“Skaneri” i fushatës në Qarkun Shkodër

16 Qershor 2013, 19:26Blog TEMA
“Skaneri” i fushatës në Qarkun Shkodër

 

Redan BUSHATI

Publiku përtyp atë që “gatuhet” nga partitë politike, “gjella” e të cilave i jepet televizioneve e gazetave, pa ndryshuar asgjë, shabllon, për t’i pasqyruar. Në rastin më të mirë, televizionet dhe gazetat dërgojnë në ndjekje të fushatës së partive njerëzit që i përshtaten subjekteve përkatëse. Kështu, ata që rrinë me pultin në dorë dhe kalojnë nga njëri televizion në tjetrin, apo ata që ia nisin nga Piaca, kalojnë në Parrucë a çdo kioskë tjetër, marrin as më pak e as më shumë vetëm sipërfaqen e asaj ç’ngjet gjatë fushatës. E thënë ndryshe, marrin atë çka duan partitë.

Që PD e ka Shkodrën bastion të sajin, kjo nuk vlen më për diskutim. Kush pohon të kundërtën është alien. Po, kjo s’do të thotë se çdo gjë rrëshqet si thika në gjalpë. Krahasimi, ky mjet i domosdoshëm për të provuar ndryshimin mes ngjarjeve, zhvillimeve dhe gjithçkafjes, na shërben për të marrë në “optikë” fushatën në Qarkun e Shkodrës. PD lufton me shpirt ndër dhëmbë për 6-7 mandate; 8 nuk i merr sikur Taraboshi të bashkohet me Rozafën, në një përplasje ku lumi Buna për të kënaqur epshin e tyre do të tentonte vetasgjësimin e saj, duke u bërë fli për këtë “grushtim” të panatyrshëm. Pra, sa mali me malin piqen, aq do të mund PD të marrë 8 mandate nga Shkodra, ashtu siç deklaron publikisht. Vetëm nëse një nga katër kryesuesit e listës së PS dhe dy kryesuesit e listës së LSI kanë bërë aleancë me PD!!! Intrigë tjetër s’ka.

PS 3-4 mandate i ka thuajse si trëndafil në xhepin e redingotës së saj. Nëse LSI merr nga “ena e majtë”, atëherë PS do të tkurret në 3 mandate për t’i lënë një LSI-së. Në rastin më të mirë për të majtën: PD merr 5, PS 5 dhe LSI 1. Thjesht rast hipotetik, pak i ngjarë të ndodhë, kur sërish procesi zgjedhor pritet të ketë problemet e së shkuarës. Edhe sikur, është herët për të shkërmoqur një nga bastionet më emblematike të së djathtës, maksimumi mund të lëkundet, por magnituda e shkallës Rihter nuk “shfaros” dot bastionin.

 

    Përse bëhet fushatë?

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, PD po investon fuqishëm në organizimet e takimeve të saj; po punon me militantët në zgjerimin e hartës së mbështetësve dhe po përpilon çdo gjë me saktësi për ditën e zgjedhjeve: me komisionerë, vëzhgues, shoqërues të njerëzve deri në QV-të përkatëse dhe natyrisht me njerëz të inkriminuar për t’i hedhur në terren ditën e votimit. Me këta të fundit kryesisht në zonat rurale, atje ku problemet kanë qenë të vazhdueshme.

PS me anë të Doshit është përpjekur të investojë në gjithë hapësirën e qarkut, por sharra në gozhdë ka ngecur hera-herës, mu për arsyet të cilat i kam analizuar në artikullin tim të disa ditëve më parë “Keqmenaxhimi i fushatës së PS në Shkodër”. Partisë Socialiste i duhen atypari 3300 vota për të marrë mandatin e pestë. Teorikisht nuk duket e pamundur, pasi bashkimi me LSI e favorizon diçka të tillë. Mirëpo, sa siguri ka që PS ruan sasinë e votave të 2009-ës dhe PD qëndron në të njëjtat kuota ose bie më poshtë?

LSI nga ana e saj, nën përpjekjet disavjeçare, ka ndërtuar një strukturë të atillë në Shkodër, ku dita-ditës po formëson një grup jo pak të ndjeshëm përkrahësish. Kandidatët po punojnë intensivisht me mbështetësit e tyre. Takimet janë fokusuar më së shumti brenda qytetit. Praktikisht mundësia e një mandati duket e vështirë. Sidoqoftë, goxha vota do të shkojnë në “arkën” e PS.

FRD, ndonëse po zhvillon një fushatë të thjeshtë, larg vëmendjes mediatike, po bisedon kokë më kokë me njerëzit. Pjesa më e madhe e votave të kësaj partie do të vijnë nga radhët e qytetit: nga shtresat e ish-pronarëve, ish të përndjekurve dhe intelektualëve. Pjesa dërrmuese e votave të FRD, mbi 80% e tyre, janë vota të djathta, pra nga ata që kanë votuar sistematikisht spektrin e djathtë, veçanërisht PD.

AKZ dhe PR janë dy parti që, pavarësisht se nuk po kalojnë në “sitën” e analistëve, pritet të vjelin ca qindra e mijëra vota. AKZ me Bledar Metin, në dukje një djalë i përgatitur, i cili vjen nga jashtë, kërkon të bëjë risinë, në një mjedis deri diku të ngurtë. AKZ thith vota nga të pakënaqurit ndaj dy partive kryesore dhe nga radhët e rinisë. Në krahun tjetër, PR merr vota më shumë në zonat e Mbishkodrës, pasi tek qytetaria shanset janë më të pakta, përjashto ata studentë, që përmes 23 qershorit fërkojnë duart për ndonjë notë më të mirë apo diplomë në xhep.

 

    Rezultati i pritshëm

Siç thamë edhe në krye, Partia Demokratike do të dalë me shumë gjasa forcë e parë, pasi Topalli ka shpenzuar energji të shumta, duke qenë pranë çdolloj organizimi e duke marrë mbi supe fatin e këtij qarku. Kësaj here i duhet të bind edhe Berishën, që ajo është një lojtare e rëndësishme, prandaj ai s’duhet të pi duhan në fuçi baruti.

Te Partia Socialiste epiqendra e suksesit a dështimit është Tom Doshi. Ai ka marrë përsipër, në një mënyrë që mua më duket e çuditshme e surprizuese, për të udhëhequr PS drejt një rezultati të papërfytyrueshëm. Në 2011-ën, në zgjedhjet lokale, ai arriti të ketë një rol faktorizues. Mirëpo, Topalli kësaj here është mobilizuar aq shumë sa e ka të vështirë të lejojë një tkurrje tjetër të votës së djathtë. Përtej deklaratave të Doshit, sipas meje PS merr katër mandate. Të pestin mund ta sigurojë përmes atyre pikave detajuese, që unë i kam listuar në artikullin tim të lartshënuar të disa ditëve më parë, si dhe mbrojtjes së hekurt të votës e menaxhimit me sukses të listave zgjedhore, që këto ditët e fundit kanë dalë me jo pak probleme. Nëse PS arrin mandatin e pestë, atëherë ky do të ishte fundi i Topallit dhe shpërthimi i një ylli në të majtën shqiptare. Gjë që gjithsesi duket e vështirë.

Partitë e tjera, përpos Lëvizjes Socialiste për Integrim, e kanë të pamundur marrjen e një mandati. Pas LSI, më e votuar mund të vijë FRD, PR dhe AKZ. Të tjerat “kapin” ndonjë gjë, por nuk çojnë peshë në kandarin e zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit. LSI majtas dhe FRD djathtas mund të ulin apo ngrejnë balancat zgjedhore në këtë qark; rritja e votave për të dyja forcat do ta sfiliste PD.

 

    “Luftë” e egër për dy mandate

Qarku i Shkodrës ka 11 mandate nga 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë. Kandidatët që e kanë mandatin të sigurtë janë: Jozefina Topalli, Helidon Bushati, Voltana Ademi, Nard Ndoka e Gjovalin Bzhetaj nga PD dhe Mimoza Hafizi, Tom Doshi e Paulin Sterkaj nga PS. Për PD, Ndue Paluca ka shanse të mëdha për t’iu bashkangjitur listës së fitores, ndërsa Fatbardh Spahia është në tehun e thikës. Sakaq, dy deputetët e kësaj legjislature, Gjok Uldedaj dhe Ramiz Çobaj, do të mbesin jashtë. Nëse LSI nuk arrin të marrë mandatin përmes biznesmenit Agron Çela, por grumbullon mbi 3500 vota, atëherë Namik Kopliku (automatikisht) dhe Sait Fishta do të jenë të mandatuarit e PS, duke lënë jashtë Bardh Spahinë. Ndërkohë fitoren synon edhe Fatlum Nurja, teksa pretendon të marrë vota nga qyteti dhe pjesën tjetër nga Kopliku me anë të biznesmenit Vasel Muçaj, njëkohësisht kryetar i kësaj force në Malësinë e Madhe, si dhe në Pukë nga ku kandidon Astrit Kuçi, njëherazi kreu i FRD për degën Pukë. Pra, mandatet mund të ndahen në 7:4 ose 6:5, pa përjashtuar edhe ndonjë “surprizë” të minutave të fundit.

1 komente në ““Skaneri” i fushatës në Qarkun Shkodër”

  1. zija vukaj says:

    I dashur Redan! Mbi të gjitha dëshiroj të jesh mirë. U bënë ca kohë që nuk kemi komunikuar dhe hajt, një rrugë e dy punë. Po komentoj shkrimin tënd. Më ka pëlqyer gjithmonë natyra jote aktive dhe idealizmi që të karakterizon. Sa mirë do të ishte që idealizmi yt dhe imi të mund të kishin zënë vend në një tokë pak më pjellore. Redan! Sa shumë emra frymorësh na ke përmendur në këtë shkrimin tënd! Hidhju edhe një sy se mbase do të kujtohesh se prej atyre që ua ke zënë me gojë emrat meritojnë të përmenden vetëm nja dy. Po edhe dy më duken shumë. Ah, Redan i dashur! Unë e kuptoj vrullin tënd të natyrshëm rinor, i cili të bën që derri të të duket sokrat e shkuar sokratit, që kopshti zoologjik të të duket listë virtuale deputetësh, që kalimtarët e rrugës të të duken një ditë prej ditësh tjetërsoj njerëzish. Redan! Shqipëria ka rreth një milion e gjysmë njerëz si ata që përmenden te shkrimi yt. Meqenëse ne jemi mësuar që duke mos pasur asnjëherë luanin kemi bërë mbret të pyllit majmunin, edhe kësaj radhe qajmë hallin e gjendjes shëndetësore të majmunit dhe të kopeve të majmunëve. E kujt prej nesh i ndriti se sa me sa do të ndahet kjo lloj kacafytjeje për interesa majmërie. Ku je ti? Ku jam unë? Ku janë ata që nuk përkrahen prej askujt? Më thuaj pak, cili filtër i përzgjedh vlerat e njerëzve. Pse qenkemi të detyruar të mësojmë përditë emra që ose të tmerrojnë me prepotencën dhe pushtetin e përjetshëm ose me anonimatin dhe injorancën e tyre, të denjë për proverba dhe barcaleta. Mendo nj suituatë absurde: Po sikur të fitojnë të gjithë dhe të ngopen mirë e mirë ekzigjencat e tyre gastronomike prej kuçedrash? Apo të mos fitojë asnjëri dhe të na lënë ne të shkretëve si jetimë dhe në ditë të hallit për shkak të keqardhjes që ndjejmë për këta baballarë të kombit? Zgjidh e merr! Unë për vete zgjodha! Të përqafon fort miku yt i shtrenjtë, Zija vukaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje