Antikriza që po na çmend

22 Tetor 2012, 15:52Blog TEMA
Antikriza që po na çmend

Nga Xhovani Shyti

“20 vite më parë, Shqipëria ka qenë ndër vendet më të varfra në botë, ndërsa sot ajo renditet në një nga vendet me të ardhura të mesme të larta. Sot, Shqipëria ka një prej administratave më të vogla dhe është një vend me taksa të ulëta. Ajo gjithashtu ka direktiva të përcaktuara për investimet për të ardhmen.

Vendi im ende përballet me vështirësi si pasojë e krizës. Ne nuk jemi në Eurozonë, por sistemi ynë bankar i përket kësaj zone”. Është një fragment nga fjalimi që Kryeministri i vendit më të varfër europian Sali Berisha, mbajti pak ditë më parë në Kongresin Statutor të Partisë Popullore Europiane (EPP), ku ka premtuar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të ndershme dhe të lira.

Por le ta lëmë mënjanë cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme dhe të merremi me entuziazmin e kryeministrit rreth ecjes përpara të ekonomisë sonë, që, gjithmonë sipas tij, edhe pse e sulmuar nga kriza ndërbotërore, vazhdon ta sfidojë atë. Pra të mos quhet e rënë në kthetrat e krizës, por në prehrin e ngrohtë të antikrizës. Mirëpo sa të vërtetë ka në këtë mes?

D.m.th, ekonomia shqiptare është në krizë apo në antikrizën që predikon kreu i qeverisjes,që se ka për gjë ta rreshtojë ekonominë e Shqipërisë me atë të Gjermanisë? Le të kthehemi pak në kohë. Atëherë kur lajmi për mbylljen e hipermarketit “Praktiker”, nga ekspertët e ekonomisë u komentua si futje e vendit në krizë ekonomiko-financiare.

Ky lajm koincidoi të jepej ndërkohë që, mbështetur në një të dhënë zyrtare, media raportoi se një në katër shqiptarë dilte të ishte i sëmurë mendorë. Përveç lajmit, të dyja këto të dhëna të pakëndshme kaluan pa shumë vëmendje dhe i rikthyem nga që, ndonëse situata aktuale është po e njëjta, madje në një krizë tashmë të gjithëgjendur: ekonomiko-financiare, social-politike etj., zyrtarisht, nga kreu dinastik i maxhoranca qeverisëse, ajo vazhdon të deklarohet si antikrizë.

Vazhdon të cilësohet e tillë edhe pse shifrat zyrtare, flasin krejt të kundërtën. Duke iu referuar këtyre të fundit mëson, p.sh, se: në gjysmën e parë të muajve të ikur të këtij viti pati rënie të importeve të makinerive, pajisjeve, materialeve të ndërtimit me 15 %. Pati rënie të fitimit të sipërmarrjeve me 21,4 %, pati rënie të kontratave të sigurimeve me 21,4 %, rënie të investimeve publike me 16,3 %.Por, mosarkëtim i të ardhurave të programuara, e ka shtrënguar qeverinë të mosrealizojë programin e shpenzimeve. Shpenzimet kapitale në pesëmujorin e parë 2012 qenë 56 milionë dollarë më pak se e njëjta periudhë e 2011 ose me një rënie prej 26,9 %.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare për gjashtëmujorin e shkuar treguan se volumi i tregtisë me jashtë është në vendnumëro. Rritja e eksporteve me 3,4 % mezi arriti të balanconte rënien e importeve me 1,8 %.

Po ashtu, të ardhurat tatimore të arkëtuara në buxhetin e shtetit janë rritur vetëm me 2,5 %. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është rritur me vetëm 1,6 %, gjë që tregon për frenim të aktiviteteve sipërmarrëse, sidomos, në tregun e brendshëm. Rritja e TVSH-së më pak se inflacioni mesatar 7 mujor (ky tregues është 1,7 %) është dëshmi e mosrritjes së ekonomisë. Tatimi mbi Fitimin është pakësuar me 21,4%, tregues ky që sipërmarrjet po fitojnë më pak. Tatimi mbi të Ardhurat Personale është pakësuar me 2,6 %.

Në vitin 2009-n investimet e huaja direkte në ekonominë tonë ishin 705 milionë euro, në 2010-n zbresin në 589 milionë dhe në20011-n,zbresin akoma më poshtë, në 435 milionë.

Janë tregues që nuk stimulojnë kurrfarë optimizmi tek taksapaguesit,por që nuk ia ndalojnë vrapin kreut të qeverisësit t’i propagandojë si fitore. Antikrizë, e cilëson theksueshëm këtë realitet Kryeministri Berisha, po të tillë e thërret në shkodranisht edhe kryeparlamentarja ndër takimet me t’hujt. Por të gjendur e jo të prekur nga kriza, pra në “antikrizë”, e quajti edhe Presidenti, Bujar Nishani, nga ambientet e selisë së OKB-së e të paqenë në krizë e cilëson edhe ministri i Financave, ai i Ekonomisë dhe gjithkush që është pjesë e kabinetit antikrizë, megjithëse të gjithë ne të tjerët, të prekur nga pasojat, po e vuajmë krizën. Po atëherë? Po i rikthehem sërish faktit të sipërpërmendur pasi është më sinjifikativi për të treguar se kur ekonomia shqiptare nisi të hyjë në krizë,dhe kush ishin pasojat.

Sipas vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë të ekonomisë, mbyllja dhe largimi i supermarketit më popullor në Europë, “Praktiker”, konfirmoi faktin e prezencës së krizës financiare që, edhe pse e papranuar, nga strukturat e qeverisjes, e kishte kapluar vendin prej vitesh. Sipas Eurostat, mbyllja e “Praktiker”-it në Shqipëri erdhi si pasojë e faktit që “shqiptarët kanë një fuqi blerëse 4 herë më të ulët se mesatarja e BE,ndërkohë që në Perëndim, ecuria e shitjeve në të tilla rrjete supermarketesh shihet si një test për ecurinë e ekonomisë”.

Ndërkohë, e komentuar prej specialistëve të fushës, sëmundshmëria e shtuar psikike ndër shqiptarët, tregonte pasojën e sjellë nga realiteti krizor, mbi masat taksapaguese. Një realitet ky që nuk kapte vetëm ekonominë dhe financat, por krejt jetën shqiptare. Atë politike, financiare, sociale, shpirtërore etj. Referuar vlerësimeve të ekspertëve të huaj mësohet se kriza që po kalon sot bota i ngjan asaj të viteve ’20 -’30-të. Përveç aspektit ekonomiko-financiar,në ndikim të kësaj krize ishte edhe ajo shpirtërore, e njohur edhe si kriza që polli njerëzit e brezit të humbur.

Të humbur në kuptimin që shpirtërisht e moralisht nuk kishe vlerë të diferencuar si të ishte popull, si të ishe shkrimtar,artist, shkencëtar, poet, i famshëm,apo nobelist. Sepse nën peshën e krizës të gjithë ndjeheshin të çoroditur, të humbur, të deprimuar, ca plotësisht të çmendur e të tjerët më pak. Me pak fjalë, e konvertuar në situatën e shqipes së sotme, në katër europian njëri vuante nga problemet mendore. Një shifër kjo që vinte në ritje sa më shumë kriza botërore e shtrëngonte darën e saj…

Në krahasueshmërinë e saj, trajektorja e asaj krize i përngjason si dy pika uji kësaj shqiptares sonë, e pranon apo nuk e pranon Kryeministri ynë i paepur e shpura e tij. Ka vite që biznesi i vogël është falimentuar, por drejt kësaj humnere ka shkuar edhe ai i mesmi. Nga ky nivel, që është kryesori në mbajtjen e parametrave të shëndoshë socialë të një populli, kanë mbetur në këmbë edhe ca.

Ndërkohë biznesit të madh kanë nisur ti dridhen këmbët. Sikurse ka deklaruar javë më parë ish ministri i ekonomisë e financave, ekonomia shqiptare ishte një ngrehinë kleringu, ku borxhi kishte krijuar crkumin e tij duke lëvizur sipas formulës: unë të kam ty para, por nuk ti jap kesh se nuk kam, e ti konvertoj në mallra, përgjithësisht në apartamente etj. Jo pak biznese janë zhytur në borxhe kredish tek bankat, ndërsa këto të fundit janë poseduese të jo pak kolateraleve të nxjerra për shitje, e të pangritshme nga mungesa e blerësve…

Në këtë hapërdarje, papunësia është rritur ndjeshëm, dhe 13% i deklaruar nga instanca zyrtare publikohet për të mos shkaktuar panik. Nga tre kryefamiljarë që numëroheshin dy vjet më parë të papunë në pellgun ku unë banoj tashmë janë bërë tridhjetë dhe s’dihet sa të tjerë do të ngrenë duart përpjetë, deri në zgjedhjet e pritshme. Cilësia e jetës është cenuar, punonjësit e administratës presin me gjak të ngrirë marrjen apo mosmarrjen e pagave, investitorët shlyerjen e parave nga shteti për investime të kryera e të papaguara prej vitesh…

Dhe kështu ushtria e humbësve sa vjen e ritet, përkundër deklaratave zyrtare se jemi vend që jo vetëm nuk e njohim krizën, por po njohim rritjet më të madha ekonomike në eurozonë e më tej. Por duke anashkaluar faktin zyrtarë se: “një në katër shqiptarë vuan nga problemet mendore”, të dalë prej të dhënave të një projekti, të nisur njëmbëdhjetë vjet më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

3 komente në “Antikriza që po na çmend”

  1. alban4eva says:

    me ne krye mbretin tone Stalin Berishovicin, ne kena ba arrtijet ma t’madhaja ne cdo fushe te jetes… ata qi thone se jemi ne krize dhe jena t’vorfen, ia fusin kot, dhe jane kamunista te panreqshem..
    Albanistani yne me ne krye Saleh Berishin nuk njeh krize fare.. edhe po te kete, e zgjidh Salehu krizen.. jemi vendi i dyte pas Gjermanise, biles edhe pak dhe do ia kalojme edhe Gjermanise..
    rrofte mbreti yne Stalin Berishovici sa malet e Serbise dhe te Greqise..

  2. Por edhe kur na rre sheshit, vallai sikur i shko Doktorit. I njit mashtrimi mer jahu s’din si ta shpjegoj as vet un. Or po Norvegji e Zvicer bashke kena kapercye

  3. kel ukaj says:

    Z. Shyti ndoshta jemi ne 25% sepse nuk shohim gjerat sikur i sheh Sali Gedafi. Ketu ku jetoj une prej 12 vjetesh i degjoj duke qare. Ekonomia jone -thone- eshte vendos keq. Konsumi ka rene. Tregjet nderkometare po i merr kina. Konsumi ka rene ne nivelet e 1984. Per kete te fundit bej shaka me Italianet ju them “bastarde” keshtu ju keni jetuar ne 1984!
    Ne 1984 une kisha nje rroge te madhe per shqiperine sot qe jam i vjeter me sherben vetem nje gjysme dite pune per te blere, vaj, miell, oriz, sheqer etj aq sa bleja me kete rroge ne 1984.
    Une e di mire kush eshte Sali Berisha dhe nuk ja vlen te flasesh per nje kriminel, por mund te themi me siguri absolute se shqiperia ka qene dhe eshte tani vendi me i varfer ne Europe. Atehere ku jane statistikat e Enverit e Sales. Zoteri ne epoken e PPSH ka pasur tre vulume te medhaja per studimin e historise se partise se Saliut per shkurt studentet i thirrnin CRNS (çeshtje te revolucionit e ndertimit te socialismit). Ne keto volume kishte nje thenie te Enver Hoxhes te cilen une nuk e harroj sepse tallesha me kete thenie te bukur.
    Enveri shkruante “shqiperia eshte 100 vjet perpara Europes, edhe ata do te vijne ketu ku jemi Ne, por kur ata te vijne ketu ku jemi ne, Ne do te jemi 100 vjet te tjera perpara”. I lutem Saliut ta kopjoje Enverin mire pasi ehste bere me pis se DULLA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje