Më magjepse, o lule e bukur, me hijeshinë tënde të rrallë dhe më dehe me kundërmimin e aromës së erandshme. Më shtange keqas, o mimozë kur të shoh të lulëzuar e plot aromë që rrezaton dritë përmbi mur, ashtu ngadhnjimtare dhe të pikëllueme prej vesës së mëngjesit.
Unë çdo ditë, o lule-mimozë, kaloj në bulevard vetëm për të parë ty, sepse bukuria jote më ngushëllon, më lehtëson brengat, më fërkon plagët që na hap jeta në zemër, se jeta është e hidhur më e hidhur se vdekja. Por në kohët e sotme jo çdo gjë qenka e thënë. Me sa duket mjerimi ka vendosur të fashisë edhe bukurinë tënde.
Kam shumë dhimbje kur të shoh të pshtetun aty mbi gardh dhe zgjat kryet nga bulevardi për të parë këdo që kalon, pasi mendoj se vendi yt mund të ishte tjetërkund në ndonjë kopsht të bukur që e njohin vlerën e sojit tënd. Sa për bulevardin mund të them se ai ka parë çfarëdolloj gjërash dhe ngjarjesh dhe nga një qenie e tillë, ku të gjitha shqisat i janë mpirë nuk mund të presësh asgjë.
Disa fëmijë ziliqarë më duket sikur e pikasën qëllimin tim, por jo vetëm ata dhe, të gjithë bashkë u lëshuan degëve për të këputur sa më shumë nga frytet e tua. Më pas erdhën burrat. Po burrat. Kam parë dhe burra që po kacavirreshin nëpër degë dhe këpusnin lule me idenë që t`i falshin dashuri një tjetre. Dhe unë i pafuqishëm rrija e vështroja mjerimin tënd. Unë të doja si i marrë ty, por a e dije ti vallë?
Tani më vjen keq kur të shoh si një qenie njerëzore e mposhtur nga hallet, e kërrusur me degët hijerënda që tashmë ngjajnë si rrecka të hedhura kuturu. Kjo pamje ngryset akoma më tepër kur sheh se nga lulet e bukura të tua, këta fëmijë shtyjnë edhe një ditë nga mjerimi i tyre. Edhe pse është thënë e stërthënë se Shqipëria jonë ende nuk është kapur nga kriza. Është thënë e stërthënë se në Shqipëri nuk ka familje që rrojnë nën minimumin jetik, për çudi, faktet janë shumë kokëforta.
Përsëri këta fëmijë a thua si për inat nuk tërhiqen se nuk tërhiqen. Aty çdo ditë në bulevard i gjen, të paktën deri sa të mbarojnë mimozat. Çuditërisht nuk është një apo dy, por sheh një ushtri fëmijësh që vinë vrullshëm sa andej-këtej. Por se mos ka vetëm në bulevard fëmijë të tillë. Jo mo jo, gjen edhe nëpër fakultete, kudo që dashuria kërkon të shprehet lirë dhe mjerimi të shtyhet edhe për një ditë.
Në kohën kur njeriu edhe pse jeton nën hijen e satelitëve e ka të pamundur të fashisë pabarazitë e tij. Këta fëmijë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që notojnë nëpër internet, që venë në shkollë, që ngrohën në prushin e avullt të kaldajave, nuk kanë aspak mundësi të bëjnë një jetë të tillë. Me sa duket i ndau fati, jeta, koha… por dhe shteti.
Por ata me buqeta mimozash në duar vinë edhe aty, pothuajse deri tek dritaret e shkollës, ku aroma erandshme çorodit paksa tulatjen e nxënësve. Është e pamundur që mimozat të mos tërheqin vëmendjen e tyre. Jo fëmijët, por mimozat dhe kjo mjafton.
Ja, shikoni o mësuese, ka mimoza! Të lutëm mund të blej një buqetë. Më pas hidhet Erla se ajo i do shumë lulet; Gerti të lutem mund të shkosh të më blesh një buqetë mimozash? Pastaj Laura, ku sipas klasës po të ishte bjonde do të shpallej miss mimoza, Gerti të lutëm edhe një mua. Më tutje e gjithë klasa duke nisur që nga Silvi, Rajmonda, Majlinda, Mesila, Sokoli, Astriti, Edi dhe Lec Kepi, siç i thotë klasa Enkelejdit, të gjithë kërkonin mimoza.
Fëmijët e buqetave vënë buzën në gaz, se fundja kush ja u dinte hallin atyre, si për të thënë se ju ende nuk e dini se çfarë fshihet pas tyre. Edhe pse fëmijë edhe pse në një moshë, por ashtu të ndarë në mes nga dritarja e klasës dhe lartësia e katit, pikërisht kështu janë ndarë dhe jetët dhe bota e tyre. Por a jetohet me mimoza? A e dinë këtë ata? Çfarë paradoksi. Fundja kur na janë ndarë ndonjëherë paradokset ne si popull.
Më duket se edhe fëmijët i braktise, sepse ti, lule mimozë s`pate mëshirë për ta, për ata fëmijë të brengosur të yshtur nga zija e bukës dhe nesër kush e di se ç`mund të ndodhë me fatin e tyre. Qenka thënë se fjalët e tyre të përditshme të ishin fjalë gëzimi. Këto fjalë duhej të ishin shprehja e tërë jetës së tyre; ata po gënjehen përsëri.
Por jeta lajkatare nuk helmoi vetëm fëmijët e tu, o mimozë: ajo më goditi edhe mua, të gjithë ne me shigjetën e vet helmuese, kur të pashë një ditë të zbehme, qava me lot dhe me ngulmime hidhërimi për mbarimin tënd.
A jetohet me mimoza? Mirë sot, po nesër? Këta fëmijë që po rreckosin këtë pemë dita-ditës deri aty sa t`i ngelin veçse degët e thata të shkrehura drejt tokës, të lavarura pa pikën e jetës, mund të them se ende nuk e kam të qartë se ç`do të bëjnë pas ca ditësh. Ata të kërrusur, të dobët ashtu si vetë jeta e tyre i bien rreth e përqark bulevardit me buqeta në duar për t`ja shitur ndonjë kalimtari të rastësishëm. Thirrja monotone e përsëritur; “mimoza, dhjetë lek buqeta” më vinte si një ngarkesë e madhe vuajtje, stresi dhe një përpjekje mitike për të mbijetuar. Në qytet pa punë, pa pasur mundësi për asgjë, shtyjnë çdo ditë e më tepër mjerimin e tyre me idenë se e nesërmja mund të sjellë ndonjë të mirë që befasisht të ndryshojë jetën e tyre. Por kjo nuk ndodh. Ngjarje të tilla gjenden veçse në përralla.
Ka kohë që shumë politikanë që u shpallën pararendës të një Shqipërie të lulëzuar, pikërisht si lulet e verdha që ndriçojnë bulevardin, u zbehën me kohë dhe nga vepra e tyre ka mbetur një përfytyrim i turbullt që, me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër zhduket. Me varfërinë ndodhi e kundërta. Atë e lartësoi në kohë mangësia e madhe e dijes, moralit dhe idealeve për vendin.
Tek këta fëmijë nuk qëndron vetëm imazhi i tyre, por edhe i atij fshatari që jeton në vendin e dytë ne Europë për pasuri hidrike në raport me numrin e popullsisë dhe nuk ka me çfarë të vadisë arën e tij. Është imazhi i atyre njerëzve që rropaten çdo ditë me grimcat e përkrahjes sociale që në kohët aktuale mjerimi i tyre shumëfishohet. Është pamja e atyre qindra minatorëve që skllavërohen në epokën e lulëzimit të të Drejtave të Njeriut. Është kërcitja e sqeparëve të atyre fëmijëve të kromit në Bulqizë që tek thasët e vegjël fusin jo mineralin e nëmur, por jetët e tyre.
Në këta fëmijë është një botë e tërë, janë vuajtjet më të thella, brengat e varfërisë dhe indiferencës shtetërore. Në serinë e portreteve të arkitektit të mjerimit përmes botës së tij, nuk arrin të shënjosh përgjigje për jetën plot vuajtje që kalojnë. Në to është drama e një politikani të vetmuar në shoqërinë servile që nuk e lidhi kurrë mjerimin, brengën e popullit të vet me qesen me para të buxhetit, vizionit për një jetë të shëndetshme, e cila nuk ngopet nga makutëria e tij.
Kjo politikë nuk u bë kurrë dëshmitare e varfërisë, e mjerimit, e fatkeqësive e aksidenteve në miniera që janë burgje të vërteta. Ky kryeministër duhet ta kuptojë se predikimet e tij nuk i ndihmojnë njerëzit të plotësojnë fatkeqësitë që i pllakosin.
Mjerimi apo skamja quajeni si të doni, godet me penelin e saj në mënyrë ritmike në vend gjithnjë e më shqetësuar, sikur të mbartte në të jehonën e erës e të jetës që pulsonte përreth.
Nga sfondet e errëta ndriçohen siluetat e përthyera të realitetit, objektet e personazhet me dramën e viteve: diku një familje që rrezaton fuqishëm, më tej një djalë i shqetësuar, një sofër pa bukë e rrethuar me vocërrakë, një dhomë e skamur, një krevat prej dërrase, një fëmijë i paushqyer, më tej, mimozat apo lajle-lulet e vipave, një figurë e kërrusur nga puna, barakat dhe në fund, disa silueta zogjsh në qiellin e zhurmshëm.
Ushtria e sakatëve të mjerimit është e vështirë të mbarojë. Ajo herë shkaktohet nga rrethanat historike, e herë nga arsye të caktuara që lidhen me ngjarje të veçanta, por ajo që rekruton me batalione është mungesa serioze e shtetit.
Është një apoteozë migjeniane që pas kërcitjes së thyerjes së një dege mimozash, apo të një tjetre andej nga veriu fshihet; jo dëshira për të dhënë dashuri dhe kjo mjaft e rëndësishme, por diku në një dorë të vogël që mban shtrënguar ca lule të verdha me idenë se pas tyre është fshehur copa e bukës.
Ca je tu thane a te “pjerdhsha” udhet !?
Ah mor Sinan,lere kte rinine e zgjuar,se eshte i rafinuar.Cfare po te thote???Po te tregon Lulin e vocerr,po te tregon mjerimin e femijeve,po te tregon “mimozat” qe jane thare me kohe ,sepse arrijne tu japin disa dege mimoze vocerrakeve sepse do nxjerrin 100 lekshin e bukes se perditeshme.Jemi ne mamate mimozat e thara,jemi ne shoqeria e vdekur civile ,injorante qe lejojme kte mjerim dhe blejme mimozat nga Luli
Po te tregon litarin e 11 vjecareve qe shkund lulet e mimozes,po ska fuqi te shkund askend tjeter.Femijet jane pasyra e jone,dhe nqs po pasqyrojne buken e perditeshme te dy dega mimoze atehere jemi vertet te shemtuar,te mjere.A don qymyr zoteri??kjo do jete thirrja e “mimozave”,kjo eshte sot
Ah sikur te kisha nje grusht te forte….
Na trubullove mbremjen ti rini e zgjuar,joooo nuk je ti ,eshte paaftesia qe nuk na le te qete.Ti shkruaj,shkruaj gjithmone,per mimozat e thara,qe rrine dhe presin dhe duke pritur vdesin.
Shkruaj rini e zgjuar shkruaj!!
Ke qene i pire a dredimen, ke shkruar me shishe birre ne dore.
o karagjoz,hartimet e zysh majlindes po shkruan,ik,10