pare,harruat -sali hap kutiat ose ik-Saliu as kutiat si hapi e as iku,nuk vonoj e iku Edi Rama,iku ne twitter,ciu ciu ma rrasi saliu.
    ne te gjitha perballjet me Saline e keni hanger sa krahu,por ama perpara jeni treguar burra,keni qen entusiaste.
    Edhe ne Gerdec,u kujtohet ,shkuat deri ke krateri protestuat,kujtuat se populli do ju ndiqte pas.a e pate sa ju deshen ne zonen e Gerdecit,ne zgjedhjet e parakoheshme lokale atje qe u bene disa muaj mbas aksidentit ju socialistet u renditet ne vendin e katert,ne te fundit se kater subjekte garuan,me kujtohet se me shume vota mblodhi nje i pavarur e doli ne te tretin.nejse prape se prape ishit entusiaste,bravo jeni me kurajo.
    harrova qershine permbi torte,21 janarin,ecnit tamam si delegatet qe shkonin ne kongreset e PPSH,kryelarte,duke kujtuar premtimin qe kishit marre,dikush kryeminister,dikush minister rendi me duket Tom Boshi,minister ekonomie Arben malaj,i financaveMaqo Laknori,kryeplak ne fshat lezhe nje Aleks ,,,ecnit dhe entusiasmin se mbanit dot…..
    nje jave me pas entusiate ne heshje duke mallkuar berishen qe ja u prishi enderrat,muzika funebre qe na bezdisi tere diten dhe poshte LANES shume protestues qe edhe shurren e hidhnin duke menduar .
    Sot dhe deri ne qershor keni kohe qe te lozni me njeri tjetrin dhe te tregoheni entusiate,pastaj rrini urte dhe gjeni nje timonier tjeter.

    1. Mark says:

      Alpin ke te drejte.Deri sa te vije dita qe tu qime robt ju trimave qe u duhen nga dy jelek anti-plumb dhe nga nje ushtri me shpellare mbrapa sa here qe shkoni ne banje,keni te drejte te jeni ironike.

      1. ALpini says:

        Mark,he per he ne po ju rrime siper robvet tuj e mua kam qejf me me ran ne hise tujt se shpresoj se deri ne 2017 do kem koh boll.

  5. luis says:

    Pse lodhesh o Mark te besh replike me egersiren e alpeve sepse shoket e Saliut nje turi kane si gomeret buzebardhe.Habitem vertet me injorantat salushake si nuk u ngopen duke numeruar parate e familjes se tij e ndersa per vehte as breke per te mbathur nuk kane.Keta qe i dalin zot kryekarit te tyre e them me kompetence se jane thjeshte kamikaze te tij se nder tre ate me te gjatin perfitojne prej tij por ngaqe nuk kane tru dhe jane te ligj ne shpirt mbesin tifoza te perjetshem te nje budallai.Shpresoj se do u vi fundi i palavdishem i ketyre idioteve dhe mbasi Rama ta drejtoje vendin per nja 20 vjet atehere te pakten te marrin pak eksperience se si te ndertohet shteti dhe jo si sot qe eshte turp ti thuash shtet.
    Vetem idiotet dhe inatcinjte nuk e kuptojne kete interviste brilante te sakte dhe me te verteta te padiskutueshme.
    EDI RAMA vazhdo djale punen dhe sakrificen qe nuk te mungon se Shqiperia i ka syte tek ti flas per njerezit e ndershem se batakqinjte jane atje ne alpe bashke me alpinet e mender e me thene.
    Kush ka sy e kush ka veshe ta kuptoje njehere e mire se EDI RAMA E DO SHQIPERINE DHE PO LUFTON QE ENDRRA E SHQIPTAREVE TE NDERSHEM TE REALIZOHET QE EDHE KY VEND TE JETE VERTET NJE VEND I DENJE I FAMILJES EUROPIANE.

    1. vertetesia says:

      EDI RAMA PERPIQET VETEM PER VETE , POR ME VJEN KEQ
      PER PAK SIMPATIZANT TE KETIJ IDIOTI TE LLAFTARISUR
      AI BEN GABIME , AI ESHTE VETEM NJE BYTHELEPIRES TEK BERISHA
      SA PER POLITIK ESHTE NUL .
      AI NUK FITON KURRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRRR

      1. flogert says:

        o vertetesia e harruar..O i marre nuk mbulohet llami me xham..sdo fitoje edi rama por,do fitoje populli,vendi,kombi duke nxjerre ne pension nje maskara te vjeter qe snjeh as1 pricip vec sundimit te gjithckaje.

    2. ALpini says:

      luis,shpejt po vjen rradha e jote,kuptoje vete qe po ju rrime siper.biles edhe laptopen nuk e leshoj e tash kam nga vatha e Markit e shpejt do dali ke vatha luises.qejf e qerrata e sigurt der ne 2017 ju e keni ket temin prenda..tash luis me fal se du ta shkund pak laptopen.

  6. flogert says:

    Rama eshte premtues,programi poashtu.Kush se pelqen thjesht ka inate se ska vizion

  7. tigri14 says:

    E ardhmja premton me ide progresive

  8. Qytetari i vertete says:

    Z.Edi RAMA!
    Jam plotesisht dakord me Ju qe sfida e partise tuaj duhet te jete vota e lire dhe mbrojtja e saj.Une personalisht si nje qytetar i thjeshte i ketij te mjere(ku edhe Ju keni pjesen Tuaj ne kete mjerim me disa akrobaci politike )mendoj se per partine Tuaj sfida me e madhe duhet te jete perzgjedhja e njerezve te cilet me integriten e larte moral te tyre do te bejne te mundur thithjen e votave te asaj pjese te popullsise te cilet ose nuk votojne fare ose edhe nese votjne anstenojne.A keni pase dhe a do te keni interes Ju Z.Edi qe kete pjese te shoqerise shqipetare te afroni te marre persiper pergjegjesite e medha per nje rilindje te vertete te Shqiperise dhe jo per nje rilindje te pushtetit vetjak Tuaj? Nese aspironi per ta ,nuk eshte e veshtire per ti gjetur se ato jetojne ,punojne dhe kontribuojne kudo ne te gjithe Shqiperine.Ata i njohin ne pallate,lagje,qytete.Ata i njohin ne biznesin privat(se shume prej tyre kane qene “non grata” per pushtetin qofte “socialist” apo “demokrat”),ne administraten shteterore(ne rolin e atyre qe me punen e tyre mbajne 10 te tjere militante qe dredhin zinxhirin).Ju Z.Edi a keni frike nga liria e tyre, se ato njohin vetem ligjin dhe rregullat dhe jo partite dhe pushtetet partiake.Afroini ata zoti Edi dhe jo me kushte qe te behen anetare te Ps duke marre teseren e partise,por me kushtin qe sebashku te punoni per Shqiperine dhe shqipetaret dhe jo per hajtutet dhe tradhetaret e interesave te shqipetareve.Qe nga koha qe keni marre drejtimin e Partise Socialiste a keni bere ndonje rilindje te partise Tuaj njehere pastaj te beni edhe rilindjen e Shqiperise.Une personalisht jam opozitar, por i se keqes qofte parti ne pushtet, qofte parti jo ne pushtet.Ju Z.Edi keni akoma ne sallen e parlamentit deputete te cilet me kontributin e tyre negativ ne administraten shteterore bene te mundur rikthimin e frymes se enverizmit pas 2005 ne Shqiperi.Ata qajne per pushtetin qe kane humbur dhe jo per shtetin qe nuk ekziston.E keqja si kudo me metastazat e saj kanceroze mundohet ta mbyse te miren, por asnjehere nuk do tja arrije ta zhduke ate.Nuk rilind Shqiperia me ish hajdute ministra,zv.ministra apo drejtore te pergjithshem se ato do te zgjedhin te tjere hajdute per te vjedhur shqipetaret.Nuk shporret enverizmi me emra te degjuar “socialiste” por me antienveriste,antitotalitar,zbatues te ligjit,respektues te te drejtave dhe realizues te detyrave.Shqiperine gjithmone e kane shkateruar njeshat por do ta ndertojne vetem ato qe jane lufte me vehten por mos tu bera njesha dhe me njeshat qe jane bere tashme.Gjeji keta njerez Z.Edi se je taman ne kohe.

  9. Qytetari i vertete says:

    Z.Edi RAMA!
    Jam plotesisht dakord me Ju qe sfida e partise tuaj duhet te jete vota e lire dhe mbrojtja e saj.Une personalisht si nje qytetar i thjeshte i ketij vendi te mjere(ku edhe Ju keni pjesen Tuaj ne kete mjerim me disa akrobaci politike )mendoj se per partine Tuaj sfida me e madhe duhet te jete perzgjedhja e njerezve te cilet me integriten e larte moral te tyre do te bejne te mundur thithjen e votave te asaj pjese te popullsise te cilet ose nuk votojne fare ose edhe nese votjne anstenojne.A keni pase dhe a do te keni interes Ju Z.Edi qe kete pjese te shoqerise shqipetare te afroni te marre persiper pergjegjesite e medha per nje rilindje te vertete te Shqiperise dhe jo per nje rilindje te pushtetit vetjak Tuaj? Nese aspironi per ta ,nuk eshte e veshtire per ti gjetur se ato jetojne ,punojne dhe kontribuojne kudo ne te gjithe Shqiperine.Ata i njohin ne pallate,lagje,qytete.Ata i njohin ne biznesin privat(se shume prej tyre kane qene “non grata” per pushtetin qofte “socialist” apo “demokrat”),ne administraten shteterore(ne rolin e atyre qe me punen e tyre mbajne 10 te tjere militante qe dredhin zinxhirin).Ju Z.Edi a keni frike nga liria e tyre, se ato njohin vetem ligjin dhe rregullat dhe jo partite dhe pushtetet partiake.Afroini ata zoti Edi dhe jo me kushte qe te behen anetare te Ps duke marre teseren e partise,por me kushtin qe sebashku te punoni per Shqiperine dhe shqipetaret dhe jo per hajtutet dhe tradhetaret e interesave te shqipetareve.Qe nga koha qe keni marre drejtimin e Partise Socialiste a keni bere ndonje rilindje te partise Tuaj njehere pastaj te beni edhe rilindjen e Shqiperise.Une personalisht jam opozitar, por i se keqes qofte parti ne pushtet, qofte parti jo ne pushtet.Ju Z.Edi keni akoma ne sallen e parlamentit deputete te cilet me kontributin e tyre negativ ne administraten shteterore bene te mundur rikthimin e frymes se enverizmit pas 2005 ne Shqiperi.Ata qajne per pushtetin qe kane humbur dhe jo per shtetin qe nuk ekziston.E keqja si kudo me metastazat e saj kanceroze mundohet ta mbyse te miren, por asnjehere nuk do tja arrije ta zhduke ate.Nuk rilind Shqiperia me ish hajdute ministra,zv.ministra apo drejtore te pergjithshem se ato do te zgjedhin te tjere hajdute per te vjedhur shqipetaret.Nuk shporret enverizmi me emra te degjuar “socialiste” por me antienveriste,antitotalitar,zbatues te ligjit,respektues te te drejtave dhe realizues te detyrave.Shqiperine gjithmone e kane shkateruar njeshat por do ta ndertojne vetem ato qe jane lufte me vehten por mos tu bera njesha dhe me njeshat qe jane bere tashme.Gjeji keta njerez Z.Edi se je taman ne kohe.

  10. ILIRET says:

    Z. Peza, i ka ba nje pyetje, z. Rama. – A do te luftoni edhe per nje vote, duke filluar qe nga ajo e nje 18 vjecari….
    Pergjigja teorike e Rames eshte e sakte, por c’ndodh ne praktike? Deputetet analpambuker te PS, qysh tani kane filluar seleksionimet. Ata kujdesen fort qe ne takimet e tyre, te mos marin pjese, ata qe kane qofte edhe nje mendim te ndryshem nga ajo e tyre.
    O Edi, nuk kane nevoje per voten time, te familjes time, te njerzve te mi, te fisit tim. Aman o Edi, cfare beni keshtu ? Po na latè pa parti, na moret ne qafe. A ka ndonje parti nevoje per voten time? Po ! Ju te AK? Mire, juve po jua japim.
    Sa per KQZ ! Asnje devijim te paparashkuar nuk ka bere PD, duke patur parasysh ligjin qe vete ju miratuat. Ne se nuk e keni parashikuar se do te ndodhte keshtu, faji eshte teresisht i juaji dhe i atyre jojuristeve me nivel zero qe ju keni.
    Sa po e lexova ligjin, kam debatuar me deputetin tuaj, EK, dhe i kam thene se me kete ligj, keni bere nje ver ne uje. Pasi do te ik Ristani dhe do te vije Ristanka. Dhe ndodhi fiks ashtu sic i thash une atij deputeti. Prandaj, shkoni atje ne salle dhe votoni per ke mendoni ju se eshte me e mire nga ato dy femra.
    Keto ua thote nje i njohuri juaj, qe tani eshte i panjohur…!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje