BE synon ta zgjidhë brenda marsit çështjen e veriut

8 Shkurt 2013, 12:27Rajoni TEMA

Bashkimi Europian po synon t’i zgjidhë problemet mes Kosovës dhe Serbisë deri në mars të këtij viti. Burime të Express thonë se plani i Baroneshës Ashton mbetet anëtarësimi i veriut në mekanizma evropianë, që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale dhe rajonale. Por, gjithçka pritet të sqarohet në takimin e pestë mes Thaçit e Daçiçit, që mbahet më 19 shkurt.

Pavarësisht se Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi deklarojnë se për veriun nuk do të diskutohet me Serbinë, BE ka vendosur ta shpejtojë zgjidhjen për këtë pjesë të Kosovës. Në fakt, ndërmjetësuesja e BE’së, Chatherine Ashton, po synon që para muajit mars t’i bindë udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë të pajtohen për zgjidhjen e “Çështjes së Veriut”.

Burime të Express kanë thënë se në tavolinën e Ashton-it vazhdon të mbetet plani që komunave veriore t’u mundësohet anëtarësimi në mekanizma europianë, që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale dhe rajonale.

Ashton në takimin e së mërkurës mes presidentëve, Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikoliç-it, tha se kanë folur edhe për Veriun dhe se javët në vazhdim janë kritike.

Këto deklarata, analisti Ilir Deda nga KIPRED’i i sheh si hapje të problemit të veriut në dialogun që po zhvillohet mes dy shteteve.

Ai thotë se tani problemi i liderëve të Kosovës do të jetë se si ata do t’u tregojnë qytetarëve se megjithatë do të flitet për pjesët e brendshme të Kosovës me Serbinë.

“Takimi vetëm i ka dhënë përkrahje procesit të dialogut, vazhdimit të dialogut dhe hapjes së dialogut për Veriun e Kosovës, që në vetvete është një problem i madh sepse bartësit institucionalë të Kosovës janë zotuar para qytetarëve të Kosovës se nuk do të bisedojnë me Serbinë për Veri”, ka thënë Deda për Express./EXPRESS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje