Rozalba e MASH dhe Brisa e vogël e Kallabakës në Greqi

13 Gusht 2013, 12:16Blog TEMA

Nga Abdurahim Ashiku*

 

Roza është titullare e lartë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë.

Tash 14-15 muaj i është dhënë të mbulojë mësimin e gjuhës shqipe në… diasporë.

Brisa është nxënëse në shkollën greke të Kallabakës në Greqi, e shkëlqyer në mësime.

Është në të njëjtën kohë edhe nxënëse e kursit për mësimin plotësues të gjuhës shqipe hapur me nismën e komunitetit shqiptar atje.

Për kursin, ndjekësit e kujdesshëm të emisionit të njohur “Fiks Fare” mbase mbajnë mend udhëtimin e Sajmirit, i ngarkuar me abetare dhe me kompletin televiziv “Luajmë shkollash”.

Të tjerat, ato që lidhen me mësuesen e palodhur Merita Ymeri, janë përcjellë në një libër dhe në disa shkrime në shtypin shqip në Greqi dhe në internet.

Gjithçka vullnetare, gjithçka pa pagesë për mësuesen që për mbijetesë bën punë të zakonshme si të gjitha gratë emigrante.  Një punë që krahasohet me bëmat e rilindësve të mëdhenj të shekullit XIX, mësues të cilët Dritëro Agolli i ka quajtur  “rilindësit e kohës sonë”, punë e cila deri tash është përmbledhur në dy libra: “Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2” e në vijim me vëllimin e tretë: “Shkolla shqiptare e Selanikut-Mësuesit, këta rilindës çudi”.

Bisedën me Brisën, titulluar “Brisa Ymeri në çudinë time shqip për shqipen”, e kisha lënë për librin tim të tretë për mësuesit e palodhur shqiptarë në Greqi, për këta “Rilindës Çudi”.

Një ngjarje në Ulqin, në seminarin e 9-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, seminar tashmë i përvitshëm organizuar nga MASHT e Kosovës dhe MASH e Shqipërisë, ma solli jo thjesht në kujtesë, por si një ballafaqim me atë që titullarja e lartë e MASH përcolli me plot gojë para më se njëqind mësuesve të gjuhës shqipe në mbarë kontinentin Evropian.

Pyetjes nga salla: “Çfarë bëhet me fëmijët shqiptarë që si pasojë e krizës kthehen në Shqipëri nga Greqia dhe nuk dinë të shkruajnë e lexojnë dhe mezi flasin shqip?”, ajo iu përgjigj:

“Fëmija im, kur u ktheva në Shqipëri, nuk dinte asnjë fjalë shqip…”

Ndjeva që salla mbajti për një çast frymën duk vështruar ngultas zonjën në presidium.

Duke mos u besuar veshëve, pyeta në pushim mësues nga mbarë hapësira ku nxënësit mësonin të shkruanin e lexonin shqip, mësues nga Suedia, Gjermania, Anglia, Zvicra, Austria, Greqia, Italia…

Të gjithë e kishin përjetuar deklaratën e titullares së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e ngarkuar për të ndjekur kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në emigracion me habi. Një deklaratë e tillë nuk i shkonte ta thotë në një kafene një mërgimtar që i bie bretku në ndërtim dhe fëmijën e le në gjumë dhe e gjen në gjumë.

Një intelektuale, me arsim të lartë e diploma në mësuesi, me detyrë shtetërore në një vend perëndimor, nuk i paska folur fëmijës së vet në shtëpi në gjuhën e gjysh stërgjyshit të vet, nuk i paska marrë një abetare t’i mësojë si të shkruajë të tridhjetë e gjashtë germat e alfabetit, nuk e paska vënë përballë ekranit satelitor të shohë si flet “Çufo-ja” dhe “Bang-bang-u” duke u përcjellë përralla shqip fëmijëve në të gjithë kontinentet, nuk…

Ndërkohë më erdhi në kujtesë Brisa 12 vjeç nga Kallabaka, Brisa që në shtëpi i kanë folur dhe ka folur shqip, Brisa me të cilën më 1 janar 2013 kisha komunikuar në Facebook kaq lirshëm dhe kaq saktë sa do ta kishte zili edhe një student i sapodiplomuar për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës.

Në respekt të Brisës dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të saj që ndjekin mësimet në “Shkollat” e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi po e përcjell për lexuesin e këtyre radhëve bisedën e 1 janarit 2013, ashtu si e kam botuar në shtyp dhe ashtu si do ta fus si pjesë e librit për mësuesit shqiptarë në Greqi që pa asnjë shpërblim, në kushtet e kërcënimeve nga “Krisi Avgji” dhe segmente të tjerë ekstremistë, po bëjnë që shqipja të mbijetojë…

 

BRISA YMERI NË ÇUDINË TIME SHQIP PËR SHQIPEN

Një bisedë që më befasoi dhe më mbushi me gaz e hare…

Po komunikoja në Facebook me Merita Ymerin, mësuesen e mirënjohur të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kallabaka. Më nderon herë pas here me mesazhet plot respekt që më përcjell, veçanërisht me të falat që më dërgon t’ia përcjell Natashës, shoqes time të jetës, me të cilën është njohur në një nga seminaret për mësimin plotësues të Gjuhës shqipe në Mitrovicë. Kështu ndodhi edhe atë mbrëmje në prag të festave të fundvitit 2012. Kjo deri në çastin kur në komunikim hyri vajza e saj, Brisa Ymeri, 12 vjeçe, nxënëse e klasës së parë gjimnaz në Kallabaka, përndryshe nxënëse e Merita Ymerit në shkollën shqipe të mësimit plotësues të Kallabakës.

Komunikova me Brisën, siç nuk kam komunikuar me universitarë, me njerëz që kanë mbaruar fakultetin e gjuhësisë. Nuk desha ta besoj (edhe sot më duket me të vërtetë një çudi) që vajza e mësuese Merita Ymerit, Brisa, shkruante shqip, me shpejtësi e përgjegjësi, aq bukur dhe aq saktë sa më befasoi.

Po e përcjell bisedën në Facebook me Brisën vetëm me një “redaktim”, me futjen në fjalët e saj të dy germave që i harrojnë sot edhe gjuhëtarë profesionistë, të germës ë dhe ç në vendin e duhur…

Për të tjerat lexoni bisedën dhe do të bindeni.

Unë, autori i disa librave dhe i dhjetëra shkrimeve për Gjuhën Shqipe në emigrim, u ndjeva krenarë që Brisa jo vetëm e flet por edhe e shkruan gjuhën shqipe saktë por edhe gjen fjalën e duhur për jetën në vendlindjen e prindërve të saj, në Elbasan…

 

Brisa Ymeri: Xhaxhi Abdurahim, jam vajza e Meritës. Mami po merret pak me çunin. Do ta thërras tani? Ne jemi të gjithë mirë. Po ju si jeni?

Unë: Oh sa bukur! Gëzohem që e shkruan kaq bukur gjuhën shqipe. Ke nënë të mirë, ke edhe mësuese të shkëlqyer.

Brisa: Faleminderit shumë xhaxhi Abdurahim! Në fakt, po, është merita e prindërve të mi, por sidomos e mamasë time, që e di kaq mirë gjuhën shqipe!!!

Unë: Gëzohem që folëm!

Brisa: Po thërras mamin që të vijë.

Unë: Më dërgo një fotografi tënden dhe më trego se si e mëson gjuhën shqipe, çfarë ke mësuar nga historia e Shqipërisë, nga vendet e bukura ku lindi dhe u rrit mami dhe babi, çfarë këngësh këndon, çfarë vjershash recitove për 100 vjetorin…

Brisa: Patjetër xhaxhi Abdurahim. Në festën e 100- Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë unë këndova këngën e Vaçe Zelës “Rrjedh në këngë e ligjërime”.

Unë: Faleminderit bukuroshe, ma shtove jetën me bisedën tënde shqip.

Brisa: Mami e ka hedhur edhe tek profili i saj. Faleminderit xhaxhi Abdurahim. Ishte kënaqësi që fola me juve sepse kam dëgjuar shumë fjalë të mira nga mami për ju!!! Kam lexuar dhe pjesë nga librat e juaj që i keni dhuruar mamit! Më pëlqyen shumë.

Unë: Bravo! Po cilët pjesë të kanë pëlqyer më shumë?

Brisa: Kam lexuar Rilindësit e kohës sonë ku ke shkruar edhe për mamin edhe për disa mësues të tjerë që janë shokë e shoqe të mamit. Por më shumë nga të gjitha më pëlqeu ajo pjesa tek “Rilindësit e kohës sonë -2”, të ndihmohen mësuesit shqiptarë në Greqi. Dhe më pëlqen shumë sepse flet tamam për ne!!!

Unë: Po librin “Rrëfimet e komshiut” e ke lexuar apo nuk ia kam dhënë mamit?

Brisa: Librin “Rrëfimet e komshiut” ja ke dhënë mamit si dhuratë për Dashin. Unë të jap fjalën se do ta lexoj librin tuaj “Rrëfimet e komshiut”!!!

Unë: Prit pak. Më trego se çfarë ke mësuar për historinë e Shqipërisë?

Brisa: Mami na ka mësuar historinë e klasës së katërt dhe mbaj mend se çfarë është historia, matjen e kohës, cilët ishin fiset e para ilire, si e mësojmë historinë edhe cilët janë burimet historike, por gjithashtu edhe shumë të tjera si simbolet e shtetit kombëtar, kush ishte Skënderbeu, Nënë Tereza edhe shumë të tjera që për momentin nuk po me kujtohen…

Unë: Nuk ma the emrin dhe sa vjeçe je?

Brisa: Më fal që nuk u prezantova, por emri im është Brisa dhe jam 12 vjeç. Shkoj në vitin e parë gjimnaz, domethënë në klasën e 7-të sipas shkollave në Shqipëri.

Unë: Bravo bukuroshe. Po për vendlindjen e babit dhe të mamit çfarë të ka mësuar mësuese Merita?

Brisa: Mami ka lindur dhe është rritur në Elbasan. Gjithashtu edhe babi.

Unë: Çfarë di për Elbasanin?

Brisa: Di që është një qytet shumë i vjetër dhe që nga Elbasani kanë dalë figura të njohura, njerëz të dëgjuar si Aleksandër Xhuvani siç e ka edhe universiteti, tek i cili ka studiuar mami dhe kam kaluar shumë herë para tij dhe e kam parë. Si dhe është hapur shkolla e parë Normalja e Elbasanit. Kam pare Metalurgjinë…

Ooooooooooo, harrova të them për ma të rëndësishmen e cila është  Kalaja e Elbasanit. Është vendi im i preferuar i Elbasanit. Gjithashtu për lumin Shkumbin, të cilin e kaloj kur shkoj nga Elbasani tek shtëpia e gjyshërve nga ana e mamit në Hajdaran.

Unë: Kur shkon në Elbasan? Ke shoqe? Po kush të pret krahë hapur?

Brisa: Në fakt kam shumë-shumë kushërinj që janë moshatarë me mua pothuaj, por kam bërë edhe shoqe nëpërmjet kushërinjve!

Por me shumë gëzohen gjyshërit kur shkoj. Më duan shumë, jashtë mase si edhe motrën dhe vëllanë tim. Por kur largohemi qajnë dhe mërzitem shumë. Që t’ju tregoj se sa shumë më duan ju them se kur ishte festa e 100- Vjetorit të Pavarësisë që bëmë këtu me shkollën Shqipe na e bënë surprizë. Së bashku me tezen dhe familjen e saj erdhën këtu për të më parë mua, motrën dhe vëllanë.

Unë: U kënaqa shumë.

Brisa: Natën e mirë xhaxhi Abdurahim. Tani sapo erdhi mami sepse tani fjeti vëllai gjumë. Deri tani nuk po e zinte gjumi.

Unë: Natën e mirë bukuroshe. Pashë fotografitë e festës. Ishit me babin e mamin, me vëllanë, po vajza tjetër motra është?

Brisa: Po motra ime është. Quhet Erika dhe është 8 vjeçe. Tani më duhet të iki sepse do të shtrihem. Më vajti vonë. U kënaqa shumë që folëm bashkë! Natën e mirë dhe shumë të fala familjes. Gjithashtu gëzuar festat.

 

Rozës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë, e ngarkuar të ndjekë mësimin plotësues të gjuhës  shqipe në diasporë i “rrëshqiti” fjala… tha se kur u kthye në Shqipëri fëmija i saj nuk dinte asnjë fjalë shqip (!)…

Pyes: A mund ta drejtojë çështjen madhore të mësimit të gjuhës shqipe të një të tretës së fëmijëve shqiptarë (në mërgim) një njeri në një pozitë kaq të lartë dhe me përgjegjësi zyrtare në MASH, me shembullin që u përcolli mësuesve shqiptarë në mbarë Evropën në seminarin e Ulqinit 2013?

 

*Gazetar, Athinë

Gusht 2013

20 komente në “Rozalba e MASH dhe Brisa e vogël e Kallabakës në Greqi”

  1. net says:

    Allahu ta shperblefte inshalla!

    1. genti says:

      Bravo i qofte asaj vajzes dhe priderve te tyre kurse ti net qerrohu nga ky forum e ik ne ndonje forum islamik rr… k…

    2. durresstar says:

      o net [email protected],po ku u bone fetar ti o gomar??

    3. Tahir Llukubabashta says:

      Bravo net, nuk mund te rrije pa fole edhe ti per ABETAREN SHQIPE:
      Foli Berisha
      Foli Hashimi
      Foli Atifetja
      Foli Abdurahimi
      Foli dhe neti


      Boll me o islamabadas se na e qelbet SHQIPTARINE
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/05/abetare-shqip-pacavure-patriotizmi.html

  2. VEZHGUESI says:

    PO SA “ROZA” KA NE MINISTRI O Z,ABDURAHIM” NE KEMI NE MINISTRI TE JASHTME INJORANT SI ROZA DERI NGA BUMCI E TE TJERE E TY TE BEKA PERSHTYPJE ROZA. ME GJITHE ATE UNE EMIGRANT JAM DHE FEMIJET E MI FLASIN ME MIRE E ME KULTURE SE ROZA E DISA TE TJERE SI ROZA LESHI.

  3. Gjergji says:

    Jam emigrant nga Erseka ne Athine. Duke lexuar artikullin e mesiperm u emocionova deri ne perlotje per shembullin kuptimplote te nje femije qe shkruan e lexon shqip ne menyre te perkryer. Eshte gjeja minimale qe prindrit duhet te bejne per femijet e tyre. Kam dy femije, 17 dhe 10 vjec. Flasim vetem shqip ne familje. Flasim vazhdimisht per historine e atdheut tone. Perpiqemi qe ti bejme te ndihen krenare per origjinen e tyre. U shpjegojme me durim se ato qe thuhen kunder nesh keto 20 vite, nuk jane dicka e shkeputur. Eshte nje perpjekje sistematike per te goditur gjuhen shqipe, qe ze fill shume kohe me pare. Gjithe pushtuesit qe kane kaluar nga toka shqiptare, kane pasur objekt goditjen e gjuhes sone. Pse valle? Thjesht sepse gjuha shqipe eshte shume, shume e vjeter dhe ne menyre paradoksale i rezistoi stuhive te historise dhe mbijetoi. Edhe pse nuk shkruhej. Une nuk di nese ka nje shembull te dyte ne bote.Sa per zyrtaren e larte te MASH te Shqiperise nuk habitem. Nje qeveri antishqiptare nuk do te bente dicka me ndryshe nga kjo qeveri. Prandaj dhe populli i dha goditjen ne 23 Qershor.

  4. S says:

    shkrim shum domethenes dhe kuptimplote ……

  5. Zef Kallami says:

    Z.Gjergj!
    Nuk e sulmojne gjuhen pse asht e vjeter.Po e sulmojne qe te asmilojne popullin.Qe duke i shuar gjuhen,shuajn,asimilojne popullin.Vajzes me emrin Brisa i uroj,dije,jete te gjate dhe me plot shendet.Gezoft edhe emrin Brisa qe asht identik nga emri i nji fshati nga krahina e Merturit,Brise.E lexova me andje duke kujtue se asht nga kjo krahine dhe thash sa bukur per te perjetue emrin e vendit.Megjithekete mbeta i kenaqur.Se vajza e shkruan shqipen shume e shume ma mire se une.

  6. EMIGRANT, GREQI says:

    1- Rasti i Brisa Ymerit eshte shembull pozitiv, por nuk eshte dukuri e pergjithshme per femijet e emigranteve shqiptar ne Greqi.

    2- Megjithese jane afro 1 milion shqiptar ne Greqi dhe kane kaluar me shume se dy dekada, ende ne Greqi nuk eshte hapur asnje shkolle e vetme shqiptare, veçse me veshtiresi vetem disa kurse ne gjuhen shqipe.

    3- Elbasani eshte qytet i Shqiperise qe ka mbi 100 vjet shkollen e mesme pedagogjike dhe prej disa dekadash universitet cilesor per pergatitjen e mesuesve dhe specialisteve te arsimit shqiptar.

    4- Pergjegjesia themelore per mesimin e gjuhes shqipe te femijet tane dhe gjithe brezi i ri shqiptar, natyrisht u perket prinderve shqiptar dhe shtetit shqiptar i cili e ka per detyre planifikimin, organizimin, ngritjen, funksionimin cilesor te shkollave per shqiptaret.

  7. sajmir says:

    Abdurrahim pershendetje! Nder te tjera,ne artikullin tend mesuam qe po punon per nje liber te trete, d.m.th qe ke bere edhe dy te tjere me pare.Na lodhe me keto librat e tu. Libri eshte gje tjeter dhe ajo qe ben ti mund te jete çdo gjë, por jo liber. Prandaj nje keshille:-Te lutem MOS e mbaro librin e trete. Merru me ndonje pune tjeter, si ato qe kryeje ne kohen e atij….(komandantit).

    E sa per ‘Rilindas’, mos e mendo se mund t`u ngjash.

    1. Lexues Shqiptar says:

      Dy librat e zotit Abdurahim Ashiku sigurisht kane vlerat e tyre dhe tematika qe kane trajtuar ka qene me rendesi per lexuesit shqiptar.

      Por me i rendesishem eshte kontributi i drejtperdrejt qe zoti Abdurahim Ashiku megjithese jo i ri ne moshe punon dhe perpiqet per mesimin cilesor te gjuhes shqipe nga emigrantet ne greqi dhe nxjerrjen ne pah te problemeve te emigracionit shqiptar.

      Perpjekjet e shumta aktuale te prinderve dhe atdhetareve shqiptar ne greqi, per momentin jane vetem manushaqe pranverore per lindjen dhe mesimin e gjuhes shqipe te femijet e emigranteve, dhe ne vazhdimesi ndoshta mund te sherbejne per rizgjimin dhe rilindjen e gjuhes shqipe te komuniteti i madh arberor arvanitas.

    2. elona says:

      Kam pas nderin ta takoj kete zoteri,eshte me te vertete mbreselenes,ai dhe gjithe familja e tij aq e kulturuar.Jane te pakta familjet shqiptare intelektuale si e tyre.Ti me duket do jesh ndonje dibran ziliqar,se Z.Abdurrahim eshte person shume i respektueshem dhe eshte munduar shume per te gjitha ato qe ka thene me larte.

    3. Abdurahim Ashiku says:

      Unë e botova librin e tretë për mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi z.Sjamir. Ka titullin SHKOLLA SHQIPE E SELANIKUT dhe hedhë dritë mbi punën e 21 mësueseve të cilët që nga 7 marsi 2001 u kanë mësuar të shkruajnë, lexojn, recitojnë e këndojnë shqip mbi njëmijë fëmijëve.
      RESPEKT PËR MËSUESIT RILINDËS TË GJUHËS SHQIPE NË GREQI!

  8. Ne Greqi ,eshte e pamundur qe te zhvillohet gjuh shqipe ! Kanceri i kesaj pune eshte kisha greke ,e cila ka helmuar edhe qe ne sekondat e para te ardhjes se germave shqipe ne Shqiperi !Dhe jo me te leri te lire gjuhen dhe mesimin shqip !Pas kesaj kembengulje shume shekullore ,mfshihet ”themra e Akilit !’

  9. Fatmiroshe Xhemalaj says:

    I nderuar z. Abdurahim,
    Përshëndetje. Ne bashkë u njohëm në seminarin e mësuesve të diasporës, në Ulqin(29 korrik-2 gusht 2013). Ishte hera e parë që merrja pjesë, si trajnuese e mësuesve të Diasporës, për problemet e përmbajtjes së teksteve e metodave interaktive në mësimdhënie e mësimnxënie.
    Seminarin e ndoqa me interesim të madh, pasi doja të kuptoja më mirë nevojat e mësuesve të diasporës që bëjnë një punë heroike, do ta quaja unë, për t’u mësuar gjuhën, historinë, kulturën e kombit shqiptar, fëmijëve të emigrantëve. Edhe shkrimet tuaja i kam ndjekur, nëpërmjet mediave, dhe nuk mund të rri pa pohuar se ato informojnë publikun për ç’ka ka ndodhur dhe ndodh në fushën e edukimit, por jo vetëm.
    Shkrimi me titull “Rozalba e MASH dhe Brisa e vogël e Kallabakës në Greqi” na sjell të vërtetën e Brisës, e mësuese Meritës, të cilat i përshëndes me dashuri edhe pse nuk i njoh, por jo të vërtetën e Rozalbës.
    Ne mësuesit, përfshirë edhe juve këtu, nga pedagogjia, kemi mësuar se së pari “nxënësit” duhet t’i vëmë në pah anët e mira, e më pas ta nxisim të korrigjojë anët problematike.
    Si mësues me përvojë që jeni, që morët përsipër të bëni këtë shkrim për publikun, së pari duhet të shkruanit për përpjekjet maksimale që Ministritë e Arsimit të dy shteteve shqiptare, Komuna e Ulqinit, Sektori i Diasporës, me drejtuesen qytetare e profesionale, Rozalba Merdani, ka bërë për t’i sjellë në një emërues të përbashkët interesat e nevojat e mësuesve të diasporës; mendoj, se mund të kishit informuar publikun për gjithçka të mirë që mësuesit e diasporës, të ardhur nga vende të ndryshme të Europes, në bashkëpunim me specialistët, përfituan në këtë trajnim. Kjo analizë do t’u shërbente edhe mësuesve të tjerë të diasporës, të cilët nuk patën mundësi të vinin. Por edhe kritika konstruktive, në këndvështrimin tuaj, do të ishin me vlerë, në se ato do të çonin përpara projektin e punës së mësimit të gjuhës e kulturës shqiptare nga fëmijët e diasporës.
    Të vërtetën e Brisës dhe Meritës, i njihni ju dhe ne ju besojmë. Por më vjen keq t’ju them se në këtë artikull, të vërtetën e Rozalbës ju e keni deformuar, edhe pse Rozalbën gati e keni kolege, pasi keni qenë pjesëmarrës i seminareve të organizuara nga sektori i diasporës, të drejtuar me profesionalizëm prej saj.
    Fjalët e Rozalbës, nuk i keni shkruar të sakta. Nuk besoj se i keni bërë me qëllim. Pyetjes, “Çfarë bëhet me fëmijët shqiptarë që si pasojë e krizës kthehen në Shqipëri nga Greqia dhe nuk dinë të shkruajnë e lexojnë dhe mezi flasin shqip?”, ajo nuk iu përgjigj, “Fëmija im, kur u ktheva në Shqipëri, nuk dinte asnjë fjalë shqip…”, por “Fëmija im, kur u ktheva në Shqipëri, nuk kishte ndjekur ndonjë shkolle shqipe, por fliste dhe shkruante shqip…” Pra, fëmija e saj e kishte mësuar shqipen në familje.
    Me këtë ajo kërkonte të zgjonte interesin e prindërve emigrantë, nëpërmjet auditorit, që edhe në kushtet ku jetojnë e punojnë, t’u flasin shqip fëmijëve. Më pas, ajo sqaroi procedurat që fëmijët e emigranteve duhet të ndjekin për t’u integruar në shoqërinë shqiptare, procedura të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
    Z. Abdurrahim, problemet e shqiptarëve, brenda vendit, por sidomos jashtë vendit janë të mëdha. A kanë bërë mjaftueshëm dy shtetet shqiptare, në fushën e edukimit për ta? Natyrisht, jo. Është një kërkesë më se e natyrshme dhe e domosdoshme, që shteti të kujdeset për qytetarët e vet, kudo që ata ndodhen. Por ,në dekadën e fundit, në fushën e edukimit, për fëmijët shqiptarë jashtë vendit, Ministritë e Arsimit të dy vendeve, Ministria e Diasporës në Kosovë, kanë hartuar tekste të integruara të mësimit të gjuhës shqipe, historisë, gjeografisë e trashëgimisë kulturore. Këto tekste ju shpërndahen falas fëmijëve të emigrantëve, kudondodhen. Ndihmesa nuk ka ngelur vetëm në përgatitjen e teksteve, por edhe në trajnimin e mësuesve të diasporës.
    Vet seminari i Ulqinit, ishte një prej seminareve të trajnimit të mësuesve.
    Duke uruar që pena juaj të jetë konstruktive,

    Me respekt,
    Fatmiroshe Xhemalaj
    Specialiste e lëndëve shoqërore
    Tiranë, më 13 gusht 2013

  10. ILIRET says:

    Nje pyetje: Ajo zonja e Ministrise se Arsimit te ciles nuk i di femija shqip, eshte ende ne pune?
    Nje ngjarje: Keto dite takova nje shoqen time te dikurshme, e cile po shetiste se bashku me bashkeshortin dhe djalin e saj rreth 7 vjec. Kishin ardhur nga Gjermania. Pasi u pershendeta i fola edhe femijes. Nuk kupton shqip, me tha e ema. U habita, dhe nuk e di se si mu dha dhe i futa nje te share vence femijes:- O ta qifsha te tem!
    Bashkeshorti buzeqeshi si budall, ndersa ish shoqja ime mu drejtua:
    -Ua, cfare thua ashtu, nuk te vjen turp?
    -Turp? Nga kush?-ja ktheva
    -Po ja, nga djali.
    -Djali? Po ai nuk di shqip. -Dhe u largova pa i pershendetur. Nga larg degjova qe burre e grua po merreshin me njeri tjetrin…

  11. Tani Tirane says:

    Djali i xhaxhait tim jeton ne Athine dhe ka 2 femije, kur vijne ne Shqiperi flasin vetem greqisht.Respekt vajzes se vogel me emer te vecante dhe familjes se saj.Respekt te djithe mesuesve ne diaspore po vecanerisht ne greqi ku perballen me agimin e arte.Per mendimin tim ajo zonja Merita duhet te punoje ne vend te Rozalbes ne MASH PER DIASPOREN.Respekt z.Abdurrahim Ashikut

  12. Vjollca says:

    Jam mesuese ne nje shkolle 9-vjecare ne Tirane.Kete vit shkollor kam pasurdisa nxenes te kthyer nga Greqia,Italia madje dhe nga Amerika sigurisht me probleme ne perdorimin e shqipes se folur dhe asaj te shkruar,femije qe vinin nga prinder me nivel jo te larte arsimor.E them me kenaqesi madje me krenari qe ne fund te vitit shkollor arrita t i mesoj te flasin te shkruajne, madje sdhe te mendojne ne shqip.kjo si rezultat ipunes kembengulese brenda ores se mesimit, itrajtimit te barabarte me shoket e tjere te klases ,indihmeses se vecante ne raste te caktuara gjithmone brenda ores se mesimit.Me vjen keq qe e them,por askush nuk u interesua per veshtiresite e kesaj pune vetem thjeshte kerkonin statistika per numrin e tyre pa harruar edhe numrin e nxenesve ne klasa 40 ne cdo klase.

  13. Profesori says:

    Zoti Abdurrahim, ju ka shpëtuar një “hollësi”: Emrat BRISA dhe ERIKA, janë emra tradicionalë shqiptarë…??!!

  14. Abdurahim Ashikua says:

    Falenderoj të gjithë ata që komentuan shkrimin tim. Vlerësoj me të njejtën monedhë edhe ata që më kanë bërë vrejtje. Çështja e gjuhës shqipe në mërgim është dhe duhet të jetë çështje e të gjithëve.
    Me respekt
    Abdurahim Ashiku
    Athinë, 29 tetor 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje