Konsumi i familjeve në rënie në vitin 2012

6 Prill 2013, 20:47Blog TEMA

Rënia e tregtisë me pakicë vë në pikëpyetje qoftë deklarimet për shtimin e vendeve të reja të punës, qoftë deklarimin për rritjen reale të pagave

Nga Ilir Beqja

Janë bërë publike të dhënat zyrtare të tregtisë me pakicë në tremujorin e katër të vitit 2012. Të dhënat tregojnë se tregtia me pakicë në këtë tremujor ka pësuar një rritje në krahasim me tremujorin respektiv të vitit 2011. Është një raportim i befasishëm, që nuk përputhet as me raportimin e të dhënave të taksave të arkëtuara në tremujorin e katërt 2012 krahasuar me taksat e arkëtuara në tremujorin e katërt 2011, as në perceptimin e familjeve shqiptare. Megjithatë, në kushtet e të vetmit informacion zyrtar, duhet të vijojmë të bëjmë analizat bazuar në të dhënat publike.

Analiza e serisë kohore tremujore që nga fillimi i vitit 2008 jepet në grafikun 1. Tendenca vjetore është e përgjithshme. Nivel më i ulët në tremujorin e parë të vitet që vijon të rritet deri në tremujorin e fundit. Në boshtin vertikal treguesi i volumit jepet duke marrë për bazë si 100 vitin 2005. Është e qartë se ka një rritje të ndjeshme deri në fund të vitit 2007, ndërsa më tej në fillim të çdo viti volume kthehet në nivelin e vitit të mëparshëm duke treguar se jemi në të pestin vit që tregtia me pakicë është në nivele të njëjta. Tregtia me pakicë është në fakt konsumi i familjeve shqiptare. Stanjacioni i kësaj tregtie është thelbi i krizës së sotme në Shqipëri, krizë konsumi. Qoftë nga rënia e të ardhurave të disponueshme, qoftë nga shtrenjtimi i shumë artikujve bazë të përditshëm.

Të dhënat e katër tremujorëve të vitit na japin mundësinë për të bërë një vlerësim më të plotë për çfarë ka ndodhur në të gjithë vitin 2012.

Nëse pranojmë se tregtia me pakicë në vitin 2008 ka qenë 100 njësi, tregtia me pakicë në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012 krahasuar me 2008 ilustrohet në grafikun 2 në vijim.

Vetëm viti 2010 ka tregti me pakicë më të madhe se viti 2008. 2009, 2011 dhe 2012 kanë tregti me pakicë më të vogël se në 2008. Madje viti 2012 është periudha respektive me tregtinë me pakicë më të vogël në 5 vitet e fundit, përveç vitit 2009. Kundrejt vitit 2008, tregtia me pakicë ka rënë me 1%. Ky është thelbi i krizës ekonomike në Shqipëri – rënie e kërkesës konsumatore. Rënia e tregtisë me pakicë vë në pikëpyetje qoftë deklarimet për shtimin e vendeve të reja të punës, qoftë deklarimin për rritjen reale të pagave, si dhe provon se edhe nëse ekonomia ka pësuar rritje, nga kjo rritje ka përfituar vetëm një pakicë shumë e vogël njerëzish.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje