Fryma e re e qeverisë së Edi Ramës do të fillojë nga rendi dhe siguria, me ndërtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Si do të funksionojë ajo dhe pse do të krijohet. Çfarë do të ndodhë me shërbimet sekrete dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit
Nga Renato Kalemi*
Dy ditë pasi Saimir Tahiri u konfirmua zyrtarisht në krye të Ministrisë së Brendshme, e cila realisht cilësohet si dikasteri më i rëndësishëm i kabinetit “Rama”, ai nuk ngurroi t’u kërkonte sugjerime nëpërmjet Facebook-ut qytetarëve që kishin rezerva për Policinë e Shtetit. E fillonte me komunikimin dhe sjelljen, për ta mbyllur me sigurinë në komunitet. E njëjta logjikë është ndjekur edhe nga figura të tjera të Partisë Socialiste, të cilat në shtator do të zënë karriget e punës, për t’i dhënë një dorë të re gjithçkaje që është kryer në këto tetë vite administrimi në duart e së djathtës. Vetë Edi Rama, në ditën kur paraqiti emrat e qeverisë që do të drejtojë në këto katër vjet, premtoi një riorganizim të thellë të të gjitha dikastereve duke filluar nga Kryeministria, për të vijuar me ministritë, agjencitë dhe institucionet në varësi të tyre. Shumë besojnë se ky aksion është thjesht një revansh spastrimi në administratë, për të hequr “të djathtët” dhe punësuar “të majtët”. Kjo mbetet për t’u parë, por në Partinë Socialiste thonë se prekja e thellë e organeve në varësi të qeverisë ka të bëjë vetëm me nxitjen e një fryme të re pune.
Burime nga selia rozë flasin për agjenci dhe institucione tepër të ngarkuara dhe të fryra me njerëz, të cilët vetëm sa rëndojnë buxhetin e shtetit. Pikërisht, për këto pastrime ka folur Rama në ditët e para të konfirmimit të tij si Kryeministër i ardhshëm. Në PS thonë se reforma institucionale e organeve nën varësinë e qeverisë nuk do të përfshijë vetëm shfryrjen në numër, por ndryshimin rrënjësor të disa prej tyre, shkrirjen dhe bashkimin e disa të tjerave, si dhe krijimin e agjencive të reja që mendohet të lehtësojnë punën e kabinetit qeveritar. Për Ramën, sjellja e një fryme të re që në 100 ditëshin e parë të qeverisjes socialiste është detyrim. Dhe burimet e PS-së thonë se kjo do të nisë nga rendi dhe siguria, prandaj Ministria e Brendshme e Saimir Tahirit do të marrë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e imazhit të kabinetit “Rama”.
Më herët, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit, Rama ka premtuar krijimin e disa organeve të reja, të cilat nuk kanë ekzistuar më parë. Për shembull, Byroja Kombëtare e Hetimit apo Agjencia Kombëtare e Bregdetit; sot, këto dy emërtesa thonë shumë pak për rëndësinë që do të kenë në qeverisjen socialiste, por realisht cilësohen si dy organe që do të sjellin përmirësime të mëdha në luftën kundër krimit (e para) dhe rehabilitimin e bregdetit të pushtuar nga ndërtimet pa leje (e dyta). Megjithatë, në selinë rozë nuk japin fort detaje për atë se çfarë do të bëjnë më konkretisht këto organe të reja sepse janë ende në fazat e para të organizimit, por thuhet se do të jenë tërësisht teknike. E njëjta gjë mendohet të ndodhë edhe me një autoritet të kontrollit financiar apo inteligjencën shqiptare. Pyetja që shtrohet rëndom sot është se sa kushtetuese do të jenë këto organe të reja? Përgjigja mendohet të vijë nga Parlamenti i ri, që do të përgatisë edhe anën ligjore të ngritjes së tyre.
Organi ndoshta, më i shumëpritur i qeverisë së re është Byroja Kombëtare e Hetimit. E deklaruar nga vetë Rama, ky institucion pritet të jetë pjesë e Kryeministrisë. Kur e hodhi për herë të parë si propozim, kryesocialisti tha se ideja e koordinimit të institucioneve të kontrollit të sigurisë në një të vetëm, vinte si pasojë e nevojës për të organizuar të gjitha ato shërbime që janë pa koordinim dhe konsumojnë pa fund para pa qenë në funksion të policisë. “Kjo strukturë do të garantojnë mirëfunksionimin e brendshëm dhe koordinim me struktura të tjera të hetimit të brendshëm edhe me prokurorinë”, ka thënë Rama para 23 qershorit, duke deklaruar se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) ka rënë sepse është kthyer në një lloj SHIK-u të brendshëm në polici. Për këtë arsye ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pretendohet të jetë reforma kryesore e PS-së për transformimin e Policisë së Shtetit, nga një organizëm nepotik dhe kriminal (siç e cilësojnë socialistët), në një strukturë funksionale që prodhon stabilitet dhe qetësi publike. Përpos ndryshimit të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit, PS-ja parashikon të shkrijë disa organe aktuale, që sipas saj vetëm prodhojnë korrupsion dhe çorientim. Pra Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme është etiketuar si organi i parë që do të shkrihet pas konstituimit të qeverisë së re në shtator. Vendin e saj do ta zërë Byroja Kombëtare e Hetimit, me kompetenca më të gjera dhe detyra më të qarta, e cila do të bashkojë në një shërbim të vetëm shumë shërbime policore.
Byroja cilësohet si formulë për reformimin e strukturave të hetimit dhe parandalimit të krimeve, trafiqeve, kontrabandës dhe korrupsionit dhe thuhet se është një propozim i bërë nga ish kryeministri britanik Toni Bler, i cili do të jetë këshilltari “luksoz” i qeverisë së re. Ka nga ata që Byronë e krahasojnë me FBI-në amerikane, duke qenë se ajo synon të saktësojë tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, si dhe do të caktojë një kufi midis hetimit të policisë dhe prokurorisë, duke luajtur edhe rolin e një policie gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit do të kryejë edhe funksionin e Shërbimi të Kontrollit të Brendshëm, duke kontrolluar punën e policisë dhe zbatimin e ligjit nga policia. Ajo do të kujdeset për menaxhimin dhe infiltrimin e informacionit për çdo çështje. Madje, sipas burimeve të selisë rozë, ky shërbim do të kujdeset edhe për sigurimin e informacionit policor, duke u nisur edhe nga dekonspirimet e aksioneve të policisë nga elemente në krye të policisë. Raste të tilla janë të shumta në policinë tonë, e jo pak herë kanë përfunduar në mënyrë tragjike për jetën e agjentëve të policisë.
Byrosë Kombëtare e Hetimit do të ketë në dorë edhe analizën e informacionit kriminal, luftën kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive anti-terror, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policinë shkencore dhe antikrimin kompjuterik, mbrojtjen e dëshmitarëve, policinë e qarkullimit e rendit etj. Pavarësisht se në media përflitet se në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm mund të jetë ish kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili nuk u kandidua për deputet në 23 qershor, ndoshta edhe me idenë për të drejtuar një institucion, burime nga PS-ja nuk e konfirmojnë këtë fakt. Madje, një emër tjetër që qarkullon këto ditë është edhe ai i ish shefit të SHISH-it, Bahri Shaqiri. Megjithatë, nuk përjashtohet se ky institucion të drejtohet nga një emër me eksperiencë teknike.
Edhe organet e inteligjencës pritet të hyjnë në një proces të thellë organizimi, duke filluar nga vetë Shërbimi Informativ Shtetëror, për të kaluar më pas në eliminimin një numri të konsiderueshëm agjencish, të cilat kanë krijuar një panoramë amullie të kompetencave dhe ndërveprimit mes tyre. Por, edhe në këtë rast duhet pritur fillimi i punës së Parlamentit dhe komisioneve parlamentare, të cilat do të diskutojnë propozimet e qeverisë së re. Socialistët kanë në plan të eliminojnë strukturat inteligjente në Ministrinë e Financave, si dhe do të reformojnë thellësisht Shërbimin Informativ të Ushtrisë, një organ kaq shumë i kritikuar nga PS-ja gjatë kohës kur ishte në opozitë. Madje, SHIU është akuzuar se ka përgjuar drejtuesit e opozitës në ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe në vazhdim. Ashtu si në rastin e Policisë së Shtetit, edhe me shërbimin sekret synohet që të ketë vetëm një të tillë, pra Shërbimi Informativ Shtetëror. Ky i fundit do të reformohet në uljen e numrit të punonjësve dhe modernizimin e strukturave, por duke filluar që nga ndryshimi i kreut të saj aktual. Visho Ajazi, i emëruar në krye të SHISH-it vitin e kaluar nga Presidenti Bujar Nishani, u kundërshtua ashpër nga PS-ja dhe për këtë arsye ai do të jetë një nga emrat e parë që do të largohet nga detyra. Pasuesin e tij nuk mund ta thotë askush sot, pasi pritet të jetë propozim direkt i Ramës.
Nga ana tjetër, reforma do të prekë gjerësisht SHIU-n, ose siç është emërtuar së fundi Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM). Aktualisht emërimi i drejtorit të agjencisë nuk bëhet nga Kryeministri, por nga Presidenti i Republikës. Ky organ është një strukturë paralele me SHISH-in, në varësi të ministrit të Mbrojtjes, organika dhe rregullat e funksionimit të AIM-it miratohen me urdhër të Kryeministrit dhe propozim të ministrit të Mbrojtjes. Dhjetorin e kaluar, kur mazhoranca e djathtë miratoi një ligj për funksionimin e AIM-it, opozita e kundërshtoi ashpër duke e akuzuar qeverinë dhe ministrin Arben Imami se po e përdor politikisht këtë strukturë për të fshehur përgjimet e paligjshme ndaj opozitës. Fatos Klosi, ish shef i SHISH-it, ka folur për nevojën e një konceptimi të ri të shërbimeve të shumta sekrete që janë krijuar në vend. Të gjitha këto shërbime janë një peshë e rëndë në buxhetin e shtetit dhe Shqipëria nuk e ka luksin e mbajtjes së disa shërbimeve paralele. “Shërbimi informativ mund të jetë një, i karakterit kombëtar, i lidhur ngushtë me shërbimet partnerë rajonale dhe të aleatëve në NATO, një shërbim i vogël profesionistësh, kryesisht të kamufluar, me një administratë modeste, në vartësinë direkte të Kryeministrit”, ka thënë Klosi. Një ide e cila i afrohet shumë filozofisë që kërkon të zbatojë Rama në ditët e para të qeverisjes së tij.
Mirëpo, Rama ka folur dhe vazhdon të flasë se financat e vendit do të kalojnë në sitën e një institucioni të huaj në shtator, për të parë në thellësi të gjithë situatën ekonomike në vend. Nuk është sekret se selia rozë i trembet marrjes së drejtimit të vendit në një situatë të vështirë ekonomike, e cila sipas tyre është rënduar edhe më shumë gjatë dy muajve para fushatës zgjedhore të 23 qershorit, por edhe në muajt korrik-gusht. Burime nga PS-ja thonë se situata nuk është optimiste, por gjithsesi është duke u diskutuar edhe mundësia e një sërë ndryshimeve në kontrollin e sektorit financiar të vendit. Ashtu si rendi, siguria dhe shërbimet e inteligjencës, reforma do të përqendrohet edhe në fushën financiare me prekjen e disa ligjeve ekzistuese. Në media është folur për krijimin e një autoriteti të ri financiar i cili do të ketë të drejtë vetoje mbi të gjitha bordet e tjera në këtë fushë shumë të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Madje, se ky autoritet do të këtë kompetenca mbikëqyrjeje edhe mbi autoritete aktuale mbikëqyrëse, duke nisur nga këshillat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë, Autoritetin Mbikëqyrës Financiar (AMF) dhe të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Kjo nënkupton edhe ristrukturimin e këtyre autoriteteve, përbërja e të cilëve do të rishikohet nga e para, ndoshta edhe duke prekur disa ligje ekzistuese dhe ndryshimin e politikave të institucioneve në fjalë.
Në selinë rozë nuk ka konfirmime zyrtare për krijimin e një autoriteti të tillë, sepse realisht mbikëqyrja e financave të institucioneve shqiptare aktualisht është në duart e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në këtë rast, krijimi i një autoriteti kontrollues do të binte ndesh me KLSH-në dhe nuk dihet se ç’kompetenca do të kishte në të vërtetë. Çka vë në diskutim edhe kushtetueshmërinë e tij. Madje, ekspertë të ndryshëm të financave janë shprehur kundër auditimit ndërkombëtar të financave, duke qenë se kjo ndërhyn në kompetencat e KLSH-së, pavarësisht se Rama e ka shpjeguar se ideja e tij nuk ka të bëjë me punën që bën KLSH-ja.
Por, ndoshta organi më interesant që pritet të ngrejë qeveria e re socialiste është Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e paralajmëruar përpara zgjedhjeve, por e konfirmuar disa herë edhe pas fitores. Rama ka theksuar se bregdeti është prioritet i qeverisë së tij dhe se do të bëjë çmos për ta çliruar nga ndërtimet pa leje. Aksionet e para të seriozitetit të nismës Rama i tregoi në Vlorë, me mbështetjen e Bashkisë, kur u prishën disa ndërtime pa leje. Në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit katapultohen dy emra: Auron Tare ose Artan Lame, me këtë të fundit që ka folur më shpesh lidhur me atë se çfarë do të bëjë kjo agjenci. Gjithsesi, pikëpyetjet do të shuhen shumë shpejt. Nëse vapa ikën me gushtin, për Ramën i nxehti fillon në shtator.
*Revista KLAN
Nje nga hapat e vonuara qe duhet te marre eshte heqja e te drejtes per planifikim urban dhe dhenie lejesh ndertimi organeve vendore ne zonat bregdetare.
Shikoni se cfare ka ndodhur ne Durres, Kavaje, Vlore Sarande ndofta edhe ne Shengjin e Velipoje – katunaret e urbanistikes nuk kane mundur te japin nje leje per nje resort modern – por vetem kanoce e kasolle e traplliqe ndertimore.
Mendoj se edhe kandidatet per kryetar bashkish e komunash ne keto zona bregdetare e liqenore duhet te vine nga qarqe e qytete te tjera – pa lidhje me fisin, miqesira, nepotizem nga katundi dhe qyteti i vet kandidatit!
A nuk kane qene bashkiaket sarandiote, durrsake, kavajsit si qeveriatre lokale ata qe kane shkerydhyer bregheditin e tyre dhe e kane ktheyr plazhet ne shurrtore publike !!!
PO SHTATORI I …
BASHES??!
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/08/kukulla.html
Organigramat e Ministrive po ti shikosh online eshte tmerr. Drejtori te coptuara ne 2-3 sektore, thjesht per te ngritur ne page nje pergjegjes sektori – qe ka ne varesi 2 veta. Kjo eshte sot qeveria ne diete qe ka lene Monstra.
Pergezime per seriozitetin qe i kushtohet ristrukturimit te SHISH dhe SHIU. Besoj eshte guri i pare i themelit te nje RILINDJE. Me ne fund te kemi nje sherbim informativ me njerez profesionist dhe te pa inkriminuar. Ta duan vendin e tyre pra te jene te pa rekrutueshem nga sherbime te huaja…I pa perdorshem per te perndjekur opozitaret dhe bashkepunetoret te mos jene njerez hallexhinj qe per nje cope buke devijojne…
Me mire te shkrihet ky sherbim nga e para e te rindertohet me kujdes te madh sepse ky eshte thjeshte pasuesi i SISGURIMIT te SHTETIT qe ka punuar me te njejtet njerez, mentalitet dhe metoda.
Eshte e veshtire, por nese gjerat behen me dashuri per vendin cdo gje arrihet.
Urime te sinqerta, Kryeministrit RAMA!