Duket se dy janë arsyet e “ftohjes” së papritur të Berishës me Amerikën: 1-Vendimi qesharak i gjykatës për vrasësit e 21 Janarit dhe; 2-pasioni i beftë i kryeministrit për të shirë papritur, si një kalë i kuq i harbuar, drithin e fatit të tij, në lëmin e nacionalizmit.
A është në të drejtën e vet, me llogaritë e tij, të rrezikojë ftohjen z.Sali me aleatët e mëdhenj? Sigurisht! Përfitimi që pritet të ketë prej dy arsyeve të përmendura më sipër, mund të jetë shumë më i madh se sa “ftohja” në parim me aleatët e mësipërm.
I përkëdhelur nga mundësitë e afruara, Saliu ka qenë dhe vazhdon të jetë “lideri” më i suksesshëm i tranzicionit. Ka mbajtur në sprint gjithë kohës pishtarin e Maratonës për të ndriçuar rrugën e tij të lavdisë, 20 e kusur vjet. Ç’është ky njeri? Magjistar turmash militante, që ka mundur t’i frymëzojë dhe pështjellojë në çdo kohë, me një lëvizje të dorës! Di t’i mallëngjejë ato, di të mallëngjehet edhe vetë prej tyre. Mos ndoshta kjo gjë e bën t’i shëmbëllejë një gjallese të komplikuar? Frymor i rrezikshëm, (jo thjesht se është mplakur, por thjesht se ka shumë pushtet), ja del megjithatë të frymëzojë si Krishti ndjekësit e tij, burra, gra, të rinj, vajza dhe djem, nëpër shkollat e vendit. Dikush mund të mendojë, e neveritshme mplakja dhe poshtërsia të emocionojë kësisoj rininë e Atdheut, por ndodh. E çuditshme, e hidhur, por ndodh! Nuk është fabul! Ka të rinj nëpër shkolla që emocionohen dhe ju shkëlqejnë sytë tek shohin performancën e udhëheqësit të Partisë Demokratike në tribuna. Saliu ka prekur majat, lavditë, pasuritë. Ka hyrë me dhunë në histori duke shqyer një derë, dy, më shumë. Është në lartësitë e epokës së mizerjes që përfaqëson: Përkufizon tranzicionin, harbutërinë, fatkeqësinë. Në majën ku ka mbërritur, vetëm aty dikush mund të ndihet hyjnor. Saliu zëre se sheh në sy perëndinë. Kupton profecinë e saj. Shpreson miratimin e saj. I injektuar kështu tek një njeri, ky është pushteti i absurd, i shndërruar në legjendë.
Por ndërkaq, koha ka mbaruar. “Lëkura e Shagrenit”, apo “lëkura e Saliut”, është tkurrur deri në fund. Nuk mund të ketë dëshira të tjera. “Vrima e zezë” e së shkuarës po ka nisur të thëthijë lavdinë e tij, fitoret. “Princi malësor” i shqiptarëve, që rrekej të bëhej edhe një mbret, është mplakur. Nuk e rrudhi opozita, por e theu koha në mes. Me Zotin dhe me Kohën askush nuk mund ta verë. As Saliu. Koha e tij, e shpenzuar në tribuna dhe arena, ku i është dashur të bëjë politikë, por edhe të bindë të tjerët për vlerat e tij si njeri, si lider, si perceptim, ka mbaruar. Koha nuk është më aleate. A mund të jetë aleate diçka që nuk ekziston? Berisha e di, e ndjen, e kupton këtë gjë dhe prandaj është në “dritën” e tij, dhe në të drejtën e tij, të kërkojë një mundësi të re në mes të rrezikut fatal.
Marrëdhënia e liderëve me turmat e ardhmërisë, mbi të cilat nuk do mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë, sepse nuk do të jenë, përcaktojnë përmasën e tyre historike. A do ta duan, apo do ta urrejnë brezat e ardhshëm Saliun? A do ta urojnë për madhështinë e rrugës kombëtare, apo do ta urrejnë për borxhin që kjo rrugë po ju le pas. A do ta gëzojnë shtetin privat, plot me banditë, që Saliu ju ka shtëne, apo shpirt-thjeshtët do e mallkojnë, si Enverin, për vite me radhë. A do shijojnë poshtërimin ekonomik që Shqipëria i bëri Kinës dhe Gjermanisë, apo do ta mallkojnë për shpagimin e pabërë, ndërsa shpirtrat e trazuara të Gërdecit dhe 21 Janarit të sillen vërdallë hapësirës përgjithmonë? A do vijë pas tij dhe ndaj tij zemërimi fatal, për shkatërrimin e Shqipërisë, apo paqja dashamirëse do ta filtrojë historinë nga gabimet, mëkatet, poshtërsitë? Është një lider permanent. E ka dashur çmendurisht pushtetin, si kurrë askush ndonjëherë. A mund të fantazojë vetë ai, tej eshtrave të tij, se çdo të ndodhë pas “qametit” që solli? Përgjigja e paqenë do të sillte një pyetje të dytë. A mund të pranojë e durojë ky njeri perceptimin pasardhës se vendi në tranzicion pat qenë i qeverisur gabim nga një njeri i gabuar? Jo! Kush mendon se po, se ka kuptuar kurrë shkulmin gjenetik që ka pushtuar këtë krijesë në formën e babëzisë së pashembullt për të qenë, gjallë ose vdekur, në krye.
Në shkëlqimin e fundit, sot realisht po ndodh “supernova” e Saliut: Mbas shkëlqimit të fortë të karrierës liderike, që i pat verbuar njëherësh sa mbështetësit e tij, aq edhe ambasadorët e huaj, shpërthimi ka ndodhur: Ky “burrë shteti”, yll i vdekur, ka filluar që tani, ende në pushtet, të shndërrohet në mjegull dhe hi.
Kur themi që është në të drejtën e tij, kemi parasysh një njeri në panik, të cilit befas i rrezikohen të gjitha: Koha, e shkuara, lavdia, e ardhmja. Ka pasur mbretër në historinë njerëzore, të cilët, humbja e lavdisë i ka tmerruar edhe më shumë se humbja e fëmijës së tyre. Ky mund të jetë një nga ata që pushtetin e kanë te nevojshëm si oksigjenin. Qenia gjatë në pushtet, e sidomos qenia e pamerituar në pushtet, e shtyn njeriun në një realitet ku nuk funksionojnë ligjet e jetës dhe ekuilibrat e brendshëm nuk janë po ata. Në luftën shkatërruese mes arsyes dhe demonëve, përfundimet janë pasoja që nuk mund t’i shpjegojë rutina e jetës dhe normaliteti. Çdo të thotë kjo? Ndjeshmëria shndrohet në babëzi. Ambicia në makth. Dashuria kthehet sakaq në një pasion për të pasur dhe mëshira bëhet mllef. Përfytyroni ç’ndodh në një shpirt të pafajshëm, ku arsyeja mungon tërësisht, dhe fryma, dhe mishi, janë krejtësisht në dorë të instinkteve. Demonët e legjendave nuk do të ishin më të ndryshëm se kaq. Njeriu është një krijesë të cilin pushteti e metamorfon. E shpërfytyron. Ç’të thuash pastaj çfarë ndodh kur në majat e pushteteve janë mediokrit, të hipur në kuaj, udhëheqës me shpatë e mburojë në kohëzim, duke shkelur mbi fatet e turmave. Nuk është rastësi që bota është e mbushur në çdo cep historie me mbretër barbarë, sundimtarë gjakpirës, liderë diktatorë, në çdo kohë, në çdo perceptim. Gjithçka rrjedh nga ky postulat: jo vetëm njerëzit, por edhe engjëjt pushteti i shpërfytyron barbarisht… Të mos habitemi me Saliun! Fajin nuk e ka ai!
Pra jemi tek Saliu. Mjeku i urtë dhe leximtar, la mbrapa në malësi fëmijërinë e vështirë, me këmishë fanellati dhe pantallona terital kinez të qepura sipas modës “kauboj”, dhe me flokët përpjetë si anëtarët e byrosë politike të kohës, dhe erdhi në Tiranë. Si shumëkush tjetër, mizerja i pat nxitur nga thellë fëmijërisë së vështirë ambicien e brishtë për të qenë ndryshe. Perëndia ndihmon vetëm “trimat”! Në Tiranë do të bënte histori në punën e shenjtë të shërimit të njerëzve, deri sa rastësisht u gjend në atë dallgën e madhe të fatit që rrëmben zakonisht anijet private: ose i mbyt, ose i nxjerr në ishullin e thesarit. Ishulli iu shfaq përpara, si një ëndërr e premtuar, ndërsa u bë një mjek elitar në shërbim të pushtetit komunist. Thesari u gjet pastaj në Dhjetorin e famshëm të studentëve. Ishte shumë i brishtë për të kthyer mbrapsht fatin që i kish taksur historia. Nga mjek i përkushtuar ishte bërë doktor i udhëheqjes së lartë komuniste, dhe prej andej, drejt e në parajsë, në ëndërr, në delir, në majë, në lavdi, në pushtet. A ishte gati ky shpirt i njomë bjeshkor të përballonte në eshtrat e kraharorit gjithë atë rëndesë që i ngarkoi rrëmuja? Jo. Vetë historia e provoi se si. Vetë historia është dëshmitare e një gabimi fatal. Edhe historia gabon. Ndonjëherë shumë rëndë.
Por tani, koha ka kaluar. Ka pllakosur vjeshta si një mallkim i rrjedhës fatale të kohës. Edhe pushteti, edhe lavdia, edhe tirania, të gjitha kanë ciklin e tyre. Përfundimi? Doktori dëshiron të shkojë, por do të shkojë, si ai plaku me bastun kalldrëmit përposh, që e kanë përzënë nga kafeneja e fshatit sepse pështyn në dysheme… Problemi i shqiptarëve nuk është më Saliu. Problem është gropa e madhe që ai po le pas.
Që të kthehemi te pikënisja e këtij meditimi, vjeshta e Saliut ngre një dilemë. Do apo nuk do Saliu, ai do të shkojë tatëpjetë në kalldrëm, duke shtrënguar kockat e dobëta mos shembet përdhe. Por a mund ta pranojë ai këtë gjë, ikjen, fashitjen, harresën mbi shpinë? Duhet një thithje e fortë hashashi për të thënë “Po”. Do të luftojë deri në fund të jetës, për të qenë aty ku nuk mund të jetë më. Do të kapet pas rrënjëve të veta, megjithëse i shkulur. Do hedhë spirancën në shpirtin e tij, për t’u kapur diku. Dy përplasjet e fundit të Saliut me Amerikën, s’janë veçse regëtima të kësaj beteje të pashpresë. Ai beson se nuk mund, nuk duhet, nuk vlen që të ikë nga froni i shenjtë i pushtetit. Me gjykimin qesharak të 21 Janarit, ai do tu tregojë atyre, amerikanëve, se pavarësisht atyre, dhe pavarësisht drejtësisë, dhe pavarësisht perëndisë, ai i mban dhe mbështet mbështetësit e tij besnikë më çdo çmim: në këtë gjë qëndron fuqia e tij e pashlyeshme. Kurse me nacionalizmin primitiv ai tregon se asnjëherë nuk ka qenë aq budalla sa është menduar: “Zotërinj, unë mund të jem gur i lehtë në Shqipëri, mund të jem konsumuar, mund të jem një vjeshtak, por jam gur i rëndë në Ballkan. E ndjeni fuqinë time për të trazuar ujërat, gjakrat, mendjet? E dini ju se ç’mund të bëj unë po qetë ju kundër meje? E kuptoni se zjarri dhe uji, dhe nafta, dhe lufta, dhe paqja në Ballkan kanë vetëm një emër, emrin tim, emrin Sali? Olimpi është afër. Unë jam Zeusi, rrufetë i kam nëpër duar!”
Nuk është gishti i madh i një të vogli treguar një të madhi. (gishti tregues i Saliut, drejtuar Amerikës). Është koka e vogël nervoze e një të vogli, që shumë shpejt, nuk do të jetë!…
Pergezime per kete radiografi perfekte te nje njeriu te semure, nje njeriu te lig. Fundi per te eshte i sigurte, do marri te gjitha mallkimet mbi vete.
Atij i ka filluar numerimi mbrapsht per ditet qe do te qendroj ne pushtet sepse ai i ka ditet e numeruara. 23 qershori do te jete dita e fundit qe do ti figuroje emri si kryeminister i shqiperise.
NJE ARTIKULL SHUME KLAS
Shprehje perfekte. “Vetë
historia është dëshmitare e një gabimi fatal.Edhe historia gabon. Ndonjëherë shumë rëndë”.
Dhe ky gabim i historise i rendon edhe sot ne kurriz shqiptareve. Kush e di ku do te ish sot Shqiperia. Sa perpara do te ishte. Ndoshta prane Zvicres. Te pakten si Sllovenia apo Kroacia. Sot pas 22 vjetesh jemi perseri ne fillim. Hajt ta fillojme edhe nje here nga e para….