Agron Çela nuk do të jetë më president i Vllaznisë. Ai duhet të japë dorëheqjen nga ky post, meqenëse ligji nuk ia lejon të qënurit si president, tashmë pas zgjedhjes së tij si deputet. Megjithatë, zyrtarisht dorëheqja e tij do të paraqitet në Bashkinë Shkodër nga mesi i javës së ardhshme, për të prishur në këtë mënyrë akt- marëveshjen dypalëshe të firmosur në janarin e këtij viti.
Gjithçka ka ndodhur në takimin që biznesmeni i njohur ka patur mesditën e së premtes në zyrën e kryebashkiakut Lorenc Luka. Ky i fundit ia ka bërë të qartë se ligji nuk ia lejon të qënurit në postin e presidentit të Vllaznisë dhe në fakt këtë gjë e ka kuptuar edhe vetë Çela, pas konsultimeve që ka patur me juristë të ndryshëm.
Po ashtu, ka rënë poshtë edhe ideja e transferimit të postit të presidentit tek i vëllai i tij ngaqë sërish ligji nuk e lejon këtë gjë. Në kushte të tilla, që nga dita e premte, klubi i futbollit Vllaznia ka kaluar sërish nën administrimin e plotë të Bashkisë Shkodër, megjithatë zyrtarisht kjo gjë do të ndodhë mesjavën e ardhshme.
Gjithsesi, Çela ka premtuar se do jetë shumë pranë Vllaznisë gjatë gjithë kësaj kohe për të bashkëpunuar me kryetarin e bashkisë, Lorenc Luka, për gjetjen e një biznesmeni tjetër për të drejtuar Vllaznisë. Po ashtu, deputeti i parlamentit të ardhshëm ka premtuar se nuk do të heqë dorë nga mbështetja financiare ndaj skuadrës në rolin e donatorit. E vetmja gjë që nuk është marrë ende vesh, është se kur do të nisë stërvitja e ekipit dhe cili do të jetë trajneri e futbollistët e tij.