Dy fabula në kohë krize

13 Mars 2013, 18:18Blog TEMA

Nga Edi Sara

Arena politike aktuale në vendin tonë është një rast i përkryer, ku fabulat e Ezopit dëshmojnë dhe thyejnë çdo dimension kohor dhe hapësinor me pavdekësinë e moralit të tyre.

Nga krijimtaria e tij e pasur dhe e gjerë kemi vendosur kësaj radhe të shkëpusim dy fabula: atë të “Hajvanit dhe Palloit” dhe “Qenit shejtan”. Arsyeja e zgjedhjes në veçanti të këtyre fabulave,  duhet gjetur në lidhjen që qëndron mes përdorimit të ndjenjave të atdhedashurisë, sakrificës ndaj atdheut dhe patriotizmit nga politikanët si retorikë personale në këtë prag-fushatë elektorale. Retorikat nacionaliste jo vetëm shihen me kujdesin më të madh nga ndërkombëtarët dhe aleatët tanë (“Big-Big Brother”), por dhe ç’kurajohen në maksimum për përdorim si një nga faktorët më të fuqishëm për destabilizm në rajon. Historia na sjell plot shembuj nga e kaluara, ku rasti më i njohur dhe i përfolur është ai i Partisë Nacional-Socialiste e Punëtorëve Gjermanë. Por le t’i lëmë komentet për në fund dhe të tregojmë fabulën e parë:

1. Hajvani dhe palloi

Një hajvan aventurier duke livadhisur në lëndinën ku pallonjtë zakonisht shëtisnin, gjeti rastësisht një tufë me pendë që u kishin rënë pallonjve kur po shkundnin trupin për të ndërruar puplat e sezonit. Hajvani i lidhi pendët e gjetura të gjitha pas bishtit të tij, dhe u nis i krekosur drejt vendit ku po pushonin pallonjtë. Kur iu afrua, pallonjtë menjëherë e zbuluan hilen e tij, kështu duke u grindur me të e duke e çukitur ia hoqën pendët e marra hua pa leje nga hajvani. Këtij të fundit nuk i mbeti asgjë më e mirë veç të kthehej tek hajvanët e tjerë të cilët, pasi e kishin parë sjelljen e tij në distancë e ishin mërzitur njësoj me të ashtu si pallonjtë, kur ky afrohet i thonë: “Nuk janë vetëm pendët e përsosura ato të cilat bëjnë shpendë të përsosur.”

“Hajvani dhe Palloi” na jep një mesazh të qartë, se dikush që përpiqet të luajë një rol të cilit nuk i përket, në fund do mënjanohet dhe nga vetë fara e llojit të vet.

Në vazhdim, ndoshta fabula e mëposhtme do e ndihmojë publikun t’i veshë një ngjyrim të ri arsyetimit të mëparshëm se e gjithë kjo “luftë e heshtur” nëpërmjet retorikave nacionaliste mes politikanëve është thjesht  një “lojë elektorale” që zhvillohet për të marrë më tepër vota nga “boshti i lëkundur” i votuesve.

2. Qeni rrugaç

Një qen e kishte për zakon që këdo njeri që ndeshte rrugës, të vraponte heshturazi pas thembrave e t’ua kafshonte pa bërë zhurmë. I zoti i qenit vendosi t’i varte një zile rreth qafës në mënyrë që qeni të jepte sinjal për prezencën e tij kudo që shkonte. Mirëpo qeni, duke e menduar këtë gjest si një shenjë vlerësimi, filloi të ndjehej krenar gjithmonë e më tepër dhe kudo që shkonte e tundte sa të mundte qaforen për ta bërë zilen të tingëllonte sa më fort. Një ditë, një langua i vjetër i thotë: “Përse krijon këtë lloj ekspozimi kaq pompoz ndaj vetvetes? Kjo zile që ti mbart, besomë, nuk është shenjë meritë ose respekti ndaj teje, përkundrazi, është shenjë turpi, një mjet për të alarmuar publikun mbi prezencën tënde në mënyrë që të të shmangin ty si qen me sjellje të keqe.”

Morali që na dikton Ezopi nëpërmjet “Qenit rrugaç” është se fama  nuk duhet trajtuar gjithmonë si reputacion ose emër i/e mirë. Jo gjithmonë emri që krijohet atribuohet me vlera dhe kualitete të vlerësuara si pozitive nga publiku.

Këto fabula vlejnë për të formuar një këndvështrim të ri rreth asaj që disa analistë dhe gazetarë e cilësojnë thjesht si “devijim fokusi” nga ana e një lideri për qëllime partiake në kursin politik. Sado që një lider mund të devijojë “sytë e mediave” ose të ndërkombëtarëve, duke veshur “pendë të ndezura”, ky marifet mbetet thjesht një mjet momental derisa te zbulohet hilja, pasi në vazhdim, “zilja” do tringëllojë ende dhe ndoshta edhe më fort se më parë.

Dhe ndoshta ashtu si në fabul “hajvani me pendët blu” do kritikohet ashpër nga anëtarët e sojit të vet… por kjo mbetet ndoshta dhe vetëm pjesë e fabulës pasi kur ndodh që hajvani që stolisi veten me pendë të jetë edhe kryetari i soji të hajvanëve, vështirë se “i tërhiqet veshi”… Megjithatë urojmë që të paktën pjesëtarët e tjerë mos ndjekin shembullin e të parit të tyre pasi do ishte një parade vulgarë “shpendësh blu me bisht hajvanësh!”

2 komente në “Dy fabula në kohë krize”

  1. Zhaku says:

    Ne kohen kur Ezopi ka shkruar fabulat e tij as Gomeret dhe as qente nuk ekishin aftesine perceptuse te qenies njerezore qe ata kane sot fale teknollogjise kompiuterike keshtu qe me duket se nuk eshte dhe aq aktuale!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje