Flamuri bën shpërndarjen e armëve sipas meritave

19 Mars 2013, 17:40Antena TEMA
Flamuri bën shpërndarjen e armëve sipas meritave

Më në fund Flamuri arriti ta kalojë në parlament ligjin për mbajtjen e armëve nga deputetët. Sapo u miratua ligji, Flamuri shkoi në zyrë, thirri shefin e armatimit në ministri dhe filloi të konsultohej me të.

-Duhet të më japësh pak inventarin e pistoletave, i tha, se na duhen për deputetët.

-Çfarë pistoletash duhen shef?

-Po ku di unë, vetëm se nuk duhet të jenë të gjitha njësoj.

-Më thuaj një herë sa duhen, i tha shefi i armatimit.

-Sa duhen, sa duhen… u mendua Flamuri… dhe filloi të numërojë deputetët.

-Shiko, ne tanët 68 kemi, i tha. Për këta dua pistoleta të mira, por jo të gjitha njësoj. Më jep disa variante. Nja dhjetë copë i dua shumë të mira. Nja 20 copë mesatare. Pjesën tjetër gjej ça të duash.

-Po mirë shef. Kam nja dhjetë Colber gjermane, po të bëj dhe nja 20 Bereta, të tjerat Zastava mirë i kanë.

-Ashtu, shumë mirë, i tha Flamuri. Tani prit. Janë katër të Ilir Metës, por këtyre një herë për një herë nuk do t’u japim, ose do t’ua japim, por me gjilpërë të prishur se nuk i dihet nga e shkrepin.

-Dakord shef, e rregulloj unë se e kam këtu atë djalin që prishi gjilpërën e pistoletës së Ndrea Prendit.

-A, bravo, atë gjej. Kemi dhe këta dy çamët. Këtyre dy çamëve do t’ua japim pa fishekë, se nuk u zihet shumë besë atyre, nuk dihet mbi kë qëllojnë.

-S’ka problem shef. U them do vijë furnizimi pas 23 qershorit. U jap ca Valter gjermane të vjetra nga Lufta e Dytë Botërore që nuk gjenden fishekë.

-A, bravo, shumë mirë. Këtij Vangjel Dules jepi çifte më mirë, i thuaj nuk kemi pistoleta, se këta grekët me çifte e kanë bërë dhe planin për Vorio-Epirin. Kemi një shotgun më duket, jepi atë.

-Dakord shef, kemi një shotgun që ia kemi sekuestruar Aleksandër Frangajt më 96-ën, që ishte kundër Berishës.

-Ashtu, tha Flamuri. Shumë mirë, se grekët ia kanë pasë dhënë dhe atëherë atij. Në rregull deri këtu.

Tani më lër listën këtu dhe ik, i tha.

Sapo roja doli jashtë, Flamuri filloi të shikojë listën.

-Kujt t’ia jap këto dhjetë të mirat, tha. Duhet patjetër të jap një sinjal këtu që janë deputetët më besnikë të Doktorit.

Dhe filloi të bëjë listën. Shënoi emrin e tij të dytin pas Doktorit, Jozefinën të tretën, Astrit Patozin të katërtin… U mendua pak, e fshiu, e çoi të pestin dhe futi të katërtin Ridvanin.

-Iku pesëshja e parë, tha me vete.

Tek e dyta duhej sërish një renditje. Futi një herë Olldashin të gjashtin, pastaj u mendua pak e kaloi të tetin, se nuk e duronte dot që tallej me të dhe nga inati i tij futi Gert Bogdanin të gjashtin, iu kujtua Strazimiri që kishte qejf pistoletat, e futi të shtatin, Olldashi mbeti i teti, pastaj erdhi emri i Rusmalit… U mendua pak, e hoqi fare, e kaloi të 15-in, d.m.th për pistoletë Berete, se nuk ishte i besueshëm tek ai burri.

-Po fus këtë Albana Vokshin të 9-ën, tha, që të dukem i besueshëm që dua dhe nga pala tjetër.

Për të dhjetin po mendohej. Nuk dinte kë të zgjidhte mes Mesilës, Majlindës dhe Aldo Bumçit…

-T’ia jap Aldos, tha, më mirë, se ky i shkreti s’të tradhton kurrë, këtyre s’u ka dalë emri për mirë.

Pasi mbaroi listën e dhjetë më të mirëve, u qetësua. Tek lista e dytë e 20 Beretave futi gjithë ministrat që kishin mbetur deputetë të sigurtë.

-Të tjerët mirë i kanë Zastava, tha.

I kënaqur nga lista e lexoi disa herë dhe e nisi tek shefi i armatimit.

-Kujdes me këtë listë, i tha, se ka për të bërë sherr më shumë se listë e deputetëve, se këtu fillon gjithçka, kujt i besohet pushka ka thënë ai burri.

U ndanë. Pas një minute shefi i armatimit u kthye prapë i alarmuar.

-Shef Flamuri, kemi harruar Fatmir Mediun, tha. Çfarë t’i japim atij?

-Fates…, tha Flamuri. Ai nuk lejohet të mbajë armë se i shpërthen në xhep.

 

7 komente në “Flamuri bën shpërndarjen e armëve sipas meritave”

  1. Jetojme ne Salistan says:

    Aha hahahahahaha;
    ” …. Shef Flamuri, kemi harruar Fatmir Mediun, tha. Çfarë t’i japim atij?

    -Fates…, tha Flamuri. Ai nuk lejohet të mbajë armë se i shpërthen në xhep.” ? ? ?
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/03/imami-i-salistanit.html

  2. e/ says:

    Keta personazhe keshtu jane vertet, gjysme te lojtur e gjys debila, sikur jane neper perendimin e larget Amerikan, duan te behen te gjithe kaubojsa.

  3. Shtegtari says:

    “…Ashtu, shumë mirë, i tha Flamuri. Tani prit. Janë katër të Ilir Metës, por këtyre një herë për një herë nuk do t’u japim, ose do t’ua japim, por me gjilpërë të prishur se nuk i dihet nga e shkrepin…
    …A, bravo, atë gjej. Kemi dhe këta dy çamët. Këtyre dy çamëve do t’ua japim pa fishekë, se nuk u zihet shumë besë atyre, nuk dihet mbi kë qëllojnë….”
    Hahahahahaha!
    Mos vdeksh kurre o Baze, na argeton e na çlodh sa here qe lexojme Antenen

  4. ivani i madh says:

    O Mero diali po si ke haruar trimin e pa perkulur Kacin e mallakastres qe ka kohe mezi e pret koburen qe ta fute ne b…se dhe goja si ajo i eshte bere

    1. Shtegtari says:

      Per te bere ate qe thua ti o I Madhi Ivan, Kaçit i duhet kobure pa thep, dhe Muli he per he nuk ka mundur tja gjeje

  5. brace says:

    Ju te gazetes Tema jeni te te pa arritshem,une ju falenderoje sinqerishte

  6. era says:

    Te kujtohet prralla e mullirit qe humbi ne fund te detit dhe prodhonte pareshtur kripe. Humori i Temes i pashtereshem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje