Gara e vijimësisë
Ndonëse ‘i zoti e di ku i pikon çatia’, rinovimi i lidershipit të PD është me interes për mbarë shoqërinë sepse përtej fatit të një individi në ikje apo në ardhje dhe një partie aset publik, është në lojë prognoza e së djathtës dhe normaliteti demokratik që parasheh qeverisje të mirë dhe luajalitet në opozitë.
Interes ky që po davaritet disi teksa gara e ngutshme në shpërfillje të analizës elektorale, po humbet kuptim sa kohë po degradon në një ‘tender’ besnikërie dhe përbetimesh ndaj lidershipit historik duke bërë që dilema nëse do lihet pas një emër apo dukuria që ai bart, të anojë nga e para. Qoftë kjo për klientelizëm apo oportunitet (sikurse PPSH vetëm pas 90 ‘guxoi’ të prekte tabutë), ajo mbetet konfirmim se vijimësia 23 vjeçare në PD nuk preket, përkundrazi shërben si filtër për lidershipin e ri.
Që tregu politik të normalizohet nuk mjafton vetëm emancipimi politik i njërës palë. PS, dy herë në opozitë (1992 dhe 2005) shfrytëzoi shansin e kohës duke u distancuar prej trashëgimisë që e mbante peng ndërkohë që PD, si më 1997 ashtu dhe tani, vijon me statukuonë duke paralajmëruar me këtë rast edhe ‘muzikën’ e opozitës që do të nisë këtë shtator.
Më 23 qershor PD nuk u marxhinalizua sa pritej pas 8 vitesh bëmash antidemokratike deri në cenim të interesit kombëtar (për më tepër kur e djathta, tashmë me FRD, ka më shumë se një shtëpi). E ndërsa rrudhja në kufijtë e mbijetesës nuk ndodhi, votëbesimi nga mbi gjysëm milionë votues, zgjon pikëpyetje rreth ndikimit në të të stadit të emancipimit demokratik, nivelit të abuzimit elektoral, kufizimeve të ligjit zgjedhor (trysnia e votës ‘dëm’ sikurse ndodhi me dhjetëra- mijëra vota të FRD që padrejtësisht sistemi i shpërfilli), atavizmit të ‘besës’ në politikë, klientelizmit politik, presionit të grupit etj.
Si parti e mësuar me ‘dorën’ e fortë, gjasat janë që anëtarësia e PD të vijojë me konformizmin tradicional dhe kjo ul padyshim interesin për ‘duelin’ e 22 korrikut sa kohë ajo reduktohet mes ‘kloneve’ të idhullit 23 vjeçar, periudhë kohore kjo që promovohet si aset politik ndërkohë që stonon për standardet e një partie me inspirim perëndimor.
E djathta në shtëpinë e saj
Ndonëse e lançuar si parti e djathtë, pavarësisht 13 viteve në pushtet, PD zhgënjeu si në pritshmëritë me pronën, sipërmarrjen, sundimin e ligjit, votën e lirë dhe deri vetë sovranitetin kombëtar. Ndaj me rinovimin real në pikëpyetje dhe faktin se për 23 vjet ajo ka folur në emër të së djathtës, është jetike ngjizja e së djathtës reale përtej ‘mureve’ të PD.
Me dyert e hapura për këdo që refuzon iluzionin pafund ideologjik, FRD, ndonëse pa mandat zgjedhor pas një fushate elektorale të disfavorshme legale dhe jolegale, bart ‘ADN’ e së djathtës perëndimore dhe dhjetëra- mijëra votat në mbështetje të saj ishin vetëm hapi i parë.
Një e djathtë kjo që nuk reduktohet thjesht dhe vetëm në retrospektivë – rehabilitimi i të persekutuarve, hapja e dosjeve, njohja e pronës historike etj që janë detyrim dhe përgjegjësi për çdo qeveri që vjen në pushtet por që vë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe e inkurajon të bëjë fatin e tij në respekt të plotë të shtetit ligjor dhe parimeve demokratike. Një e djathtë kjo e denjë për partnership me republikanët amerikanë, konservatorët e Cameron apo të Merkel etj, sepse është reale dhe jo se ‘shitet’ e atillë.
Dhe që FRD të frymëzojë, duhet ta fillojë nga vetja. Pavarësisht abuzimeve elektorale dhe kuadrit ligjor ‘njerkë’, fakti që objektivi për përfaqësim në parlament nuk u arrit, bën të domosdoshme analizimin e mospërmbushjes së kësaj pritshmërie dhe votëbesimin e lidershipit në një garë të hapur sipas parimit ‘një anëtar një votë’, duke sfiduar kësisoj PD edhe në garën për standard superior të demokracisë së brendshme në parti.
E djathta, oksigjeni i munguar i rilindjes
Vetë rilindja nuk ka asnjë shans në mungesë të një të djathte moderne përballë. Rilindja ka nevojë për çdo konsensus që gjen. Në përpjekjet saj për punë të mbarë dhe futjen e vendit në hullitë e demokracisë normale, qeveria e rilindjes krahas ftesës për të kontribuar për cilindo, transparencës dhe meritokracisë në qeverisje, respektimit të ligjit dhe apelit për drejtësi etj, duhet të hapë ‘lojën’ djathtas duke apeluar bashkëpunim për riformatimin e shtyllave të shtetit ligjor dhe strategjitë e zhvillimit kombëtar si ndaj forcave progresive djathtas ashtu dhe të urtëve në emigracion, veçanërisht mes mërgatës në Amerikë.
Përfshirja e së djathtës në reformat strategjike nga vota, pavarësia e institucioneve, shërbimi civil, prona etj, janë garancia më e mirë për suksesin afatgjatë dhe pa kthim të tyre. Një partnership i këtillë ku frytet e reformave destinohen për të gjithë, gjeneron dashamirësi dhe konsensus në mbarë spektrin politik majtas e djathtas, brenda dhe jashtë vendit. Ai është jetik për fatin e demokracisë sa kohë ‘tapinë’ e së djathtës e mban ende një parti opozicioni i së cilës i ka të gjithë gjasat të bartë të njëjtin agresivitet regresiv si më parë, kura e vetme ndaj së cilës mbetet zbatimi i shtetit ligjor, demonstrimi se ka më mirë dhe mirëkuptimi në perëndim.
‘Monedha’ e tranzicionit simbolikisht, por jo vetëm, ka pasur dy anë. Ndërsa njëra gjysmë, pas 2005 u largua realisht dhe në dinjitet, gjysma tjetër, me gjasat për ‘klonim’ po rrit gjasat për tranzicion. Me të vetmin ndryshim dhe shpresë se nëse është e thënë që ‘uthulla të brejë shishen e vet’, e djathta nuk ka përse të sakrifikohet tashmë që me FRD, e ka shtëpinë e saj të vërtetë.
ik ore palle. Na thuaj ku diferencon ne menaxhimin e partise, Bamiri nga Sala? Tek kongresi qe nuk beri kurre, tek zgjedhjet per lidershipin qe kurre nuk u bene? Tek listat per deputete te zgjedhur nga kryetari?