Rotacioni paqësor i pushtetit dhe rritja ekonomike

3 Prill 2013, 18:13Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Në një shkrim të mëparshëm në respublica.al, kam argumentuar se shteti shqiptar, pavarësisht se kush e fiton pushtetin në qershor, do ta ketë të vështirë të bëjë ndërhyrje kundërciklike në ekonomi brenda një horizonti kohor afatmesëm (2-3 vjeçar), sepse do t’i duhet të përballet nga njëra anë me FMN-në, BB-në, OBT-në, BE-në etj., në lidhje me ndërhyrjet fiskale, dhe nga ana tjetër, me shumicën e konsumatorëve shqiptarë dhe kreditorët e huaj, në lidhje me ndërhyrjet monetare.

Një alarm rreth rreziqeve afatmesme për ekonominë shqiptare e dha së fundi edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili, në daljen e tij të fundit publike, paralajmëroi se “rreziqet kryesore që kërcënojnë stabilitetin ekonomik të vendit lidhen me rritjen ekonomike, pasi një sërë sinjalesh që vijnë nga sektori real dhe ai financiar tregojnë që tkurrja e bilanceve të konsumatorit dhe njëkohësisht ngadalësimi i investimeve të përdorura deri tani nga agjentët ekonomikë privatë si masa mbrojtëse ndaj krizës mund të kthehen në një dëm të prospektit afatmesëm të rritjes ekonomike”.

Po në një horizont kohor afatgjatë (15-20 vjeçar), çfarë perspektive ka ekonomia shqiptare? Për të hamendësuar se ku mund të shkojmë, le t’i hedhim një vështrim të shkurtër rrugës që kemi bërë për të mbërritur këtu ku jemi.

Pas trazirave të viteve 1996-98, situata politike e Shqipërisë pati një normalizim relativ të jetës politike – opozita e atëhershme vazhdoi ta quante Kuvendin e Shqipërisë “parlamenti i kallashëve”, por të paktën nuk i sulmoi më institucionet me kallashë. Ai normalizim relativ u pasua me zgjedhjen konsensuale të presidentit në vitin 2002 dhe me ndërrimin e pushtetit me zgjedhje normale në 2005-ën, të parin në historinë e shtetit shqiptar (zgjedhjet e 1992-shit kishin qenë të parakohshme, të mbajtura pas një kolapsi total të vendit).

Dhe jo rastësisht, periudha 1999-2009 ishte edhe dekada e një bumi të paparë ekonomik për Shqipërinë – rritja mesatare e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë asaj dekade ishte 6% në vit.

Ndërtimi dhe sektorët e lidhur me të u bënë lokomotiva e atij bumi ekonomik. Rritja mesatare e PBB-së vetëm në sektorin e ndërtimit ishte tre herë më e lartë se ajo e gjithë ekonomisë – plot 18% në vit! Kjo rritje spektakolare e ndërtimit u financua kryesisht nga valuta e ardhur në Shqipëri prej emigrantëve dhe prej trafiqeve ilegale, valutë e cila u përdor për blerje apartamentesh ose ndërtime shtëpish dhe objektesh private. Ndërkohë, një rol jo të vogël në rritjen e ndërtimit luajti edhe financimi i shtetit për përmirësimin e infrastrukturës (rrugë, ujësjellësa, godina publike, etj.), i bazuar kryesisht në huamarrje të jashtme.

Por në 4 vjetët e fundit, prurjet e valutës nga emigrantët dhe trafiqet ilegale janë pakësuar ndjeshëm, gjë që reflektohet në deficitin e bilancit të pagesave të raportuar nga Banka e Shqipërisë, si dhe në zhvlerësimin e lekut në këto 4 vjet (kursi i këmbimit Euro-Lek ka shkuar nga 1 me 123 në mesin e 2009-ës, në 1 me 140 aktualisht). Por edhe huamarrja e qeverisë nga burime të jashtme është vështirësuar së tepërmi pas 2009-ës, ngaqë borxhi publik e ka kaluar nivelin e rrezikshëm 60% të PBB-së. Ndërkohë, kërkesa për ndërtime të reja ka rënë në krahasim me periudhën 1999-2009, gjë që e tregon edhe përqindja e lartë e banesave të pabanuara, që raportoi censusi 2011 – plot 33%!

Duke shikuar përpara, për dekadat në vijim, lokomotivë e ekonomisë mund të bëhen sektorë si turizmi, agrobiznesi, industria minerare-përpunuese dhe sektori energjetik. Dhe kjo lokomotivë mund të tërheqë vagonët e tjerë të ekonomisë si tregtinë, shërbimet, ndërtimin, sektorin financiar etj.

Që sektorët e mësipërm të bëhen lokomotivë e ekonomisë, kërkohet një infuzion serioz investimesh në to. Por investitorët seriozë i hedhin paratë e tyre atje ku perceptojnë se ka garanci institucionale dhe politike për investimet. Dhe fatkeqësisht, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria ka qenë vendi me nivelin më të ulët në Ballkan për investimet e huaja direkte për frymë në çdo vit të dekadës së fundit (pas përfundimit të luftërave të ish-Jugosllavisë).

Që perceptimi i mësipërm i investitorëve të krijohet, duhet që të arrihet stabiliteti politik, kaq i munguar në 100 vjetët e shtetit shqiptar. Gjatë një shekulli, rotacioni i pushtetit në Shqipëri ka qenë gjithnjë traumatik, madje disa herë, edhe i përgjakur. I vetmi rotacion normal i pushtetit është kryer në vitin 2005. Dhe një i dytë në 23 qershor të këtij viti, do t’u jepte investitorëve seriozë sinjalin se stabiliteti politik, më së fundi, është arritur edhe në Shqipëri – historia ka treguar se stabiliteti politik ka qenë gjithnjë një magnet i fuqishëm për investime serioze afatgjata kudo në botë.

Që perceptimi i mësipërm i investitorëve të krijohet, duhet që në Shqipëri të arrihet një konsensus i gjerë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, në përputhje me eksperiencën e vendeve të ngjashme ish-komuniste. Investitorët seriozë nuk para investojnë në një vend ku konfliktet e pronësisë shkaktojnë hedhje në erë apo djegie të objekteve, si në Fushë-Krujë apo Kakome, për shembull.

Së fundi, që perceptimi i mësipërm i investitorëve të krijohet, duhet që të arrihet një stabilizim institucional e administrativ. Investitorët seriozë nuk para investojnë në një vend ku administrata është arbitrare dhe institucionet nuk janë të pavarura.

Por, a do të mjaftonte plotësimi i këtyre tre kushteve që investitorë seriozë të investojnë në mënyrë masive në Shqipëri? Fatkeqësisht, ato janë kushte të domosdoshme, por jo të mjaftueshme…

4 komente në “Rotacioni paqësor i pushtetit dhe rritja ekonomike”

  1. Tironsi "ZZ" says:

    Gjithmone sipas INSTAT,BSH,Notarit,… qe do te thote sipas Sales
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/03/nana-pede.html

  2. elit says:

    BRAVO, kam studiuar Ekonomi jashte shtetit dhe tani po bej master mbi Ekonomine dhe Teknologjine e Avancuar. Ke bere nje analize – edhe pse disi te limituar por gjithesesi mjaft koncize ne kornizat e nje artikulli gazete – shume te sakt dhe ashtu si themi ne gjuhen popullore I ke rene pikes! Pergezimet e mia me te sinqerta, nga nje vend fqinj.

  3. Treviso says:

    Une do ta quaja rotacion paqesor, por pa prespektive rritje te ekonomise se vendit.
    Zoti Eduart Zaloshnja e ka sqaruar shume mire ne shkrimin e tije.
    Une do te flisnja jashte gjuhes gazetareske per te ardhmen e ekonomise.
    1-Borxhet e marra pa limit, jane keqperdorur nga administrata.
    Valuta eshte nderprere nga emigrantet qe ishte si nje rrubinet qe furnizonte shtetin rregullisht, por u keq trajtua po nga administrata.
    Shteti ka krijuar politika qe kundershtojne ardhjen e investitoreve dhe nuk ka nje ligj qe ta garantoje investitorin. Pastaj nuk mund te flasim per ligjet kur mungon organi zbatues.
    Si do te zhvillohet ekonomia ku padrone te saje jane mafjoze qe do jene te lidhur me qeverirne e ardhshme? Si do ta kontrolloje qeveria ekonomine ku brenda saje do kete drejtues mafjoze?.
    Situata qe po kalon ekonomija europiane eshte e dis faforshme per ekonomine shqiptare plus politika ere e krijuar do jete e dis faforshme. Populli do te vazhdoje te jetoje po ne ato kushte dhe mos me keq.
    Populli nje fafor ka ne dore, te votoje partine me moral qe tju vije morali i humbur.

    1. moralisti says:

      Dhe cilat jane partite me moral, Treviso? Me trego njeren prej tyre, te lutem, se vota ime dhe e familjes time do te shkoje per te ne menyre demonstrative!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje