Transporti publik në vend, është një odise/turp më vete!

7 Maj 2013, 19:41Blog TEMA

Nga Griselda Qosja

Nëse ndonjëherë keni kaluar në Rrugën e Elbasanit, pranë 21 Dhjetorit apo Zogut të Zi, do të keni ndeshur me patjetër në pyetjet e zakonshme: “A je për në Elbasan, Shkodër apo Vlorë? Ndonjëherë do të keni ndeshur edhe në insistimin e ngarësve të fugonave apo autobusëve, paçka se jeni përpjekur t’u shpjegoni se jo, atë ditë nuk ju duhet të udhëtoni.

Ndonjëherë tjetër, nëse nuk lëvizni me makinën tuaj, të miqve apo prindërve, ndoshta edhe ju është dashur të prisni për minuta të tëra për t’u nisur drejt destinacionit të kërkuar me furgonat apo autobusët që kryejnë transportin ndër urban në Shqipëri.

Nëse jeni nazeli për standardet shqiptare, do të jeni ndjerë keq që nuk keni mundur të vendosni rripin e sigurimit, sepse me përjashtim të vendit të ngarësit, të gjithë të tjerët janë të shkulur. Pastaj gjithnjë nëse jeni i ndjeshëm me nuhatjen, mund t’ju ketë ardhur shumë rëndë përgjatë gjithë udhëtimit, për shkak se mjetet e transportit janë shumë të vjetra dhe të papastruara prej kohësh.

Ndoshta pasi të arrini në destinacion, pas një mijë e një peripecive, që mund të përfshijnë në varësi të rastësisë, një ndalesë nga policia rrugore, tangërllëkun e rastit të policit dhe përpjekjen e ngarësit që megjithëse në faj, uron të shpëtojë me një shumë të vockël nën dorë; një përplasje të lehtë, meqenëse mjeti udhëton me shumë shpejtësi dhe nuk arrin të frenojë në kohë; ndonjë zënke të rastit me ndonjë që nuk mund të paguajë çmimin e caktuar, duke qenë se sipas tij është më shumë se ç’duhet, e me radhë të tjera situata të ngjashme, do të mund të bindeni se transporti publik ndër urban në këtë vend vijon të mbetet një prej shqetësimeve më të mprehta.

Kryesisht transporti publik ndërurban në Shqipëri vepron vetëm ndërmjet furgonave, minibusëve dhe autobusëve, duke qenë se rrjeti hekurudhor i ndërtuar vite të shkuara, jo vetëm që nuk mbulon të gjithë vendin, por ndër të tjera është i pasigurt, i vjetër, i ngadaltë dhe i pa mirëmbajtur, në një gjendje shumë herë më të keqe se në cilido vend të rajonit.

Në pjesën më të madhe të qyteteve nuk ekziston një vend i caktuar, terminal nga prej ku mund të nisesh në cilindo prej destinacionve të dëshiruara, ku mund të blesh një biletë për një orar të caktuar, çka të mundëson organizimin e kohës dhe të udhëtimit, dhe të shmang kohën e gjatë të pritjes nën diell apo nën shi.

Gjithaq, një pjesë e mjeteve të transportit ndërurban janë të vjetra dhe disa prej tyre nuk përmbushin standardet minimale të sigurisë, si pasja e rripit të sigurimit, një udhëtar një sedilje, duke qenë se në varësi të dëshirës së ngarësit, një sedilje mund të ndahet edhe midis dy njerëzve dhe ngandonjëherë nëse ka ndonjë copëz hapësire të lire vendoset një stol apo karrige e sajuar, si vend ku mund të ulet një udhëtar. Ngandonjëherë bagazhi shërben si hapësire për udhëtarët, të cilët lëvizin drejt fshatrave të afërt, shpeshherë fatkeqësisht të moshuar.

Edhe në ndodhtë qe policia rrugore t’i ndalojë, pas lutjeve të shumta të ngarësit, i lejon udhëtarët të ngjeshur si në një kuti sardele të vijojnë odisenë e tyre, edhe kur përveç tejkalimit të numrit të udhëtarëve që mund të mbajë mjeti, ndeshen edhe në faktin se ngarësi nuk ka kryer kontrollin e detyrueshëm vjetor.

Sigurisht, me të drejtë nëse ju ka qëlluar të jeni udhëtar në të tilla raste do të jeni inatosur, sepse bëhet fjalë për sigurinë dhe jetën tuaj. Por si një qytetar i thjeshtë, qofshi student, pensionist apo nëpunës, transporti publik është e vetmja mundësi për të udhëtuar.

Pas kësaj, me të arritur në qytetin për ku ishit nisur, nëse banoni larg prej vendit ku zbrisni prej fugonit apo autobusit, do t’ju duhet të merrni autobusin urban që të shkoni në shtëpi apo punë dhe kjo është gjithaq një odise më vetë.

E para sepse autobusi është i mbimbushur, i vjetër, me erë të rëndë, dhe as që bëhet fjalë që të respektohet një largësi minimale nga njeri udhëtar tek tjetri. Pastaj me siguri do t’ju duhet të ruani edhe çantën apo xhepat nga vjedhësit e rastit. Apo të uroni që ndonjë zënkë e rastit të mos ndodhë dhe që kur disa prej udhëtarëve të zbresin apo ngjiten, fatorinoja i zellshëm të mos i detyrojë të nxitojnë, ndryshojnë vend apo të ngjiten pas njëri- tjetrit.

Me siguri mund edhe të kesh pyetur veten në ato çaste se përse askush prej qytetarëve nuk reagon. Mos ndoshta kanë reshtur së besuari se diçka mund të ndryshojë apo thjesht i janë dorëzuar gjendjes? Nuk janë të ndërgjegjësuar mjaftueshëm dhe se ka një rëndësi jetësore për një vend? E se duhet të jetë ndërlidhësi kryesor ndërurban dhe jo vetëm se duhet të mundësojë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët, me një çmim të përballueshëm e shumë herë më të ulët se ngarja e makinës apo marrja e taksisë. Ndofta edhe ti si shumë të tjerë do të kesh menduar me shumë gjasë se nëse transporti publik do të respektonte qoftë edhe standardet bazike, shumë më tepër njerëz do ta përdornin pas kësaj atë. Duke pakësuar kështu ndjeshëm numrin e makinave dhe të trafikut e sigurisht edhe duke pakësuar sasinë e dioksidit të karbonit të emetuar në ajër.

Por bën kohë prag zgjedhjesh dhe me siguri një problem i tillë lihet jashtë vëmendjes dhe debateve parazgjedhore, fatkeqësisht. Duke qenë se më së shumti prek studentë, pensionistë, e shtëpiakë (se thuajse çdo shqiptar tjetër e ka një makinë). Të cilët të mësuar qyshkur, që prej kohës së lindjes, siç thotë një këngë e Xhon Lenonit, me faktin se nuk mund të bëjnë asgjë,  edhe këtë herë qëndrojnë duarkryq.

1 komente në “Transporti publik në vend, është një odise/turp më vete!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje