Guardiola te Brazili, thashethemin e hapi i vëllai

10 Janar 2013, 19:55Sport TEMA

Në muajin nëntor, pasi Mano Menezes u shkarkua nga detyra si trajner i kombëtares së Brazilit, gazeta e njohur braziliane “Lance” publikoi lajmin se një nga kandidatët më të mundshëm për të marrë drejtimin e kësaj përfaqësueseje ishte Pep Guardiola.

Sipas kësaj gazete, një burim “shumë i afërt” me trajnerin katalanas kishte siguruar se “nëse ka një ekip të cilin Pep do ta drejtonte menjëherë të nesërmen, ai ishte ekipi kombëtar i Brazilit”.

Lajmi në fjalë kishte një impakt të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Brazil, por në të gjithë botën. Por pavarësisht interesimit të madh të tifozëve, Federata Braziliane e Futbollit zgjodhi Luiz Felipe Skolarin për të marrë drejtimin kombëtares.

Gazeta “Lance”, nëpërmjet fjalëve të presidentit të bordit të saj, Ualter Matos, ka shpjeguar më në fund se kush ishte ky burim informacioni.

“Ju garantoj se ëndrra jonë që Guardiola të drejtonte kombëtaren e Brazilit ishte shumë pranë realizimit pas interesimit nga drejtuesit e Federatës. I telefonova ndërmjetësit dhe i thashë që Brazili ishte në kërkim të një trajnerit dhe drejtuesit e Federatës ishin gati të bisedonin me Guardiolën. Ndërmjetësi më telefonoi përsëri pas 20 minutash, duke pyetur nëse kishte të reja dhe i dhashë përgjigje negative. Më tha që do të fliste me Guardiolën dhe do të më telefononte përsëri”.

“Më telefonoi saktësisht pas 13 minutash dhe më tha frazën e publikuar se ekipi që Guardiola do të drejtonte që të nesërmen ishte Brazili. Por askush nga Federata Braziliane nuk i telefonoi asnjëherë Guardiolës, derisa zgjodhën Skolarin”.

“Pas lajmërimit që vetë Guardiola bëri gjatë mbrëmjes gala të “Topit të Artë”, ku tha se ishte e sigurt se do të drejtonte një skuadër në sezonin e ardhshëm, atëherë kam të drejtë të tregoj edhe ndërmjetësin. Ai është Pere Guardiola, vëllai i tij”, tregoi Matos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje