Ra ‘miku’ nga fiku!

12 Gusht 2013, 12:17Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

T’i biesh ‘mikut’ me kokë

Batuta pikante ‘Kush fut mik, humbet pikë’ në rastin e zyrës elektorale në Vlorë të deputetit kryeministër në pritje, prek një tabu tepër delikate, siç është ajo e ‘mikut’, në misionin e rilindjes për ngjizjen e shtetit ligjor. ‘Miku’ sot është një ‘institucion’, një pushtet diskret po aq efektiv, në mos më shumë, se ai politik, gjyqësor, mediatik etj, (ka mbetur veç të sanksionohet në Kushtetutë!). Ndonëse meritokracia në parim është në interesin e atij që e aplikon atë, deformimi i saj për motive klienteliste dhe nepotizmi nuk është më lajm dhe, në rastin e sektorit publik dhe shtetëror, kosto rëndon taksapaguesin pa dallim.

Një trashëgimi kontradiktore kjo e ‘mikut’, ku veç një vijë e hollë ndan njerzillëkun prej abuzimit, veçanërisht kur flitet për pushtet. Një mekanizëm që edhe në tranzicion u ‘ratifikua’ si sinonim i privilegjit të pamerituar dhe nëpërkëmbësit të atyre vlerave simbolike demokratike që e bëjnë realitetin perëndimor, veçanërisht atë anglo-sakson, atë që është sot – sa i lakmueshëm, po aq dhe i largët njëkohësisht.

Në dukje një mision i pamundur, sfida ndaj ‘mikut’ duket e pashpresë – ta luftosh të ha kokën, të mos e luftosh ta ha sërish kokën (në një kohë të dytë). Një kapak ‘pusete’ që nuk kemi kurajo ta ngremë, por veç bëjmë politikë se aq kemi në dorë. Një llokum ‘dinamiti’ me fitil të shkurtër, që rrezikon atë që kuturiset ta ndezë, por që duhet ndezur se ndryshe nuk kemi gjë në vijë, rilindje jo e jo.

 

Mikukracia – fatalitet dhe mit

Pavarësisht trendit të privatësisë, sërish mbetemi një shoqëri ku afërsia dhe komunikimi shpien natyrshëm në lindje dhe forcim miqësish. Vlerë kjo e shtrenjtë për këdo, por me ‘mikun’ anë të ‘errët’ të saj. Në mos farefis, diku, dikur dalim në masë të njohur me miqësi e shoqëri të përbashkëta, një premisë kjo që falë edhe mjeteve të larmishme dhe diskrete të komunikimit, e bën delikat pozicionin e kujtdo që ka diçka në dorë përballë pritshmërisë tek të tretët për të bërë favor.

Socio-demografia nuk mund të konsiderohet faktor apriori sepse ‘miku’ mbetet mit urban në Perëndimin ky synojmë, si në vende të mëdha dhe me diskrecion tradicional (p.sh. Mbretëria e Bashkuar, Gjermania) ashtu dhe në vende të vogla, qoftë këto me intensitet komunikimi social (p.sh. Irlanda) apo privatësi ekstreme (p.sh. Zvicra) etj që të përbashkët kanë zbatimin e shtetit ligjor. Pavarësisht shkaqeve ‘objektive’, është edhe shembulli ‘lart’ – politika dhe shërbimi civil, ai që e motivon apo demotivon trendin e ‘mikut’ dhe kur ndodh qenë këto vende ‘miku’ nxjerr kokën, ai përbën lajm me kosto mediatike, civile apo penale për këdo që spekulon.

 

‘Kometë’ politike apo paralajmërim afatgjatë!

Rasti i zyrës elektorale në Vlorë, përbën një rast të mirë për të sanksionuar një precedent domethënës për më tej – rilindja ka kurajën të prekë çdo tabu pa dallim, ndonëse në dukje politikisht ‘vetëvrasëse’ siç është dhe ajo e ‘mikut’.

Që kjo lëvizje të mos shihet si një‘kometë’ kalimtare e marketingut politik, është e domosdoshme të hapë perspektivën edhe për nivele të tjera duke ndikuar në pritshmëritë e publikut më pas. Duke filluar nga partitë politike, të cilat duhet të hapen realisht ndaj vullnetit të anëtarësisë në ndërtimin e forumeve partiake, duke i dhënë fund ‘katapultimeve’ fakt me zanafillë miqësitë e hershme, lidhjet familjare, ‘miqësirat’ klienteliste etj. Duke bërë kësisoj dallimin mes mikut dhe ‘mikut’ sepse aq sa është normale një rekomandim falë miqësisë, po aq anormale është presioni dhe diktimi i emrave falë saj dhe këtu asnjë parti nuk është e imunizuar ndaj ‘mikut’ dhe nepotizmit teksa hasim kudo lidera ‘historik’, ‘byro politike’ pafund, ‘freskime’ me pinjollë dhe servilë të ditës etj.

Tranzicioni dëshmoi se në pushtet, ‘mikukracia’ partiake reflektohet në poste ministeriale të rezervuara për ‘miqtë’ që, pavarësisht meritës dhe CV, janë aty edhe sepse kanë njohje personale apo lidhje klienteliste me të ‘madhin’ apo rrethin e ngushtë të tij, emërime këto të cilat nëse bien ndesh me meritokracinë, cenojnë vetëaspiratën e qeverisjes së mirë.

Me ‘mikun’ në parti si ‘domino’ e parë, mikukracia i bën sehir më tej meritokracisë parlamentare dhe kjo duket në morinë e ligjeve dhe kodeve zgjedhore që zgjidhen me ‘qiri’ apo modifikohen, sesa për të përforcuar zërin e votuesin të parlament, për të konsoliduar statu-kuonë e abuzimit politik që mikukracia mundëson.

Shansi i shtetit ligjor e ka bazën tek deputeti me integritet që përfaqëson si duhet atë ‘pas’ dhe kontrollon pa komplekse atë ‘lart’. Nëse rilindja synon që të bjeri ‘miku’ nga ‘fiku’, kjo arrihet edhe duke zhbërë ligjin elektoral ‘spanjoll’ e adaptuar një ligj zgjedhor që garanton stabilitet qeverisjeje por jo në kurriz të meritokracisë në përfaqësim – ligji ‘gjerman’, ‘irlandez’ apo ‘britanik’ që i kanë bërë këto vende ato që janë sot.

Shfaqje të mikukracisë janë dhe farsat politike dhe elektorale nga ‘listat e mbyllura’, ‘kuotat gjinore’ etj, që bëjnë dëm dyfish me demagogjinë që përçojnë. Diskriminimi ‘pozitiv’ për gra në parlament(!), përtej absurditetit dhe precedentit për kategori të tjera, përbën diskriminim në vetvete që duhet përbuzur e denoncuar së pari nga vetë gratë me integritet. Një trajtim me ‘pekule’ ky që paragjykon integritetin dhe kapacitetin e politikanes femër, ndërkohë që listat, pavarësisht CV impresionuese dhe me pak përjashtime, nuk e shmangin paragjykimin si lista rendore klienteliste apo servilësh për dekor.

 

Miqësia miqësi, ligji në punë të tij

Miqësia dhe miku në kuptimin social nuk është apriori gur nën rrota apo interferencë ndaj meritokracisë sa kohë ekziston mirëkuptimi reciprok se miqësi nuk do të thotë pritshmëri për privilegjim dhe detyrim për favorizim. Ne nuk mund të bëhemi ‘nordik’ me zor dhe problem nuk është miqësia por shpërdorimi i saj. Mes miqve nuk mund të ketë tema tabu dhe nëse dikush meriton diçka, rekomandimi për vëmendje, sa kohë nuk presupozon diktim dhe diskriminim ndaj të tretëve, nuk ka përse të bëjë efektin e kundërt sikurse me Andon Ledhin tek ‘Tela për violinë’.

Ndërsa privati e ka zgjidhur këtë rebus ‘miqësia miqësi, paraja të shkojë dhe të vijë’, sektori publik, fushë loje kjo e vetë politikës, mbetet problematik me të vetmen zgjidhje ‘miqësia miqësi, ligji përparësi’. Mikut nuk mund t’i mohohet e ‘drejta’ e kërkesës por pretendimi për favor. Dhe nëse keqkuptohet, është test për vetë miqësinë.

Me vullnet të mirë,‘miku’ si diktues sfumohet duke hapur kanalet e komunikimit dhe ofruar transparencë në vendimmarrje, duke e reduktuar efektin e tij thjesht në informim dhe pretendim si gjithë të tjerët që nuk e kanë shansin e intimitetit apriori si ai. Sikurse zyra e deputetit në Vlorë, çdo zyrë në politikë dhe shtet duhet të jetë e hapur dhe e predispozuar për të gjithë dhe zgjidhja e hallit në rrugë zyrtare do e bënte gjetjen e ‘mikut’ të panevojshëm duke e lehtësuar vetë qytetarin prej absurdit të zinxhirit të ‘ndereve’ pafund.

Njësoj si lobingu, etika respektohet sa kohë kanalet e komunikimit për të interesuarit pa dallim, janë të lira nga paragjykimi e kufizimet dhe verdikti arrihet dhe argumentohet haptazi. Duke demotivuar ndërhyrjen dhe sfumuar efektin e saj, demotivohet vetëpritshmëria për privilegj dhe anasjelltas, duke bërë që vetë miqësia të çlirohet prej pengut të ‘ndereve’ në respekt reciprok të integritetit të gjithkujt. ‘Miku’ nuk ka përse të kompleksojë duke iu larguar si djalli nga temjani. Që ‘miku’ të mos jetë alibi, sesa ndërhyrja, rëndësi ka reagimi në vijim. Një sfidë kjo që prek të ‘paprekshmen’ dhe do kohën e saj ku shteti ligjor mbetet ‘kura’ më e mirë. Rilindja boll ta fillojë. Nga vetja.

15 komente në “Ra ‘miku’ nga fiku!”

  1. linda says:

    Shume bukur e ke perfunduar (. Rilindja boll ta fillojë. Nga vetja.)

    Rilindje me politikane te djegur politikisht aha nuk ka,
    dhe kohado ta tregoje, ja pyesni ILIR METEN, do ta dorezoje
    bllokun apo jo????

    1. Bilbili malit says:

      Vetem me meritokraci do te fitohet gjithecka mbase te vije qeveria e re, nuk ka ma me mik.

      1. Shqip says:

        Aty mbahuni!…miku dhe rekomandimi pin uje dhe “ngre pike” kudo ne bote..perfshi Sh.B.A-te! Ju ka vdekur mendja kur besoni se cka thene Edi!

    2. Deda says:

      AKOMA I BESONI KETO PALLAVRAT E CV-VE JU MORE DEBILA? ENDERRONI ENDERRONI. GJUME TE EMBEL

  2. anticensurë says:

    për mendimin tim “‘Kush fut mik, humbet pikë’”është hipokrizia e radhës!!është lirindja e rradhës!!
    përse?
    sepse tërë struktura hierarkike e PSsë së sotme është e ndërtuar në bazë të miqësisë!!kush ka mik të parin e PSsë është në parlament është në qeveri bile po e bëre mik atë ai të shlyen dhe mëkatet e vjedhjes me bllok në dorë!!të bën aleat dhe të virgjëron!!
    kjo hipokrizi vërtetohet me marrveshjen e ngjalave që filloi më shumë se një vit më parë dhe përfundoi në 1 prill me “më mbështesni se do ta merrni vesh më pas”,vazhdoi me listat e kandidatëve për deputet që i vendosi vetë miku në krye të PSsë,më pas me ministrat pavarsisht se të rinj,por prap të vendosur nga i njëjti mik dhe të njohur të gjithë si miqt e tij e në fund përfundon me z/kryeministrin e emruar 24 orë para shpalljes së qeverisë!!të gjitha këto të bëjnë të kuptosh se ky sllogan politik i momentit nuk do të zgjasë shumë!!
    që të zgjasë një gjë e tillë duhet të ketë ligje dhe jo thënje!!duhet të ketë rregulla shtetërore dhe jo thënje politikanësh!!këto rregulla duhet të zbatohen njëlloj për të gjithë dhe se po nuk u zbatuan qytetari duhet të ketë të drejtën të apelojë për mos përmbushjen e kërkesës së tij!!
    sot është e pa mundur!akoma e pa mendueshme që ti të ankohesh ose të apelosh vendimin për mos dhënjen e një vëndi pune!!sepse nuk ka regulla të përcaktuara!!pa këto rregulla nuk mund të ketë dhe ankime nuk mund të ndalohet dhe “miku”në veprimtarinë e tij.pa këto rregulla nuk mund të fitojë meritokracia,do të fitojë “miqësia”dhe militantizmi partiak!!
    për mendimin tim ky është bllofi i radhës i ramës!!filloi me rilindje e përfundoi me lirindje,po fillom me “mik pik humbur” dhe do të përfundojë me mik militant!!

  3. Rudina says:

    Iluzione te kota. Rama deklaron se nuk e han mikun nga perpara, por do te haje mikun nga mbrapa.

  4. aranit bregu says:

    Mos kini merak se PS ka sikletin e madh qe ka kaq shume miq qe presin sa qe do lere patjeter shume te pakenaqur. Po pikerisht ketu del zgjidhja, do kete meritokraci psh per 1 ne 20 veta qe kane mik secili prej tyre.
    Edhe do trumbetohet si sukses meritokracie por edhe do mbahen me te mire 19 te tjeret.
    Mikropolitiken ne baze nuk e kontrollon dot(ne mase) as Rama as Berisha, por tregu i uritur social-ekonomik i mentalitetit tone te prapambetur. Jane pune qe zgjidhen pas 2 brezash keto dhe gjithmone nqs tregu privat arrin nje nivel vital qe te konkurroje disi ate shteteror ne joshjen e aplikanteve.

  5. Dukati mal jo fushe says:

    Boll te kesh mik Koco Kokedhimen dhe i ke rregulluar te gjitha gjerat.Gazeta DITA e nxorri dje procken e pare te Koco Kokedhimes me TACI OIL,ndermjetesi tek Florian MIMA.O shoku Rama :Distancohe Koco KOKEDHIMEN sa s’eshte vone se do te te marri ne qafe

  6. Teknokrati says:

    Ne Itali u be shume e modes shprehja “mignotocracia”(kurvokracia), si pasoje e tendeces se S.B-se italian per te promovuar ne poste drejtuese, deri deputete, femra te gateshme te kalonin nga shtrati qe Putin i kishte dhuruar Berluskes …..
    Jemi ne nje zone te minuar per shkak te mentalitetit turkoshak dhe idese fikse se po te kesh nje mik te forte(aspak e gabuar si teori)ben vend kudo.Nuk ka force ne bote ta ndali kete mentalitet negativ por egziston nje force tjeter pozitive qe e netraulizon ate. Edhe kushurinjte e Rames, Tahirit, Balles apo Braçes kane te drejte te pretendojne nje vend pune nese e meritojne por duhet te shfaqin ne kohe se jane te afte per ta mbajtur pa perdorur leven e MIKUT te Madh…. Menyra ka shume por gjithmone do te vija theksin tek TRANSPARENCA.
    Edhe nje gje tjeter. Do te fitonte mjaft pike sipas meje kush tregon me fakte qe ne keto vite ka qene “armik” dhe jo sehirxhi me rregjimin e S.B-se shqiptar …..

  7. miro says:

    ku te le ilir ali baba ahahahah

  8. Aliu says:

    Ne jemi duke vrojtu fushen e veprimeve me D.V.K. Pyetni ndonje oficer altilerie kunderajrore se ceshte D.V.K ja.Poqese Rama dojafusi si kau peles dote kete fatin e Berishes.Hajduti Meta larg vendimarrjes qeveritare.

  9. anton pashtriqi says:

    idealiste dhe fisnike si nisem……..por cfare mendon L.S.I. per kete……….:):):)…….;)……….

    P.S. ekziston nje mendim (dallavere)se me kete nisem te P.S. , L.S.I. ne zgjedhjet e ardhshme behet me 40 deputete…….:)

  10. anton pashtriqi says:

    P.S. duhet te kape fikun (71 deputete) nje here pastaj te zbatoje teknika te “guximshme” administrative……..edhe 5 gisht (deputete) i duhet te rritet……..mund tja dale…….4 vjet jane shume………por per “armikun” jane gjithmone teper………

  11. Artan says:

    Ore per cilin mik e ka llafin Edi Rama se ne shqip fjala mik ka shume kuptime.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje