Nikoliç propozon Daçiçin për kryenegociator

8 Tetor 2012, 11:24Rajoni TEMA

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka theksuar sërish se do ta propozojë për kryenegociator në bisedimet me Prishtinën, kryeministrin serb, Ivica Daçiç.

Ai në një program të televizionit serb, B92, ka bërë me dije se të hënën do të takohet me qeverinë dhe do ta propozojë kryeministrin për ta udhëhequr ekipin.

Ai ka thënë se po qe se qeveria i kërkon që Nikoliç të marrë pjesë në bisedime, ai do ta bëjë këtë, por sipas tij, kusht për një gjë të tillë do të ishte, që “të mos bisedojë” me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Nikoliç ka thënë se Serbia nuk ka diplomaci të fshehtë, duke bërë të qarta dy qëndrimet kryesore politike të Serbisë: hyrjen në BE dhe mosnjohjen e Kosovës.

Presidenti serb ka thënë se teksti fillestar për platformën mbi Kosovën do të dalë nga Presidenca.

“Nëse në bisedimet me Prishtinën shkojmë me aksiomën se Kosova është shtet në kufijtë ku ka qenë ‘Kosova dhe Metohija’ jonë, atëherë për këtë nuk ka se çka të bisedojmë. Shqiptarët duhet të heqin dorë nga ajo se kanë fituar shtetin”, ka thënë Nikoliç.

Ai ka shprehur shpresën se Serbisë nuk do i paraqiten kushte nga ana e BE-së, siç është njohja e Kosovës.

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ua ka bërë të qartë në takime të ndara që ka pasur në Nju Jork ditë më parë, me kryeministrin kosovar Hashim Thaçin dhe me presidentin serb Tomisllav Nikolic se këto dy vende i presin “vendime të vështira”.

Ashton ka thënë se kushti për nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Serbisë në BE, mbetet përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Tashmë në prapaskenë flitet për ngritje të nivelit të bisedimeve, por, e tëra vazhdon të mbetet në nivel spekulimesh.

Prishtina zyrtare kërkon zbatimin në plotëni të shtatë marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme të bisedimeve me Beogradin në Bruksel, para se të nisin të rejat./rel

1 komente në “Nikoliç propozon Daçiçin për kryenegociator”

  1. Nauli says:

    Nëse vazhdon synimi i komandantëve të Drenicës për krijimin e krahinës “kosovare” (resoluta 1244, me fusnotën serbe), ndoshta Dukagjini (“Metohija”) duhet të ndahet nga kjo “Kosovo”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje