Shkëlqim Cani: Të hetohen bankat

4 Tetor 2012, 10:40Rajoni TEMA

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkelqim Cani, thotë se Agjencia e Konkurrencës në Kosovë menjëherë duhet të nisë hetimin pse bankat në Kosovë për më shumë se pesë vjet nuk kanë ndryshuar fare normën e interesit në kredi

Bankat në Kosovë kanë krijuar komoditet dhe nëse dikush nuk i nxit që të ulen kamatat ata nuk do t’i lëvizin ato. Bankat në Kosovë fitojnë shuma të mëdha parash nga normat e interesit, por shihet se nuk bëjnë shumë për të dhënë kredi dhe marrë depozita, ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” Shkelqim Cani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ai bëri me dije se gjatë studimit që ka bërë në Kosovë me institute kanë dalë me një konkluzion se norma e interesit në Kosovë është ajo që nuk duhet të ishte.

Zëri: Normat e interesit për kredi në Kosovë vazhdojnë të jenë mbi 14 për qind. Në vende tjera janë dukshëm më të ulëta. Si e shpjegoni këtë?

Cani: Unë së bashku me Institutin “Riinvest” kemi bërë një studim dhe del se në Kosovë normat e interesit për kredi janë shumë më të larta se në të gjitha vendet e rajonit.

Normat e interesit në Kosovë janë 7 për qind më të larta se në Shqipëri.

Kuptohet se midis vendeve në rajon ka dhe është dashur të këtë një diferencë në norma të interesit, sepse nuk jemi të gjithë njësoj, por as ekonomitë nuk janë në një stad të njëjtë të zhvillimit, risku nuk është i njëjtë dhe do të ishte shumë normale që të kishte një diference në norma interesi.

Por për mua si bankier i vjetër më duket anormale nga që për vite të tëra Kosova të ketë norma të larta e ta pandryshueshme të interesit.

Gjatë studimit që kemi bërë ne, nuk kemi arritur të dalim me të gjitha konkuluizohet, por ai i pari dhe kryesori është se norma e interesit në Kosovë është ajo që nuk duhet të ishte.

Konkluzioni duket si i gjen fajtore bankat që të mbajnë normat e larta të interesit, por nuk ishte qëllimi i studimit që t’i identifikojmë fajtorët, por qëllimi ka qenë që t’i identifikojmë faktet dhe për të parë se çfarë fshehet pas këtij realiteti. Në studim që kemi bërë ne janë gjetur se për këtë çështje ka bashkëfajtorë siç është Qeveria që nuk ka realizuar objektivat e veta.

Zëri: Për çfarë objektivash e keni fjalën?

Cani: Qeveria harton ligjet dhe e bën zbatimin e tyre. Po ashtu, qeveria e ka autoritetin për të ndërhyre kur ligji nuk administrohet. Po marrim një rast. Kur biznesi kërkon kredi, bankat kërkojnë kolateral 260 për qind te vlerës së kredisë. Sipas argumentit të biznesit dhe bankave, kjo vjen ngase regjistrimet nuk janë ato që duhet të ishin në zyrat e Kadastërit apo hipotekës. Këtë çështje është dashur ta rregullojë Qeveria.

Por unë mendoj se Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë kamatat e larta mund t’i shohë në mënyrë automatike edhe si objekt hetimi, pasi që norma mbetet e njëjtë pa ndryshuar fare që pesë vite. Konkurrenca nuk duhet ta lejë anash këtë, normat nuk ulen atëherë diçka ka këtu.

Zëri: Në Kosovë kanë hyrë së fundi edhe banka të reja, por norma e interesit nuk është ulur?

Cani: Prapë po e them. Agjencia e Konkurrencës ka shumë punë në këtë sektor.

Gjatë studimit që kemi bërë së bashku me Institutin “Riinvest” ne si bankierë kemi identifikuar faktet, dhe thirrja ime shumë serioze.

Ne kemi identifikuar rrugët për të ulur normat e interesit, kur secili nga faktorët merr detyrat e shpisë. Këtu duhet të angazhohet më shumë edhe Qeveria e Kosovës.

Nëse gjykata e zvarrit me vite një proces gjyqësor, atëherë bankat gjithnjë e më shumë do të behën konservatore.

Këtu në Kosovë është edhe një problem, mënyra e të vepruarit e biznesit në Kosovë është “vajtimi”, pasi që ata asgjë konkrete s’kanë bërë. Nëse s’ka kërkesa është shumë normale që nuk mund të ndryshohen proceset. Norma nuk po ndryshon fare, mendoj se njerëzit në Kosovë janë mësuar me këto norma shumë të larta .

Zëri: Mendon se në Kosovë janë mësuar njerëzit me norma të larta interesi?

Cani: Bankat janë komod në këtë gjendje, sepse ato e kanë një shtrat të caktuar, dhe nëse dikush këta nuk i nxit, ato do të vazhdojnë njëjtë me atë rutinë si deri më tash.

Bankat në Kosovë fitojnë shuma të mëdha parash nga normat e interesit, por shihet se nuk bëjnë shumë për të dhënë kredi dhe marrë depozita.

Pronarët e bankave duhet të shqetësohen për këtë, ata duhet të venë në lëvizje administratorët e bankave që të japin më shumë kredi të marrin më shumë depozita.

Zëri: Bankat që janë në Kosovë, janë edhe në rajon, por normat e interesit dallojnë shumë. Por dallojnë shumë edhe kreditë e këqija, ku Kosova është më së miri në rajon. Si shpjegohet kjo?

Cani: Normat e interesit në Shqipëri janë 7 për qind më të ulëta se në Kosovë. Por, në fakt kreditë e këqija në Shqipëri janë 22 për qind, pra tre herë më të larta se këtu.

Në Shqipëri bankat e mbajnë njëjtë norme sepse ka logjikë ngase ka rritje të kredive të këqija. Por në Kosovë kreditë e këqija janë më të ulëtat në rajon. Ndërkaq, norma interesit është më e larta në rajon. Këtu diçka duket se nuk shkon.

Një gjë duhet ta dinë bankat në Kosovë sepse ky faktor nuk është në favor të bankave, sepse ato kanë mundësi të ulin normën e interesit.

Zëri: Profesor, ju keni thënë se normat në Kosovë mund të ulën së paku 4 për qind gjate dy viteve. Si mund të ndodhë një gjë e tillë?

Cani: Janë të gjitha kushtet për të ndodhur diçka e tillë. Unë mund të sugjeroj dhe kamë dëshirën e mirë që të ndodhë diçka e tillë, por unë nuk kam mundësi që një gjë ta bëj vetë.

Por për të ndodhur kjo në Kosovë biznesi duhet të zgjohet nga gjumi. Bankat deri më tash janë mësuar më atë fitim të madh dhe është normale që ato të ngurojnë që të ulin normat e interesit.

Unë kam bërë një llogari se nëse ulen 4 % norma, atëherë fitimi i bankave do të bie për 60 milionë euro. Në Kosovë bankat janë të kënaqura që kanë 2 miliardë depozita, por ata nuk punojnë që ato t’i bëjnë 4 milionë euro, kur dihet se në Kosovë ka ekonomi jo formale.

Kur flasim për rrezikun e banave, po supozoj që në Kosovë shkalla e rrezikut është më e madhe ase në Shqipëri 10 për qind, atëherë normat në Kosovë është dashur te ishin më të larta për 10 për qind e jo 100 për qind sa është tash.

Biznesi i organizuar në Shoqatë duhet të bëjë presion të pashmangshëm. Kjo është detyre më shumë e biznesit. Ndërkaq Qeverisë i duhet që të përmirësojë dukshëm infrastrukturën ligjore, kjo është punë e tyre.

Zëri: Kreditë për biznes në Kosovë, vazhdojnë të jenë të vogla. Si e shihni këtë ju?

Cani: Duhet të heqim dorë nga ajo ku jemi sot. Nëse biznesi në Kosovë më 60 për qind financon me mjete të veta biznesit kjo është katastrofave dhe nuk është për mburrje. Biznesi nuk zhvillohet më kursime. Këtë formulë s’po e shpikim ne. E gjithë bota ka shkuar në zhvillim përmes kredive.

Sot në Kosovë janë dy burme kryesore që e rrisin prodhimin e brendshme. Qeveria duke shtruar rrugë, dhe familjet, apo bizneset duke kursyer.

Por kjo është e gabuar. Kredia duhet të financoj 90 për qind të aktiviteteve qofshin ato publike, por edhe private.

Zhvillimi nuk behët me hapje te tregjeve dhe kiosqeve, por zhvillimi ndodh me fabrika dhe kompani të mëdha, siç edhe nuk mund të zhvillohet sektorit i turizmit më dy dhoma, ngase duhet te ketë hotele të mëdha e luksoze.

Ne jemi në pikë kritike. Bankat kanë normat të larta, biznesi trembet e nuk u afrohet. Kjo duhet të këputet. Të gjithë faktorët duhet të behën bashkë.

Zëri: Profesor, thatë se normat mund të ulen për dy vite. Pse?

Cani: Bankat nga natyra janë konservatore dhe ato donë kohë. Të gjitha procedurat për të ndodhur ulja e normës së interesit donë kohë, dhe kjo nuk mund të ndodhë brenda javës.

Kuvendi duhet të marrë ketë heshtje me seriozisht, Qeveria po ashtu, biznesi po ashtu. Një herë duhet kohë për ta ndërruar mentalitetin dhe pastaj punët me dokumente që zgjasin deri në 18 muaj.

4 komente në “Shkëlqim Cani: Të hetohen bankat”

  1. Abazi says:

    Po të mund të ndëshkohej dëmi i bankarëve nga Prishtina për ekonominë e shqiptarëve do të duhej paraqitja e një tribunali të ri në Den Hagë.

    Këta kanë derdhur aq gjak në liri sa Slloba dhe Ratko në luftë.

    1. raimondi says:

      shume bukur Shkelqim Cani !

      Do ishte mire qe qeveria e Kosoves te pajtonte ne pune Profesor Shkelqimin
      si konsulent per ceshtjet e sistemit Bankar, ne kete menyre do ecnim ne nje hap te dy shtetet sqiptare

  2. plaku says:

    Une fakt nuk jam ekonomist por lexoj me deshire shkrime ne lidhje me ekonomine. Ne kete interviste te zotit Canaj nuk kuptoj nje gje.
    Ai thote se bankat duhet te bejne shume ne lidhje rritjen e dhenjes se kredive dhe te marrjes se depozitave nga qytetaret. Une di qe ne se norma e interesit e marrjes se kredise eshte e lidhur edhe me normen e interesit qe marrin qytetaret kur futin depozita ne banke. Pra nga kjo llogjike del se edhe norma e interesit e futjes se depozitave ne bankat e Kosoves duhet te jete e larte ( kuptohet se do jete me e vogel se norma e interesit te dhenjes se kredise nga banka ). Pra ne se norma e interesit per futje depozitash ne banke eshte e madhe, kuptohet se njerezit qe kane leke jane shume te interesuar qe te fitojne leke me futje te lekeve ne banke gje qe eshte e sigurte dhe e parezikeshme.
    Pra ne se normat e intersit te futjes se depozitave jane relativisht te larta atehere si ka mundesi qe depozitat ne bankat e Kosoves nuk rriten. Mos valle kosovaret i mbajne kursimet e tyre nen dyshek?
    Ne se dikush merr vesh nga keto gjera, kuptohet se do te isha shume mirenjohes te dija ne se kam te drejte apo jo?
    Pershendetje.

  3. florenc lala says:

    Une jam financier,por gjykoj se ky Cani ose nuk ka kapacitet per te dhene ide per ate qe konstaton ose ka frike.Une anoj nga e dyta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje