Rilindje për Monica Lewinsky

3 Prill 2013, 20:28Blog TEMA

Nga Arnold Grabocka

Më 21 janar të vitit 1998, gazeta prestigjioze “The Washington Post” publikonte për herë të parë lajmin e skandalit seksual mes ish-Presidentit të SHBA Bill Clinton dhe praktikantes Monica Lewinsky. Ekzaktësisht 13 vjet më vonë, në mes të kryeqytetit shqiptar u vranë prej koalicionit qeverisës katër qytetarë gjatë demonstratës së organizuar prej opozitës. Ky koalicion u shpërbë para dy ditësh, duke krijuar sot koalicionin e pashëndetshëm PS-LSI. Por ç’lidhje kanë këto ngjarje?

Përpara se të flitet për lidhjet metaforike mes skandalit seksual të Clinton dhe koalicionit PS-LSI, duhen përmendur pesë argumentet kryesore që kryesia e Partisë Socialiste po injekton direkt a indirekt te votuesit apo ish-votuesit e saj, në tentativë për të justifikuar koalicionin me LSI:

1. Sali Berisha duhet të rrëzohet nga pushteti si parakusht që Shqipëria të rilindë. Madje, sipas argumentimit të tij, edhe PD do të rilindë në këtë mënyrë.

2. Fitorja ndaj Sali Berishës duhet të jetë e sigurt. Qoftë matematikisht, qoftë institucionalisht.

3. Nuk duhet të mbahemi pezull prej ndarjeve ideologjike “majtas-djathtas” në një kohë kur populli s’ka bukë në sofër.

4. Të bashkohemi me LSI sa të rrëzojmë Berishën, dhe pastaj merremi (ndëshkojmë) LSI.

5. S’ka vend për pakënaqësi e qëndrime morale; morali i politikës është Kushtetuta. Z. Meta është hetuar dhe shpallur i pafajshëm prej gjykatave. Subjektet që i përkasin sistemit të drejtësisë, nuk mund të ngatërrohen me politikën.

Më poshtë pason një analizë dekonstruktive e të pesta pikave (në rend sipas radhës së paraqitur më lart), për të parë nëse ato janë thjesht një justifikim për t’i hedhur hi syve të popullit, apo një çmim i pashmangshëm. Në thelb qëndron pyetja: A është koalicioni me LSI vendimi më i zgjuar i kryetarit aktual të PS, apo gabimi i tij më i rëndë?

1. Është jashtëzakonisht e vërtetë se Berisha duhet të rrëzohet si parakusht për rimëkëmbjen e Shqipërisë (nuk mund ta përdor termin “Rilindje” për shkak se ngarkesa morale e përçuar prej tij deri pardje, u neutralizua me imoralitetin e djeshëm). Megjithatë, përbën një cinizëm banal dhe infantil të premtuarit se rrëzimi i Berishës do të çlirojë Shqipërinë a PD-në. Berisha nuk është më, prej vitesh, thjesht një individ, përbërë prej mishi e kockash. Ai është kthyer në frymë, ideologji, mënyrë të vjedhuri, mënyrë të bëri biznes, mënyrë të kapuri pushtetesh. Pra, edhe nëse Berisha si individ rrëzohet me votë, do të duhet një kohë jashtëzakonisht e gjatë për të çrrënjosur frymën e tij, injektuar ndër vite. PD dhe Shqipëria do të jetë e mbushur me Berisha në çdo cep, klonë të tij, për një kohë të gjatë, pavarësisht nëse ai rrëzohet prej pushtetit a jo. Pra, koalicioni si parakusht për rrëzimin e Berishës, është thjesht një justifikim i keq.

2. Që fitorja ndaj PD të jetë e sigurt, argumentohet nga eksponentë të PS, le të bëjmë koalicion me LSI. Edhe ky është një logjikim fëminor. Deri para disa ditësh, Partia Socialiste kish ndërtuar një frymë e entuziazëm të jashtëzakonshëm mes të vegjlish e të mëdhenjsh. Tek të rinjtë Z. Rama ishte formëzuar si një lider trendy, sportiv, gazmor, i dashur. Tek të vjetërit, ai ishte projektuar si një njeri korrekt e i rreptë, i pakorruptueshëm. Baza ishte e karikuar për të punuar për programin e Rilindjes. Të rinjtë e partisë, të stërvitur me një ideologji korrekte, kohezion e moral. Nëse edhe deputetët do ta merrnin të gjithë seriozisht punën në zonat e tyre, të punonin natë e ditë për këtë program, atëherë nuk do të kishte nevojë për një koalicion “thjeshtëzues” dhe të pamoralshëm me LSI. Por kryetari aktual i Partisë Socialiste pati frikë. Ai nuk u tregua i sigurt në efektshmërinë e programit për Rilindje, impaktit të saj tek votuesit. Ai nuk besoi se do të mbrojë dot votën e votuesit të tij. Gabimi më i madh teknik i z. Rama ishte moskrijimi i një instituti të gjerë mbledhjesh dhe përpunimi statistikash brenda PS. Kjo duhej të ndodhte minimalisht një vit më parë, përbërë nga një staf shumë i gjerë statisticienësh, dhe të rinjtë eurosocialistë mund të përdoreshin për anketimet në terren. Kështu, do të kishte mjaft kohë për të testuar ujërat në të cilat po notonte, ngritje-uljet pas çdo lëvizje të tij të rëndësishme, e kështu me radhë. Varfëria statistikore, shtyrë edhe nga presioni i kryetarit të opozitës për të ruajtur pozicionin e tij brenda PS (vetëm duke fituar), prodhuan këtë koalicion anti-moral.

3. Sot kryetari i opozitës foli për ndarjet ideologjike. Ai tha se në një kohë kur kushtet minimale të jetesës nuk ekzistojnë në Shqipëri, s’duhet të merremi me ndarje majtas-djathtas. Në këtë mënyrë, argumentoi ai, duhet të bëjmë koalicion me këdo që na ndihmon në rrëzimin e qeverisë aktuale. Por ky është një standard i dyfishtë i adoptuar prej tij. Pse? Programi për Rilindje Shqiptare, projektuar prej Alastair Campbell (këshilltarit të ish-kryeministrit anglez Tony Blair) sipas fushatës së Blair për mandatin e tij të tretë nën siglën “New Labour”, është një program rrënjësisht i majtë. Taksimi progresiv, programet për arsimin apo shëndetësinë e vërtetojnë këtë. Ndërkohë që ka në dorë një program totalisht të majtë, me deklaratat e sotme (të bashkohemi pavarësisht përkatësisë politike për të rrëzuar Berishën), Rama i ngjau atij personit i cili para pak vitesh nxori një program paradoksal e bosh nën siglën “Përtej së Majtës dhe të Djathtës”. Pra, deri pardje ai argumentonte në bazë të një programi të majtë, madje edhe për reforma ekonomike a shëndetësore, ndërsa sot bën koalicion me LSI (Ministri i Shëndetësisë dhe ai i Ekonomisë, kritikuar nga Rama, i përkasin LSI). Dhe për më tepër, nuk flet më si i majtë, por si pragmatist përtej së majtës dhe të djathtës. Sërish.

4. Disa nga të pazhgënjyerit e Partisë Socialiste bëjnë çudira. Ata, në mënyrën më patetike të mundshme, argumentojnë se kryetari aktual i PS po përdor LSI dhe Metën për të mbërritur në pushtet, për të rrëzuar Berishën. Pasi kjo të ndodhi, edhe Meta do të hetohet, ndëshkohet e kështu me radhë. Por siç argumentonte z. Bushati në një shkrim të djeshëm, kryetari aktual i PS nuk ka një histori të suksesshme kur vjen puna për pazare me LSI a PD. Gjithnjë, në fund të ditës, ata e kanë manipuluar. Kryeministri e kish shumë të thjeshtë dje të mbronte koalicionin me LSI. Ai i kish dhe i ka gjithë instrumentet për të mbajtur LSI në koalicion. Nëse është edhe kaq i tmerrshëm në vjedhjen e votave, atëherë përveç ruajtjes së raporteve me LSI, do i vidhte edhe ato. Megjithatë, ai dhe LSI patën një ndarje të qetë. Kjo mban një erë shumë të keqe, një erë konspiracioni dhe tradhtish që vijnë brenda koalicionit të ri. Gjithçka flet për një pazar të ri të humbur prej Ramës, qoftë me konçedimet që do t’i bëjë Metës, duke e fuqizuar, qoftë me zhgënjimin masiv te të vjetër e të rinj socialistë.

5. E drejtë, morali i politikës është Kushtetuta. Kjo kur vjen radha e politikave pragmatiste. Programi për Rilindje, të paktën për ne idealistët e dëshpëruar, përbënte sjelljen e një moraliteti të ri shoqëror, institucional, politik. Ky moral vdiq kur Ministri i kritikuar i Ekonomisë a Shëndetësisë, ka shumë gjasa të jetë sërish ministër nëse fiton koalicioni PS-LSI. Për këtë arsye pritet që një pjesë shumë e madhe e të rinjve të porsa-zhgënjyer jo vetëm të mos punojnë më për strukturat, por as të mos votojnë fare. Pritet që në ditët në vazhdim të shfaqet në skenë edhe ish-lideri i PS, Fatos Nano, i cili ruan ende (jo si relike) ingranazhe të fuqishme për organizimin e atyre që e kujtojnë atë me melankoli (nuk janë të paktë). Pra një pjesë e elektoratit të ri, si dhe një pjesë e elektoratit të vjetër, pritet të distancohen prej lidershipit aktual të PS.

Pra, një program që pretendonte të ishte i bazuar te moraliteti, vdes dhe justifikohet se zgjodhi të keqen më të vogël për të mundur të keqen më të madhe. Por e keqja më e madhe nuk është më mish e kocka, por frymë, ideologji.

Në vitin 1998 ish-Presidenti i SHBA, Bill Clinton, u betua me dorën mbi Bibël se nuk kish kryer akte të turpshme seksuale me Monica Lewinsky. Provat e pashmangshme e bënë atë të pranonte publikisht se kish kryer akte seksuale, por se formulimi që ai kish përdorur para Biblës, përjashtonte disa forma të ndryshme seksi, të cilat ai i kish kryer. Lojë fjalësh. Ai i shpëtoi procedimit penal për falsifikim provash. Megjithatë, në fund të mandatit, populli i zhgënjyer e dënoi, pavarësisht rritjes ekonomike. “Njolla” e tij përndoqi edhe Al Gore, i cili pranoi se skandali Clinton infektoi besimin e popullit tek gjithë partia, për një kohë të gjatë (që solli Bush).

Për popullin, morali i veprimeve të politikanit ka rëndësi. Ka rëndësi parësore. Për ato duhet të votojmë, dhe jo më për pazare politike. Si një Monica Lewinsky shqiptare, z. Meta pranoi të penetrohet prej frymës rilindase, duke e përlyer atë në mënyrë të pashlyeshme. Vetëm se ndryshe nga historia e 1998, ky Clinton-i ynë pak gjasa ka të bëjë ndonjë ditë pushtet.

12 komente në “Rilindje për Monica Lewinsky”

    1. joli joli says:

      Haha si gjithnje gjenial ne gjetje, Grabocka! Po kurva si Levinski jane te dy ata plehrat e 1 prillit!

      1. Fred.Dibrani.Hamburg says:

        Pergezime per shkrimin.
        Shum interesant.

  1. Liburnia says:

    Go home Drakula, you are drunk.

  2. Dikushi says:

    Bravo!!! Shkrim shume i mire.

  3. xhevria says:

    Hahahaha politkan 21 vjecar ,
    psikolog 22 vjecar,
    profesor 23 vjecar
    keshilltar presidenti 24 vjecar,
    ……..
    ………
    ……….etj etj
    yxhyyyyyymm popell shqipcar jetojme ne shkerdhatokracin
    e kombit tallava

  4. VERONIKA says:

    BRAVO ,SHKELQYESHEM !
    PER PARIMET MORALE…PER ATO DUHET TE VOTOJME.
    BRILANT.

  5. studenti says:

    Te gjitha analizat e bere jana analiza alla Kastriot Islami.

  6. VforVendetta says:

    Cfare kerkoni more njerez? Asnje nga ju te zhgenjyerit nuk doli kurre te mbeshteste Ramen ne nismat e tij ne shesh ne greve urie,ju pelqeu te tereve te benit opozite nga kolltuku i shtepise e ne facebook. E tani jeni merzit se helbete kishit fillu me bo plane ku do filloshit pune e ju vje inat ta ndani torten me Meten me LSI

  7. Nga USA says:

    Populli i zhgenjyer denoi Klintonin?!!!!!!
    Mor djale, populli pikerisht pas skandalit e votoi perseri Klintonin, pasi nuk desh t’ia dinte per jeten personale te tij, por e vleresoi per ate qe beri per Ameriken. Dhe e vlereson edhe sot e kesaj dite. Sa per garen Al Gore-Bush dihet fare mire ketu se si erdhi Bush ne fuqi. Perpara se te besh krahasime informohu me mire per politiken ne SHBA.

  8. drini says:

    Analize e perkryer per nje kualicioni imoral.Bravo.Hajduti Meta i ka vene kusht qe per fushate te perdori slloganin “ME METEN FITOJNE TE GJITHE”.Nga te gjithe dihet tashme se Rama eshte nje njeri pa ideologji pa kah,qe siç edhe e pohon vete ‘Pertej se majtes e te djathtes’.Ne politike ai hyri me te vetmin qellim rrezimin e atij qe i dha levat ne koke e asgje me shume .Eshte e pa pranueshme qe pianeci Nano te largohet nga PS si nje njeri pa moral e ne vend te tij te perkrahet nje tjeter amoral qe per çudi ne vend qe te beje nje reflektim te jep dhe leksionin. ç’fare te duhet te nderi kur je i pabreke!Populli duhet te zgjohet njehere e mire e te zhduke nga skena politikanet pa moral qe kane zaptuar kete arene qe prej 23 vjetesh.Ka ardhur koha qe ai qe duhet te vije ne drejtimin e vendit duhet te jete njeri me moral qofte i majte e qofte i djathte apo i qendres.Hapni syte e gjyoni ,vrasesit e amoralet mos haroni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje