Kupola që dikton zgjedhjet

2 Shkurt 2013, 20:49Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

Përkundër votës së lirë e të ndershme, që është garantuar publikisht prej kryeministrit Sali Berisha, një infrastrukture administrimi, me prirje manipulative, po shfaqet ne sfondin e realitet shqiptar, kur duhen edhe gjashtë muaj nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Referuar këtij realiteti, konstaton se emërimi i Lefteria Lleshit, në detyrën e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), nuk ka qenë veçse mbyllja e qarkut kontrollues të procesit të pritshëm votues 2013. Vendosja në krye të KQZ-së e kësaj ish këshilltareje të drejtueses së Parlamentit Xhozefina Topalli, e njohur masivisht për berishizmin e saj të tepruar, mund të etiketohet si fundi. Si përfundimi i një strategjie, që ka në themel qenien e zgjedhjeve të 23 qershorit gurë në dorën e kupolës mbikëqyrëse administrative, që mund ta bëjë sallat procesin, sapo të jepet sinjali.

Para Lefterisë, “i përzgjedhur” ishte Bujar Nishani, dhe pas tij Flamur Noka. I pari, nga ministër i Brendshëm kaloi në President, që garanton kushtetueshmërinë kryeministrore, ndërkohë që Flamur Noka, nga ish krah i betont partiak i Kryeministrit, njëherësh dhe kryetar i partisë së maxhorancës, u emëruar ministër i Brendshëm. Në hierarkinë partiake Noka njihej si rrufepritësi, por edhe si njeriu i besuar i Sali Berishës, që priste, përcillte dhe i jepte udhë hallexhinjve militant e simpatizantë. Ishte njëherësh shkop gome, por edhe mekanizmi amortizues i kokëçarjeve partiake të kreut të qeverisë. Veçanërisht atyre që kishin në themel përzgjedhjen dhe miratimin e kuadrove të besës. Në kushtet e krijuara pas zgjedhjes së Bujar Nishanit president i vendit, dhe lënies nga ana e këtij të fundit të postit të ministrit të Brendshëm, Flamur Noka u emërua në krye të këtij dikasteri, jo nga që u garantonte shqiptarëve rendin e qetësinë publike, por si pjesë e strategjisë “garantuese” kryeministrore për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në 23 qershor 2013. Përveç shumë të tjera fakteve, për ta dëshmuar këtë mjafton lajmi i mëposhtëm:

“…Flamur Noka që vjen nga Kukësi, dhe pikërisht nga komuna me shtimin më të madh të votuesve në Shqipëri, nuk ka pranuar të bëjë transparencë për listat e votuesve, duke thënë se ato janë të dhëna private. Vetë Noka e ka vendosur familjen e tij në dy palë lista votuesish, njëherë në Kukës dhe më pas në Tiranë e Durrës…”, raportonte gazeta “TemA”, ndërkohë që TV Vizion Plus denonconte shkeljen e afatit ligjor të afishimit të listave të votuesve dhe kaosin që zotëronte listat e minibashkive të kryeqytetit. Shkelje të afatit ligjor dhe kaosin me listat që vazhdon edhe sot e kësaj dite, nëpër bashki e komuna të tjera të vendit.

Produktiviteti në rezultatin e zgjedhjeve vendore të 08 majit 2011, nëpërmjet të cilit fitorja e pamerituar u arrit të korrej pikërisht nga futja në përdorim e xholit Ristani dhe të tjerëve, domethënë nga qenia në një dorë e kupolës administruese të procesit, mesa duket është zgjedhur për të qenë strategji edhe e votimeve 2013. Tribluesi Arben Ristani, ish kryetari i KQZ-së,në dy palë zgjedhjet e fundit krizësjellëse, 2009, 2011, zyrtari që u bë ndërkombëtarisht proverbial, nga që arriti ta nxjerrë garuesin Edi Rama, nga fitues me dhjetë vota “pro”, në humbës me vota të skualifikuara, vërtet u degradua nga posti që mban aktualisht Lefteria Lleshi, por ai iu bashkëngjit Ferdinand Pones, të shumë akuzuarit edhe ndërkombërisht si manipulator e që prej tetë vitesh mban postin e zv. ministrit të Pushtetit Lokal. E zyrtarit të lartë që, së bashku me Arben Ristanin, Stashenkën e Kolegjit Zgjedhor etj., qenë administrativisht përgjegjës për votimet e qershorit 2009 dhe të majit 2011. Por që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë edhe për mbarëvajtjen e votimeve të pritshme të 23 qershorit.

“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 nuk i përmbushnin standardet e pranuara ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës qeverisëse për t’i shtrembëruar raportet ndërkombëtare, për të provuar të kundërtën. Ndërsa votimet për bashkinë e Tiranës ishin një farsë dhe, për ta thënë troç, turpëruese për vendin”, ka vlerësuar ish ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John L. Withers II, në një intervistë të publikuar në mars 2012, për revistën “JAVA”, tek shprehej skeptik për qenien të panjollosura, të ndershme e të lira të zgjedhjeve 2013. Vlerësimi i ambasadorit Withers II vinte pasi në fillimqershorin e vitit 2009, dymbëdhjetë ditë para zhvillimit të votimeve të përgjithshme parlamentare, nëpërmjet një kabllogrami dërguar DASH, midis të tjerave ai raportonte: “Zgjedhjet e manipuluara parlamentare të vitit 1996 hapin siparin e pikës më të ulët për zgjedhjet shqiptare. Të mbushura me parregullsi, dhunë, kuti të mbushura, intimidim policor ndaj kandidatëve të opozitës, një administrim jo kompetent të procesit, zgjedhjet ishin shkatërrimtare… Fakti që përsëri Sali Berisha ndodhet në pushtet, ndërsa Ferdinand Pone, drejtues i projektit të Kartave të Identitetit, ka shqetësuar PS se e njëjta situatë do të përsëritet edhe në këto votime…”

Noka-Pone-Ristani-Lleshi-Nishani & Co. sepse ka edhe të tjerë. Në rangje administrativisht më të ulëta, por që janë pjesë e shtabit. E kupolës që ka në dorë të japë zgjidhje për gjithçka do të cedojë procesin zgjedhorë 2013. Gjithë pjesëtarët përfaqësues të kësaj kupole, që zyrtarisht dikton procesin zgjedhor 2013, janë pjesë integrale e maxhorancës qeverisëse, ndërkohë që duket jo pak i habitshëm entuziazmi për triumf i opozitës së bashkuar. I opozitës që deri tani, është e vërtetë se numëron më shumë se njëzetë parti, por që nuk ka asnjë gjeneral në këtë kupolë, pjesëtarët e të cilës vendosin fatin e votimeve të pritshme.

Ndoshta ka qenë pikërisht garancia për një tjetër fitore të manipuluar, që jep kjo strategji e kreut dinak të maxhorancës, indikatori që, kur disa muaj më parë nga selitë e komunitetit europian cilësia e zgjedhjeve shqiptare u artikulua si kusht themelor i hapjes së bisedimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat, kryeministri në detyrë Sali Berisha shpejtoi ta garantonte këtë. E garantoi lirinë dhe ndershmërinë e votës, atëkohë, duke e përdorur si karrem joshës tinëzar për ta zhvatur “po”-në evropiane të marrjes së statusit, por po e përdor edhe sot e gjithë ditët, ndërsa garanton nxjerrjen nga politika të  kundërshtarit të tij politik opozitar, Edi Rama. Të cilit, edhe kur është zëngjirur, nuk rresht së përsërituri humbjen e sigurt dhe triumfin e maxhorancës qeverisëse, që, sipas tij, me fitoren e tretë në votimet e 23 qershorit 2013 “do të shemb bllokimin”. Domethënë do t’i japë fund pengesës shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Nga vendi që edhe pse kanë kaluar mbi dy dekada ende nuk ka arritur të realizojë zgjedhje me vota të lira. Nga vendi që nuk arriti t’u jap votuesve shqiptar vota të lira as në dy palë proceset zgjedhore të mbajtura përgjatë tetë viteve qeverisjeje nga Sali Berisha, kryeministër dhe sundues dinastik i partisë së maxhorancës. Nga i fundit udhëheqës genpastër i komunizmit diktatorial, i mbetur ende në sheshbetejën e luftës midis lindjes  komuniste manipulative dhe perëndimit demokratik të votës së lirë. Nga Kryeministri që edhe pse publikisht e bujshëm garanton një proces zgjedhor të ndershëm e të lirë në 23 qershor, është e sigurt që po i mëshon strategjisë së heshtur të manipulimit. Nëpërmjet skemës me kupolën që kontrollon kutitë e votave dhe rezultatin.

1 komente në “Kupola që dikton zgjedhjet”

  1. tomori i beratit says:

    E vertet z SHyti.Vjedhjet jane tejet,tejet te rezikuara.Berisha nuk e le karigen se DO TE KALBET NE BURG.Per kete ka ngritur ne nivelet me te larta vendim marese kete kast vjedhesish e manipulatoresh te pashembullt,por ju z.XHovani keni haruar edhe nje tjeter manipulator te klasit te pare si’ç eshte njaz kosovrasti pa haruar edhe kapon e gjendjes civile telitin qe nuk duket por eshte nga te paret per VJEDHJE.Pra duke pare kete situat kaq TE RENDE z.RAMA nuk duhet te jap leksione ne twiter por te jap ALARMIN qe nga Brukseli e deri ne Shtepin e Bardhe te Obama,qe nga trupi diplomatik ne Tirane, deri te te gjitha stacionet prestigjoze televizive qe jane neper bote.Per çdo jav,per çdo dite,per çdo ore e per çdo minut Z kryetar i OPOZITES duhet te vesh ne dijeni,te denoncosh,te demaskosh kete qe po ndodh tek ne per kete rezik te rende qe ne menyre te pashmangeshme do ta dergoje SHQIPERIN ne nje lufte civile me pasoja te pa imagjinueshme.Pra ngreu o EDI RAMA e mos na beje publicitet por fillo “LUFTEN” tani se neser do jet shume vone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje