“Ne jemi të shqetësuar për klimën sociale dhe politike në vend, në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme në qershor 2013. Një imazh i dëmtuar i vendit, një vit i tmerrshëm bazuar në çerekun e parë të rezultateve”, thuhet në komentet e anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, publikuar në Indeksin e Biznesit 2012-2013.
Më shumë se gjysma e anëtarëve (rreth 58 për qind) të Dhomës Amerikane të Tregtisë konsiderojnë ndërkohë se klima e biznesit në Shqipëri vitin e kaluar ka qenë jo e favorshme ose aspak e favorshme dhe pritshmëritë për klimën e biznesit për 2013-n janë më të ulëta, raporton “Shqip”.
Për 2012-n, të anketuarit (morën pjesë rreth 110 biznese, ose 60 për qind e anëtarëve të Dhomës) perceptuan nivelin e burokracisë qeveritare (66 për qind), ekonomisë informale (64 për qind), monopolin dhe konkurrencën e pandershme (58 për qind) dhe korrupsionin (57 për qind), si të lartë apo shumë të lartë./b.l