Thaçi: Në Suedi, si në shtëpinë time

2 Tetor 2012, 10:48Rajoni TEMA
Thaçi: Në Suedi, si në shtëpinë time

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Suedi, u takua me ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bildt.

Thaçi, gjatë këtij takimi, falënderoi ministrin Bildt për mbështetjen personale për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu edhe për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Ai tha se në Suedi “ndjehem si në shtëpinë time, ngaqë Suedia ishte shtëpi për mijëra kosovarë gjatë luftës së tmerrshme në vitet 1998-99”.

“Pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova është edhe më shumë e përkushtuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në BE. Jemi duke pritur rekomandim pozitiv të Raportit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim, si dhe vlerësim pozitiv për përmbushje të kritereve që dalin nga udhëzuesi për liberalizim të vizave”, theksoi kryeministri Thaçi në takim.

“Bashkimi Evropian duhet t’i përmbushë premtimet ndaj Kosovës, përfshirë këtu hapjen e negociatave për Marrëveshjen për Asociim dhe Stabilizim. Integrimi i balancuar i rajonit në BE, bazuar në merita, progresit në reforma dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore është kyç për të ardhmen e rajonit”, shtoi kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se qeveria që ai drejton do t’i kryejë “të gjitha detyrat e shtëpisë”.

“Do të vazhdojmë ta luftojmë korrupsionin, të bëjmë reformat dhe do të përfshihemi në një dialog konstruktiv me Serbinë”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Carl Bildt, theksoi se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë. Për më tepër , ministri Bildt theksoi se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe ndarja nuk është opsion. /Zëri/

1 komente në “Thaçi: Në Suedi, si në shtëpinë time”

  1. Winston Churchill says:

    “Të kuptosh se si është situata e vërtetë në një vend, mos humb kohë me biseda disa orë me ministrat në pushtet. Shko e bisedo pesë minuta me disa banorë të atij vendi.” – Winston Churchill

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje