Brazili jep premio për Botërorin… 50 vite me vonesë

10 Janar 2013, 12:05Sport TEMA

Fituesve të Kupës së Botës së Brazilit në vitet 1958, 1962 dhe 1970 u është dhënë një premio nga shteti brazilian si dhe një pension mujor. Ministria e Sportit në Brazil bëri të ditur se 54 lojtarëve, apo pasardhësve të tyre, do t’u jepej një bonus prej 100 mijë reais (rreth 49 mijë dollarë), si dhe një pension mujor prej 3916 reais.

Sipas Ministrit, ky ishte “një gjest drejtësie” që njihte rolin që kanë luajtur këta lojtarë në zhvillimin e këtij shteti, pasi shumë brazilianë mendojnë se interesi drejt vendit të tyre u rrit pasi Brazili fitoi Kupën e Botës. Sidomos skuadra e vitit 1970 me emra si Pele, Zhairzinjo, Rivelino e Tostao, tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës dhe cilësohet si një nga më të mirat e të gjitha kohërave.

Shumë lojtarë thanë se ky vlerësim do të ndryshojë jetët e tyre. Me përjashtim të Pele, shumë pak prej tyre po kalojnë një jetë të rehatshme pasi në atë periudhë nuk kishin komoditetet që kanë yjet e ditëve të sotme.

“Rreth 85% e këtyre lojtarëve bëjnë një jetë të shtresës mesatare apo të ulët”, tregoi Marcelo Neves, djali i Kampionit të dyfishtë të Botës, Gilmar, tani president i shoqatës së ish-futbollistëve. “Këto para mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes. Feliks (portieri i kombëtares së vitit 1970), i cili vdiq një vit më parë, nuk mund të siguronte kujdesin më të mirë mjekësor të mundshëm pasi nuk kishte një sigurim shëndeti të lartë dhe spitali ku shkoi nuk ishte nga më të mirët. Nëse do të kishte pasur para, ndoshta sot do të ishte gjallë mes nesh”.

Por ky vendim ka ngjallur edhe polemika, ndërsa ish-sulmuesi Tostao, i cili tani është një editorialist për gazetat braziliane, ka refuzuar këtë bonus. “Në atë periudhë na shpërblyen mjaft mirë për titullin. Fituesit e Kupës së Botës që po kalojnë vështirësi ekonomike duhet të ndihmohen nga shteti si të gjithë njerëzit e tjerë ose nga agjencitë që merren me ish-sportistë”, tha ai, duke iu bashkuar opinionit se ishte Federata Braziliane e Futbollit që duhej të merrej me ish-kampionët dhe jo shteti me paratë e taksapaguesve.

1 komente në “Brazili jep premio për Botërorin… 50 vite me vonesë”

  1. shume e drejte qe yjet duhet te paguhen .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje