Blatim heshtjeje në Tiranë

21 Shkurt 2013, 18:23Blog TEMA

Nga Reldar Dedaj

Poezitë e Martin Camajt duan ditën, kohën dhe gjendjen shpirtërore të përshtatshme për tu lexuar. Në kësi rastesh lidhja që krijohet mes lexuesit dhe poezisë është raporti i një marrëdhënie krejt të veçantë. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, se ti e njeh këtë poezi nëpërmjet gjendjes shpirtërore, hapësirës dhe kohës që jeton. Poezia “Nji vjet” e Camajt kujton dikë që s`është më, e mbi të gjitha dikë që mungon shumë. Në këtë poezi ky “dikush” nuk ka as emër, as gjini, por thjeshtë njai që me ikjen e tij la shumë boshllëk në zemrën dhe mendjen e poetit.

Me sa duket poeti ka dashur të thotë se nuk është e nevojshme me i dhënë trajtë dhimbjes, harresës dhe dashurisë. Pasi ajo mund të jetë gjithkund, herë si qenie prej mishi dhe gjaku dhe herë si imazh i vendlindjes, apo vendit që t`i ke zgjedhur për të jetuar. Mbi këtë dyzim abstragues Camaj ka ngritur një poezi, por jo vetëm dhe gjithë artin e tij.

Ai ndërtoi mbi mallin dhimbjen e bukur dhe fisnike mbi të cilën tulatet sa herë vjen e ikën një stinë, e sa herë detajet e tyre sundojnë mbi heshtjen.  Kjo poezi është një lirikë reflektive, ku poeti përcjell një dhimbje të brendshme të kujtuar ndër vite. Pasi fjala është e para dhe ajo që përftohet nëpërmjet saj transmetohet edhe ndër mua.

Andaj “Nji vjet” sjell përmasat e dhimbjes së heshtur njerëzore, pasi ke humbur atë gjë që ke dashur, në shtratin e kujës së pafjalë, që sa më thellë e gropos, aq më qartë dëgjohet në pazëshmërinë e saj. E strukturuar si vaji njerëzor në mes të gjëmës, poezia shkrin dhe në të njëjtën kohë ngjall refleksionin e saj mbi ndërthurjen e koordinatave të ikjes së kujtesës në pakthim e të mallit që shndërrohet në një udhëtim të përhershëm për të prekur të paprekshmen, për të gjetur të pagjetshmën, për të pritur të papritmen.

Pikërisht kjo poezi më solli në mendje atë që së kisha menduar; Tiranën e sotme që dita-ditës ka vendosur të zhduket nga memoria e banorëve të saj. Më solli ndërmend njeriun që s`ka fare turp të pasurohet dhe këtë e kuptoj. Më solli ndërmend atë që gjithkush ka të drejtë të pyesë se pse duhet ndjekur ende një jetë me punë të ndershme; pse një i ri të dojë të ndjekë studime të gjata kur më mirë bëhet trafikant dhe në një mjedis të tillë moral si t`ia bësh që të përcjellësh dijet, idealet, si të mbash një minimum indi shoqëror që të mund të mbijetojnë ato gjëra aq thelbësore që e kanë emrin liri, lumturi, hapësirë ose zhvillim.

Mandej kjo poezi në pak vargje përfshin në lojë të gjitha stinët. Dhe ato që përmendën janë pranvera, si koha kur ka ndodhur vdekja dhe vjeshta si koha kur poeti të ngjall mall nga ikja. Them ngjall mall, pasi kjo poezi përmes ikjes shfaq një humus që ndërtohet dhe shkatërrohet në të njëjtën kohë nga frymë njerëzore.

Edhe pse shumë larg nga pikëpamja simbolike, megjithatë për mua kjo poezi gjatë leximit të saj ndryn në vetvete një imazh, që të kujton diçka të “rrënjës” së Tiranës, aromën e atyre viteve, shëtitjet me biçikleta apo puthjet e çifteve natën, me shpatullat pas trungjeve, të sjell ndërmend edhe të sotmen: me smogun e makinave, tavolinat e bareve dhe ndërtimet e shumta që po mbinë si kërpudha pas shiu.

 

Vjeshta kur erdh…

Shkove në pranverë…

unë ndenja te dera tue mendue për ty…

Në nëntekst qëndron kontrasti ndërmjet kësaj pike ngrirje të jetës dhe stinës në lulëzim e sipër. Në vargjet që pasojnë, koha është në lëvizje të përhershme, stinët jepen edhe nëpërmjet detajeve:

Vera: mani pjekë, prroni asht tha, xhingalla britë…Vjeshta: strehët pikuan ujin…Dimri: era, bjeshka zjarrm n`grime…

Kjo poezi lind tek mua blatim heshtjeje, dhimbje, mall e që të shfaq diçka nga sekretet e ngujuara të qenies ku bëhet dhe zhbëhet gjëja, kjo poezi edhe pse s`lidhet kurrkund me Tiranën, por veçse tinëz, në labirintin e një metafore poetike, që ndizet befasisht në mua pa pritur e pa kujtuar, që ndoshta vetëm qyteti mund ta dekodojë fund e krye.

Poeti është i kursyer në fjalë, ai përdor folje të formuara nëpërmjet emrave, duke sjellë një imazh të pasur me ndjesi; …kur kumbullat lulojnë mbi kodër/e shelqet gjethen në lumë

Ky imazh që krijohet është poetik dhe nuk mund të jetë as në të voglin syresh i lidhur me Tiranën e sotme. Gjithsesi pak vite më parë lulet e bukura të kumbullës nuk ishin një imazh i largët. Ato me syrin përmbi njerëzit që shkonin e vinin poshtë degëve të saj, ashtu të mbushur ding me halle, brenga, mërzi sa edhe me dashuri, mirësi, çiltërsi kjo kumbull e butë poetike mbase është aty e fshehur në psiqikën e lexuesit, por si një bashkëshoqëruese e heshtur që ndan me të trishtimin, natën, vetminë, frikën, meditimin, shpresën…

…dorën që në zjarrm isha tue nxe/ e pranova tue mendue ty…

nga ana tjetër, në një shtresë tjetër kuptimore shfaqet dhimbja që përfton për jetën që ikën dhe njeriu nuk është më në gjendje të gëzojë ndërrimin e stinëve e t`u gëzohet fryteve të saj.

Megjithatë ai proces psikologjik që ndodh në mendjen e njeriut që teksa lexon këto vargje që quhet “dezhavu” , po ndodhte përball syve të mi; matrapikët e mëdhenj përpara shtëpisë sime kanë nisur punën për ndërtimin e një rrokaqielli që kush e di se sa kate do të vejë dhe sipas gjasave, pas disa muajsh do ta kemë të pamundur të shohë borën e bardhë që vesh kurorën e malit të Dajtit. Ani pse them me vete; përderisa kemi poezi dhe muzikë ne vazhdojmë të dehemi dhe gjithaq përball do kemë një pallat të madh ku pamjen e Dajtit do ta zëvendësojnë tashmë tangat shumëngjyrëshe që përveç poezisë muzikës, tashmë do dehemi edhe me masturbime.

Pikërisht kjo mendësi që përftojmë e bën këtë lexim të saj për mua një rrëfim; se çdo ikje lë pas një gjurmë jete që kurrë nuk kthehet në një fosil memec, po shndërrohet në një heshtje që i flet të ardhmes përmes shtegut të së shkuarës. Kjo frymë jete shkallëzohet me ikjen dhe ardhjen e imazheve, me stinët që i`a lënë vendin njëra-tjetrës, me bukurinë e fshehur që ngjall brenda meje, që nuk resht së modeluari mu në mes të zbrazëtisë që mbart ikja nga malli dhe që zgjon për qytetin, një plotësi ngjyrash, tingujsh, formash, si për të pohuar se fatalitetin e sotëm të ndërtimeve që do shpërthejnë, së shpejti e rivalizon vetëm shpërthimi i jetës.

Poeti i kursyer në fjalë, po i tejmbushur në ide; sjell tek mua dy kohë dhe dy hapësira që rrinë natyrshëm kundruall njëra-tjetrës: Rrënimi dhe boshllëku që aij lë pas.

e ti s`ke ndie as pa…

Të dy foljet jepen në formën mohore, duke mbledhur kështu të gjitha shtigjet e një shtrese se pas vdekjes mund të ketë rikthim. Në këtë hulli, kjo poezi shtreson kuptime dhe nënkuptime, mbikuptime dhe tejkuptime sa intime aq dhe shoqërore, ngaqë poetikja, filozofikja dhe psiqika njerëzore ndikohen nga faktorë të ambientit urban, kurse ky i fundit degradon apo përparon në varësi të shijeve, ndjeshmërive, zhvillimit të psiqikës njerëzore dhe në radhë të parë, të shqisave dhe vlerave morale të njeriut. Me pak fjalë qyteti është gjendje mendore e banorëve të tij. Të gjithë këtë na e thotë shkolla e Çikagos  dhe kjo duhet besuar!

Së fundi, një materie e tillë poetike i jep kësaj poezie domethënie gjithëkohore që kurrë nuk vjetërohet, sepse njerëzorja, poetikja dhe filozofikja janë pjesë e së tërës, janë thelbi i ekzistencës së njeriut.

1 komente në “Blatim heshtjeje në Tiranë”

  1. sebastian says:

    dua poezi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje