Shënime nga ditari i Doktorit: Probleme me transportin drejt zyrës në PD

2 Gusht 2013, 20:50Antena TEMA
Shënime nga ditari i Doktorit: Probleme me transportin drejt zyrës

Sot ka qenë një ditë e lodhshme për mua. Transportimi i objekteve të zyrës nga kryeministrisë në PD po bëhet i lodhshëm. Zyra ime në PD është e bollshme, por sidoqoftë tetë vite pune në kryeministri kanë bërë punën e vet dhe më duhet të sistemoj shumë gjëra.

Në mëngjes në zyrë thirra shefin që regjistron mbledhjet e qeverisë.

-Po marr këto materialet me vete, i thashë, por më duhet nga një kopje e kasetave të gjithë mbledhjeve të qeverisë.

-I ke në televizor Doktor, më tha, se t’i kanë transmetuar live të gjitha.

-Jo atë pjesë, i thashë, por pjesën kur ikin kamerat.

-Ato i kam, por duhet t’i djegim, tha nëpunësi.

-Pse duhet t’i djegim, i thashë.

-Shumë vendime që i kemi marrë në mbledhje janë të regjistruara me gojë, por jo në fletore zyrtare dhe mund të përbëjnë problem. Shkojmë në burg Doktor. D.m.th desha të them ne e meritojmë burgun, por puna është të mos ju krijohet problem ju.

-Çfarë nuk kemi regjistruar, i thashë.

-Shumë vendime Doktor. Çdo mbledhje ke dy apo tri VKM që nuk i kemi futur fare në fletore zyrtare se bëhej zhurmë.

Në fakt u çudita. Unë s’di të kem dhënë urdhër të tillë, por me sa duket këta të administratës janë të shkathët dhe dinë ta mbrojnë shefin. Më preku shumë që tha jemi gati të vejmë në burg, por kemi hallin tënd.

E pyeta dhe një herë.

-Më thuaj, i thashë, në përgjithësi çfarë vendimesh mban mend ti p.sh që i ke hequr nga fletorja zyrtare?

-Po s’di si të them, tha, se janë shumë.

-Po mirë, më thuaj ndonjë, i thashë.

-Ja për shembull në fillim mbaj mend që do paguanim Tom Rixhin. Ai kërkonte shumë lek, dhe plus donte të merrej me atë punën e armëve. Ti na the bëni një VKM që t’i jepen 500 mijë dollarë dhe një urdhër që ky dhe Fazlliçi të mbledhin Këshillin e Sigurisë Kombëtare që ata ta kuptojnë me kë kanë të bëjnë kur të fillojnë ato punët e armëve.

Ne nuk e futëm në fletore se është problem. Pastaj erdhën ato punët e Gërdecit, vdekja e baxhanakut, fshirja e protokollit të qeverisë, më pas fushatat, pagesat për kompanitë e fushatave, VKM për t’i dhënë lek këtyre që na bënin fushatën tek PD me lek të qeverisë, etj. Janë shumë Doktor.

-Ashtu ë, mirë, i thashë. Më jepni mua një kopje dhe prishini pak këto që të mos dëgjohen dhe të mos kenë ku t’i verifikojnë.

-Atë po bëjmë, tha, e dimë vetë.

U preka shumë. Nëpunës shembullor.

Pastaj më erdhi në mendje serveri i 21 Janarit. E thirra prapë.

-A është e sigurt që ata nuk e ristartojnë, thashë.

-Mos ki merak shef. E kemi zhdukur si kompjuter, e ruajmë mënjanë dhe ta kemi çuar tek PD. Këtë që lamë këtu, është i ri.

Pas tij thirra Flamurin për të mësuar ndonjë të re nga përgjimet.

Flamuri dukej i mërzitur.

-Ka filluar flet ky Kunati i Lulit, më tha.

-Çfarë thotë, e pyeta?

-Është i pakënaqur pse ti ja ke marrë Lulit zyrën në PD.

-Nuk është e vërtetë, i thashë. Kam dhënë urdhër që Luli të marrë urgjent zyrën që ka pasur kryetari i PD në vite. Ai do rrijë aty ku ka ndenjë Eduard Selami dhe Tritan Shehu, gjithë paraardhësit e tij. Luli o zotëri nuk është pasardhësi im, po i Tritanit dhe Selamit. Unë e respektoj shumë, por e vërteta është e vërtetë. Ai do shkojë në zyrën që i takon, në zyrën e kryetarit.

-E kuptoj Doktor, po ky Kunati i Lulit ka qenë socialist atëherë, nuk i di këto gjëra.

-S’ka problem, i thashë, i mëson pak nga pak. Por një gjë nuk do ndryshojë kurrë. Luli do marrë zyrën që i takon, zyrën e Tritanit. Zyra ime nuk është zyrë e kryetarit, është zyrë e Sali Berishës. Është kat shtesë, nuk ka lidhje me PD-në.

-Kam një ide Doktor, i tha Flamuri. Luli ka shprehur shumë respekt për Azemin si “at themelues” i PD. A nuk i japim zyrën e Azemit?

-Flamur, dakord jam, i thashë, por asht shumë e vogël, është 2 metra me 1.5 dhe nuk e nxë Lulin. Asht sa një krevat dopio e gjitha.

-Po meqë ka respekt për Azemin, më tha Flamuri.

Në fakt e kishte me hile se do me mbajtë vetë Flamuri zyrën e Tritanit. Po unë mendoj se zyra e Tritanit i shkon më shumë Lulit se sa Mulit.

E mbylla dhe këtë muhabet.

Sekretarja më njoftoi se zyra në PD po mbushej plot nga pjesa e poshtme dhe kishte nevojë për rafte shtesë.

Më kapi nostalgjia për atë zyrë. Thirra Linda Ihsanin në telefon se doja t’i thosha të ma rregullonte si dikur. Më doli telefoni i fikur. Pastaj më thanë që ka vdekur. U trondita në fakt. Si mund të vdesë? Ajo ka punuar me mua. S’e mbaj mend ku ka qenë këto tetë vite, por u mërzita. Kë mund të thërras tjetër, thashë me vete dhe po përfytyroja PD-në e opozitës. Më dilte para o Linda, o Azemi. Të dy të vdekur. Dreq o punë, thashë. Sikur do shkoj në ferr, jo në zyrë. Filluan të më kujtohen vetëm të vdekurit në PD. Futa kokën mes duarve dhe s’doja ta besoja. E kuptova që isha në kllapi. U ngrita në këmbë dhe bërtita. Unë jam ndryshimi, përpara…!

Sekretarja ishte ulur poshtë tavolinës sikur kërkonte diçka.

9 komente në “Shënime nga ditari i Doktorit: Probleme me transportin drejt zyrës në PD”

  1. kim says:

    kam filluar te qesh me kete fjali “U preka shumë. Nëpunës shembullor”, ndersa jam mahnitur me te vdekurit e tij ne fund te shkrimit. Fort bukur. Bravo..

    1. rebeli says:

      me kete fjali me ben te ndihem sikur jam prezent ne zyren e Saliut.Me preku shume…ha ha me qeshet.Sa mallengjehet ky doktor adhamudhi.

  2. Daut Skela, Vlorë says:

    Bletët i kanë ikur të tëra, vetëm kosherja i ka mbetur:

    “…Kë mund të thërras tjetër, thashë me vete dhe po përfytyroja PD-në e opozitës. Më dilte para o Linda, o Azemi. Të dy të vdekur. Dreq o punë, thashë. Sikur do shkoj në ferr, jo në zyrë. Filluan të më kujtohen vetëm të vdekurit në PD. Futa kokën mes duarve dhe s’doja ta besoja. E kuptova që isha në kllapi. U ngrita në këmbë dhe bërtita. Unë jam ndryshimi, përpara…!”

    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/04/bac-u-kry.html

    1. E Hoxha says:

      DOKTOR,
      Si te kam mesuar:
      ”Komunistat as njëherë nuk zëvëndësohen as dalin në pension”.

  3. 21janari says:

    Mero, mos te ka marre gje edhe ty ne telefon?

  4. Ai says:

    Mos harroj te mari karigen qe i premtoj Meta, se do ja bej dhurate.

  5. moisiu says:

    Me e forta eshte “Sekretarja ishte ulur poshte tavolines sikur po kerkonte dicka “

  6. gomisti says:

    Luli o zoteri nuk eshte pasardhesi im po i tritanit dhe selamit haha

  7. Raimonda says:

    E kuptoj qe emri i Lindes e tmerron, sepse ajo ishte simbol i perkushtimit, ndershmerise, i zgjuarsise dhe mbi te gjitha i qytetarise. Ajo u largua prej tij me shume dinjitet dhe me heshtje te thelle.Me vjen keq qe permendet emri i Lindes krahas emrit te Azemit. Linda meritonte majen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje