Një javë më parë, një raport i nxjerrë nga Banka Botërore ka dhënë një numër të frikshëm për sa i përket analfabetizmit funksional. Gati më shumë se gjysma e 15 vjeçarëve shqiptarë janë të paaftë të perceptojnë realitetin që i rrethon… Ndërsa politika është zhytur në retorika absurde, specialistët komentojnë se kjo është një katastrofë kombëtare, ndërsa ka ardhur momenti që përgjegjësit të ndërgjegjësohen për t’iu rënë kambanave të alarmit
Nga Gladiola Bendaj, JAVA
Nëse dje dhe sot më shumë se gjysma e adoleshentëve nuk janë të aftë të kuptojnë atë që lexojnë dhe realitetin që iu përcillet përmes librave, nëse sot e gjithë ditën politika e shurdhët e përdor alarmin vetëm për retorikat e radhës, atëherë ç’mebetet të thuhet për të nesërmen, pas 20 vjetësh, kur ata do të përbëjnë gjysmën e popullsisë aktive e cila do të duhet të marrë përsipër zhvillimin e vendit? Nëse ka një retorikë që qëndron pezull, është pikërisht kjo. Të gjithë e dinë përgjigjen, pak zgjedhin të flasin, dhe jo nga pragmatizmi.
“Kjo do të thotë se kjo shoqëri jo vetëm që e vuan këtë problem, por as nuk e pranon që e ka dhe e konsideron si diçka normale”, e mbyll komentin e tij pedagogu Ermal Hasimja. Sipas tij shifra mund edhe të jetë e ekzagjeruar, por ama problemi që ajo konstaton është i dukshëm dhe i frikshëm. Ndërsa arsyet janë një zinxhir i gjatë. Për pedagogen Mirela Kumbaro “kjo shifër është produkt i politikave të këqija sociale dhe arsimore të të gjitha qeverisjeve të këtyre 20 viteve. 15-vjeçarët nuk janë as të opozitës dhe as të shumicës, ata janë të ardhmërisë. Ne sot, me politikat tona, ose e nxijmë ose e zbardhim të ardhmen…”.
Për sociologun Zyhdi Dervishi, historia ka nisur të gjenerojë këtu e 30 vjet më parë, në fakt. Megjithatë, sot arsyet e degjenerimit në një shifër të tillë janë të qarta: “Tekste të shkruara nga amatorë që mësojnë dorën me tekstet e shkollës, mësues të pakualifikuar dhe jo të pasionuar pas zanatit, natyrisht prodhojnë nxënës analfabet funksionalë, deri edhe studentë analfabet funksionalë”. Ose, siç do t’i quante ndryshe pedagogu i njohur Edmond Tupja, një popull “autik”. Është e frikshme të besosh në një autizëm masiv, e megjithatë, nga patologjia e vërtetë, duket se këtë fenomen pakogjë e ndan. “No comment” preferoi të qëndronte rektori i Universitetit të Tiranës, i pyetur nga revista lidhur me fenomenin e bërë publik prej mediave një javë më parë.
Ermal Hasimja: Shifra e ekzagjeruar, por problemet ekzistojnë
Pedagogu shpjegon se në shumicën e rasteve, atyre u duhet të bëjnë përpjekje rishtare me disa elementë të formimit të studentit, që duhet të ishin dhënë që në gjimnaz
Nuk mund ta konstatoj problemin që nxjerr në pah raporti në institucionin ku punoj, sepse studentët aty janë të një niveli mbi mesataren. Megjithatë, gjatë 12 viteve pune si pedagog në universitete të ndryshme kam konstatuar probleme të vazhdueshme me formimin e maturantëve kur kalojnë në stadin e studentit. Ndoshta shifra e raportit më duket pak e ekzagjeruar, mirëpo problemi që ajo konstaton është i dukshëm dhe i frikshëm. Shpesh, ne pedagogëve na duhet të merremi me disa elementë të formimit të studentit, që duhet të ishin dhënë që në gjimnaz. Sidomos me strukturimin e mendimit dhe mendimin kritik. Fakti që studentët kanë vështirësi të tilla janë njëfarë dëshmie e problemit që konstaton raporti, sepse paaftësia për të kuptuar është arsyeja kryesore e të mësuarit përmendësh apo paaftësisë për të menduar mbi bazën e tekstit.
Arsyet janë të shumta. Së pari mendësia e kalbur e një shoqërie që mashtron veten me nota fiktive: prindërit mashtrojnë fëmijët dhe veten, mësuesit mashtrojnë fëmijët dhe prindërit, fëmijët mashtrojnë veten dhe prindërit. Dhe në fund gjejnë punë në shtet ose përfundojnë mish për top elektoral duke kërkuar “drejtësi sociale” dhe “rishpërndarje të drejtë”. Së dyti kemi një sistem inflacionist që nuk mundëson dallimin e nxënësve nga njëri-tjetri. Nga të gjithë ata që dalin me dhjeta nëpër shkollat tona, përfshi edhe gjimnazet, vetëm një pakicë i meriton vërtet. Fajtorë janë prindërit, mësuesit, fëmijët dhe autoritetet që tolerojnë situatën. Së treti, kemi plot mësues të paaftë që shmangin mendimin kritik dhe nxisin të mësuarit përmendësh, domethënë të mësuarit pa patur nevojë të kuptohet mësimi, sepse kjo është mënyra e vetme që kanë për ta krahasuar informacionin e tekstit me atë që thotë nxënësi.
Përgjigjet që kanë politikanët janë zakonisht qesharake dhe përmblidhen kryesisht në rritjen e buxhetit. Por në fakt rritja e buxhetit nuk garanton asnjë, sepse nuk lidhet drejtpërdrejt me asnjë nga arsyet e problemit. Kjo do të thotë se kjo shoqëri jo vetëm që e vuan këtë problem, por as nuk e pranon që e ka dhe e konsideron si diçka normale.
Mirela Kumbaro: Situata është alarmante. Është për të ardhur keq politizimi që po i bëhet
Sipas pedagoges kjo shifër është produkt i politikave të këqija sociale dhe arsimore të të gjitha qeverisjeve të këtyre 20 viteve
Duhet të shmangim që në fillim rrezikun e ngatërrimit të këtij fenomeni me analfabetizmin klasik dhe, sidomos, abuzimin që mund të bëhet nga retorika politike e rënduar prej zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për paaftësinë në të lexuar dhe në të shkruar, jo sepse individi nuk ka asnjë shkollim, por sepse ka humbur aftësinë e të kuptuarit dhe të të shkruarit që ka nxënë në shkollë.
Ky lloj analfabetizmi nuk është tipik shqiptar. E gjejmë kudo, edhe në vendet e zhvilluara. Por ajo që mua më shqetëson jashtë mase, është fakti se, sipas këtij studimi, ai karakterizon më shumë se gjysmën e 15 vjeçarëve të vendit tonë.
Në vendet me zhvillim normal, këtë fenomen e gjejmë te moshat e rritura, që e kanë kryer shkollimin bazë në vitet ’60, kur Europa nuk kishte të njëjtin nivel arsimimi që ka sot, çka jep shifra midis 10 dhe 20 % të popullsisë nga 18 deri 65 vjeç, që vijnë nga shtresa më të defavorizuara të shoqërisë.
E megjithatë, në këto vende alarmi është shumë i madh, madje Franca, që sivjet e ka ulur në 8% (18-65 vjeç) e ka shpallur sërish analfabetizmin funksional si kauzën e vitit 2013.
I dhashë këto shembuj për të kuptuar se shifra e raportuar nga BB-ja për 15-vjeçarët shqiptarë është shumë shqetësuese.
Nëse më shumë se gjysma e tyre “diagnostikohen” si analfabetë funksionalë, mund të përfytyrojmë se si do të jetë pas 20 vjetësh gjysma e popullsisë aktive e cila do të duhet të marrë përsipër zhvillimin e vendit.
Do të kisha qenë më e qetë sikur këto shifra të vinin nga statistikat kombëtare, sepse kjo do të thoshte se qeveria do ta kishte marrë seriozisht këtë problem dhe me siguri do të kishte menduar një strategji kombëtare, arsimore dhe sociale, për ta shëruar.
Është për të ardhur keq kur shohim se si politizohet ky argument nga kalendari elektoral i ditës, ndërsa dua të theksoj se kjo shifër është produkt i politikave të këqija sociale dhe arsimore të të gjitha qeverisjeve të këtyre 20 viteve.
15-vjeçarët nuk janë as të opozitës dhe as të shumicës, ata janë të ardhmërisë. Ne sot, me politikat tona, ose e nxijmë ose e zbardhim të ardhmen.
Zyhdi Dervishi: Fenomeni është pjellë e anarkisë në arsim
Sociologu i njohur nuk e fsheh keqardhjen teksa thekson se kjo shifër e BB duhet të jetë kambanë e fortë alarmi për të ristrukturuar rrënjësisht sistemin arsimor
Më trishton kjo shifër e dhënë nga Banka Botërore. Mua nuk më interesojnë shumë komentet e kaheve politike, sepse janë komente të politizuar. Unë gjithë jetën kam punuar për shkollën shqiptare, kam qenë dhe jam pedagog në universitet. Por ndërkohë kam shkruar tre libra sociologjie për shkollat e mesme që kanë qenë dhe janë në qarkullim. Me keqardhje them se shkolla shqiptare nuk i mëson nxënësit dhe studentët se si të mirëpërdorin gjuhën shqipe. Jo vetëm 15 vjeçarët, por edhe në shkollë të mesme, madje dhe në universitet ka jo pak studentë që nuk njohin logjikën e gjuhës shqipe. Shpesh të tjera gjëra duan të thonë e të tjera gjëra thonë. Me keqardhje them që shkolla shqiptare gjatë pothuajse 30 vjetëve të fundit ka patur një rënie graduale. Kjo rënie ka filluar, sepse, sipas mendimit tim, gjatë vitit ’83 – ’84, rënia është totale në të gjitha drejtimet. Tekstet që marrin nëpër duar nxënësit dhe studentët janë shkruar dhe po shkruhen gjithnjë e më keq. Autoriteti i mësuesve dhe pedagogëve është thërrmuar dhe po thërrmohet. Ndërkohë, mediat e ndryshme nuk ofrojnë modele komunikimi fin, logjikë, por ofrojnë modele komunikimi vulgar, deri në shëmti. Unë drejtoj seminare me studentë të niveleve master dhe vë re që kanë shumë defekte në komunikimin gjuhësor. Nuk arrijnë të ndjekin logjikën e fjalës dhe më duhet shpesh të bëj analiza fjalësh, tekstesh, për t’i futur në logjikën e gjuhës shqipe.
Për mua, edhe këta njerëz që nuk njohin logjikën e gjuhës amtare janë analafabetë funksional. Shoqëria shqiptare ndodhet përballë shumë sfidash sot, por sfida kryesore, sipas mendimit tim është ristrukturimi i sistemit të shkollimit, shndërrimi i shkollimit në një proces të bazuar mirë logjikisht dhe në një proces që bazohet në meritokraci. Unë mendoj se për të, mos patur analfabet funksional lipset të ristrukturohet hartimi i teksteve që në klasën e parë fillore deri në vitin e fundit universitet. Hartimi i teksteve lipset të bëhet nga profesionistë të klasit të parë e jo nga amatorë e shtëpi botuese amatoreske. Nxënësve dhe studentëve, në forma të ndryshme u duhen ofruar tekste shumë të sakta gjuhësisht dhe të shkruar me shumë elegancë. Me keqardhje them që magjitstarët e gjuhës shqipe, korifejtë e gjuhës shqipe kanë dalë nga qarkullimi. Por jo për arsye politike, por për interesa ekonomike mizerabël. Aq sa e njoh unë gjuhën shqipe, ndoshta kryemagjistari i gjuhës shqipe është Eqerem Çabej. Mjaft tekste të tij lipset të studiohen në pothuajse gjithë nivelet e shkollimit me qëllim që të mësohet gjuha shqipe. Ne kemi një gjuhë shumë të pasur, shumë të normuar, shumë të aftë për të shprehur nuancat më të holla të mendimit shkencor, filozofik, artistik etj.
Mësuesit që i shtjellojnë tekstet nuk punojnë me pasionin e duhur, të paktën për dy arsye kryesore. E para një pjesë e tyre nuk janë profesionistë, nuk njohin shkencën dhe e dyta, një pjesë e tyre nuk njohin artin e mësimdhënies. Pra, tekste të shkruara nga amatorë që mësojnë dorën me tekstet e shkollës, mësues të pakualifikuar dhe jo të pasionuar pas zanatit, natyrisht prodhojnë nxënës analfabet funksionalë, deri edhe studentë analfabet funksionalë. Kjo çështje është një sfidë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Shqiptaret bëhen shumë qesharakë, kur shprehen se pretendojnë se dinë disa gjuhë të huaja, në të vërtetë ata nuk njohin as gjuhen shqipe. Shkencëtari më i shquar në fushën e gjuhësisë, Eqerem Çabej, komunikonte në 12 gjuhë të huaja, por në kurikulum shënonte vetëm dy, shqip dhe gjermanisht, meqë ishte arsimuar në gjuhën gjermane.
Unë mendoj se kjo shifër e BB duhet të jetë kambanë e fortë alarmi për të ristrukturuar rrënjësisht sistemin arsimor.
Këtu ka anarki. Anarkia në arsim është shumë e rëndë. Sa të ketë anarki do prodhohen më shumë analfabetë funksional.
Edmond Tupja: Po kthehemi në një popull “autik”
Sipas pedagogut, katastrofa e kësaj shifre vjen më pas. Procesi i edukimit, qytetërimit, kulturës dhe arsimimit po vishet nga një lustër e frikshme që po fabrikon gjysmëinjorantë
Të dhënat që flasin për analfabetizmin funksional tek 15-vjeçarët e sipër janë alarmuese. Dhe unë parashikoj që ne po shkojmë drejt një katastrofe në këtë drejtim, jo vetëm intelektuale, por edhe më shumë, se po fabrikojmë gjysmëinjorantë. Kush do t’i qeverisë te ne brezat e ardhshëm? Sepse do kemi një lustër qytetërimi, një lustër edukate, një lustër kulture dhe poshtë lustrës do kemi një boshllëk të frikshëm.
Për mua, shifra të tilla të atij që quhet analfabetizëm funksional janë një katastrofë kombëtare. Unë e shoh te studentët, shoh të rinjtë si flasin sot, si shkruajnë, si shprehen, si komunikojnë.
Më kujtohet, jo shumë kohë më parë, një studente të gazetarisë, e theksoj, e gazetarisë, kishte një detyrë dhe më kërkoi një intervistë. Dakord i thashë. Më çon tre rreshta, me 36 fjalë dhe në 36 fjalë, studentja e gazetarisë së vitit të dytë, kishte 30 gabime. Dhe unë i përgjigjem se, në këto kushte, nuk pranoje t’i jepja intervistën e premtuar. E shikoni se si edhe vetë studentët vërtetojnë të ardhmen e mynxyrshme të arsimit dhe kulturës në Shqipëri?
Të lexuarit dhe të moskuptuarit është një sindromë shumë e rrezikshme. Ju keni dëgjuar të flitet për autizmin. Ka fëmijë autikë që mësojnë të shkruajnë. Shkruajnë dhe lexojnë shumë bukur. Kur prindi i një fëmije të tillë ikën dhe i lë një copë letër në shtëpi, p.sh.: “Gjellën e ke në frigorifer”, ky e merr letrën, e lexon dhe rri e pret të vijë e ëma t’i japë për të ngrënë, se nuk e kupton atë që është shkruar. Pra, ne sot rrezikojmë të kthehemi në një popull “autik”, në një popull papagall. Madje unë mund ta quaj këtë papagallizim të popullit shqiptar.
Lidhur me shkaqet, kjo u takon më mirë sociologëve ta thonë, por mendoj që shteti, shoqëria, intelektualët që janë të fragmentizuar duhet t’i bien kambanës së alarmit në këtë pikë.
Procesi i edukimit është një proces që varet nga shumë faktorë. Unë si pedagog përpiqem ta bëj punën time, por mjaft studentë janë të pamotivuar, nuk studiojnë as një orë në ditë e jo më tepër. Unë jam përditë përballë tyre dhe e shoh këtë. Nuk kanë dëshirën për të studiuar. Të jetë vallë një prirje e të rinjve në vendet në zhvillim? Ti e çon internetin kudo, në çdo cep të Shqipërisë. Ç’kuptim ka? Që vetëm të informohemi, të “fejsbukohemi”? Njerëzi nuk janë të motivuar, s’kanë të ardhme, shohin që punë s’ka, duan të ikin jashtë shtetit. Drogohen me çdo gjë, drogohen me drogë, drogohen me lodra, rrinë nga pesë orë në kafe… plus pastaj, arsimi privat, me “bëmat” e tij, ndonëse ka universitete private që janë të mira, po nja tre a katër, po ashtu edhe shkolla të mesme private serioze ka, përpiqemi dhe ne të arsimit të arsimit publik të bëjmë diçka, por nuk mjafton, mjerisht.
Studiuesit…!
Kush?
Ata si Dule Bollano apo Ngjela,apo ai mjekerr cjapi grek ne kishat Ortodokese SHQIPETARE.
Ja nje shembull tipik i analfabetit funksional, ilustrim i asaj qe thote profesori: “Shpesh të tjera gjëra duan të thonë e të tjera gjëra thonë.”
…e tmerrshme. Ndersa Sali krimineli del dhe kerkon votat e 16 vjecareve, ne vend qe te shqetesohet per kete fenomen te frikshem. Por, jane pikerisht politikat antikombetare te ketij antishqiptari te betuar dhe te hordhise qe e zbriti nga shpellat, per kete masaker qe i behet arsimit ne Shqiperi. Ka vendosur qe te na mesoje edhe shpellarcen ne vend te shqipes letrare…
TIRANA DURRESI SHKODRA VLORA FIERI ELBASONI OSHT MUSH KETO 23 VITE ME POPULL AUTIK DHE MENCURIA KA VDEK NJEHERE E PERGJITHMONE NE POPULLIN TONE
Ne kohet e sotme njerezit perpiqen per te siguruar nje jete sa me te rehatshme ,te bazuar ne anen materiale te gjerave.Dhe kjo ka bere qe shpesh here te harrohen vlerat e vereteta te jetes,sidomos dija.Kjo dukuri ka prekur te gjithe boten dhe ndoshta me shume Shqiperine.Compiuteri eshte nje zbulim shume i rendesishem ne ditet tona,por ne shumicen e rasteve perdoret ne menyre te gabuar,Kjo sjell humbje kohe dhe largim nga kultura e vertete qe ne pergjithsi jane :literatura,muzika,artet,sportet etj. Kur te rinjte e nje populli nuk edukohen, nuk mesohen dhe nuk futen ne rrugen e nje kulture ,arti ,literature dhe sporti te vertete,ky popull per fat te keq eshte drejt rruges se humbjes.Eshte gjuha,zakonet,arti ,traditat qe e mbajne nje popull ne kembe .Por kur edhe folesit e televizorit ,edhe shume nga te ashtuquajturit intelektuale,kur flasin ,gjysmen e fjaleve e thone italisht ose anglisht ,atehere cfare mund te presim qe te mesojne te rinjte tane.Kush jane shembujt e te rinjve tane?.Une nuk njoh asnjeri per tu marre si shembull ,neqoftese ju njihni ,ma thoni dhe une do te jem i lumtur te mesoj qe te rinjte tane kane shembuj te vlefshem ,te diteve tona per ti ndjekur.Mitet e te rinjve tane jane futbollistet milionere ,balerinat me talente te varfra,apo politikanet e korruptuar.Mendimi i nje njeriu te thjeshte sic jam une eshte:se e vetmja rruge shpetimi i kesaj rinije eshte rizbulimi i vlerave te popullit tone dhe mendoj se po te germojme ne te kaluar do te gjejme pa dyshim.
lllllllllll
Lidhja e anafabetizmit me teorine anarkike eshte teresisht e gabuar.Ftoj z.Dervishi qe para se te shkruaj nje artikull te studioje dhe te jete i pregatitur per ate qe ai thote,sepse ne kete rast ka ofenduar mijra e mijra intelektuale ne bote qe kane dedikuar dhe perkrahur fillozofine e sistemit te anarkise ,duke e konsideruar si majen e lirise personale.Dhe nga pervoja jone shqiptare e dijme mire se sa i demshem eshte sistemi totalitar .Ftoj z.Dervidhi te lexoi Prudhom,Bakunin,Malatesta etj,qe ne teorite e tyre i japin maksimumin e lirise individit ,per te jetuar dhe vepruar pa nje klase drejtuese,qe gezon vetem privilegje.Nje klase drejtuese mediokre.korruptuese,dembele qe quhet politike.Por ,sigurisht qe eshte veshtire ne bote dhe sidomos ne Shqiperi qe politikanet te heqin dore nga poltronet e tyre.Eshte e gabuar z.Prof.kur thoni qe ekziston anarkia ne Shqiperi.Ne Shqiperi mbeteron politika e gabuar e S.Berishes,E,Rames etj si keto,qe kane krijuar nje klase politike qe te ben frike,duke qene pasardhes te denje te Enver Hoxhes.Ne historine e saj te dhimshme shekullore vendi yne nuk e ka njohur per as edhe nje jave anarkine.Prandaj i dashur prof,Dervishi ,neqoftese mendoni se jeni me te vertete nje intelektual i ndershem,mos i turbulloni koken shqiptareve me teori te gabuara .Ne fund po ju permend disa njerez te shquar qe simpatizuan filozofine anarkike:Tolstoj,Stirner,Berneri,dhe me vone Leonard Cohen ,Bob Dylan,Fabrizio De Andre etj,etj,etj,