Eintraht Frankfurt interesohet për Ansi Agollin

29 Dhjetor 2012, 18:02Sport TEMA

Klubi i Bundesligës, Eintraht Frankfurt, ka filluar të interesohet për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare, Ansi Agolli, duke menduar që të marrë këtë të fundit në radhët e tij në sezonin e ardhshëm.

Lojtari që aktivizohet me Karabak në Azerbajxhan, ka zhvilluar edhe bisedime paraprake me drejtuesit e ekipit gjerman, që janë gati t’i ofrojnë 30 vjeçarit një kontratë të majme me rrogë mbi 200 mijë euro në sezon. Por është e vështirë që lojtari të shkëputet nga klubi i tij, ku është titullar i pazëvendësueshëm dhe cilësohet si një nga futbollistët më të mirë të këtij ekipi.

Agolli ka edhe një vit e gjysmë kontratë me azerët, të cilët mund të rritin shumë vlerën e kartonit të tij, duke parë interesimin e një klubi të Bundesligës. Për këtë arsye, ndërmjetësit e klubit gjerman i kanë bërë të qartë lojtarit që të zgjidhë kontratën me Karabak nëse dëshiron të transferohet në Gjermani, ose të paktën ky klub të vendosë një çmim të arsyeshëm për shitjen e tij.

Drejtuesit e skuadrës gjermane i kanë bërë të qartë futbollistit se bisedimet e mirëfillta do të nisin gjatë verës, me mbylljen e këtij sezoni, pasi të shihet edhe se në cilat pozita është Eintraht Frankfurt dhe cilat ka si objektiva në sezonin e ardhshëm. Kjo është një mundësi e mirë që mesfushori shqiptar të bëjë hapin e madh në karrierë, pasi më parë ka luajtur në kampionatin zviceran, atë finlandez dhe ukrainas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje