Kultura e mospagimit, si kulturë vetëvrasëse për shtetin

17 Nëntor 2012, 22:36Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Në kulmin e luftës së ashpër politike, ku po vihet në rrezik integrimi evropian i Shqipërisë, pikërisht, në qindin e viteve të pavarësimit të saj, vjen në këtë arenë xhungle të gjithanshme një përplasje titanësh. Nga njëra anë, qeveria, me gjithë levat e saj, e nga ana tjetër, një operator privat që këtu e 4 vjet më parë i hyri detit me këmbë për t’u sjellë shqiptarëve cilësi në furnizimin me energji elektrike.

U përfol e stërpërfol ky privatizim i atëhershëm. U quajt sukses dhe shitje e shekullit nga ky kryeministër që sot ka humbur si ‘xhaferri simiten’ dhe nxjerr nëpër ekrane nivele të dyta, ndërkohë që çështja është aq e mprehtë saqë kërkon prononcimin e menjëhershëm të tij. Të atij që s’lë pa u prononcuar edhe në mbledhje qeverie për emra individësh, absolutisht anonimë për gjithkënd, që kanë takuar liderin e opozitës.

Para privatizimit dhe disa muaj pas tij, kompania ish-shtetërore quhej OSSH, d.m.th. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Privatizuesi çek, duke parë se ky emërtim identifikohej me shtetin dhe për t’i ndërgjegjësuar njerëzit se tashmë kjo është një kompani private, ia ndryshoi emrin duke e quajtur siç e ka kompania nënë në Pragë, CEZ, duke i lënë vetëm prapashtesën “Shpërndarje”, për të identifikuar qëllimin.

Por as ky ndryshim rolesh dhe emrash nuk e përmirësoi situatën; humbjet në rrjet, mosarkëtimet gjendja financiare, vijuan po njësoj. Politika e premtimeve elektorale kish hyrë kaq thellë në mendjen e shumë konsumatorëve, anembanë vendit, saqë ishte e vështirë të çrrënjosje një anti-kulturë e cila tani po bëhet vetëvrasëse për shtetin. Dhe kur them shtetin, nuk kam parasysh vetëm institucionet, por edhe gjithë qytetarët që janë pjesë e tij.

Çdo ditë që kalon, po e çon situatën në pikën kritike; njësoj si ajo pika kritike ku shkojnë hidrocentralet kur u ulet niveli i ujit deri sa nuk kanë mundësi të vënë në punë turbinat. Dhe uji për CEZ-in është paraja, me të cilën ajo duhet të blejë mallin, energjinë, për t’ua përcjellë më pas, konsumatorëve.

Një privatizim që nisi tmerrësisht keq, ashtu siç din t’i bëjë sistematikisht vetëm Berisha. Privatizim i nxituar i çdo pasurie strategjike të vendit, vetëm për t’i hequr qafe. Kur Shpërndarjen e kishte qeveria, të gjithë e mbajmë mend sesi pllakoste errësira dhe ishte kjo ndër njërat arsye që Berisha donte ta nxirrte në shitje, me qëllim që të hiqte përgjegjësitë nga vetja për t’ia lënë më pas privatit.

Tashmë, kur situata e arkëtimeve është mjaft e ulët, investitori i huaj, pavarësisht menaxhimit të keq të brendshëm (që ashtu siç ka denoncuar edhe opozita, duhet një auditim dhe hetim i plotë), po kërkon edhe me forma ekstreme t’i paguhen faturat. Qeveria, duke e pasur më të lehtë tani, e gjen të udhës të shkojë me policë për ta ndalur. OSSH-ja e qeverisë me CEZ-in privat ndryshojnë vetëm se, i pari nuk u kërkonte pagesën debitorëve shtetërore, pasi i konsideronte të tijtë. Ndërsa konsumatorit të thjeshtë, të dyja palët ua kanë ndërprerë rrymën, duke i futur në të njëjtin thes penalizues, si atë që kish paguar, si atë që s’e kish. Tashmë që qeveria është kaluar, ndjehet komode që për nevoja politike ta detyrojë me presione CEZ-in që të furnizojë qytete e fshatra që me vetëdije dhe mbështetje politike nuk hedhin asnjë kacidhe në arkën e saj.

Gjen sot qytetarë shumë të ndërgjegjshëm që e paguajnë çdo fund muaji rregullisht energjinë, ndonëse me të ardhurat që kanë mezi e shtyjnë muajin edhe për shpenzimet më jetësore siç mund të jenë ilaçet. Biles rrinë edhe në radhë. Ka të tjerë që e paguajnë, por me kohë vonesë. Një miku im, i cili ka një biznes të vogël më thoshte se: “Faturën e CEZ-it e paguaj me 3-4 muaj vonesë, pasi me lekët që duhet të paguaj faturën, blej mall për dyqanin dhe pasi nxjerr fitimin, shkoj e bëj pagesën e njërit nga muajt e prapambetur”. Po ky miku im më tregonte sesi miq të tij (në Kamëz, meqë ra fjala) kishin vite pa e paguar dhe ndërsa unë, për ta ngacmuar, i thosha se, do vijë dita që pavarësisht shumës, ata kanë për t’i paguar, ai më shikonte vëngër dhe shtonte: “Po pse, vetëm një është ai?” Kjo, në fakt, është kategoria e tretë e konsumatorëve individualë, të papërgjegjshëm në kulm, që as nuk vënë ujin në zjarr se kanë detyrim për ta paguar atë që e konsumojnë. Janë pikërisht premtimet elektorale që pushtetarët kanë dhënë, që u japin zemër; është frika se humbasin votues në këtë prag vitit zgjedhor që detyron qeveritarët të bëjnë lojën strucit.

Si përfundim, mund të thuhet se, nga ky konflikt do dalim të humbur të gjithë. Me CEZ privat sot, apo OSSH shtetërore nesër, paratë që institucionet i kanë sistemit të shpërndarjes dhe anasjelltas, do likuidohen. Problemi më i madh është për konsumatorin e thjeshtë që është përdorur politikisht dhe është brumosur me po këtë frymë; kulturën militanteske të mospagesës. Por si gjithnjë zgjidhja do gjendet, ashtu siç është gjendur ngahera; debinë e debitorëve kanë për ta paguar ata që e paguajnë, duke i rritur çmimin. Berisha, me gjithë kastën e tij, do ta shtyjë sa ta shtyjë deri në zgjedhje, për të mos marrë risk politik. Dhe pasi e solli situatën në këtë gjendje që jemi, do iki sipas shprehjes “pas meje u bëftë qameti”. Një fjalë e urtë thotë: “E dini pse janë të rrezikshëm pleqtë? Sepse ata nuk kanë të ardhme”…

4 komente në “Kultura e mospagimit, si kulturë vetëvrasëse për shtetin”

  1. Sali serbi says:

    Eshte kultura e Sali serbit dhe falangave te tij.

    1. Kur e m’shtet Doktorin me % te larte, normale qe do kete privilegje. Na i ka siguru denmokracia kto gjona

  2. mjeku says:

    pune shqiptaresh me pak fjale,

  3. goni says:

    Po cez shperndarja llogjikisht nuk ka humbur asnje leke sepse edhe humbjet ne rrjet apo vjedhjet nga falangat e kryekriminelit i merre nepermjet cmimit te dhjetefishuar mbi klientat e rregullt. Keshtu qe askush nuke beson se Cezi nuk i ka marre leket pore puna eshte se nuke ka arriturr te marre asnje leke nga ndermarrjet shteterore qe drejtone kryekrimineli yne dhe po kuptone se ky kryekrimineli nuk zbaton asnje lloje ligji apo rregulli ekonomik keshtu qe pas rrjepjes se popullit me bekimin e kryekriminelit, ju kthye ketije te fundit qe te paguaje borxhet te cilat ai as qe ka ndermend ti paguaje. ( Sepse i ka bankat plote me para nga sukseset e papara edhe ne bote) sepse ka bere marreveshje te fshehte ne kurriz te popullit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje