Kryeministri po i armiqëson kosovarët me Perëndimin

21 Shkurt 2013, 22:47Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Pak ditë pasi që kryeministrit shqiptar Sali Berisha iu adresua një memo nga Ambasada amerikane në Tiranë që t’i braktisë retorikët e tij nacionaliste, ai u përgjigj se “nacionalizmi ynë nuk ka pretendime territoriale dhe nuk bazohet në fobira”.

“Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon”, thonë amerikanët.

Sipas qëndrimeve të Departamentit të Shtetit, deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Përdorimi i mesazheve etnike negative për qëllime politike duhet të ndalojë tani! Nuk po bëni një përshtypje të mirë…

Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!, thuhet, ndër të tjera, në dokument.

Në prag të pesëvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës, luftëtari i madh i kauzës së Kosovës, kongresisti amerikan Eliot Engell e tha shkurt e shqip: Teza për Shqipërinë e madhe është e rrezikshme.

“Shqipëria është Shqipëri, Kosova është Kosovë”.

Por liderët e shqiptarëve në rajon s’kanë të ndalur në mbrapshtitë e tyre.

Shefi i ri i EULEX-it në Kosovë, Borchhart, e tha me sebep në Prishtinë një deklaratë sentenciale: “Ju ndërruat armikun, tashti në vend të forcave serbe të sigurisë Kosovën po e sulmon korrupsioni dhe krimi i organizuar”.

Kryeministri kosovar me percepsionin që ia ka krijuar vetes se e gëzon mbështetjen e parezervë nga BE-ja, u zu n’zgabim, ndërkaq si inatçi i dëshmuar dhe duke shfaqur sy bote paqëndrueshmëri të theksuar politike dhe etike, rrëshqiti në jokonsistencë, madje po bëhet i rrezikshëm për vendin, por edhe për vetë idenë evropiane.

Ai, vetëm pas 24 orësh që para zyrtarëve evropianë në Prishtinë ngulte këmbë se e ardhmja e Kosovës në Evropë është e sigurt, ai me kast, duke e menduar veten të pazëvendësueshëm kërcënoi ashiqare Evropën se do t’i bashkojë shqiptarët në një shtet, dhe, nami u bëftë në Bruksel!

Ky është mashtrimi në thelb më i madh i një kryeministri që i bën publikut të gjerë në Kosovë, madje mashtrim edhe më ogurzi se sa ai i vitit 2010 kur partia e Thaçit i pati fituar zgjedhjet dhe ai premtonte se për 15 muaj Kosova do të hyjë në “Schengenin e bardhë”.

Kryeministri kosovar duke u ballafaquar me akuza për shkatërrimin që Qeveria e tij po ia bën vendit, duke mos i duruar dot kritikat e Këshillit të Evropës (KE), por edhe të opozitës në shtëpi, u dëshmua smirëzi.

Ai me deklaratën e tij të fundit u shfaq në publik si një njeri që e ka shumë për huji veten, por që nuk e do vendin e tij dhe e tall popullin e tij. Kryeministri kësodore u dha një mesazh cinik deri në përmasa kriminale kosovarëve: Evropa është e padrejtë, që një shekull me shqiptarët, prandaj ata duhet të bashkohen në një shtet të vetëm.

Konotacioni i kësaj deklarate prekte kufijtë e mujshisë tipike shqiptarçe: ne mundemi vetë, kush është Evropa të na mësojë, të na kritikojë, prandaj ne duhet t’ia bëjmë bërryl asaj!

Me këtë fjali ikonike enveriste, kryeministri i Kosovës u përpoq që për fajet e tij ta fajësojë Brukselin dhe mundësisht t’i armiqësojë shqiptarët kosovarë me Perëndimin, veçanërisht me Evropën.

Kur më 1991, evropianët po nënshkruanin Traktatin e Mastrihtit, Ramiz Alia deklaronte: “…dhe barë do hamë, ama, nga marksizëm-leninizmi nuk heqim dorë”!?

Megjithëse tashmë ishte pranuar pluralizmi politik në vend.

Dhe, në vitin 2013 kur vendet më të cilat Kosova ka jetuar së bashku një shekull, Kroacia i bashkohet bllokut, ndërkaq që Serbia mund ta marrë statusin e vendit kandidat, kryeministri shqiptar Sali Berisha u mban leksione evropianëve për “nacionalizmin joekspansionit”, d.m.th. shpikja shqiptare është se ka një nacionalizëm të mirë, engjëllor, ndërkaq që kryeministri kosovar e akuzoi BE-në për antishqiptarizëm njëshekullor!?

Fati i këtij vendi është për t’u qarë, kur gazetarëve, një hokatar provincial, por me forcë muskujsh e fuqi parash publike të zhvatura, përpiqet “t’ua pështjell e ç’pështjell” tek po thoshte se “shefi jonë ka informata, ai i di të gjitha, sepse është njeriu më i informuar…” dhe tregime të tjera legjendare me zana e drangoj…

Kjo do të thotë se Thaçi ka informata se Brukseli debil ende në shekullin 21 po u bën padrejtësi shqiptarëve!

Këtë e di vetëm shefi!

Porse kryeministri harron se Evropa e tij “kurvë” nuk është BE-ja dhe Brukseli është vetëm një kryeqytet teknik i unionit…

Ky njeri ka probleme me makinën logjike, prandaj e ka retarduar tërë një vend…

Kryeministri i Kosovës kërcënoi BE-në, përkatësisht Brukselin para deputetëve të zgjedhur dhe nën betim, në seancë të rregullt të Kuvendit të Kosovës.

Dihet botërisht se Kushtetuta e Kosovës është derivat i Pakos gjithëpërfshirëse për zgjedhjen e statusit politik të Kosovës, që njihet si “Pakoja Ahtisaari” dhe po ashtu dihet se Kapitulli XIII Dispozitat Përfundimtare, neni 143 Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës thotë se: Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj kushtetute:

1. Të gjitha autoritetet në Republikën e Kosovës veprojnë në pajtim me të gjitha detyrimet e Republikës së Kosovës sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007. Ato do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre.

2. Dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007 kanë epërsi ndaj të gjitha dispozitave të tjera ligjore në Kosovë.

3. Kushtetuta, ligjet dhe aktet e tjera ligjore të Republikës së Kosovës interpretohen në pajtueshmëri me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007. Në rast se ka papajtueshmëri midis dispozitave të kësaj kushtetute, ligjeve dhe akteve të tjera ligjore të Republikës së Kosovës dhe dispozitave të marrëveshjes, kjo e fundit do të mbizotërojë.

Nga kjo del se kryeministri kosovar e ka lënduar rëndë frymën e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutën e Kosovës, posaçërisht tri parimet e panegociueshme; a) Nuk ka kthim në periudhën para vitit 1999; b) nuk ka ndarje të Kosovës dhe c) nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër;

Kush është Brukseli?

Ekzistojnë katër Bruksela. Një është kryeqyteti i Mbretërisë belge, i dyti është selia e BE-së, i treti është selia e NATO-s dhe i katërti ai që është pjellë e fantazisë së kryeministrit kosovar, ai i 100 vjet padrejtësie ndaj shqiptarëve!?

Brukseli, si seli teknike e BE-së, së bashku me Luksemburgun dhe Strasburgun, filloi të presë institucionet evropiane në vitin 1957 sipas Traktateve të Romës, të 25 marsit të vitit 1957, të cilat krijuan Komunitetin Ekonomik Evropian dhe Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (EUROATOM), duke u bërë qendra e aktiviteteve të Komisionit dhe Këshillit.

Kryeministri i Kosovës për mosfunksionimin e shtetit të cilin e qeveris (edhe për arsye të paaftësisë së tij) për nivelin e lartë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe ndërhyrjeve politike në gjyqësor, u lëshua lehtësisht në ujëra të pista, duke sharë BE-në, duke zvetënuar edhe më shumë imazhin e vendit të tij dhe duke i trembur shtetasit, të cilët edhe ashtu janë vetëdijesuar sa të shohin se më këso qeverisjeje të keqe, Kosova po rrënohet nga brenda dhe përditë e më tepër po rrokulliset në greminë.

Kryeministri i përballur me akuza për bashkëveprim me krimin e organizuar, tek drejton një grumbull institucionesh të korruptuara që prodhojnë skandale përditë, duke e plaçkitur arkën e shtetit me miliona euro, njëkohësisht i përballur me fraksione brenda partisë së tij, sidomos në fërkim me linjën e fortë ish-marksiste-leniniste “të doktorave pa fillore”, siç e cilësoi një deputet të vet partisë në pushtet, por edhe me një kryesi partie, të cilën me cinizëm të dalluar, një funksionar i Qeverisë Thaçi e cilësoi si “kryesia e shokëve të Natali Veliajt” dhe me opozitën pro bashkimit me Shqipërinë, në anën tjetër, e dha mesazhin se është i njëjtë me ta.

Në mungesë të profilit të një burrë shteti me vizion për vendin e tij, ai po sillet si kalamajtë që luajnë fshehtas tek kali i Skënderbeut.

Dhe për dallim që kalamajtë në lojë e sipër i thonë ndonjë shoku të tyre “Tu kam prishë”, kryeministri kosovar bie në bela me tërë dynjanë.

I luhatshëm dhe në thelb antiperëndimor.

Se me çfarë mbrapshtish arrijnë majat e pushtetit Benjaminët e tij, e kam dëshmitar Bajram Rexhepin!?.

Se me çfarë botëkuptimesh të stërkequra priret kabineti i tij qeveritar e dëshmoi ministri i tij i punëve botërore Enver Hoxhaj, i cili duke mos pasur ide se çfarë flet dhe duke mos ia dalë që t’i përmbarojë detyrat e tij kushtetuese, atij i ka mbetur hatri në Korenë e Veriut dhe tek provat e saj bërthamore!

Dikur komunistët shqiptarë e kishin për zemër parullën: Mbahu Vietnam!

Sot “enveristët e rinj” të konvertuar në “neoliberalë” thonë: Vdis Kore e Veriut!?

Ndryshim i madh apo jo!?

 

10 komente në “Kryeministri po i armiqëson kosovarët me Perëndimin”

  1. kel ukaj says:

    Z. Matoshi je gjithemone, i sinçerte, logjik, e me analiza te thella. Ju lumte zoteri! Une me sa njoh shtetin dhe formimin e tij mund te them.
    Korrupsioni eshte armik me i madh se Serbi e çdo tjeter armik. Korrupsioni shkaterron themelet e shtetit dhe humbje te besimit, ben qe çdo armik te shihet si çlirimtar nga shtypja, dhe populli te jete gati ta pranoje pushtimin. Kosova po i ben partneret e saj tu vije turp perpara sllaveve. Bravo Z. Matoshi.

    1. Dede Kola, New York says:

      A ka msy Belleair ne Kosove? Asht ba monopol?
      http://imazheshqip.blogspot.com/2013/02/luli-legjenda-e-fundit.html

  2. besnik says:

    Sali Berisha po luan me jete e shume shqipetareve ne kosove, po i perdor ata per fushaten e tyre. Kete nuk e meritojne kosovaret sepse ne vend qe ne ti mbeshtesim ne intergrimin e vendit, Berisha po i prish imazhin si per shqiperine dhe per shqipetaret e kosoves.

    Stop nacionalizmit elektoral, eshte shume i demshem.

  3. niku says:

    Shume e drejte qe kosova tani po vuan shume nga korrupsioni sepse eshte nje shtet ne formim e siper. Por qe te ece perpara asaj i duhet nje mbeshtetje, dhe mbeshtetja me e mire jane vellezerit e tyre SHQIPERIA.
    Kosova nuk duhet te ndjeke shembullin aktual te sistemit ne shqiperi sepse eshte nje sistem plotesisht i deshtuar.

    kosova ka nevoje per nje shqiperi demokratike.

  4. mirel says:

    Pse jane te frikesuar kaq shume shqiptaret.
    Dihet qe deklarata e Berishes eshte e qellimshme, dhe dihet qe tendenca europiane eshte tju leshoje pe serbeve dhe te limitioje sa me shume shqiptaret.
    Por te pakten per hir te se vertetes, le te mos limitojme lirine tone.
    E themi hapur se Shqiperia nuk mbaron ne Has apo Sarande.
    Tjeter se cfare realizojme.
    Deklaratat bajate te Berishes duhen denuar me tone politike dhe tradhetare nga shqiptaret, por jo te diskutohet per vertetesine e faktit qe shqiptaret jane nje.
    Ne kete moment kemi nevoje per diplomate te shkelqyer, sic jane treguar serbet qe nuk jane lodhur qe diten e pare qe humben luften ti kundervihen botes dhe Evropes qe Kosova eshte Serbi.
    Ky eshte fakt, ata kane fituar shume territor nga kjo ngathtesi e politikaneve shqiptare qe te mbrojne me mjete diplomatike, me gjuhe politike dhe te kuptueshme te drejtat dhe historite e shqiptareve.
    Serbet nuk u denuan, por zelli i tyre u shperblye sadopak.
    Tani po negociojne qe te hyjne ne Europe.
    Dhe nga ana tjeter ne vend te denoni nacionalizmin “fallc” te Berishes, kujdes se te keqen me te madhe e keni brenda me organizimin e strukturave radikale islame.
    Ky do jete argumenti me i forte i serbeve per perkrahje nga Evropa.
    Dhe si e thashe me siper ne kemi nevoje per politikane te vertete, dhe jo per nevojtore te cilet hapin gojen per kedo qe u dhjet ne te.

  5. Din Kruja says:

    Ti Matoshi nuk eshte se ke meri ndaj Thacit dhe Berishes, ti thjeshte je antishqiptar, je kunder kombit tend. Ti perfiton nga mungesa e shtetit dhe e ligjit ne Kosove, se ndryshe nuk do te guxonje te shkruaje keto analiza ne favor te Serbise.
    Clirimi i Kosoves nga Serbia eshte vetem kontribut i SHBA. Qe nje rastesi ne Britanine e Madhe qenia e Toni Blerit kryeminister i cili perkrahu kete projekt te Klintonit. Te tjeret kane qene kundra, e kam fjalen per Europen. Ato jane ashtu si i kane pershkruar te paret tane, “Europa putane”.
    Eshte e vertete se amerikanet aktualisht thone publikisht se jane kunder parrulles per bashkim te dy shteteve shqiptare. Ata kane nje projekt qe kombi shqiptar te kete nje shtet te fuqishem per te qene me te vertete faktor ne rajon. Dihet qe zbatimi i nje projekti kalon ne disa faza. Deri tani ka perfunduar clirimi i Kosoves dhe konsolidimi i ketij shteti, futja e Shqiperise ne Nato, etj. Ne kohen e duhur do te kalojne ne fazen e bashkimit Shqiperi-Kosove. Por per fat te keq tendin amerikanet nuk do te marrin leje ty apo shtetit qe ti do shume Serbine.
    Qe Kosova bashkohet me Shqiperine, vetem te mira perfiton kombi shqiptar, ketu nuk behet fjale per ndryshim kufijsh. Pra pa trevat shqiptare te Malit te Zi, te Maqedonise dhe te Serbise. Ky bashkim automatikisht e perfshin Kosoven ne OKB, NATO, ne levizjen pa viza ne zonat e shteteve te Shengenit, zgjidh ne menyre perfundimtare largimin e struktarave paralele ne Mitrovice. Pra Thaci ka plotesisht te drejte kur ju drejtua Europes me paralajmerim Europes. Mbi te gjitha ky bashkim sjell qe kombi shqiptar te kete nje shtet me territor gati 50 mije metra katror dhe me nje popullsi mbi 5 milione banore dhe nje ekonomi me resurse te jashtezakonshme. Shkurt bashkimi ben fuqine. Pikerisht kete ke frike ti Matosh, nje komb shqiptar me nje shtet te fuqishem, dhe nuk te kris shume per Thacin apo Berishen. Pa piken e turpit vazhdon ti sherbesh me shume devocion Serbise.

    1. Ben Chicago says:

      Nuk kam per te shtuar me shume se komenti i Din Krujes,,ky tipi bashke me nje fare Nexhmedin,duan te behen “snobe”,te mohojne ate qe nuk mohohet,dhe qe nje dite shume shpejt( e parashikoj brenda 10-15 vjeteve),Shqiperia do bashkohet me Kosoven kuptohet gjithmone me perkrahjen vetem te Amerikes.Europen nuk e pyet shume Amerika per keto probleme,gjithmone me nje plan afatgjate.Thacin nuk e njoh si qeverise dhe mund te kete 100 probleme,por,,,e ka then nje gje te sakte”QE Europa ka 100 vjet qe tallet me Shqiptaret”.Po te ishte per Europen dhe Turqine ti Matosh,dhe ai Nexhmedin sot nuk dihet se cfare do ishit( pasi nuk ka as jugosllave tani),,,por mbase sic ke deshire te thuash ti”Komb Europian”.

  6. gjyshi says:

    Mos ia shihni për të madhe.Siç e tha edhe D.Kruja e B. Ch.ai bashkë me N. Spahiun e M. Kelmendin, e, ndoshta ka edhe të tjerë,ata janë të shastisur nga frika e një Shqipërie normale.Ata bëjnë çmos që t’u pëlqejnë të huajve, paçka se dëmtojnë vendin e vetë.

  7. dardan says:

    Din Kruja ja ka vene kapakun,shume bukur.Treshja e Kosoves Halil Matoshi, Nexhbedin Spahia dhe Migjen Kelmendi jane persona qe paguhen dhe punojne per interesa te Serbis.Qellimi i tyre eshte shkatrrimi i shqiptarizmes.

  8. lindi says:

    Nese Migjen Kelmendi,Halil Matoshi dhe te tjere si ata,ateher ju komentuse jeni me plote fjalen ruse.Kjo eshte fatkeqsia e jone se kurre nuk e kemi dallu kush e don atdheun e kush jo,dhe per kete fakt jemi edhe populli me gjyna me i quditshmi dhe me i s’muti.Nuk popull ne evrope qe shkrun ose lavdohet per historin e vete qdo dite,por jane krenar per veten e tyre(edhe kane pse te jene krenare),mirpo ata gjithmon kritikojn se ku jane gabimet dhe si duhet per me e ba me mire vendin e tyre dhe te punojne per mireqenjen e popullit te tyre.
    E nese keta pushtetare si ne kosove edhe ne shqiperi jane patriota,ateher une qe po shkruaj jam Barak Obama.
    Leni llafet shkoni pini nga nje kafe se ju bane mire e mos jepni komente pa fare kuptim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje