Nga Minella Aleksi
Në volumin e dytë “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” autori duket që i ka vënë vetes detyrë ta udhëheq lexuesin nëpër një tur të klasit të parë në rrugën e gjatë të historisë së tiranisë shqiptare. Vepra e autorit S. Ngjela na vihet në dispozicion sikurse thotë M. Prust për librin, si një mjet optik shumë i fuqishëm me anë të të cilit lexuesi arrin të depërtojë e të dallojë brenda diktaturës komuniste gjëra të cilat do i kishte të pamunduara që t’i shikonte e kuptonte pa ndihmën e këtij mjeti optik.
Volumi i dytë është ndërtuar sipas një strukture në funksion të dy qëllimeve kryesore: së pari të dëshmojë sesi formimi intelektual, intelektualizmi e kultura e përgjithëshme dhe karakteri human me cilësitë gjenetike më të forta arrijnë të predominojnë mbi përçudnimet që të imponoheshin brenda mureve të qelive komuniste. Së dyti, bazuar në këtë qëndrueshmëri, njohje të thellë dhe kthjelltësi mendimi të bëj analizën më të plotë dhe më të saktë të mekanizmit të diktaturës së Enver Hoxhës shikuar edhe në raport me qëndrat komuniste të Moskës dhe të Pekinit brenda bllokut komunist.
Ndryshe nga shumica e autorëve që kanë shkruajtur për diktaturën dhe historinë e saj, te vepra e Ngjelës ka një kombinim të papërsëritshëm të burimeve historike, të njohurive të thella të doktrinave social filozofike me ato të historisë, me interpretimet e analizat teoriko-shkencore. të analizuara me metodë shumë racionale, të shprehura me stilin mjeshtëror të të shkruajturit sipas modelit të traditës së historianëve të mëdhenj anglosakson si Edvvard Gibbon, Thomas Babington Macaulay, deri te më aktuali Simon Schama, professor në universitetin Columbia të Nju Yorkut. etj.. Stil që dallon ngaqë racionalja klasike gërshetohet harmonishëm me romantizmin tradicional duke ndikuar te lexuesi emocione të forta. Nuk mund të njohësh historinë e rënies së perandorisë Romake apo historinë e Britanisë, Francës, etj. pa kaluar në veprën e këtyre autorëve të mëdhenj. Duket që kësaj shkolle historianësh e filozofësh i përket vepra e Spartak Ngjelës për diktaturën shqiptare, e destinuar për një publik të gjërë të kultivuar.
Fillimisht, i ndodhur në qeli, i prangosur në robëri, autori fillon të arsyetojë, të qartësojë veten se në konditat e reja të humbjes së lirisë, ndodhet i vetëm përballë monstrës diktaturë. Lind pyetja: në këto rrethana burgu çfarë e ka bërë kaq stoik këtë njeri? Përgjigjen e gjen në libër përgjatë leximit të përshkrimeve jo si qëllim në vetvete, për autolavde, por për të kuptuar mirë rolin e disa faktorëve familjar e shoqërorë si katalizatorë të proçesit zhvillues të stoicizmit në rrethanat e burgut. Kërkon dhe jep nëpërmjet tyre fenomenin, çfarë përfaqson sjellja e tillë. Tregon me vërtetësi bindëse në mënyrë shumë të ftohët, për prejardhjen prindërore e më thellë në disa breza të fisit të tij. Është pasardhës i një fisi gjenetikisht me cilësitë më të dalluara humane. Lidhur me këtë veçori, më duket me vënd të sjell një definicion të Frojdit, neuropsikiatrit të njohur i cili pohonte se: trashëgimia gjenetike riciklohet në brezat që vijnë sipas një rregulli rigorozisht strikt, njëlloj si shinat e trenit rigorozisht të barazlarguara nga fillimi në fund, ndryshe nga personaliteti i njeriut që manifestohet me ulje ngritje, hapje e ngushtime njëlloj si një rrugë diku më e gjërë e diku më e ngushtë. Në libër mësohet me doza realiste, shumë larg sforcimeve për të rikrijuar skena apo interpretime të pavërteta se, tradita kulturore e familjes Ngjela, në disa breza ka transmetuar vlera thelbësore të një karakteri shumë të qëndrueshëm, të hekurt dhe këtu e gjejmë shpjegimin bindës të qëndrueshmërisë së papërkulur të autorit përballë diktaturës. Ndryshe e konceptonte qënien e tij përpara futjes në burg, kur ishte i lire, kur në rreth shoqëror shprehte mendime që binin ndesh me parimet e partisë, kur për rrethanat e tij familjare diktatura për atë vet ishte në një farë mënyre evazive, ndërsa ndryshe tani kur qënia e tij ishte në kthetrat e xhelatëve të diktaturës.
Si individ në konditat e burgut komunist Spartak Ngjela e ka gjetur veten të mbërthyer brenda një trekëndshi raportesh elementet e të cilit janë: raporti me veten (arrin nga paqënia abstrakte të ndjehet Qënie konkrete), raporti me familjen (s’ka mes anëtarve të familjes si të burgosur e si të atyre jashtë burgut momente squlljeje, lëshimi, çdonjëri fatkeq stoik në rolin e tij) dhe raportin me diktaturën (ndeshje dhëmb për dhëmb me përbindëshin). Ngjela i kushton një vëmëndje të veçantë konceptit filozofik të Qënies, si një temë që përshkon të gjithë rrugën e filozofisë njerëzore. Qënien si ekzistencë, si identitet dhe si predikim, vendosjen e Qënies në analizën e logjikës, të arsyes dialektike si aftësi nëpërmjet të cilës shprehet mendimi. Arrin të artikulojë qartë, me vendosmëri qëndrimin dhe formimin e tij intelekual, mbas një para përgatitjeje të mirë mbi këto koncepte bazë të qënies së njeriut. Gjëja e parë që i bëhet në burg, i hiqet ora e dorës. Koha e tij ndërpritet dhe ai nga ky moment del jashtë kohës që përjetonin bashkëkombsit e tij. Ndjen që shqiptarve kjo kohë u kishte grabitur Qënien, se Shqipëria nuk kishte ide, gjithëçka kishte ngrirë, prandaj shqiptarët ata nuk mund të imagjinonin dot një të ardhme. Shqipëria jetonte me një kontradiktë thelbësore: shqiptarët e zhvilluar nuk ishin në të njëjtën kohë me drejtuesit e tyre. Përplasja e kohëve do sillte shkëndijën elektrike, kryengritjen.
Çdo pjesëtar i burgosur i familjes Ngjela duket qartë se ka vetëm një shqetësim tronditës, të arrijnë që të dalin njerëz të lirë të pa dhunuar nga diktatura kriminale në atë që përbën thelbin e qënies së tyre, dinjitetin njerëzor, njeriun e lirë me dinjitet të papërkulur. Ata të kujtojnë atë thënien e urtë për të tilla raste se: i dituri e përmban veten, as gëzohet me tepri dhe as nuk mbytet në rrëkenë e lotëve të tij.
Dinjiteti njerëzor, qëndrueshmëria e karakterit, formimi intelektual, si njësi matëse të njerëzores, virtytit, gjënden në libër të përfaqsuar në dy grupime njerëzish. Njihesh me grupin e M. Jerosh dhe D. Mamaqit që janë thyer, kanë pësuar transformimin tronditës, rrënues shpirtëror, mohimin që i kanë bërë Unit të tyre, duke u çfaqur si qënie të gjalla, si manekinë të xhveshur nga mendimi racional, që vetëm vegjetojnë në pisllëkun e kriminelëve persekutorë. E kundërta e këtyre janë grupi i dinjitarëve si Z. Mala e klerikët katolikë, të diplomuarit nëpër univeristetet perëndimore, por edhe njerëz të pa arsimuar por me rrënjë të forta në traditën e edukatës familjare etj., të cilët janë ndarë përgjithmonë nga llumi i diktaturës duke ruajtur vlerën më të lartë njerëzore, njeriun e virtytshëm.
Te i burgosuri politik Spartak Ngjela mbas kalimit nga paqënia abstrakte në Qënie konkrete, arsyetimi racional, imagjinacioni dhe fantazia e ndihmojnë që të shikoj me sytë e mëndjes të vizatuar në murin e qelisë imazhet, konturet e një vlerë të re qëndrueshmërie, imazhin e kokës së demit te piktura Guernika e Pikasos. I burgosuri ynë politik me Guernikën që tashmë e ka bërë të vetën si mishërim rezistence njerëzore, e ndjen veten të pozicionuar në një stad të ri konceptimi vlerash intelektuale, kulturore e filozofike. Jam i sigurtë se Spartak Ngjela para burgosjes e ka ditur mirë se, Guernika është për pikturën ajo çfarë për muzikën është simfonia e nëntë e Bethovenit. Një ikonë e kulturës që i flet qënies njerëzore jo vetëm kundër luftës, por edhe për shpresën dhe paqen. Ngjela në burg me Guernikën në mëndje dhe në murin e qelisë përpara syve, e ka pasur të qartë se ajo pikturë është bërë një simbol i fuqishëm dhe universal që paralajmëron njerëzimin kundër vuajtjes dhe shkatërrimit. Larg të qënit një pikturë thjeshtë politike, Guernika është konceptuar prej Ngjelës ashtu si e ka komentuar vet piktori, një çfaqje e asaj se çfarë dhe sesi arti mund të kontribuojë në vetpërfshirjen e njeriut përpara drejt arritjes së lirisë së vërtetë. Mbrojtje individuale kundër forcave të krimit politik, të luftës dhe të vdekjes. Frymëzim e aromë idealesh humane.
Njehsimi i vetëdijshëm në burg i qëndrueshmërisë së të burgosurit politik me kokën e demit te piktura Guernika si në rastin e S. Ngjelës përbën një rast të jashtëzakonshëm qualiteti intelektual, krahasuar edhe me rastet e të burgosurve politikë nga vëndet e Lindjes komuniste, të cilët kanë përshkruar vuajtjet dhe qëndrimet e tyre në burgjet e regjimeve komuniste.
Jeta e S. Ngjelës u vendos përpara një sfide në një moshë të re kur ai ishte plot energji, agresiv në ide, i aftë që të përqëndrohet në çështjet më themelore të shoqërisë, tek i cili racionaliteti dhe emocionet janë në ekuilibër, vëmëndja e kontrolluar në çdo hap të jetës së përditëshme, me vizion të gjërë krijues. Racionaliteti mendor është talismani i tij i padukshëm që konverton dijen historike, kulturën e përgjithëshme në mendim krijues, në karakter personal të qëndrueshëm, stoik. Duke e ditur mirë atë që kërkon prej shoqërisë ku jeton, është i gatshëm ta nuhasë e ta njohë atë që në momentet e para.
Ngjela, hap pas hapi, shkallë mbas shkalle, arrin që të ndërtojë brenda vetes busullën e tij shpirtërore e cila e drejtoi qartësisht drejt Nordit, njeriut të lirë. Busulla e tij shpirtërore u kockëzua si një konstrukt i ndryshëm nga konstrukti i squllët, i lehtë përpunueshëm si karakter i dobët i njeriut të ri të krijuar nga partia. Unë nuk e di, nuk kam lexuar se çfarë ka shkruajtur në ato njëmijë faqe Zef Mala në izolim, por tablloja filozofike e psikoanalitike që përshkruan Spartak Ngjela në volumin e tij të dytë mbi rënien e diktaturë shqiptare, është një metodë sesi kristalizohet nga mjegullor, sesi precipiton botëkuptimi i njeriut në maksimum i përgjegjshëm për rolin e tij në shoqëri. Në libër autori bën atë që mund të quhet proçes i distilimit të esencës së ngjarjeve, të shkaqeve të lëvizjeve të mëdha politike të diktatorit, të reflektuara në binomin shkak – pasojë.
Librin e përshkon tej e ndanë një linjë thelbësore, racionale: koncepti ekonomik anglosakson i konkurencës së tregut të lirë. Ripërsërit Ngjela mes miqve të afërt dhe në biseda të ngushta në familje se sistemi komunist do vetshkatërrohej, ishte pa të ardhme ngaqë nuk pranonte tregun e lirë. Disa herë autori thotë: nuk ndërtohet sistem ekonomik me fleta lavdërimi. Lëvizja e mallit dhe e parasë është gjaku që lëviz në dejet e ekonomisë. Pa këtë lëvizje, pa këtë karburant një ekonomi është e destinuar të falimentojë. Si shumë të tjerë kuptonte qartë se karburanti që mbante në lëvizje makinën diktatoriale ishte lufta e klasave në shërbim të verbër të luftës për karrigen e pushtetit të diktatorit. Shkolla e Partisë në Tiranë diplomonte specialistët e kësaj lufte gjakatare klasash. Këta specialistë të luftës së klasave, hordhitë e 67ës siç i quan Ngjela, ishin njerëz të pa aftë që çertifikoheshin nga autoriteti i Parisë komuniste për ti shërbyer me besnikëri pushtetit diktatorial, njëlloj siç çertifikohen sot në universitetet private shqiptare studentët e pa aftë për tu punësuar në të ardhmen e shpejtë në institucionet e pushtetit jolegjitim për ti shërbyer atij me besnikëri të verbër.
Nga një njeri si shumë të tjerë nëpër rrugët e Tiranës në vitet 70-të, S. Ngjela në ndryshim nga pjesa dërrmuese e bashkëmoshatarve të kohës konceptin e njeriut të lirë e vendosi si veriun e busullës në sjelljen e përditëshme dhe aq më tepër përballë persekutorëve në burg. Këtë shkallë kuptimi e rritjeje qëndrueshmërie nuk mund ta arrinte kushdo. Duhej një përgatitje, një studim sistematik social filozofi mbi baza shkencore.
Me këtë libër të dytë Ngjela vazhdon misionin e nisur me librin e parë, rikthimin e koshiencës politike reale të shqiptarëve, riorientimin mbas 50 vjet përpjekje të regjimit komunist për ta degraduar deri në modelin e njeriut të ri komunist.
Impulsi historik te Ngjela manifestohet nëpërmjet një racionalizmi shumë të saktë si metodë. Të jesh racionalist do të thotë që të jesh i pajisur me aftësi intuitive, me aftësi perceptimi të thelbit të diçkaje pa pasur nevojë për arsyetime të tejzgjatura. Racionalizmi i Ngjelës duket edhe nëpërmjet një aftësie të veçantë, si natyrë e lindur, për të bërë konkluzione tërësisht logjike, të provuara nga eksperienca e mëvonshme.
Kjo metodë racionale ka bërë që zhvillimet, kthesat e tronditjet brenda diktaturës së Enver Hoxhës të shikohen pazgjidhmërisht me zhvillimet në Moskë dhe Pekin. Falë stilit të tij mjeshtëror analizat e ngjarjeve në Kinën e asaj kohe jo vetëm që lexohen me një interes të madh, por përshkrimi dhe interpretimet e tyre të bëjnë më të qartë tronditjet në Tiranë. Ngjashmëria është çuditërisht kopje e të njëjtit mekanizëm vrastar brenda llojit.
Në libër na shpalosen dy ekstreme: nga njëra anë zbërthimi, analiza e thellë shkencore e mekanizmit të bandës së Enver Hoxhës dhe në anë tjetër varfëria, mizerja, bota shumë e kufizuar e mendimit shqiptar brenda kësaj tiranie.
Me mijëra përshkrime të detajuara faktesh na japin shumë të qartë gjëndjen e mjerë në të cilën zvarriteshin shqiptarët,
Në qeli fillon dalë nga dalë të kuptojë, të realizojë konceptin se tashmë ka filluar të shkruaj librin e tij të jetës. Si përjetim dhe si histori. Si raport mardhëniesh njerëzore, si vetmi apo si vdekje. Bashkëbisedimet e ndërtuara si leksione filozofie e teologjie ndihmojnë autorin në burg për lulëzimin e një numri idesh krijuese, zhvillimin e motivimit instruktiv. I bindur se motivimi është si një lloj zjarri i cili shuhet po nuk e ushqeve vazhdimisht,.
Si lexues fillon të ndjesh një frymë, të përshkohesh nga një element force psikologjike që të shton qëndrueshmërinë psikoemocionale si qënie njerëzore, për të qënë më i guximshëm dhe më optimist në përballimin e situatave. Një njeri në një gjëndje psikologjike të rënduar nga faktorë të jetës së përditëshme e gjen veten në libër duke u fuqizuar me energjinë e fuqishme shpirtërore që të injekton autori personazh me arsyetimet dhe veprimet e tij. Ngjela ka krijuar modelin shpirtëror të njeriut të paepur. Liria e njeriut është gjithë thelbi i përsiatjeve të autorit. Kur dhe si është i lirë njeriu, ky përbën misionin e argumentave të Ngjelës. Në analogji me pyetjen që shtron Albert Camy te “Miti i Sizifit” se në cilin segment kohor Sizifi ishte i lirë. I lirë ishte kur zbriste kodrën dhe jo sepse nuk kishte mbi shpinë peshën e gurit, por sepse në këto raste ai ka mundësi të mendojë. Mbas kësaj Ngjela na jep konkluzionin befasues për shoqërinë shqiptare në ato dekada komunizmi: shoqëria ishte pa ide, i mungonin idetë. Mendimi vinte I gatshëm nga guzhina e demagogjisë së diktatorit. I formuar me botëkuptim solid anglosakson kishte kuptuar mirë thelbin e thënies së Adam Smith: tragjedia e vërtetë e njeriut është varfëria e aspiratave të tij. Kjo është pika e nisjes. Tronditës është pohimi i autorit lidhur me tri arsyet se përse ne shqiptarët kemi kaluar gjithmonë situata që na kanë bërë të ndihemi pa të ardhme: nuk kemi ditur të koperojmë me njëri tjetrin as në politikë, as në ekonimi e as në jetën shoqërore, nuk e kemi pasur traditën e sakrificës për vendin tonë dhe, e treta gjithmonë kemi pasur frikë nga pushtetet e paligjshme. Atëhere fatalisht duket shumë e vërtetë se nuk ka sens që të përpiqesh të bësh të lirë këta njerëz, të cilët nuk duan të jenë të lirë, ose e thënë në një mënyrë tjetër, njerëz që duan të jenë të lirë të jetojnë sipas mënyrës së tyre, në botëzën e tyre të lirisë, sipas mendësisë personale. Sikur njëra nga këto arsye të qëndrojë, është e mjaftë që një shoqëri të mos egzistojë. Pale kur qëndrojnë të treja. Sot, a janë përsëri shqiptarët në mes të këtyre tre arsyeve? Situatën e sotme të rrënuar të moralit të shoqërisë e shikon të lidhur ngushtë, si pasojë direkte e dëmit të jashtëzakonshëm që i solli hoxhizmi moralitetit njerëzor shqiptar dhe dinjitetit njerëzor.
Aftësia për të kombinuar disa elemente stilistikë, përshkrimin e fakteve të jetuara me interpretimet socio-filozofike të shkrira te njëra tjetra krijon një harmoni të orkestruar mirë, jep përshtypjen e një toni unitar, pa monotoni. Eshtë treguar shumë i aftë në ndërtimin e tregimit bazuar në burime të ndryshme, përfshin thënie dhe pohime të ndryshme, bën pohime personale dhe sinteza. Krijon te lexuesi imazhin e një lidhjeje vazhduese midis sjelljes në plan personal me papërkulshmërinë për një qëllim të caktuar, drejt lirisë. Analizon frikën si princip operativ të sjelljes në despotizëm dhe virtytin civik si princip operativ në demokraci. Autori trajton ato nocione bazë që përbëjnë strukturën e botëformimit të tij si qënie universale.
Na kujton përsëri nocionin filozofik se, njeriu me strukturë mendore gënjeshtare bie shpejt pre e një gënjeshtre akoma më të madhe, sistemit diktatorial. Në këtë kontekst Ngjela citon Albert Kamynë i cili në fjalën e ceremonisë së Çmimit Nobel u shpreh: Dy janë zotimet tona, të mos gënjesh për atë që di dhe të kundërshtosh shtypjen. Ngjela shtron pyetjen analoge: Për sa kohë do vazhdojmë të durojmë edhe shtypjen edhe gënjeshtrën që po na sundojnë?. Janë koncepte themelore të jetës njerëzore. Shtrimi me forcë i kësaj pyetjeje dhe nevoja për të dalë nga kjo letargji mendoj se përbën ushqim të shëndetshëm për mëndjen e shqiptarëve në kohën e sotme. Autori e ka ofruar në momentin më të duhur. Me këtë vepër Ngjela po provon edhe vlerësimin maksimal por mbi të gjitha heshtjen mbytëse të elitës kulturore shqiptare të ngërthyer keq me pushtetin. Edhe pëlqehet në heshtje, por edhe heshtet nga frika sepse nuk mund të flitet hapur. Një pjesë alarmohen kur mendojnë se në volumin e tretë së afërmi (sikurse e ka deklaruar në media) ai do marrë në analizë periudhën nga rënia e regjimit komunist, në vazhdim dy dekadat e proçeseve demokratike.
Unë nuk e di sesa i vetëdijshëm mund të jetë autori Ngjela për nivelin e lartë artistik të librit që ka shkruar. Vet ai që shkruan në shumicën e rasteve e ka të vështirë që të shikoj brenda stilit të tij, që të shijoj njëlloj si lexuesi artin e vërtetë. Meritë e këtij niveli të lartë është fakti që libri lexohet me të njejtin tension nga fillimi deri në fund. Tensioni mbahet, nuk jepet në asnjë kapitull falë stilit mjeshtëror të të shkruajturit, duke ditur se stili nuk është gjë tjetër veç fytyra e shpirtit të autorit, thoshte Seneka. Stili i Ngjelës nuk është gjë tjetër veçse një rend, një rregull dhe lëvizje që autori ka vendosur në organizimin e ideve të tija me një aftësi të veçantë për të shprehur artistikisht një koncept apo një ndjenjë.
Krahas kësaj më vjen të shtoj që Ngjela e trajton, e zbërthen historinë e tiranisë shqiptare njëlloj si ai mjeshtri në mësim përpara një auditori studentësh. Mjeshtri ka mbi tavolinë një orë të madhe antike, i zbërthen kapakun, duke shpjeguar fillon t’i heq një e nga një të gjitha mekanizmat sipas një radhe me numra të caktuar saktësisht. Ditën tjetër zhvillon temën e mbërthimit, shpjegon hollësisht montimin e ingranazheve pa gabuar në asnjë vidë deri sa në fund e mbyll kapakun, e kurdis dhe ora fillon të punojë në sytë e të pranishmëve.
Fakti që autori, duke qënë në qëndër të veprës edhe si protagonist aktiv edhe si tregimtar interpretues dhe argumentues i historisë e i kohës që analizon të shtyn të mendosh e të shtrosh pyetjen se, a çfaq ai në libër doza narcisizmi, megallomanie, vetpëlqimi duke qënë në qëndër të kësaj analize? A e ruan masën e autovlerësimit si autor protagonist në ngjarjet e librit?
Mendoj se këtu një parantezë do të na ndihmonte për të absorbuar përgjigjen e drejtë të kësaj pyetjeje.
Xhorxh Oruell në artikullin me titull- Përse shkruaj? shprehet: Mendoj se janë katër motive të mëdha që të shtyjnë të shkruash në çdo nivel të të shkruajturit prozë. Ato katër motive egzistojnë në shkallë të ndryshme te çdo shkrimtar dhe te çdonjëri nga ata proporcioni i këtyre motiveve ndryshon nga koha në kohë, në akordancë me atmosferën në të cilën ai jeton. Katër motivet janë:
a-egoismi i qartë, dëshira e të çfaqurit të zgjuarsisë, dëshira që të flitet për ty si shkrimtar, shtysa e fuqishme për të treguar se të tjerët nuk e bëjnë dot atë që bëj unë, dëshira për tu kujtuar mbas vdekjes, etj. Shumica e madhe e qënieve njerëzore nuk mbartin egoizëm të fuqishëm sepse nuk janë në nivel krijuesi. Shkrimtarët i ndajnë këto karakteristika të mësipërme me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarakët e zgjedhur, biznesmenët e suksesshëm, shkurt me të gjithë shtresën më të lartë të njerëzimit.
b- entusiazmi estetik, me perceptim të bukurisë në botën e jashtëme ose në bukurinë e fjalëve dhe organizimin e tyre të drejtë. Kënaqsia e impaktit të tingullit të një fjale mbi fjalën tjetër, në ritmin e të shkruajturit të një historie të mirë.
(Industria e zbukurimit të njeriut, të femrës, historikisht është zhvilluar deri në çudira,M.A.)
c- impulsi historik, dëshira për ti parë gjërat ashtu si janë, të zbulosh të vërtetën e ta konservosh atë për përdorim në të ardhmen.
d- qëllimi politik, duke përdorur fjalën “politikë” në kuptimin më të gjërë të saj. Dëshira për të shtyrë botën që të rrethon në një drejtim të caktuar, të nxitësh te njerëzit e tjerë idenë e asaj shoqërie që ata duhet të aspirojnë. Edhe një herë, nuk ka libër që në mënyrë genuine të jetë i pastër nga retorika politike.
Kam qënë pjesë e shoqërisë ku lëvizte Spartaku në Tiranë përpara burgosjes, më thoshte me keqardhje një miku im (jo pak i ditur), dhe vetja sot më duket shumë i pazoti sepse nuk kam arritur që t’i shikoj e analizoj ngjarjet e asaj periudhe aq thellë sa ai në atë kohë. Spartaku i ka parë dhe analizuar ngjarjet në kupolën e diktaturës së Enver Hoxhës shumë më të avancuara në kohë sesa na dukeshin ne të tjerëve përreth tij. Në Bllok kishte edhe plot të tjerë të rinj që shikonin e që lexonin në gjuhë të huaja, por që nuk paskan pasur atë sy vëzhgues, analizues e sintetizues që ka manifestuar S. Ngjela.
Në raportet tona të përditëshme miqësore logjika argumentuese e tij në avancë shumë të shprehur për kohën kur flasim, neve afër tij na dukej si shenjë mëndjemadhësie, ekscentrike, nganjëherë nën nxitjen e shakave të moshës i vishnim doza sharlatanizmi, nuk nguronim ta quanim mëndjemadh në një kohë që tani duket fare qartë se krahasuar me aspiratat e tij shoqërore ne të tjerët paskemi qënë ekscentrikët dhe shumë mëndjevegjël. Me njohuritë e sistemuara në mënyrën më instruktive në libër prej Z. Ngjela ndihesh i plotësuar intelektualisht në mënyrën më të qartë për sistemin komunist shqiptar. Nuk mbetesh konfuz, për të mos thënë injorant për këtë pjesë të historisë së popullit tënd. Ajo që të bën përshtypje dhe që, sidomos stili i të shkruajturit e ka sjellë shumë të natyrshme është fakti se të treguarit në libër është ndërtuar në formën e ballafaqimit të opinioneve dhe argumentave me ato të shokëve të tij të afërt. Ai çfaq respekt dhe i vlerëson me konsideratë të lartë opinionet e kundërta të tyre pa manifestuar nota nënvlerësimi dhe injorimi. E kam kërkuar me paramendim tendencioz çfaqjen sado rudimentare të narcisizmit të Ngjelës në libër. Rezulton shumë qartë se, sa herë ai vendos në ballancë vlerësimin për arsyetimet e veta, drejtësinë e opinionit të tij në raport me opinionet dhe argumentat e miqve të tij aq herë kam gjetur këtë përfundim pohues prej autorit Ngjela: për këtë argument koha më dha mua të drejtë, ndërsa për 1-2-3..etj., argumenta koha i dha të drejtë atij apo këtij tjetrit. Mendimi i tij, argumenti i tij ndodhet në të njëjtin nivel barazie matjeje me atë të të tjerëve.
Ndoshta ne akoma nuk e pranojmë dot supremacinë e logjikës argumentuese të një tjetri më të ditur dhe, të indoktrinuar siç vazhdojmë të jemi me mentalitetin barazitar të modestisë e barazisë komuniste kërkojmë barazinë e niveleve atje ku një barazi e tillë duket qartë që nuk egziston. Njerëzit e kultivuar janë superior mendërisht mbi ata të pakultivuarit në atë masë sa të gjallët janë mbi të vdekurit, thoshte Aristoteli.
Sado i vogël ose i parëndësishëm një detaj për logjikën e metodën korrekte tërësore të analizës në libër, mendoj se ka një moment që lë shteg për koment kritik. Është fjala për detajin kur Kadri Hazbiu largohet në Hotelin e Lezhës mbasi i dërgon Enver Hoxhës letrën denoncuese për Mehmet Shehun. Autori këtij detaji mendoj se i ka dhënë ngjyra dramaciteti teatral joreale, të egzagjeruar për realitetin. Të gjithë e dinin mirë se në periudhën për të cilën flitet, kur tensioni psikologjik i kontrollit e survejimit mbi Mehmetin dhe Kadriun, ashtu si edhe rrethin e bashkëpunëtorve të tyre në atë kohë ka qënë në shkallën maksimale. Enveri e kishte Kadriun në çark, të kontrolluar në çdo hap e sekond e ky i fundit nuk kishte se nga të lëvizte, e jo më të arratisej. Ky është një detaj që mendoj se nuk qëndron brenda zhvillimit shkencor strikt të analizës së autorit. Kam një rezervë, nuk dua të nxitohem. Mbase, mbase Z. Ngjela zotëron informacion më të hollësishëm dhe shumë më bindës për këtë moment të cilin për arsye të ndryshme nuk dëshiron ta bëj të njohur për lexuesin, mirëpo vetëm kaq sa ka dhënë të jep shkak për të arsyetuar si më sipër. Ndoshta mund të mos e përmendja fare këtë mikrodetaj për gramin që përbën në raport me tonin e librit, por skrupuloziteti i metodës shkencore të vet autorit, imponon evidentimin edhe të këtij detaji që jep pak paqartësi në raport me saktësinë e të vërtetave të panumërta të analizuara në libër.
Së fundi dua të them se në veprën shumë të rëndësishme të z.Spartak Ngjela bëhet fjalë për një vuajtjen tonë të madhe si popull, për një historinë tonë më të dhimbshme e gjakatare, të abuzuar në mënyrën më të papërgjegjëshme nga klasa politike dhe grupe të caktuara shoqërore, bëhet fjalë për përgjumjen popullore dhe makabritetin e luftës për pushtet në kupolën e diktaturës komuniste, e cila në libër është faktuar, shpjeguar, vërtetuar, analizuar dhe projektuar për të ardhmen në mënyrën më dinjitoze, si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëhet kulturës dhe historisë shqiptare. Një fjalë e urtë thotë: leximi i një libri shumë të mirë është njësoj si të bashkëbisedosh me njeriun më të ditur të kohës.
Mendoj se në ndërtesën e madhe të historisë shqiptare, departamenti i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dominohet tërësisht nga vepra e Spartak Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Do imitoj autorin duke përdorur shprehjen e tij që, koha do ta tregojë.
Nje rebel…, i drejte…
SPARTAK NGJELA ESHTE I VETMI ANALIST NE SHQIPERI QE THOTE TE VERTETEN.I VETMI QE tiranit te ri ne pushtet SALI BERISHES JA KA PLASUR NE SURRAT GJITHECKA KA MERITUAR.ANALIZA E LIBRIT TE SPARTAKUT ESHTE ME VLERE SIC EDHE E MERITON NE FAKTE,POR NE FUNDE JA KA BERE SI LOPA…………
Personalisht i kam lexuar te dyja volumet e “perkulja dhe renia
e tiranise shqipetare” dhe me kane pelqyer, por do te beja nje
kritike,,ne volumin e pare zoti ngjela zjatet shume me historine
e revuluzionit kinez me MAON,TEN HSIO PIN,LIN BAON, CU EN LAI.
Kurse ne volumin e dyte ndalet shume me revuluzionin hungarez
me RAKOSHIN, IMER NAGIN, etj.
Arrin ne nje pike qe te duket si kur lexon nje liber historie
dhe jo nje autobiografi te jetes se ngjeles.