Si në bankën e kasapit

8 Nëntor 2012, 20:08Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Para disa ditësh doli lajmi se një kasaba në Turqi i paskësh dhënë titullin doktor nderi ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës. Këso lajmesh parimisht duhet ta gëzojnë çdokënd që ia do të mirën vendit. Por në rastin konkret kemi të bëjmë më shumë me një ceremoni bizare, sepse aksh Universiteti provincial në Turqi po nderonte ministrin e një vendi, në të cilin pacienti më i madh është vetë sistemi shëndetësor. Me të njëjtin harxh edhe komuna Kale e Turqisë e shpalli ministrin qytetar nderi. U thanë ca llafe për bashkëpunim, u shkëmbyen lajkat e zakonshme për “përkrahjen e Turqisë” dhe me kaq – ditën e mirë! Të shkosh në Turqi për politikanët e Kosovës është bërë si dikur, kur shkohej në çajtore. Shkojnë ministra me soj e sorollop, shkojnë zyrtarë në konferenca kot së koti, shkojnë kryetarë komunash e axhami politikë sa për të kënaqur instinktet e ulëta, siç është fjetja me para të shtetit në hotel me 4 a 5 yje dhe ndonjë darkë me shumë mish e dhjamë e pak muhabete në stilin “sa e keni rrogën ju në Turqi?” Pse të mos shkojë edhe ministri i Shëndetësisë, aq më tepër kur e thërrasin për ta nderuar. Mbeti e paqartë a është nderuar ministri për kualifikimet e tij profesionale, të cilat janë të padiskutueshme, apo për sukseset në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Kosovë. Por kjo e fundit nuk mund të jetë, kur të kihet parasysh gjendja në shëndetësi në këto viset tona, ku skandalet renditen si rruazat e tespiheve.

Zemërim e gërdi

Para disa javësh televizioni i Tiranës Top Channel solli një kronikë mbi një skandal shëndetësor në Prishtinë. Dy gjinekologë të njohur me muaj të tërë kishin kontrolluar rregullisht një shtatzënë dhe s’kishin vërejtur disa deformime rrëqethëse të embrionit. As pasi kishte kaluar afati ligjor brenda të cilit gruaja fatkeqe do të mund të abortonte, mjekët nuk kishin qenë në gjendje të konstatonin se fëmija do të lindte me të meta. Kështu edhe ndodhi – fëmija lindi me të meta dhe infermieret e mbështollën foshnjën me batanije, që babai të mos tronditej nga pamja. Fillimisht mjekët refuzuan të merreshin me shqetësimet e prindërve. Vetëm pas presionit medial gjinekologët folën për rastin, por duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit. Politikanët e Kosovës merren me punë të mëdha, kështu që edhe ky skandal në shëndetësi kaloi pa ndonjë jehonë. Krejt qëllimi i publikimit të një skandali në medie është që politika pastaj të bëhet aktive, të kujdeset që gabimet fatale të mos përsëriten. Në Kosovë mund të publikohen fakte për skandalet më të mëdha, por sistemi nuk reagon, sepse nuk funksionon. Rrjedhimisht, duket konsekuente që edhe në parlament ka deputetë që përmenden për “vrasje e plagesa”, por vazhdojnë të sillen si “përfaqësues të popullit”.

Kushdo që ka qenë në spitale të Kosovës, qoftë vetëm si kureshtar, s’ka se si të mos largohet prej tyre me një ndjenjë zemërimi dhe gërdie. Mungesë rendi, papastërti, mjekë të papërgjegjshëm, familjarë që vrapojnë për të “gjetur një lidhje”, pacientë që lëngojnë sa prej sëmundjes aq edhe prej trajtimit joadekuat. Dhe sërish mjekë që sa për sy e faqe paraqiten në punë në spitalet publike dhe njëkohësisht punojnë në ordinancat e tyre private. Shkatërrimi i sistemit shëndetësor të Kosovës është njëri prej krimeve më të mëdha që është bërë pas luftës dhe pjesëmarrës në këtë katrahurë janë veçanërisht dy partitë kryesore: PDK dhe LDK. Dehumanizimi i shoqërisë shihet edhe në mënyrën se si reagon ajo ndaj të sëmurëve, sa kujdeset për ta. Shpesh organizohen hipokrizi publike, siç është mbledhja e parave për shërimin e ndonjë fëmije fatkeq, dhe njerëzit sa për të lehtësuar ndërgjegjen japin ca metelikë nga buxheti i tyre i varfër, por gati askush nuk pyet: pse nuk jemi në gjendje si shoqëri, si shtet, si politikanë, si mjekë, si menaxherë të sektorit të shëndetësisë që të organizojmë një sistem të tillë publik, i cili është në gjendje t’i trajtojë si duhet pacientët?

Ose të pyesim pak më ndryshe: pse jemi në gjendje të lejojmë që mjekët e spitalit publik t’i dërgojnë pacientët nëpër spitale private, prej të cilave ata marrin honorar. Ja si funksionon ky sistem: në spitalin publik të një qyteti kosovar pothuaj të gjithë kardiologët janë të lidhur me spitalet private që trajtojnë sëmundjet e zemrës (ta zëmë me ato spitale që janë hapur nëpër ara në rrugën Prishtinë-Ferizaj). Pasi i vizitojnë pacientët ata menjëherë, patën ose nuk patën nevojë, i udhëzojnë të bëjnë një koronarografi (metodë diagnostikimi përmes së cilës arrihet të kontrollohen enët e gjakut të zemrës). Udhëzimin nuk ua japin për kontroll në QKUK (ose, siç i tha dikush QKUÇK), por për spitale private. Supozohet se në QKUK aparati i koronarografisë disa herë është prishur qëllimisht vetëm e vetëm që pacientët e shkretë të shkojnë në spitale private, ku duhet të paguajnë shuma marramendëse për rrethanat kosovare. Një koronarografi në spital privat kushton mesatarisht 700 euro. Zakonisht mjeku i spitalit publik kontakton spitalin privat dhe paralajmëron se së shpejti do të vijë filan pacienti. Spitali i merr shënimet, kontrollon pacientin (ta zëmë duke bërë koronarografinë) dhe i paguan 200 deri 300 euro honorar mjekut të spitalit publik – si shpërblim për ndërmjetësimin e pacientit. Ky nuk është sistem shëndetësor, por mafioz, ku pacientët trajtohen si qengjat në bankën e kasapit.

Shitja e të dhënave?

Para disa ditësh në emisionin “Metropol” të Radio Kosovës u problematizua një çështje vërtet makabre: një spital privat u kishte dërguar SMS njerëzve, duke iu uruar një festë fetare dhe duke iu bërë një ofertë “të volitshme” për të kontrolluar zemrën. Mesazhet telefonike u ishin dërguar edhe njerëzve që kishin shqetësime me zemër. Si kishte arritur ky spital privat të dinte se kush ka probleme me zemër në Kosovë? A thua spitalet publike shesin edhe të dhënat më personale të pacientëve? Shumë mjekë me mentalitet kasapi edhe këtë e bëjnë, sepse, siç u përmend, kur të dehumanizohet shoqëria dhe përdhoset profesioni, atëherë nuk ka më prag etik, në shesh dalin vese e tipare çnjerëzore. Njohës të besueshëm të sistemit shëndetësor tregojnë se të dhënat e pacientëve në Kosovë nuk ruhen dhe nuk mbrohen fare. Madje temat e doktoraturave të mjekëve shkruhen dhe shkarraviten duke shfrytëzuar të dhënat e pacientëve – pa miratimin e tyre! Mos të përmendim këtu qindra mjekë nga Kosova që po kryejnë doktoratura ekspres në Shqipëri – pa mentor, pa njohje të gjuhës angleze apo të ndonjë gjuhe tjetër.

E kemi shkatërruar ose kemi lejuar që para syve tanë të shkatërrohet sistemi shëndetësor publik në Kosovë. Tani shpëton vetëm ai që ka para. Tani edhe veteranët e UÇK-së lidhin marrëveshje për trajtim në spitale private – dhe kështu i bëjnë reklamë spitalit privat, ndërsa dikur, para hiç më shumë se 12-13 vitesh, lufta ishte bërë kinse për një shtet ku sektori publik kujdeset për qytetarin, sepse ordinanca private kemi pasur edhe në vaktin e Sllobodan Millosheviqit. Atëherë si shoqëri angazhoheshim që studentët të ktheheshin në Universitet e pacientët në spitale publike. Kur shkollat dhe spitalet u ranë në dorë shqiptarëve, së pari i shkatërruan, pastaj i shndërruan në instrument të keqpërdorimit. Tani janë mbushur arat me spitale me emra qesharakë dhe elegantë, por aty ka vend vetëm klasa e pasunarëve, jo mësuesi dhe jo bujku, jo plaku dhe jo invalidi, i cili mezi siguron ekzistencën. Deputetë, të tërbuar nga padituria, do të thonë se kështu e ka “tregu i lirë”. Kush i ka disa mijëra euro, ndoshta mund ta shpëtojë zemrën. Kush nuk i ka, duhet të mbledhë para nëpër shoqëri e miqësi. Disa duhet ta shikojnë vdekjen në sy, sepse nuk kanë nga t’i marrin paratë.

Më shtrenjtë se në Zvicër!

Një kardiolog shqiptar në Zvicër këto ditë ishte befasuar me një paciente të ardhur nga Kosova. Ja rrëfimi i tij: “Pacientja kishte dhembje në gjoks dhe mjekët në Kosovë zbuluan se zemra nuk furnizohej mirë me gjak. Intervenimi ishte kryer në një klinikë private në Kosovë dhe pacientja kishte paguar 6 000 euro. Pastaj mjekët propozuan një ndërhyrje të dytë në një arterie tjetër. Kjo nuk është diçka e pazakonshme, edhe unë shpesh veproj kështu. Por intervenimi i dytë në Kosovë kushtonte edhe 6 000 euro të tjera. Meqë një familjar i pacientes punon këtu në spital, pas një kohe pacientja erdhi te ne në Zvicër. Unë konstatova se arteria e trajtuar në Kosovë pas vetëm gjashtë javësh ishte mbyllur plotësisht! Tani të dy arteriet janë të hapura. Nga pikëpamja ime duhet të kritikohen tri çështje: a) intervenimi në Kosovë është shumë i shtrenjtë. Stentat do të kishin çmim më të lirë sikur autoritetet e Kosovës të negocionin më mirë. Në Zvicër një stent i fjalës së fundit të teknikës (State of the art) aktualisht kushton rreth 1 100 euro, kurse në Kosovë njerëzit paguajnë shumë më tepër se

2 000 franga. Në këtë çmim përfshihet trajtimi shpesh joadekuat, ryshfeti, plaçkitja e pacientit. Në Angli një stent kushton 500 euro dhe në Gjermani mes 500 dhe 700 euro. Bën vaki që firma që furnizon klinikën me stenda t’i japë një pjesë të çmimit mjekut kosovar; b) zgjerimi i arterieve jo përherë është i domosdoshëm, por meqë prej kësaj pune nxirret fitim, për fat të keq bëhet shpesh. Kjo është ekonomi private; c) Në QKUK ekzistojnë aparatet për t’i trajtuar pacientët. Por meqë të njëjtët mjekë punojnë edhe privat, aparatet e koronarografisë shpesh janë të prishura (aktualisht thuhet se punojnë). Zgjidhja e vetme është që mjekëve t’u ndalohet të punojnë privat dhe për shtetin njëkohësisht. Kjo është një masë e ashpër, por kështu është në Zvicër, ose je privat ose jo”.

Ekziston edhe një fenomen tjetër në spitalet private: në atë moment që vërejnë se gjendja e pacientit po bëhet kritike, mjekët nguten që pacientin ta dërgojnë në spitalin publik (zakonisht QKUK) dhe kështu heqin përgjegjësinë nga vetja. Pasojat i bart pacienti. Një rol jo aq të lavdërueshëm luajnë edhe firma të caktuara farmaceutike, si ta zëmë “Altupharma”, e cila nga mediumet në Prishtinë është akuzuar se dërgon dhjetëra mjekë në pushime në Turqi (shpesh mjekët mund të marrin me vete edhe bashkëshortet) dhe si kundërshpërblim mjekët kur të kthehen në punë pacientëve ua përshkruajnë jo barnat e nevojshme, por barnat e firmës Altupharma! Ky me siguri nuk është rast i izoluar.

Qëmoti ka ardhur koha për rezistencë të qytetarëve dhe presion të mediumeve kundër kësaj hataje. Nuk duhet pasur iluzione që raportimet në mediume mund të ndryshojnë menjëherë gjendjen në sistemin shëndetësor në Kosovë. Njerëzit do të vazhdojnë të shkojnë për t’u shëruar në spitale private, në garazhe mjekësore në Tiranë e klinika të shtrenjta në Shkup, në spitale publike në Serbi dhe në shtëpi shëndeti në Evropën Perëndimore. Të parët që shkojnë për të marrë edhe injeksione në botën e jashtme janë politikanët e Kosovës. Të tjerët le të shtrihen në bankën e kasapit, ndërsa ministri i Shëndetësisë mund të ndihet i lumtur e krenar si qytetar nderi i një kasabaje turke dhe doktor nderi i një Universiteti turk.

1 komente në “Si në bankën e kasapit”

  1. Ministri kosovar i shendetsise nderohet ne menyre te vecante ne Turqi, sepse perpara disa muajsh ai nxori nje urdherese per te gjitha spitalet e Kosoves, ku urdheroheshin qe vizitat gjinekologjike te grave kosovare te kryheshin vetem nga mjeke gjinekologe femra. njesoj si ne qytetet turke ku per shkak te ndikimit fetar vizitat gjinekologjike kryhen vetem nga mjeke gjinekologe femra.
    kjo eshte merete e vecante e ministrit kosovar sepse i trajton grate kosovare si myslymane turke.
    bravo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje