Pazari anonim

6 Prill 2013, 20:41Blog TEMA

Nga Lumir Abdixhiku

Një dështim, katër shtyrje, dy ofertues, zero operues telefonikë – ky është bilanci i procesit më të paditur privatizues të zhvilluar ndonjëherë në gjithë Evropën. Shto kësaj dhe disa miliona euro shpenzime në këshilltarë të transaksionit, disa qindra të tjera në zhvlerësim të asetit, e Zoti e di sa minuse në dëmin e imazhit ekonomik të vendit dhe ke një pasqyrë të përafërt të angazhimit qeveritar, komisionar, ministror e ndërministror në atë që pritej të ishte mundësia e vetme e tërheqjes së një emri serioz investues për një kohë bukur të gjatë.

Dhe t’ju jap lajmin e fundit. Përveç se të dy kompanitë e mbetura në këtë garë që kaloi e mbijetoi tërheqjet, akuzat, regreset e ndërprerjet, janë aq të panjohura e aq të paditura në fushën telefonike – në të vërtetë ato as nuk janë kompani telefonike, janë thjesht fonde investuese apo para të bëra bashkë nga investitorë të ndryshëm – pra, përveç gjithë anonimitetit të tyre, njëra nga kompanitë e mbetura mban në historikun e saj edhe aktivitete financiare të dyshimta në mbështetjen e grupeve terroriste në Liban e Lindje të Mesme. E privatizimi i asetit më të vlefshëm ekonomik në Kosovë nga fonde investive të dyshimta e të panjohura, pra nga gjithkush përveçse nga operatorët telefonikë, tregon më së miri për derexhenë në të cilën gjendet sot vendi ynë, një menaxhim i mbrapshtë ekonomik. Kaq prapësi e padituri privatizuese nuk ka treguar asnjë vend i Ballkanit në proceset e privatizuese respektive.

T’ju udhëheq shkurtimisht rreth natyrës së fondeve në fjalë. Fillimisht të harrojmë “luksin” e pasjes së ‘Vodafone’ apo kompaninë e dyte në botë – siç e ka Shqipëria; as atë ‘T-Mobile’ apo kompaninë e katërt në botë – siç e kanë Maqedonia, Mali i Zi e Kroacia, e ja që nuk do ta kemi as ‘Telenorin’ apo kompaninë e pestë në botë siç e ka Serbia’. Do të kemi potencialisht dy grupe investuese të panjohura. Në njërën anë, mund të kemi grupin investues ‘Axos’ e ‘Najafi’, e në anën tjetër grupin investues kontrovers ‘M1 International’.

Të parët janë grupe investive (gjithsesi jo operatorë telefonikë dhe këtë më duhet ta përsëris mjaft shpesh) që duket se do të bashkërendojnë për herë të parë investimet e tyre, meqë njeriu nuk gjen dot një rast tjetër ku ‘Axos’ e “Najafi’ të kenë investuar bashkë. ‘Axos” përndryshe ka seli në Gjermani, por është fond investues me pak përvojë në investime. Najafi, në anën tjetër, është grup investitorësh multinacional me përvojë vetëm gjashtëvjeçare e me investime minore në vetëm shtatë shtete.

Të dytët, pra ‘M1 International’, janë aq më të panjohur sa që i bëjnë këtë të parët të duken superyje. Janë aq të panjohur sa që po nuk shtove fjalën ‘Lebanon’ gjatë kërkimit në Google nuk gjen dot një rezultat të hairit; paramendoni me çfarë kompani po tregtojmë. ‘M1 International’ ishte themeluar nga ish-kryeministri i Libanit,  njëkohësisht pronar i saj, Najib Mikati, e i cili përndryshe (sipas BBC) më 24 janar 2011 ishte rinominuar e përkrahur fuqishëm nga Hezbollahu (organizatë e shpallur terroriste) për edhe një mandat kryeministror. Afrimi i Mikatit me Hezbollahun ishte parë aso kohe me shumë pesimizëm nga shumëkush. Anëtarët e kabinetit të presidentit Mikati vlerësoheshin gjatë gjithë kohës nga perëndimorët si përkrahës të fuqishëm të aktiviteteve terroriste. Mikati, për shkak të presionit politik në Liban, ka dhënë dorëheqjen vetëm dy javë më parë.

Po të bëja një vlerësim me tendenca profesionale, pra pa përfshirë historikun dhe çështjet e tjera kontroverse te këto kompani, gjëja e parë që do të më shkonte në mend është se këto grupe investuese, që nuk kanë operimin telefonik si subjekt primar të aktiviteteve të punës, kanë për qëllim rritjen e vlerës së aksioneve të tyre në telekomin kosovar, për ta shitur më pas tek një kompani e tretë operuese vite më pas. Natyrisht se blerjen do ta bëjnë me një çmim denigrues e të ulët për asetin, e shitjen do ta bëjnë dikur më vonë për një kthim shumë më të lartë e konform tregut (çfarë nuk po e marrim ne tash).

Po të bëja një vlerësim më intuitiv, them se mbajtja e kompanisë së dytë në procesin tenderues bëhet sa për të mos dështuar procesin turpësisht me mbetjen e vetëm një garuesi. Në asnjë rrethanë normale grupi ‘M1 International’ nuk do të kalonte pragun verifikues në Kosovë. Është grup i dyshimtë, me imazh të rëndë e pa ndonjë përvojë substanciale për Kosovën e as qëllimin e saj të tërheqjes së investimeve serioze. Pallavrat e kredibilitetit rreth këtyre grupeve mund t’i japë vetëm ministri Beqaj, e i cili bën kështu meqë nuk guxon ta shpallë procesin si të dështuar. Kujtoj se me përfundimin e parakohshëm të procesit përfundon njëtrajtësisht edhe mandati i tij; fajtor si i shpallur.

Dhe këtu Kosova ka dy rrugë. E para, që Komisioni Ndërministror i caktuar për të bërë vlerësimin e ofertave, të ndërpresë procesin qysh tani, gjithmonë për shkak të joseriozitetit të aplikuesve dhe mospërmbushjes së objektivave parlamentare. Jo se pritej ndryshe, thënë të drejtën; me gjithë ato anomali rreth procesit e pa fije planifikimi strategjik rreth privatizimit e tëra çfarë mund të tërheqim janë këto grupe (dhe atë me shumë zor e mund e pas shumë shtyrjeve e vonesave). Në rast të ndërprerjes shpëtojmë asetin, shpëtojmë vendin e fitojmë disi një rast të ri për të ardhmen, gjithsesi me shumë kosto zhvlerësuese e financiare të bëra në proces. Por në këtë pikë ne i shkurtojmë humbjet apo “cut losses” siç do të bënte një lojtar i mençur pokeri (zaten si në poker kemi nisur gjithë muhabetin e privatizimit). Në këtë rrugë ne më pas mbajmë përgjegjës moralisht e më shumë gjithë shkaktarët e dëmit.

Rruga e dytë është që të vazhdojmë marrëzisht aktrimin, gjoja se gjithçka është në rregull e gjithçka është sipas një paraplanifikimi strategjik a ku ta di unë; dhe të përfundojmë kështu me dy skenarë. Në skenarin e parë ne hapim zarfet dhe të refuzojmë çmimet e pranuara që do të jenë domosdo të ulëta (kjo kuptohet nga fuqia financiare e grupeve garuese). Kështu së paku ne tregojmë se po refuzojmë për çmim. Edhe këtu mbajmë përgjegjës shkaktarët e dëmit, ata që kanë nisur proces kur nuk është dashur nisur, ata që kanë udhëhequr mbrapshtë procesin kur është dashur të udhëhiqej mbarë, dhe ata që na sjellin në situata kur Ballkani na duket luks. Në skenarin e dytë, në anën tjetër, ne vazhdojmë me aktrim pas aktrimi, sa për të shpëtuar përgjegjësit, por nuk shpëtojmë dot asetin. Disi si në habi e me plot arnime ne e shesim atë për një çmim të pakuptimtë e tek investitorë shumë anonimë. Kësaj të fundit i frikohem shumë, prandaj dhe thërras për ndërprerje të menjëhershme.

1 komente në “Pazari anonim”

  1. Bardhi RKS says:

    Lumir kam disa pyetje per ju,a e dini qe jemi ne vitin 2013?a e dini qe ka nje krize globale financiare dhe ekonomike?A e dini qe hyrja e vodafonit grek ne Shqiperi nuk ka qen aq transparente dhe as profitabile per konsumatorin dhe shtetin Shqiptare?A e din qe privatizimi i telekomit kroat dhe malazez nga telekomi gjerman jane nen hetime,madje telekomi gjerman eshte denuar me disa milion dollar nga nje gjykate e SHBA per korruptimin e zyrtarve te lart malazez per ta fitu tenderin per privatizimin e telekomit malazez ku ishte konkurent nje kompani amerikane.
    Pse perpiqesh ta lidhesh njerin nga konkurentet me hezbollahun?A e din ti lumir se ne LIBAN pushteti eshte i ndar sipas qelsit religjioz,kur presidenti eshte sunit kryeministri do te jete shia e kryetari i kuvendit i krishter.
    A po kandidon si kandidat i LDKJ per kryetar te Prishtines?Je promovu pa pare si i “pavarur” e gjithmon ke qen i varur nga mustafajt qe jane pronar te “institutit,univerzitetit”per shperlarjen e parave te 3% te cilat i pat vjedh i.mustafa kur ishte minister ne qeverin e b.bukoshit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje