Rini garipe me tre ministri

13 Gusht 2013, 11:52Blog TEMA

Nga Edi Sara

Prolog

-“O plako ça bone? Si ia kalove? Do ikim sot ne plazh mo vlla? E po sikur t’ja fusim për Jale kët fundjav mo naçu, si thoni? Se du me i fut edhe i’ çek-in në fb me m’pa pak ****…

Dëgjoni, un them ia fusim për n’bllok sonte, marrim dhe ****, ****, ****, dhe ulena andej nga pub-i **** e pastaj e diskutojmë… Po nonji gjo tjetër?

-Asgjë mo laco, hiç, ja të zon me kafe paradite dhe ja tashi mbasdite kena dalë me u çlodh për ndonjë birr, ca me bo… Ti ke bo nonjë çik plazh? Unë ja isha kët fundjavë në…

-E di e di, se e pashë çek-in-in në fb që ke qenë andej nga Jugu, po keni bo qejf ë?

-Ehuu mo lale, ça s’kena bo… Kena pi, kena kërcy, t’u lujt deri vonë netëve me letra nëpër çadrat e kampit, nga dreka me shkuma parti anej nga Folia e kshu me rradh… Gjashtqind-mij kena prish për 4-ditë lale, po e kena djeg qejfin si mbretër…

-Unë ‘la s’po prish shum kët sezon se kam nërmend me ble nji makin lale, ose të paktën nonji motor se s’rrihet kshu lale… e do femra nji mjet, si thu ti?”

 

Hyrje në realitetin tonë rinor-“modernist”

Dhe me kaq nuk po e vazhdoj më tej këtë dialog, i cili tashmë është bërë kaq bajat, sa çdo dëgjues apo lexues e di përmendësh dhe mund ta imagjinojë vetë vazhdimin e tij…

Por nga burojnë shkaqet dhe cilat janë pasojat e kësaj trashëgimie kulturore që përshkon brezin e rinisë aktuale në mbarë vendin tonë, duke prekur kryesisht qytetet më të mëdha nga ku Tirana mban stafetën në këtë cirk rinor të manifestimit tragjiko-komik? Ku në skenë prestigjatorin kryesor e formon pjesa dërrmuese e të rinjve të cilët për më tepër vazhdojnë studimet e larta!

Çdo ditë e më shumë po shikojmë një evolucion vital të dekompozimit kulturor të shoqërisë sonë, duke filluar së pari si rregull nga ata që historia i cilëson me të drejtë si e ardhmja e një kombi, por që shpesh politika i konsideron si forca e të sotmes: Rinia. Dhe ky dekompozim kulturor rinor mund të vërehet qartë aty ku është edhe më i theksuar, në universitetet dhe ambientet akademikë. Përse them aty? Sepse logjika racionaliste na mëson fare thjesht se nëse kërkon diçka, kërkoje aty ku e ka vendin. Me fjalë të tjera, përderisa po flasim për kulturë (ose ç’kulturim më saktë) vendi, i cili do ishte më i përshtatshëm do ishte po ai i cili e prodhon dhe e zhvillon atë në formën më të lartë të mundshme: universitetet.

Parë nga gjyzlykët e një gazetari të huaji, komenti i parë ishte: “Studentët shqiptarë i shef në kafene që me zilen e orës së parë e deri në përfundim të ditës, e më pas dita vazhdon normalisht, d.m.th me dëfrime dhe zbavitje “por” në lokale të tjera…”

Nuk do të ndalem më tepër këtu pasi janë shkruar shumë mbi këtë çështje të arsimit shqiptar dhe tendencave të të rinjve. Qëllimi tonë është të hymë në një kënd më të ngushtë shikimi, duke kërkuar rrënjët që kanë sjellë këtë plogështi, pasivitet dhe dekompozim kaq të ulët të nivelit kulturor për rininë e sotme shqiptare.

E para është padyshim vetë familja, dhe me këtë nuk dua t’i vë gishtin prindërve si “frymëzuesit” e pasivitetit të fëmijëve të tyre, por si mungesë nxitjeje në të kundërtën, ose ajo e cila në psikologji emërtohet “stimul pozitiv” për fëmijën. Nëse djali apo vajza thotë: “Mami/babi unë po dal për kafe…”- ajo/ai të përgjigjet: “Po pse nuk shkon në bibliotekë të lexosh ndonjë libër?” Apo: “Pse nuk shkoni në teatër sonte, po ngelët vetëm kafeve, partive dhe pabeve?” Pra mungon një nxitje nga vetë djepi familjar për këtë brez të shthurur pas “kafeve dhe lokaleve të natës”, nëse mund ta quajmë të tillë.

Së dyti është mjedisi që na rrethon hallka e dytë, e cila plotëson faktorin e mësipërm si dhe e zhvillon (për keq kuptohet) edhe më tej procesin e dekompozimit kulturor. Mjedisi që na rrethon, fillon dhe mbaron me lokale: kafe, loto, fast-food, pub, disko, klube, kafe… e kështu me radhë. Në këtë pikë, nëse ndjekim parimin e thjeshtë kapitalist kërkesë-ofertë, kuptohet vetvetiu që privati kushtëzohet nga trendi i të rinjve dhe kërkesës së tyre për dëfrim. Interesi i privatit gjithmonë është fitimi- nocioni bazë i çdo doktrine ekonomiste në historinë e tregut të lirë. Nëse i futemi një analize materialo-dialektike parë nga prizmi marksist, gjithashtu do të arrijmë në të njëjtin përfundim: ku forcat e prodhimit kërkojnë të plotësojnë nevojat e shoqërisë. Dhe që këtu i shtrohet rruga faktorit të tretë.

Së treti dhe së fundi, hyn në lojë shteti. Ku është shteti? Çfarë është shteti? Dikush nga ju pyet veten se ç’do shteti në këtë mes… Po patjetër që edhe shteti ka rol në këtë mes, dhe jo të dorës së dytë, por parësor, dhe jo më kot po e listojmë këtu. Hallka e dytë që përmendëm më lart, gjithmonë formohet dhe zhvillohet nën kujdesin e hallkës së tretë, që është protektori dhe në të njëjtën kohe supervizori (menaxheri) i hapësirës publike si dhe mirëmbajtësi dhe kontrollori i hapësirave private. Le të marrim një shembull për ta ilustruar më qartë mendimin tonë tek lexuesi: ta zëmë se në një rrugë ndodhen 3-kafene dhe një lokal nate (paradite kafe edhe ky!!), dhe një person që ka një hapësirë private po në këtë rrugë, kërkon leje për të hapur dhe ushtruar biznesin e tij personal që përkon po me ato të mëparshmet (pra kafe). Në këtë moment e kuptoj që lexuesi i dashur po fillon të dyzohet sipas boshtit antagonist liberal-konservator ose demokrat-socialist. Kritikat i japin jetë një debati masiv dhe të gjallë veçanërisht mbi këtë temë, duke vënë në pikëpyetje nëse shteti ka të drejtë të ndërhyjë si ent rregullator në treg, apo t’ia lërë totalisht në dorë tregut të gjejë balancën e vet (pikën e ekuilibrit)?

Unë po ju parashtroj juve një dilemë paradoksale që e kemi përpara syve tanë përditë pavarësisht bindjeve tona personale, qofshin ato për një ndërhyrje më të madhe të shtetit ose jo: Kemi afro 20-vjet që po ia lëmë në dorë tregut të gjejë ekuilibrin nëpërmjet “dorës së fshehtë”, por në kundërshtim me pikëpamjet liberale të kapitalizmit, Tirana na dëfton se kafenetë gjithmonë e më tepër po lulëzojnë në kryeqytet. Shumë hapen, shumë të tjera mbyllen më vonë. Bile aq shumë, sa vazhdojnë të jenë pikë-graviteti për mendjen e vogël borgjeze të çdo shqiptari që ka dy lek mënjanë dhe mendon të hapë një biznes të vogël. Dhe jo vetëm kaq, por është ëndrra në sirtar e çdo djali, i cili kërkon të bëhet pronar dhe njëkohësisht të menaxhojë një lokal të tijin, ku të gostisë dhe të dëfrehet me shoqërinë e tij e cila e thërret me hipokrizi “o bos”…

Atëherë më thoni ju të dashur miq, në këtë pikë cila do ishte rrugëzgjidhja më e mirë? Të lihet mënjanë ndërhyrja e shtetit dhe të vazhdohet besimi i verbër në balancimin e kërkesë- ofertës që na mësojnë lektorët e mikro-ekonomisë apo të përqafohet një frymë më radikale duke ndjekur pas tendencat më të fundit europiane ku shteti gjithmonë e më tepër pranohet të “fusë hundët” edhe në sektorët e cilësuar si zonë e së drejtës private? Franca, Gjermania, dhe së fundi edhe Italia po dëshmon gjithmonë e më tepër se po përqafohet shteti si ndërhyrës për të rregulluar dhe menaxhuar tregun aty ku “dora e fshehtë” s’jep rezultatet e duhura dhe kthehet në “dorën e mefshtë”…

Siç e vëreni edhe vetë, listimi i faktorëve të mësipërm nuk është bërë rastësisht. Ai ka për rregull një hierarki lart-poshtë që është e lidhur hallk-pas-hallke si një zinxhir me njëra-tjetrën.

Për të mos dalë nga tema jonë, e cila i përket dekompozimit kulturor të rinisë së sotme, unë mendoj se lexuesi tashmë do ishte dakord të paktën në këtë pikë: që tregu i sotëm ka nevojë për reformim imediat. Para pak kohësh ky aspekt u prek edhe nga profesori dhe publicist i mirënjohur Artan Fuga, ku kritikonte kushtet mizerabël të konkurrencës së sotme në tregun shqiptar. Duke mbajtur të njëjtin qëndrim por duke e vendosur nën prizmin e dekompozimit kulturor, unë besoj se çdokush nga ju që jeton dhe e përjeton realitetin e hidhur kudo në vendin tone, ka kuptuar se shteti duhet të kishte luajtur një rol më të madh në këtë sferë.

Për t’u mos u larguar nga roli i shtetit, këtu padyshim duhet përmendur edhe roli i parqeve publike, hapësirave të blerta dhe qendrave sportive, të cilat në çdo kryeqytet europian janë të pranishme pothuajse në çdo lagje ose distrikt dhe ku rinia kalon një pjesë të mire të kohës së saj pranë natyrës. Ndërsa në Tiranë… ehhh, në Tiranë ato u shuajtën brenda një dekade si pjella të liga të trashëgimisë komuniste. Pa pasur asnjë plan urbanistik me perspektivë afatgjatë zhvillimi, këto fasilitete u përpinë nga eksperimentet e keqaplikuara me qëllim të “terapisë së shock-ut”, u zhduken njësoj siç përshkruan Platoni për Atlantidën: “U përpinë brenda një nate”. Gjithsesi, edhe sikur ta lëmë pas të kaluarën, e ardhmja duket gjithashtu e zymtë si mjegullnaja e të kaluarës. Dhe këtu të më falni të dashur miq, por nuk mund të më quani pesimist, ekzistencialist, po por epiteti i dytë që mund të më vini nuk ka lidhje me të parin, përkundrazi, ashtu sikurse thotë Sartri: “Ekzistencializmi paraprin esencën”, dhe pikërisht racionaliteti i thellë logjik e bën ekzistencializmin edhe më tepër optimist për qenien e njeriut pasi ia nënshtron vetë fatet vullnetit të plotë të tij. Duke mos u zgjatur pasi nuk është as vendi e as qëllimi për debat filozofik këtu, ekzistenca e kombit tonë varet nga mirëqenia dhe formimi kulturor i rinisë së sotme e cila korri frytet e kalbura të këtij pseudo-kapitalizmi patriarkal në 22-vjet kleptokraci mbështjellë nën petkun e demokracisë së brishtë Shqiptare, e cila aspiron për një ëndërr edhe më të madhe se vetë absorbimi i vlerave demokratike: atë të integrimit në Bashkimin Europian.

Pa më thoni ju të dashur lexues, me cilët kërkoni të hyjmë “pasnesër” në BE? Me ata të cilët deri “pardje”, kur të shikojnë me nostalgji fotot e tyre të rinisë, do psherëtijnë dhe do buzëqeshin me sforcim pasi kudo, sfondi fotografik do dëftojë ose një ambient lokali a lotoje, ose një ambient plazhi, ose një ambient pub-i apo diskojë? Hiret e bukurisë rinore “të pardjeshme”, do jenë të enkapsuluara në një rreth të ngurtë në një cep të largët e të ngushtë të mendjes, nga e cila veç nota pendese dhe dileme do dalin përditë në sfidat e jetës të cilat do i shoqërojnë e do i ndjekin hap pas hapi këta të rinj që si tek Fabula e Ezopit me gjinkallën, po hedhin valle sot, por mot…

Nuk po e vazhdoj më tej pasi ndoshta pa dashje po filloj të bëj rolin e moralistit në këtë mes dhe ky rol nuk më takon aspak mua. Atij të cilit i takon të reflektojë, është secila hallkë që përmendëm më sipër, duke filluar nga maja e piramidës, prindërit, për të vazhduar më tej me pronarët privatë e për të përfunduar me bazën më të gjërë të piramidës e cila mban edhe peshën e dy faktorëve të lartpërmendur përveç të sajit: shteti. Dhe në fund, vetë rinia duhet të kuptojë rëndësinë e formimit të vet kulturor, por mesa duket një akt hyjnor duhet të ndodhë që të arrihet ky synim.

 

Epilog

Për ta mbyllur me kaq, pasi nuk dua të bëhem i bezdisshëm në sytë e lexuesit (megjithëse u përpoqa ta përmbledh sa më shkurtimisht), erdhi moment ku lexuesi pyet se çfarë propozohet pasi të kritikosh është e lehtë. I bëj thirrje qeverisë së re që do marrë stafetën për drejtimin e shtetit në shtator se një punë e madhe e pret përpara. Dhe këtu i drejtohem veçanërisht tre ministrive të posaçme që prekin problematikën e trajtuar në këtë shkrim, të cilat u riformatuan dhe u ndanë si vijon:

-Ministria e Arsimit dhe Sportit

-Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

-Ministria e Kulturës

Këto tre ministri kanë në dorë fatet e kësaj rinie, e cila endet dhe sorollatet lart-e-poshtë po në të njëjtat vende: kafe, lloto, fast-food, pub, disko, klube, dhe nga fillimi përsëri… Do lindë nevoja për një koordinim më të drejtpërdrejtë në mes të këtyre tre institucioneve si pasojë e burokracive komplekse, por ministrat përkatës duhet të jenë të kujdesshëm për të mënjanuar çdo pengesë që mund të ulë ritmin e kohës. Lypset një fleksibilitet i madh në rrafshin e koordinimit të tyre, dhe në të njëjtën kohë edhe me “Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” e cila ka në dorë mekanizmat për të rregulluar tregun dhe defektet e evidentuara më lart në funksion të nxitjes, përsosjes dhe perfeksionimit për promovimin e kulturës dhe afrimin e kësaj të fundit me rininë. Ashtu sikurse një thënie angleze thotë se një gjuhë e huaj është një kulturë e huaj, unë mendoj se edhe njohja e një sporti çon në të njëjtin rezultat. Ndërkaq duhet luftuar me çdo lloj mjeti e forme qoftë financiar ose jo, plogështia aktuale e cila krijon këtë pasivitet kaq të degjeneruar në radhët e të rinjve, faktor determinant ky i fundit për të mbjellë vetëm një lloj fryti në gjirin e kombit tonë i cili në sezonin e pjekjes do vjelë padyshim veç një farë: dekompozimin kulturor.

10 komente në “Rini garipe me tre ministri”

  1. kitara e thyer says:

    Shume gjate lale…

  2. vedivinivici says:

    bukur sakte paster… nuk i heq asnje presje

  3. Tyrkanos says:

    Duket qartë që jeni nxënës i shkollës së mediokritetit dhe përfaqësues i denjë i një rryme të re të rinjsh pseudointelektualë në Tiranë, një “specie” e përhapur mjaft kohëve të fundit, të cilët përqasen të mbajnë një farë distance nga ata që për ca pseudointelektualucë si ju, janë “shumica” apo “llumi” që çuditërisht për ju, në gojë kanë gjithashtu edhe nëndialektin e Tiranës që për ju është vulgar dhe gjuhë rruge (jo rastësisht kjo mësipër, por diskutim i gjatë për ta vazhduar)Nga mëngjesi deri në darkë, bëni moral,jepni leksione, hidhni e baltosni “shumicën” jo si ju, por në fund të ditës, harroni se keni bërë vetëm fjalë, fjalë, fjalë… tipa si ju mbeten njerëz bosh,pa thelb, pa shtyllë kurrizore, pa kurrëfarë karakteri, si një kuti biskotash e amballazhuar bukur, por që sa i hap qelben era myk!

    Djalë i mbarë, je shumë i ri për të qenë kaq serioz. Do të kesh kohë të jesh edhe 40 vjeç. Jeto rininë dhe jetën tënde…

    P.S. Mëso të shkruash saktë standardin e gjuhës shqipe, për sa kohë përpiqesh ta bësh këtë, duke u përpëlitur të shkëputesh nga flirti yt me toskërishten; në të kundërt shkruaje në toskërisht z. Qëllimi Tonë.

    1. anti-turko-grekut says:

      i nderuar ”Tyrkanos”- ki durim ta lexosh deri ne fund shkrimin se per tipa kokegdhe si puna jote ben fjale,
      qe vetem shajne e masturbohen dite per dite me veten e tyre!
      P. S. -Shiko pak ”drejt-shkrimin” tend o i ndritur, pastaj fol per te tjeret, po shyqyr qe dike te klikosh Temen,
      e te komentosh, dukesh qe paske dale nga universiteti ”Ujrave te zeza dhe kanaleve te kokeshrekteve”!

  4. tironci kuq e zi says:

    Nje shkrim shume I sakte. Por deri sa shumica e shqiptarve te mari buken me list, asgje nuk ka per te ndryshuar. Te shpresojme qe keta qe po vijne te bejne dicka per kete popull se neve si shqiptare kjo na ngel gjithmone shprese edhe vetem shpres. Shpresojme edhe varemi ke te tjeret e jo te sistemojme e ti rregullojme gjerat vete

  5. shkodrani - Londer says:

    Duhej ti bije me shkurt… e ke zgjatur shume por ke ngritur nje tematike qe tipat si Tyrkanos nuk arrijne ta kuptojne.

    Anglezet kane dhe nje thenje tjeter:

    Puno fort dhe luaj fort.

    Ne shqiperi, te rinjte sdine te punojne por vetem te luajne.

    Nuk eshte e keqja se luajne, e keqja eshte se nuk punojne per dicka ne jete, (te punojne – do te thote te dine se cfare duan te bejne ne jete – ti japin vetes nje drejtim, te zgjerojne horizontin duke lexuar dicka me shume se gazeten Tema, te shohin nje teater/komedi pervec politikaneve hora qe jane ne tv 24/7. te mirren me nje lloj sporti pervec bilardos, dhe ne darke te shkojne edhe pubeve e klubeve te nates te defrehen. Por jo ne mjes ne kafe, pasdite nje kafe tjeter, ne darke pub/klub nate.. horizonti i rinise shqiptare shkon deri ne pub dhe jo me larg. Kur te behesh 40 vjec atere ti ka ngrene qeni trute ashtu sic ti paska ngrene ty qe tani nese je akoma ne te 20tat, dhe mendoj se aq duhet te jesh se do me vinte keq per ty po te ishe tek te 30 apo 40 tat.

  6. SalHajdarDemokratia says:

    Mos don me na cu ne ekonomin e planifikume komuniste dhe rinin e aksioneve tip shkurte pal vate, me nji portret dulle mbi kurriz dhe me kazma dhe lopata…
    Lene tjetrin t boj ca t doj
    Kush fiton mbetet kush humb shuhet

  7. Profesori says:

    Shiko (drejt)shkrimin e shqipes në komentet, që të kuptosh nivelin e shkollave tona. Shumica të ngjajnë si shkrime arabe, me rrokje e fjalë gjysmake, pa pikë, pa presje, pa fillim (gërmë të madhe)e fund fjalie. Fjalë të ulëta, sharje vulgare dhe shkrime lesh arapi, që të vjen turp t’i lexosh dhe duhet të nxjerrësh sytë për të shkoqitur kuptimin e tyre. Por dihet se kultura nuk merret në kafe e klube nate dhe me blerje dipllomash me paret e babait.

  8. SalHajdarDemokratia says:

    Profesor!
    Osht luft darwinijane existence plako
    Po nuk u pershtate hike per lesh dhe t rroft diploma masnej

  9. jsh says:

    Per mendimin tim, rinia shqiptare eshte kaq e plogesht sepse i mungojne alternativat per te ardhmen: alternativa qe normalisht i sjell funksionimi i tregut te lire. Nese jemi ne nje gjendje te tille sot, eshte pikerisht SEPSE shteti nderhyn tej mase ne ekonomi.

    Me duket se shpesh ngaterrojme nderhyrjen qe ben nje qeveri e majte (ent rregullator etj) dhe nderhyrjen/ kasaphanen qe ka bere kjo qeveri e djathte per 8 vjet (permbmedhjen e “tregut” ne duart e 3 familjev).
    Megjithate te dyja llojet arrijne ne perfundime pak a shume te njejta: asfiksimin e sipermarrjes se lire, gje qe sjell automatikisht asfiksimin e ambicieve te rinise.

    Deri sot, s’besoj qe tregu i lire te kete funksionuar i patrazuar ne Shqiperi. Dhe ja ku (edhe nje here me shume!) dikush sugjeron “nderhyrjen e shtetit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje