Lëvizja “Vetëvendosje” vlerësoi të premten se viti 2012 po përmbyllet me disbalancë edhe më të madhe tregtare se ajo e vitit 2011.
“Ne importojmë thuajse çdo gjë që konsumojmë, dhe duket se ky edhe është qëllimi i vetëm i këtyre qeverive. Vitin 2012 e përfundojmë me buxhet i cili mbushet në lartësi prej gati 80% në dogana, e që nënkupton varshmëri totale nga të hyrat doganore. Vitin 2012 e përfundojmë me tkurrje të sektorit privat”, u tha në konferencën për medie.
Po ashtu, u theksua se vitin 2012 ka pasur edhe tkurrje te investimeve te huaja direkte.
“Vitin 2012 e përfundojmë me papunësi 45%, e që ka tendencë rritjeje krahasuar me 2011. Asgjë e vetme nuk është bërë nga kjo qeveri për ta ulur papunësinë. Vitin 2012 e përfundojmë me investime kapitale, në asfalt, dhe atë me një kontratë që ende nuk është publike, shpenzim të parave të qytetarëve, ndërsa qytetarët nuk e kanë idenë se ku. Për më shumë reduktojmë investimet kapitale vetëm në asfalt”, vlerëson VV./KD