“Zbarkim” perëndimor

12 Mars 2013, 19:34Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Në një llomotitje të radhës, Shvejku rrëfente sesi një kolonel në regjiment i torturonte ushtarët aq keq sa i detyroi t’i shkruanin deputetëve në Vjenë për të vënë gjërat në vend. Një komision u nis për hetime por ai siç erdhi edhe shkoi, me kolonelin më pas t’ju hakërrohej gjithë regjimentit me fjalët: “Mos vallë, o qelbësira, pandehët se ai komisioni do t’ju ndihmonte? S’ju ndihmoi as një mut. Dhe tani secila kompani do të parakalojë para meje dhe do të më thotë më zë të lartë atë që thashë unë”. Kështu parakaluan njëra pas tjetrës të gjitha kompanitë, duke nderuar nga e djathta, andej nga qëndronte koloneli me dorën e vënë mbi rripin e revoles. Kalonin para tij duke thirrur : “Ne, qelbësirat, pandehëm se ai komisioni do të na ndihmonte, por ai s’na ndihmoi as një mut”. Zoti kolonel qeshte aq fortë sa mënd po i pëlciste tëmthi…”

 

Kapitalizëm pa ‘frena’

Sa herë kjo qeveri duhej të jepte dorëheqjen, aq të mira qofshin. Standardi i vijimësisë së qeverisjes sipas një orbite të rregullt zgjedhore, tipike  për demokracinë perëndimore, veçanërisht atë anglo-saksone, është alibi dhe luks për demokracinë tonë sa kohë vota e lirë mbetet në pikëpyetje, abuzimi me pushtetin është flagrant dhe hedhja e lumit është rutinë për shkak të deformimit të shtetit ligjor.

Asnjë qeveri në perëndim nuk do e zinte e nesërmja me episode si Gërdeci, tkurrja tinëz e kufirit detar, 21 janari, zhbalancimi kritik i buxhetit, alkimia me votën, korrupsioni elitar etj. Minimalisht protagonistët përkatës, përballë presionit të medias dhe pritshmërive në elektorat, do të dilnin pakthim prej politikës ndërkohë që partitë mund të rrezikonin marzhinalizimin, deri shpërbërjen, në rast mosreflektimi. Këto katër vjet, standardi i vijimësisë iu imponua standardit të përgjegjshmërisë së qeverisjes në sytë e vetë perëndimit që vijon të perceptohet ende subjektiv në reagimin e tij ndaj qeverisjes së PD, ndryshe ‘dashurisë’ së parë së tij.

 

‘Kryqi’ mbi supet e perëndimit

Për zhgënjim të perëndimit, PD shpërdoroi sërish këtë dobësi apriori të tij ndaj të parës forcë antikomuniste në vend (përkundrejt PS të perceptuar rëndom si ish-komuniste) dhe tashmë me ‘shejtanin’ të avitur në grykë të shishes, krahas opozitës dhe shumicës së shqiptarëve, është dhe vetë perëndimi që mesa duket po e bën ‘dalje’ atë. Spekulimet se çfarë e shtyn një mazhorancë të kuturiset të qeverisë me çdo çmim – kultura e vakët demokratike, arroganca politike, sedra atavike bajraktariste, tundimi dhe më pas paniku prej përfshirjes në abuzim, axhendat gjeopolitike, interferencat e qarqeve dhe lobeve të caktuara etj, variojnë, por i rëndësishëm mbetet fakti se tashmë po tejmbushet vetë ‘kupa’ e perëndimit.

Njëlloj si në ‘nusërimin’ e parë, PD dhe shtojcat e radhës, sërish po lënë pas litarë pafund problematikash – intimidim në sovranitet, pronë në kolaps, koncesione të debatueshme, deficit ‘minë me sahat’ buxhetor, plagë sociale dhe varfëri migjeniane, ‘nepotizëm’ politik në administratë dhe gjyqësor etj duke tunduar opozitën të premtojë gjithçka përballë një elektorati të etur për rotacion. Rotacion ky, i vonuar dhe ku përgjegjësia shtrihet edhe tek opozita me aksionet e saj ‘nis dhe mos bitis’, lobimin jo efektiv në perëndim etj ashtu dhe vetë perëndimi, që në inercinë e komplekseve të Luftës së Ftohtë, i dha shanse pas shansesh ‘antikomunizmit’ bajat të PD, duke toleruar, deri në gangrenizim, shpërfytyrimin e vlerave të demokracisë – reagimi i vakët deri në dekurajim ndaj lëvizjes plebishitare ‘Hap kutitë’, farsave të Kolegjit Zgjedhor, alkimisë së 8 Majit, zhbërja e sublimitetit të grevës së urisë me ‘Krokodilin’ grotesk etj qasje jo efektive përballë një mazhorance që veç imunizohej dhe vijonte me axhendën e saj ç’ka për standardet perëndimore përbën ‘tumor’ demokratik.

Perëndimi nuk mund të ngrejë ‘supet’ ndaj lulëzimit të demokracisë ‘pirate’ në vend pas arsyetimit të shtetit sovran apo gjeopolitikës në rajon. Si anëtar i NATO dhe aspirant për në BE, është e pranueshme dhe e pritshme që sovraniteti të rrudhet diktuar nga vlera superiore demokratike, ashtu dhe kur implikohen interesa kombëtare por me efekte gjeopolitike në rajon (rasti i kufirit detar). Ndërkohë që ndërhyrja ndaj retorikës nacionaliste farsë ishte pa doreza, e tillë duhet të jetë edhe kur nëpërkëmben vlera tabu demokratike sikundër 1990 apo vitet e mbrapshta 1996-97 dëshmojnë, deri në ‘embargo’ politike-lëvizjes me emër të përveçëm ndaj lidershipit problematik dhe rrethit të tyre.

 

Ndëshkim kolektiv!

Reagimi perëndimor nuk duhet të ndëshkojë, qoftë edhe indirekt, interesat legjitime pro-europiane të qytetarit shqiptar, sikurse ngrirja e integrimit po shkakton. Sado kushte të vërë Brukseli për shkrirjen e akujve të integrimit, zgjedhjet e qershorit përfshirë, ato nuk kanë gjasa të plotësohen, përkundrazi mund dhe të injorohen enkas nga statukuoja politike e tranzicionit në përgjithësi dhe pushteti në veçanti, misioni i të cilëve ngushtohet tek mirëqenia e rrethit të tyre (që ndjehet prej kohësh në Europë). Rihapja, pa kushte pas kushtesh, e dyerve të integrimit, aq sa respekton vokacionin e sprovuar europian të qytetarit shqiptar, po aq rrit dhe gjasat e ekspozimit, përtej çdo alibie, të paudhësisë dhe trukimit antidemokratik të politikës së vjetër përballë ‘pasqyrës’ pa hile të BE.

Paralajmërimet për katastrofë(!) në procesin e integrimit europian nëse vota e qershorit nuk respektohet, perceptohen, në rastin më të mirë, si cinizëm ndaj qytetarit shqiptar, për të mos thënë gatim i alibisë së radhës për bllokimin e integrimit europian. Ndëshkim ky që i shkon indirekt për shtat interesave antishqiptare në rajon teksa ndërkohë u hapet drita jeshile fqinjëve, që pasi zhytën Ballkanin në tragjedi, sot komplimentohen si tolerant sepse ‘lëshojnë’ pe në gjëra që as nuk u takonin në radhë të parë.

Votuesi shqiptar e ka bërë të vetën disa herë por vota e tij e tjetërsuar është ‘certifikuar’ për ironi nga vetë perëndimi (me shprehjen lapidar ‘votimet më të mira deri më sot’) që ka vijuar më pas partnershipin normal me qeveritë që ato kanë pjellë. Si të protestojë (paragjykimi perëndimor si vend trazirash), si të mos protestojë (paragjykimi perëndimor si vend pa vetëdije demokratike), sa kohë lihet në fatin e tij, humbësi i madh mbetet gjithnjë votuesi i thjeshtë me integrimin si makth pafund.

Kjo qasje ‘nuk kam ç’i bëj gomarit dhe i bie samarit’ prej politikës europiane në trashëgiminë e të cilës zë vend edhe ‘kurbani’ 1913, është e shpërpjestuar ndaj një kombi europian me rol historik në qytetërimin e tij që prej sakrifikimit sublim ndaj invazionit osman, kontributit unik brenda kampit antifashist pavarësisht tundimit për rivendikime territoriale prej forcave të Bllokut, ballafaqimit të pasojave tragjike prej genocidit në Çamëri dhe Kosovë (në mos për SHBA dhe Britaninë e Madhe, Kosova sot do të ishte Çamëria 2), daljes nga Traktati i Varshavës dhe shtensionimi rajonal, mostundimi ndaj provokimeve etnike të shovinizmit të sotëm në rajon etj.

 

Test për perëndimin

Përballë një kapitalizmi pa ‘frena’, kontrolli ‘teknik’ nga ana e perëndimit është domosdoshmëri ndaj një demokracie që ka ambicien të jetë pjesë e BE. Si për fatin e demokracisë në vend, ashtu dhe në respekt të autoritetit të vetvetes, vlerave ku ai bazon qytetërimin e tij dhe pritshmërisë që zanafill prej 1990 tek elektorati shqiptar. Në qershor shqiptarët dhe opozita e bashkuar do bëjnë sërish të tyren por kjo nuk mjafton. ‘Komisioni’ duhet të bëjë të tijën për të garantuar votën e lirë dhe mos lënë më hapësirë për ‘zborin’ që po tenton t’i bëjë shoqërisë kjo mazhorancë që ka vetinë të mbijë si me magji në derë. Sesa ‘D-Day’ për një politikan, 23 qershori është ‘D-Day’ për demokracinë me shpresat kësisoj tek ‘zbarkimi’ perëndimor.

2 komente në ““Zbarkim” perëndimor”

  1. kel ukaj says:

    Shkruesi mendon se votat duhet ti numeroje Amerika e Europa! Jo or zoteri, nuk ka pergjegjesi vetem Saliu, ka pergjegjesi edhe PD, e jo vetem PD por gjithe populli. Eshte Ai popull pis fajtori kryesor e qe duhet ta paguaje shtrejt. Shqiperia jashte NATO-s, shqiptaret me viza, shqiptaret ne bllokade si ne kohet e Enverit. Po pse Ne duhet te paguajme per Ju! Jo mor zoteri duhet te paguani Ju deri ne qindarken e fundit. Per 100 vjet i kemi paguar taksa e sherbyer shtetit shqiptar, meqenese ai shtet nuk e mban kontraten ne kemi ikur. Tani duhet te paguani per gabimet qe beni. Shpresojme qe me 23 Qershor fiton Sali QENI e tu shkerdheje te pare e te mbram …pushta!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje